Amnistia e Armëve në Kosovë në Vështirësi
Vetëm një pjesë e vogël e arsenalit të madh të armëve që gjenden në Kosovë ka mundësi të dorëzohet brenda afatit të vendosur për një amnisti për dorëzimin e armëve.
Amnistia e Armëve në Kosovë në Vështirësi
Vetëm një pjesë e vogël e arsenalit të madh të armëve që gjenden në Kosovë ka mundësi të dorëzohet brenda afatit të vendosur për një amnisti për dorëzimin e armëve.
Amnistia e OKB-së për armët në Kosovë skadon të Hënën, më 4 Qershor, duke u lënë banorëve vendas edhe disa ditë kohë për të dorëzuar armët. Që prej asaj dite, të gjithë ata që gjenden me armë zjarri do të përballen me dënime të rënda.
Zyrtarët kishin shpresuarse kërcënimi për gjoba deri në 20,000 marka Gjermane dhe dënimet me deri 10 vjet burgim do të bindnin njerëzit të respektonin afatin. çarli Xhonson, zëdhënësi i policisë së UNMIK-ut, duket se ka dyshimet e tij se amnistia do të ketë efektin e dëshiruar.
"Fushata nuk ka qenë e suksesëshme - mijëra e mijëra armë ende nuk janë dorëzuar. Ne do të përpiqemi të bëjmë çfarë është e mundur por nuk kemi iluzione. Edhe vetë Serbia nuk ka mundur të çarmatosë Shqiptarët e Kosovës". Deri më tani janë dorëzuar vetëm rreth 1,000 armë.
Edhe nëse numri i armëve të dorëzuara rritet ende, do të jetë thuajse e pamundur të vlerësohet sesa e suksesëshme ka qenë amnistia sepse askush nuk e di sesa armë gjenden në Kosovë.
Në fund të viteve nëntëdhjetë në Kosovë kanë hyrë një numër i madh armësh nga Shqipëria. Shumë prej këtyre armëve kanë mbetur këtu edhe pas konfliktit të vitit 1999 - dhe numri i tyre është shtuar edhe nga kontrabanda e vazhdueshme e armëve prej vendeve të tjera Ballkanike, përfshirë edhe vetë Serbinë.
"Këtu ka pasur luftë, dhe është normale që shumë njerëz kanë armë, por ne kemi bërë sa kemi mundur për të mbledhur sa më shumë prej tyre," thotë sekretari i çështjeve publike të Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, Fatmir Limaj.
Ish drejtues i Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, UCK, Limaj kundërshton zërat se armët e UCK-së kanë përfunduar në duart e civilëve, duke insistuar se të gjitha armët janë dorëzuar gjatë demobilizimit të forcës ushtarake.
Që prej vitit 1999, KFOR ka kapur sasi të mëdha armësh përgjatë kufirit të Kosovës me Serbinë jugore, Shqipërinë dhe Maqedoninë, në disa raste edhe ngarkesa të mëdha armësh dhe municioni deri në tre tonë. Por asnjë herë nuk janë publikuar shifra të sakta rreth sasisë së kapur të armëve. Ajo që dihet me siguri është se ende ka sasi të mëdha armësh andej nga ato vijnë.
Komuniteti ndërkombëtar është alarmuar kur një vit e gjysëm më parë nisi konflikti në luginën e Preshevës. Shqetësimi i tyre është shtuar edhe më tepër kur shpërthyen luftimet në Maqedoni. Mesa duket, Kosova ka qenë burimi prej nga kanë ardhur pjesa më e madhe nëse jo të gjitha armët që janë përdorur në këto konflikte.
Një provë e rëndë e shpërndarjes së armëve të zjarrit në provincë janë edhe rreth 400 vrasje me armë zjarri që prej përfundimit të luftës. Shefi i ri i policisë së UNMIK-ut, Albert Gros, thotë se vetëm gjatë vitit të fundit janë njoftuar 246 vrasje.
Çarli Xhonson thotë se shifrat janë alarmante dhe aludon për nivelin e lartë të krimit të tipit mafioz në provincë. "Armët nuk vrasin, janë kriminelët ata të cilët vrasin," ka thënë ai.
Ndërkohë, policia dhe paqeruajtësit kanë botuar adresat e depove ku mund të dorëzohen armët. Pavarësisht kësaj, banorët vendas preferojnë të lënë armët e tyre në vende publike ku trupat e huaja mund ti gjejnë lehtësisht.
Zyrtarët ndërkombëtarë kanë prova gjithnjë e më të shumta se Serbët po grumbullojnë sasi të mëdha armatimi të dërguara nga Beogradi për të mbrojtur enklavat e tyre në Kosovën veriore. Asnjë nga këto armë nuk janë dorëzuar thotë Xherri Methjus i UNMIK-ut, i cili është i sigurtë se Serbët do të trajtohen njësoj si Shqiptarët. Një zyrtar i lartë i policisë së UNMIK-ut thotë se dëshira e njerëzve për të mbajtur armë bazohet në një vlerësim të gabuar të rrezikut në provincë.
"Njerëzit kanë rënë viktimë e një paranoie se ata të gjithë mund të bien viktimë e kriminelëve - dhe kjo është arësyeja që ata duan të mbajnë armë," thotë ai. "Është gabim të mendosh se një armë zjarri mund të të mbrojë, sepse nëse ti ke një pistoletë, dikush tjetër do të marrë një top".
Ali Cenaj është një bashkëpunëtor i IWPR-së.