ANALIZË: Millosheviq Bën Luftë të Ftohtë

Sa herë që Sllobodan Millosheviq del i humbur nga një konfrontim në sallën e gjyqit, ai në mënyrë misterioze sëmuret.

ANALIZË: Millosheviq Bën Luftë të Ftohtë

Sa herë që Sllobodan Millosheviq del i humbur nga një konfrontim në sallën e gjyqit, ai në mënyrë misterioze sëmuret.

Sllobodan Millosheviq është sëmurur për të dytën herë që prej fillimit të gjyqit ndaj tij më 12 Shkurt, duke shtuar zërat rreth kalendarit të përcaktuar nga gjykata për paraqitjen e provave të akuzës.


Ish presidenti Serb po vuan nga një e ftohur me temperaturë të lartë, e cila ka bërë që pasuesit e tij te thonë se ritmi i lartë i gjyqit është përcaktuar për të lodhur të pandehurin, në mënyrë që ai të mos jetë në gjendje të paraqesë një mbrojtje të mirë.


Gruaja e tij Mira Markoviq, ka folur për një “rezultat të dëshiruar i cili është planifikuar shumë kohë më parë”, gjë e cila është bërë me qëllim “për të harxhuar të gjitha energjitë e tij”.


Lobi pro Millosheviqit ka kundërshtuar gjithashtu edhe praktikën e transportimit të tij nga Qendra e Burgimit të OKB-së në ndërtesën e gjykatës cdo ditë – një udhëtim i cili zgjat deri tre orë në ditë.


Rastësisht ose me qëllim, secila nga dy sëmundjet e Millosheviqit kanë ndodhur menjëherë pas një konfrontimi të pasuksesëshëm me zyrtarë të lartë ndërkombëtarë të cilët kanë dëshmuar kundër tij në gjykatë. E para, në mesin e muajit Mars, ka ndodhur pas një dueli të pasuksesëshëm të tij me Përfaqësuesin e Lartë për Bosnjen, Paddy Ashdown. (Shih Raportin nr. 258 nga Gjykata). Millosheviq mungoi për dy javë për të kaluar një të ftohur menjëherë pas përballimit me ish drejtuesin e Partisë Liberal Demokrate Britanike.


Imuniteti i tij shëndetësor është goditur përsëri pas dueleve të shumëpritura me Ambasadorin William Walker, ish drejtues i Misionit të Verifikimit në Kosovë, KVM, dhe gjeneralin Klaus Naumann, ish shefi i komitetit ushtarak të NATO-s. Ai i ka humbur edhe këto dy beteja në sallën e gjyqit. (Shih Raportin nr. 270 nga Gjykata).


Dëshmitarët – vecanërisht Naumann – kanë qenë shumë më të dëmshëm për Millosheviqin sesa Ashdown, kështu që do të jetë interesante të shihet se sa kohë do ti duhet atij të rimarrë veten këtë rradhë.


Nuk është ende e qartë nëse problemet shëndetësore të ish presidentit janë shkaktuar nga ritmi i lartë i gjyqit, ose nëse kjo sëmundje do të detyrojë gjykatësit të ulin ritmin e procedurave në këtë gjyq.


Gjatë 14 javëve të paraqitjes së provave – 59 ditë të plota – prokurorët kanë thirrur për të dëshmuar rreth 80 dëshmitarë, gjë e cila përbën një rekord për gjykatën. Lista më e fundit e dëshmitarëve e cila është përcaktuar përpara sëmundjes së Millosheviqit, përfshinte edhe 68 të tjerë.


Megjithatë, gjykatësit kanë vendosur një afat kohor për paraqitjen e provave të akuzës, dhe ky afat është 26 Korrik. Pra kjo do të thotë se mbeten edhe vetëm pesë javë, përfshirë edhe tre ditët e përcaktuara për sesionin plenar të gjykatësve.


Për ironi, si Millosheviq ashtu edhe “pala tjetër”, sic e quan ai palën e akuzës, janë të bashkuar në kundërshtimin e tyre ndaj përcaktimit të afateve strikte nga ana e gjykatësve.


Millosheviq kundërshton sepse ritmi i lartë po e lodh, ndërsa prokurorët kundërshtojnë sepse ata mendojnë se këto afate po dëmtojnë strategjinë e tyre dhe nuk i kanë lejuar atyre të paraqesin të gjitha provat e nevojëshme.


