Afrohen Kroacia dhe Serbia
Zagrebi dhe Beogradi kanë shumë për të fituar nga rivendosja e lidhjeve të tyre ekonomike
Afrohen Kroacia dhe Serbia
Zagrebi dhe Beogradi kanë shumë për të fituar nga rivendosja e lidhjeve të tyre ekonomike
Kroacia dhe Serbia po afrohen më shumë me njëra tjetrën, të shtyra edhe nga Uashingtoni dhe nevojat e të dy palëve për ekonomitë e tyre të rrënuara. Por ky afrim nuk është mirëpritur nga pjesa më e madhe e Serbëve dhe Kroatëve.
Në kuadrin e një inisiative Amerikane, presidenti Kroat Stipe Mesiq është takuar me kolegun e tij Jugosllav Vojisllav Koshtunica në qytetin Zviceran të Davosit në Janar, gjatë Forumit Ekonomik Botëror - takimi i tyre i dytë gjatë këtyre dy muajve.
Uashingtoni shpreson se këto bisedime do të ndihmojnë në përshpejtimin e procesit demokratik në Ballkan, veçanërisht në Bosnje, ku Amerikanët kërkojnë që udhëheqësit Serbë dhe Kroatë të inkurajojnë pakicat Serbe dhe Kroate t'u japin fund ambicieve të tyre separatiste.
Në Davos, Koshtunica ka propozuar mbajtjen e një takimi ndërmjet presidentëve Kroatë, Boshnjak dhe Jugosllavë - dhe Mesiq e pranoi.
Megjtihatë, Mesiq, duhet të tregohet i kujdesëshëm. Pjesa më e madhe e Kroatëve nuk janë shumë të kënaqur me vendosjen e lidhjeve më të ngushta, sepse kanë ende të freskëta kujtimet e konfliktit me Jugosllavinë.
Në fakt, takimi i parë ndërmjet Mesiqit dhe Koshtunicës gjatë takimit të BE-së në Zagreb, Nëntorin e kaluar nuk është mirëpritur në Kroaci.
Në atë takim, koshtunica nuk pranoi të kërkojë falje Zagrebit për luftën e 1991. Disa thonë se autoritetet duhet të kishin kërkuar këtë gjë me ngulm përpara se ta lejonin Koshtunciën të vinte në Kroaci.
Si rezultat i bisedimeve të tij me Koshtunicën dhe dëshirës për bashkëpunim me gjykatën e krimeve të luftës, popullariteti i Mesiqit po bie, për herë të parë që prej zgjedhjes së tij.
Por, megjithëse këto takime mund të shkaktojnë shqetësime në Kroaci dhe Serbi, ato janë të domosdoshme për përmirësimin e gjendjes ekonomike të të dy vendeve dhe për zgjidhjen e shumë problemeve të qytetarëve të këtyre vendeve - si për shembull çështja e vizave dhe e pronave.
Bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve është shtuar kur Koshtunica dhe Mesiq kanë rënë dakort në Davos për të shkëmbyer ambasadorët. Marrëdhëniet diplomatike ishin vendosur që në kohën e bisedimeve të Dejtonit, por ato u ndërprenë në kohën e luftësnë Kosovë.
Dy drejtuesit kanë folur edhe për lehtësimin e procesit të vizave, i cili pengon zhvillimin ekonomik dhe marrëdhëniet në përgjithësi. Marrëveshja e tyre për heqjen e lejeve të kalimit nga të dyja palët është përkrahur ndjeshëm nga ekonomistët në të dy vendet.
Ekonomitë e Kroacisë dhe Serbisë kanë qenë për një kohë të gjatë të ndërlidhura ngushtë. Kjo është aq e vërtetë saqë përpara luftës të dyja vendet prodhonin së bashku disa mallra.
Uzina ushtarake Gjura Gjakoviq në Slavonski Brod bashkëpunonte me kompaninë e industrisë Elektronike nga Nishi në prodhimin e një pjese për tanket e cila shitej jashtë vendit.
Kompania Jugoplastika në Split prodhonte pjesë për firmën e makinave Zastava që prodhonte veturat Yugo në Kragujevac.
Jugoplastika ka qenë një ndër uzinat kimike më të mëdha në Ballkan por është dëmtuar aq rëndë nga humbja e tregjeve të brendëshme pas shpërbërjes së federatës së vjetër, saqë tani prodhon vetëm lodra për fëmijë. Edhe Zastava po kalon një gjendje të rëndë për të njëjtat arësye.
Gjatë dekadës së fundit, tregtia praktikisht është ndërprerë krejtësisht. Por tani kanë filluar shenjat e para të lidhjeve tregtare.
Në Kroaci, dyqanet e mobiljeve kanë filluar të mbushen me divanë dhe kolltuqe të prodhuara nga firma Serbe Simpo. Në dyqanet e makinave janë shfaqur modelet e reja të Yugo-s - të prodhuara në Kragujevac, por për shkak të shoqatës së reklamave të makinave i është ndryshuar emri në Tempo.
Ndërkohë, në Serbi, tregtarët Serbë mund të blenë përsëri ëmbëlsirat dhe erëzat Kroate dikur aq të pëlqyera. Delegacionet tregëtare kanë vizituar vendet respektive disa herë në një përpjekje për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik. Në fillim të Shkurtit, për shembull, një grup nga asambleja e qytetit të Zagrebit kanë vizituar Novi Sadin për të promovuar industrinë Kroate në atë zonë.
Ka pasur edhe disa përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet në fusha të tjera. Në fillim të Janarit, Nenad ?acak, presidenti i asamblesë së Vojvodinës, ka vizituar qytetin kufitar të Kroacisë Ilok për të diskutuar problemet kufitare.
Fermerët në këtë zonë janë veçanërisht të shqetësuar sepse, pjesa më e madhe e tokave të tyre janë zënë nga krijimi i kufinjve të rinj ndërmjet dy shteteve. Muajin e kaluar, një delegacion nga bashkia e Bac në Vojvodinë ka vizituar qytetin e Vukovarit për të përfunduar një marrëveshje bashkëpunimi.
Këto takime dypalëshe në nivel lokal deri pak kohë më parë kanë qenë të paimagjinueshme.
Po bëhet gjithnjë e më e qartë se normalizimi i marrëdhënieve është diçka e pashmangëshme. Koshtunica dhe Mesiq e pranojnë këtë gjë, por tani duhet të përpiqen të bindin edhe atë pjesë të popullsisë e cila është ende dyshuese.
Dragutin Hedl është një bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.