Armëpushimi i Brishtë
Tensionet ndërmjet Maqedonasve dhe Shqiptarëve vazhdojnë të rriten, pavarësisht marrëveshjes më të fundit për armëpushim ndërmjet forcave të sigurimit dhe UCK-së
Armëpushimi i Brishtë
Tensionet ndërmjet Maqedonasve dhe Shqiptarëve vazhdojnë të rriten, pavarësisht marrëveshjes më të fundit për armëpushim ndërmjet forcave të sigurimit dhe UCK-së
Tetova është e qetë por tensioni ndjehet pas armëpushimit të brishtë të arritur me ndërmjetësinë e BE-së ndërmjet forcave Maqedonase të sigurimit dhe luftëtarëve të UCK-së.
Për banorët vendas në qytetin veriperëndimor, armëpushimi i brishtë, i nënshkruar një javë më parë, është më tepër një qetësi përpara furtunës, sesa parathënia e një marrëveshje paqeje të qëndrueshme. "Nëse bisedimet nuk arrijnë një marrëveshje të suksesëshme," thotë një analist vendas, "lufta do të rifillojë. Të dyja palët po përgatiten për të".
Maqedonasit e thjeshtë janë të shqetësuar për sigurinë e tyre personale dhe për pronat. Zërat për një shpërthim të ri të luftimeve kontribuojnë në shtimin e kësaj ndjenje frike. "Ky informacion i pasaktëështë shumë i rrezikshëm për sigurinë e qytetit, sepse i bën njerëzit shumë të pasigurtë dhe të paparashikueshëm," thotë Murtezan Ismaili, kryetar i bashkisë së Tetovës.
Partitë politike Maqedonase dhe Shqiptare shpesh fajësojnë njëra tjetrën për prishjen e armëpushimit. Vëzhguesit e OSBE-së nxitojnë të shkojnë kudo që ka incidente në një përpjekje për të ruajtur vazhdimin e paqes.
Si qeveria e Presidentit Boris Trajkovski ashtu edhe media Maqedonase kanë akuzuar UCK-në për një fushatë "spastrimi etnik" në fshatrat malore të Jedoarce, Brezno, Setole, Otunje, Varvara dhe Jelosnik, rreth 30 km në veri të Tetovës.
Banorët e zhvendosur të këtyre fshatrave, tani të kontrolluara nga forcat e UCK-së, kanë protestuar ashpër ndaj mungesës së veprimeve të qeverisë në një takim special të mbajtur me Trajkovskin më 9 Korrik. Ai i ka siguruar ata se do të bëhet çfarë është e mundur që ata të kthehen në shtëpitë e tyre sa më parë.
Drejtuesit e luftëtarëve Shqiptarë kanë hedhur poshtë zërat se luftëtarët e tyre kanë prishur armëpushimin apo kanë dëbuar Maqedonasit nga rajoni i Tetovës. "Vrasja e luftëtarit të UCK-së Bedri Emini në Neproshten tregon se kush po e shkel armëpushimin," thotë për IËPR-në një nga komandantët e UCK-së, i cili preferon të mbetet anonim.
Emini, i lindur në Neproshten, është vrarë nga një snaiper. Fshatarët Shqiptarë thonë se mënyra e vrasjes së tij provon faktin se grupet paraushtarake Maqedonase po veprojnë në këtë zonë. Një Maqedonas është arrestuar në lidhje me vrasjen e tij, por më pas është liruar për mungesë provash.
Komandanti i UCK-së thotë se pretendimet e Maqedonasve për "spastrim etnik" janë planifikuar për të larguar vëmendjen nga dëbimi i Shqiptarëve në Shkup dhe Kërçovë.
Pas njoftimit për armëpushimin, disa mijëra Shqiptarë të cilët ishin larguar në Kosovë për të shpëtuar nga dhuna janë përpjekur të kthehen në shtëpitë e tyre. Ata thonë se nuk janë lejuar të kthehen nga policia Maqedonase e cila u ka kërkuar dokumente udhëtimi përpara se të lejoheshin të kalonin kufirin.
Megjithëse duket se armëpushimi po respektohet, Shqiptarët shqetësohen se një ofensivë e re po përgatitet nga forcat Maqedonase të sigurimit. Maqedonasit, ndërkohë, frikësohen se UCK-ja po përgatitet të rifillojë luftën. Të dyja palët po grumbullojnë ushqime, ilaçe dhe materiale të tjera të nevojëshme për kohët e këqia që presin.
Tensioni është veçanërisht i lartë në fshatrat Sllatinë dhe Neproshten, që kanë qenë nën kontrollin e UCK-së. Më 5 Maj, banorët e fshatit Leshkë kanë akuzuar fshatarët Shqiptarë të Sllatinës dhe Neproshtenit se i kanë sulmuar ata. "Ne jemi qëlluar nga ato fshatra," thotë një banor i Leshkës.
Fshatarët shqiptarë i kundërshtojnë këto akuza duke thënë se ata janë keqtrajtuar nga Maqedonasit në pikën e kontrollit të policisë në Leshkë. Xhemali Etemi, drejtues i administratës publike të Sllatinës thotë: "Askush nuk ka hapur zjarr ndaj Leshkës - përkundrazi ata na kanë qëlluar".
Gjendja është rënduar edhe më tepër kur disa njerëz të armatosur kanë hyrë në Spitalin e Sëmundjeve të Mushërisë në Leshkë, duke detyruar stafin dhe pacientët, kryesisht Shqiptarë të largohen. Një burim i IËPR-së, i cili dëshiron të mbetet anonim, ka thënë se shefi i shërbimit shëndetësor të Tetovës ka kërcënuar të pushojë nga puna këdo që i tregon shtypit për këtë incident.
Ndërkohë, përçarja etnike ndërmjet komuniteteve Maqedonase dhe Shqiptare vazhdon të keqësohet. Maqedonasit nga Leshka i kanë thënë gazetarëve se ata "nuk duan të kenë të bëjnë fare me fqinjët e tyre Shqiptarë", dhe të njëjtën gjë mendojnë edhe Shqiptarët.
Selajdin Salihu është një gazetar i së përjavëshmes Lobi.