BE E GATËSHME PËR NJË ROL MË TË MADH NË KOSOVË POR NUK KA STRATEGJI
Nëse Brukseli synon të zëvendësojë Kombet e Bashkuara në protektorat, ai më parë duhet të konsolidojë dhe të bëjë më efikase prezencën e tij.
BE E GATËSHME PËR NJË ROL MË TË MADH NË KOSOVË POR NUK KA STRATEGJI
Nëse Brukseli synon të zëvendësojë Kombet e Bashkuara në protektorat, ai më parë duhet të konsolidojë dhe të bëjë më efikase prezencën e tij.
Bashkimi Evropian ka dëshirë të marrë përsipër misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, por disa zyrtarë të BE-së paralajmërojnë se një administratë e drejtuar nga Brukseli mund të jetë po aq burokratike dhe e rënduar sa ajo e tanishme e OKB-së.
Zgjedhjet parlamentare të tetorit në protektorat, dhe Kosova në përgjithësi, kanë qenë një ndër temat kryesore të takimit të ministrave të jashtëm të vendeve të BE-së më 11 tetor në Luksemburg.
Kjo kryesisht për shkak të rekomandimeve të diplomatit norvegjez Kai Eide, i cili ka kritikuar kohët e fundit misionin e OKB-së në Kosovë, UNMIK, dhe ka arritur në përfundimin se ristrukturimi i këtij organizmi ishte i “pashmangshëm”.
Raporti i Eide sugjeron se BE duhet të shndërrohet në aktorin kryesor politik në Kosovë në një të ardhme të afërt. Në kapitullin e titulluar: “Një pamje e së ardhmes: një ndarje e re e punëve” në raportin e tij thuhet: “Me përfundimin e rezolutës 1244 Kosova ndoshta do të drejtohet nga Prishtina dhe BE do të marrë përsipër rolin kryesor të komunitetit ndërkombëtar”.
Eide është ngarkuar nga OKB për të heturar mbi shpërthimin e dhunës etnike në Kosovë në mesin e muajit mars, e cila ka shkaktuar 19 të vdekur dhe ka detyruar rreth 4,000 serbë të Kosovës dhe jo shqiptarë të tjerë të largohen nga shtëpitë e tyre.
Christina Gallach, zëdhënëse e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Polikën e Jashtëme dhe të Sigurisë, Javier Solana, pranon se Brukseli është i interesuar për një rol më të madh në Kosovë. Ajo ka thënë për IWPR këtë javë se “ekziston një nevojë e menjëherëshme për të forcuar prezencën e BE-së në Kosovë”.
Por ende mbetet e paqartë se çfarë do të thotë kjo prezencë e zgjeruar në terren.
BE është tanimë aktive në disa nivele në Prishtinë që prej katër vjetësh. Ajo punon në zemër të UNMIK, ku diplomati gjerman Niklaus Graf Lambsdorf drejton Shtyllën e Katërt, departamentin përgjegjës për rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik.
Përveç kësaj, Solana ka emëruar një përfaqësues special të tijin për Kosovën, Fernando Gentilini nga Italia, pas dhunës së marsit.
Në fillim të muajit shtator, Romano Prodi, president i Komisionit Evropian, KE, ka hapur një tjetër zyrë të BE-së në Prishtinë, të drejtuar nga një tjetër italian, Giorgio Mamberto, duke shtuar numrin e diplomatëve të lartë të BE-së në Kosovë.
Ish i dërguari special i BE-së për Kosovën, Volfgang Petritsch, i cili ka drejtuar Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë në Sarajevë ndërmjet viteve 1999 dhe 2002, e sheh atë institucion si një model i cili mund të zbatohet edhe në Kosovë.
“Pas zgjidhjes së çështjes së statusit përfundimtar, Brukseli duhet të nisë menjëherë evropianizimin e misionit të OKB-së,” ka thënë Petritsch.
“Në fund të fundit, në Kosovë mund të përdoren të njëjtat kritere si në Bosnje dhe Serbi. Nëse duam të gjejmë një zgjidhje, Brukseli duhet të bëjë oferat konkrete për anëtarëim në BE”.