Por as që bëhet fjalë për një aleancë ndërmjet dy palëve, sepse Millosheviqit i intereson që pala kundërshtare të ketë sa më pak kohë në dispozicion për të paraqitur provat. Kjo është edhe arësyeja kryesore që i pandehuri përpiqet të humbasë sa më tepër nga koha e përcaktuar për prokurorët dhe paraqitjen e akuzës.


Sapo Millosheviq të kthehet në gjyq, prokurorët me siguri do të kërkojnë kohë shtesë për shkak të kohës së humbur si pasojë e sëmundjes së tij. Nëse gjykatësit nuk e kompensojnë këtë kohë, i akuzuari mund të marrë mesazhin se ai mund të “sëmuret” sa herë të dojë, dhe kështu të pengojë paraqitjen e provave të akuzës.


Millosheviq dhe kundërshtarët e tij nuk janë të vetmit të shqetësuar nga mungesa e kohës. Të mbijetuarit nga vrasjet masive në Recak, Izbice, Suharekë dhe vende të tjera po vuajnë gjithashtu.


Në vend të pesë dëshmitarëve të parashikuar për të 14 vendet e përshkruara në akuzë, prokurorët do të mund të thërrasin vetëm një ose dy për secilën nga këto ngjarje.


Dëshmitë e tyre me shkrim do të përfshihen në prova, por ata do të flasin vetëm gjatë seancave të pyetjeve të të pandehurit ndaj tyre. Dhe, sic kanë parë shumë nga këta viktima, Millosheviq nuk është i interesuar për vuajtjet e tyre por në krimet e “terroristëve të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës” dhe “agresorëve të NATO-s”. Në këtë mënyrë historitë e tyre do të mbeten të patreguara, gjë e cila i ka zemëruar shumë ata dhe publikun e gjerë.


Gjatë dy javëve të ardhëshme, prokuroria do të përfundojë listën e dëshmitarëve dëshmitë e të cilëve synojnë të provojnë se krimet e përshkruara në akuzë – si deportimet, vrasjet, përdhunimet dhe shkatërrimi i pronave – kanë ndodhur me të vërtetë.


Më pas do të vijë rradha e “dëshmitarëve lidhës”, dëshmitë e të cilëve mendohet se do të lidhin të pandehurin direkt ose indirekt me këto krime duke provuar se ai ka pasur nën kontroll forcat përgjegjëse për këto krime dhe se ka pasur dijeni për atë që po ndodhte në Kosovë.


Këto dëshmi duhet të përfshijnë edhe dëshmi nga “njerëz të brendëshëm” të cilët kanë qenë dikur të afërt me vetë Millosheviqin, kështu që prezantimi i këtyre provave do të jetë një ngjarje e vecantë.


E vetmja gjë që mund të ndikojë në planin e ngjëshur të prokurorëve përpara 26 Korrikut, ose ndonjë date të re të përcaktuar nga gjykata, do të ishte mbërritja e papritur e atyre zyrtarëve Amerikanë të përmendur në Raportin nr. 269 të të rejave nga gjykata si “dëshmitarët e munguar”. Dëshmitë e tyre mund të marrin të paktën dy javë – pothuajse gjysma e kohës së mbetur në dispozicion të prokurorëve.


Uashingtoni ka konfirmuar se ish ambasadori Amerikan në OKB, Richard Holbrooke, është njëri prej tyre por ka insistuar që ai të dëshmojë me dyer të mbyllura. Prokurorët e Hagës e kanë hedhur poshtë këtë kërkesë. Si rezultat, Holbrooke dhe dëshmitarët e tjerë nuk figurojnë më në këtë listë.


Për shkak të afateve kohore, prokurorët nuk nxitojnë të thërrasin patjetër këta dëshmitarë. Kjo jo vetëm për të shmangur mundësinë e një sëmundjeje tjetër të Millosheviqit, për arësyet e përmendura më sipër, por sepse dëshmi të tilla do të mbulonin një periudhë më të gjerë sesa ajo e përmendur në akuzën për ngjarjet në Kosovë.


Mirko Klarin është redaktor i vjetër i IWPR në gjykatën e krimeve të luftës dhe kryeredaktor i agjensisë së lajmeve SENSE.


Frontline Updates
Support local journalists