Dëshmia e Dhënë nga Dëshmitari i Millosheviq Nuk Mbështetet me Fakte
Dëshmitarët e thirrur nga Millosheviq kanë thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dashur të shkatërrojnë Jugosllavinë – por nuk i kanë mbështetur thëniet e tyre me prova.
Dëshmia e Dhënë nga Dëshmitari i Millosheviq Nuk Mbështetet me Fakte
Dëshmitarët e thirrur nga Millosheviq kanë thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dashur të shkatërrojnë Jugosllavinë – por nuk i kanë mbështetur thëniet e tyre me prova.
Ish kryeministri sovjetik Nikolai Ryzhkov dhe gjeneral Leonid Ivashov – një ish oficer i ushtrisë sovjetike dhe shef i departamentit të marrëdhënieve ndërkombëtare në ministrinë e mbrojtjes të Rusisë në kohën e bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë në vitin 1999 – janë paraqitur si dëshmitarë të thirrur nga Millosheviq në javën e dytë të procesit pasi atij i është rikthyer e drejta për të mbrojtur vetveten.
Por ashtu si edhe javën e kaluar, seancat e pyetjeve të dëshmitarëve nuk mund të quhen sukses. Ish presidenti jugosllav po përballet me mbi 60 akuza për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe genocid në tre akuzat të cilat kanë të bëjnë me konfliktet në Kosovë, Bosnje dhe Kroaci. Dëshmitarët e thirrur prej tij këtë javë pritej të jepnin prova të cilat kundërshtonin akuzat që kanë të bëjnë me ngjarjet në Kosovë.
Gjenerali Ivashov – i cili nuk është klasifikuar si një “dëshmitar ekspert” nga trupi gjykues dhe si i tillë është paralajmëruar se ai nuk mund të ofronte mendimin e tij si provë – nuk ka mundur të paraqesë asnjë dokument i cili të mbështeste thëniet e tij.
Duke iu drejtuar të pandehurit me fjalët “zoti president”, ai ka thënë para trupit gjykues se Ushtria Clirimtare e Kosovës, UCK, ka qenë një grup “terrorist” i lidhur me al-Qaeda, dhe ka akuzuar SHBA dhe NATO-n se kanë dashur të shkatërrojnë Jugosllavinë dhe e kanë përdorur rajonin si “poligon provash” për municionet e reja, përfshirë ato me përmbajtje uraniumi të varfëruar. I pyetur nga Millosheviq se çfarë karakteri ka pasur UCK-ja, Ivashov është përgjigjur: “Po zoti president, UCK nuk e ka fshehur kurrë ambicjen e saj separatiste, dhe ata kanë pasur mbështetje të huaj për të arritur synimet e tyre”.
Ivashov e ka paraqitur UCK-në si një “organizatë ilegale terroriste” e cila është përdorur nga SHBA për të destabilizuar Serbinë dhe udhëheqjen e saj, si pjesë e një plani më të gjerë për të rrëzuar Millosheviqin dhe për të fituar më tepër ndikim në Ballkan. Në shkëmbim të ndihmës së tyre, ka thënë Ivashov, shqiptarët e Kosovës do të shpërblehen me atë që dëshirojnë më tepër – mundësinë për pavarësi.
“Ish sekretarja amerikane e shtetit Madeleine Albright i ka kërkuar komandantit të UCK-së, Hashim Thaci të pranonte hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë në shkëmbim të premtimit për organizimin e një referendumi për pavarësinë,” ka thënë Ivashov.
Në atë kohë, Ivashov ka qenë një kundërshtar i fuqishëm i prezencës së NATO-s në Kosovë. Ai është parë nga shumë njerëz si personi që ka organizuar sulmin e trupave ruse ndaj aeroportit të Prishtinës pas përfundimit të bombardimeve, një hap i cili është pasuar nga një përplasje diplomatike ndërmjet NATO-s dhe Rusisë.
Në dëshminë e tij këtë javë, Ivashov ka thënë gjithashtu se forcat serbe në Kosovë u janë përgjigjur krimeve të kryera nga UCK-ja, dhe se dëshira e vetme e Millosheviqit ka qenë rivendosja e paqes në atë zonë.
Por meqënëse dëshmitari nuk ka qenë në gjendje të mbështesë këto deklarime me prova apo ndonjë document të shkruar, kryetari i trupit gjykues Patrick Robinson nga Xhamaika ka paralajmëruar se gjykata “nuk do të marrë shumë parasysh” këtë dëshmi.
“Kjo dëshmi është krejtësisht e pakuptimtë nëse dëshmitari nuk është në gjendje ti paraqesë gjykatës dokumentat mbi të cilat ai mbështet dëshminë e tij,” ka paralajmëruar Robinson.
Prokurori Geoffrey Nice gjithashtu e ka vendosur nën presion Ivashov për refuzimin e tij për të paraqitur ndonjë document për të mbështetur vlerësimet e tij sipas të cilave “komuniteti ndërkombëtar ka qenë i vendosur të shkatërronte Jugosllavinë”.
“Kush është prova juaj më e mirë për këtë?” e ka pyetur ai Ivashov më 24 nëntor.
Dëshmitari ka deklaruar përsëri se ai nuk ishte në gjendje të paraqiste ndonjë provë fizike, duke thënë se shumë dokumenta mbi të cilat ai ka bazuar dëshminë e tij janë ende sekrete. “Por Ballkani është shpallur një rajon me interes për Shtetet e Bashkuara,” ka thënë ai, duke thënë se në vitin 1993, SHBA kishte përgatitur një koncept strategjik për të vendosur nën kontroll të gjitha zonat me interes.