Reinhardt Priebe, drejtor për Ballkanin perëndimor në Drejtorinë e Përgjithëshme për Marrdhëniet me Jashtë në KE, e pranon këtë pozicion.
“Meqënëse Kosova është pjesë e evropës, nuk ka dyshim që ne duhet ti japim asaj një perspektivë evropiane – dhe të marrim më tepër përgjegjësi atje,” thotë ai.
Po ashtu, Erhard Busek, Koordinator Special i Paktit të Stabilitetit për Evropën juglindore, thotë se BE ndoshta do ta administrojë më mirë Kosovën se sa OKB.
“BE është aktori i duhur për të drejtuar misionin ndërkombëtar në Prishtinë,” ka thënë ai për IWPR. “Në ndryshim nga OKB, BE ka eksperiencë në administrimin e shteteve në tranzicion”.
Doris Pack, kryetare e delegacionit parlamentar të BE-së për Evropën juglindore, ka kërkuar zëvendësimin sa më të shpejtë të strukturës së UNMIK nga BE.
“OKB nuk është e aftë të bëjë punën,” ka thënë Pack për IWPR.
Pack ka shtuar se Brukseli duhet të mendojë për krjimin e një protektorati të BE-së në Kosovë, sepse kjo “do të thjeshtonte procesin drejt anëtarësimit në BE dhe mund tu jepte serbëve një mundësi të mirë për të marrë pjesë në institucionet e Kosovës”.
Përveç rrezikut të acarimit të marrëdhënieve me OKB, thirrjet për një rol më të madh të BE në Kosovë, megjithata nuk janë pritur shumë mirë nga politikanët vendas.
Hashim Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, një ish komandant i Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, UCK, thotë se rolin drejtues duhet ta ketë SHBA dhe jo BE.
“Nuk duhet të ketë asnjë ndryshim në strukturën e administratës ndërkombëtare, të paktën deri në arritjen e një vendimi për statusin përfundimtar,” ka thënë Thaçi.
Edhe disa zyrtarë të BE-së pranojnë privatisht se nuk ka asnjë garanci që një administratë e drejtuar nga Brukseli do të ishte më pak burokratike dhe më pak e ngarkuar se sa ajo e OKB-së tani.
Një diplomat i BE-së në Prishtinë ka thënë për IWPR se në fakt ajo mund të ishte edhe më keq: “Është qesharake të zëvendësosh burokracinë ekzistuese të OKB-së me një administratë të BE-së, sepse strukturat në Bruksel janë edhe më të ngatërruara se ato në Nju Jork”.
Diplomati ka theksuar rivalitetin e njohur që ekziston në Bruksel, ndërmjet strukturave të ndryshme administrative, si Komisioni Evropian, Këshilli i Ministrave dhe vendet anëtare, ndaj njëri tjetrit.
“Ndërsa në Uashington e di se kujt ti telefonosh nëse do të flasësh me presidentin, në BE është e paqartë se kush vërtetë e ka pushtetin,” shton zyrtari.
Shpërndarja e tanishme e zyrtarëve të BE-së në Prishtinë, sipas disa vëzhguesve, ka çuar në krijimin e një situate ku detyrat dhe përgjegjësitë e secilës zyrë nuk janë të paqarta dhe bien ndesh me njëra tjetrën. Gjithashtu nuk është qartësuar ende se përse Prodi ka parë nevojën për krijimin e postit të një të dërguari special për Komisionin Evropian kur BE ka pasur një përfaqësim kaq të madh në Kosovë.
Raporti i Eide i ka kërkuar BE “të konsolidojë zyrat e saj të ndryshme në Kosovë në një strukturë më racionale dhe të zhdërvjellët”.
Deri në përfundimin e procesit të konsolidimit, Brukseli mund ta ketë të vështirë të marrë përsipër rolin drejtues në Kosovë, të cilin po e kërkojnë tani disa mbështetës të tij.
Markus Bickel është një korrespondent për Ballkanin i Agjensisë së Lajmeve Austria dhe gazetës Der Tagesspiegel të Berlinit.