Kur Nice ka theksuar se gjenerali nuk kishte qenë në Kosovë në kohën për të cilën bëhet fjalë në akuzën ndaj Millosheviqit, dëshmitari është përgjigjur se ai e ka ditur gjendjen pas bisedës me dy refugjatë katolik shqiptarë të cilët i kanë thënë atij se ishin larguar nga zona për tu shpëtuar “terroristëve” të UCK-së.
Millosheviq ka kundërshtuar me forcë mënyrën e trajtimit të dëshmisë së Ivashov nga prokurori, duke e përshkruar atë si “nën dinjitetin njerëzor”, por është ndërprerë nga Robinson, i cili ka shpjeguar se dëshmia e dhënë nga dëshmitari duhet të provohej, dhe se kjo po bëhej në “një mënyrë të pranueshme”.
Më parë këtë javë, Ryzhkov i cili gjithashtu i është drejtuar të pandehurit me fjalët “zoti president”, ka thënë se komuniteti ndërkombëtar – veçanërisht SHBA – kanë pasur një ambicje të vjetër për të siguruar kontrollin e ish Jugosllavisë, dhe kanë përdorur trupat e NATO-s për të destabilizuar rajonin.
Ai gjithashtu ka mohuar se autoritetet serbe të drejtuara nga Millosheviq të kenë pasur ndonjë herë plane për të aneksuar zonat e banuara nga serbët në Ballkan apo për të krijuar një Serbi të Madhe. “Unë nuk kam dëgjuar asnjëherë të flitet për Serbinë e Madhe, në lidhje me akuzat për të cilat po gjykohet i pandehur këtu,” ka thënë ai. “Por kam dëgjuar shumë për një Shqipëri të Madhe”.
Gjatë gjithë kësaj jave, Robinson ka ndërprerë vazhdimisht të pandehurin për ti kujtuar atij rregullat e gjykatës, veçanërisht në lidhje me “bërjen e pyetjeve me një përgjigje të përcaktuar”.
Millosheviqit i është kujtuar gjithashtu se gjykata nuk do të tolerojë asnjë përpjekje për të bërë fjalime politike në formën e pyetjeve për dëshmitarët.
Ata që ndjekin punimet e gjykatës mendojnë se gjykata dhe prokurori po bëjnë më të mirën e mundshme për të ndihmuar Millosheviqin në mbrojtjen e tij, por në të nëjtën kohë edhe për ta detyruar atë të zbatojë rregullat.
Por nga sa është parë këtë javë, duket se i pandehuri nuk po përfiton nga kjo ndihmë.
Për ironi, një zgjidhje e mundëshme e vështirësive në pyetjen e dëshmitarëve është përpara të pandehurit në formën e avoaktit të caktuar nga gjykata, Steven Kay dhe Gillian Higgins, të cilët kanë shërbyer më parë si miq të gjykatës.
Dy avokatët britanikë kanë kërkuar të hiqen nga kjo çështje, duke thënë se mospranimi i të pandehurit për të komunikuar me ta ka shkaktuar një “konflikt të pazgjidhshëm”, dhe se vazhdimi i një roli ku nuk mund të mbrojnë interesat e klientit në mënyrën më të mirë do të ishte shkelje e kodit të sjelljes së gjykatës.
Trupi gjykues pritet të arrijë një vendim për këtë çështje shumë shpejt, dhe Kay dhe ndihmësi i tij i kanë ofruar Millosheviqit ndihmën e tyre deri sa gjykata të japë vendimin. Deri më tani, ish presidenti jugosllav nuk ka pranuar ofertën e Kay, dhe ata që ndjekin punimet e gjykatës mendojnë se ai nuk do të ndryshojë mendim.
Millosheviq ka thënë gjithnjë se ai nuk do të bashkëpunojë me asnë avokat të caktuar nga gjykata të cilën ai e konsideron të paligjëshme, dhe mbështetet në disa këshilltarë ligjorë të vendosur në Beograd të cilët njihen edhe nga gjykata.
Judith Armatta nga Koalicioni për Drejtësi Ndërkombëtare, një vëzhguese e vjetër e procesit ndaj Millosheviq, mendon se këshillat nga avokatët e caktuar nga gjykata do të kishin minimizuar apo edhe parandaluar problemet e të pandehurit këtë javë.
“Millosheviq duket se nuk e di se çfarë do të thotë të përgatisësh një dëshmitar, dhe ndihma ligjore në këtë drejtim do të ishte e nevojëshme. Kjo përgatitje është shumë më tepër se sa tu thuash dëshmitarëve se çfarë pyetjesh mund tu bëhen dhe si të përgjigjen. Ai duhet të sigurohet edhe që ata të japin prova.
“Kay dhe Higgins do të kishin folur me të për ato që ai dëshironte të arrinte dhe do ta kishin ndihmuar në përgatitjen e dëshmitarëve, dhe vetë dëshmitarët për të përballuar pyetjet e vështira të prokurorëve”.
I pandehuri është ankuar gjithashtu se prokurori ka marrë nga koha e caktuar për – gjysma e 250 minutave që kanë zgjatur pyetjet për dëshmitarët – por ka marrë si përgjigje se trupi gjykues mendonte se kjo ishte diçka normale duke parë rëndësinë e dëshmitarëve.
“Millosheviq duhet të mbledhë veten,” ka theksuar Armatta. “Ai duket se mendon se mund të sjellë një person të rëndësishëm për të dëshmuar në mbrojtje të tij, dhe se rëndësia e personalitetit të paraqitur si dëshmitar do të mjaftonte për të siguruar besueshmërinë e tij. Por jo, nuk është kështu”.
Gjyqi pritet të rifillojë më 30 nëntor.
Alison Freebairn është një redaktore e IWPR në Londër.