Beogradi Heton mbi Lidhjen e Kancerit me Përdorimin e Armëve
Autoritetet e Beogradit po përpiqen të qartësojnë konfuzionin rreth njoftimeve për infektimin nga uraniumi i varfëruar
Beogradi Heton mbi Lidhjen e Kancerit me Përdorimin e Armëve
Autoritetet e Beogradit po përpiqen të qartësojnë konfuzionin rreth njoftimeve për infektimin nga uraniumi i varfëruar
Shqetësimet e Serbëve dhe Shqiptarëve mbi infektimin radioaktiv janë shtuar nga lidhjet ndërmjet armëve me uranium të varfëruar dhe rasteve të fundit të kancerit në rradhët e ish ushtarëve paqeruajtës. Avionët e NATO-s kanë hedhur rreth 31,000 predha të mbushura me uranium të varfëruar, DU, në Serbi dhe Kosovë gjatë sulmeve ajrore të NATO-s në vitin 1999.
Serbët mendojnë se vendet dhe shkalla e infektimit nga municionet DU është mbajtur e fshehtënga qeveria e mëparëshme e Millosheviqit.
Ndërkohë, Shqiptarët, janë të sigurtë se njoftimet për infektimin janë pjesë e një përpjekjeje të Serbëve për të detyruar trupat e NATO-s të largohen nga Kosova.
Ata janë aq të bindur që këto njoftime janë të pabaza saqë Shqiptarët që jetojnë në Serbinë jugore pranë kufirit me Kosovën nuk kanë lejuar disa ushtarë Jugosllavë të shënonin një zonë të infektuar duke e konsideruar këtë si një komplot për ti larguar ata nga tokat e tyre.
Në një përpjekje për të qetësuar frikën e Serbëve, Ministri i ri Federal i Shëndetësisë ka krijuar një komitetpër të hetuar efektet e municionit DU ndaj popullatës civile dhe ambjentit.
"Të gjithë thonë se nivelet e radioaktivitetit janë rritur në lagjen time pas bombardimeve," thotë Tanja Aleksiq nga lagja Rakovica në Beograd. "Nuk ka asnjë deklaratë zyrtare kështu që ne nuk dimë si të sillemi dhe çfarë të besojmë."
Shumë njerëz bashkohen me ndjenjën e frikës së Aleksiq. Pasiguria e njerëzve për këtë çështje, thonë disa, ka ardhur nga fshehja e qëllimshme e informacioneve nga ana e rregjimit të kaluar.
Sllobodan Tosoviq, një eko-toksikolog nga Instituti i Mbrojtjes së Shëndettit në Beograd, thotë se ushtria Jugosllave kishte kundërshtuar publikimin e të dhënave të cilat dokumentonin rreziqet për shëndetin.
Disa shkencëtarë dhe drejtues të opozitës thonë se një raport I FJ-së për këtë temë, i publikuar në Prill të vitit 2000, ka qenë qëllimisht tepër i përgjithëshëm. Ata dyshonin se Sllobodan Millosheviqi mendonte se frika nga infektimi radioaktiv do të dëmtonte figurën e tij në rradhët e atyre njerëzve të cilët e fajësonin si shkaktarin e bombardimeve të NATO-s.
Kostoja e dezinfektimit të zonave të goditura me municione DU si edhe shpenzimet ndoshta tepër të mëdha mjekësore për viktimat e infektuara mendohet të ketë qenë një faktor tjetër që ka ndikuar në marrjen e këtij vendimi.
Dr. Drgan Veselinoviq nqë ministrinë e ambjentit të Serbisë e përshkruan këtë raport si me mungesa të mëdha në informacion.
"Raporti ka qenë shumë i dobët," thotë Veselinoviq. "Mendimi im është se qeveria nuk dëshironte të shqetësonte publikun duke dhënë detaje të hollësishme."
Megjithëse raporti bënte fjalë për nivele radioaktiviteti deri 1000 herë më të larta se sa norma e lejuar, ai nuk jepte informacion mbi zonat e prekura apo mbi rreziqet e mundëshme për shëndetin dhe ambjentin. Komiteti i ri federal do të përqëndrohet në rrethimin, kryerjen e testeve dhe dezinfektimin e zonave në Serbinë jugore dhe Kosovë të përmendura në raportin e përgatitur nga Programi i OKB-së për Ambjentin, UNEP.
Që në Nëntor të vitit 2000, UNEP ka kryer teste në 11 nga 12 vendet e bombarduara me predha me uranium. Ata kanë vënë re nivele radioaktiviteti pak më të larta se ato normale. Në një deklarata zyrtare thuhej: "do të ishte një rrezik i panevojshëm për popullsinë të ishin në kontakt direkt me çdo mbetje të municioneve DU."
Studimet e UNEP-it kanë përdorur hartat e NATO-s sipas të cilave pjesa më e madhe e municioneve radioaktive janë hedhur në Kosovë, veçanërisht në rajonin ndërmjet Prizrenit, Pejës dhe Gjakovës.
Debati rreth efekteve helmuese të uraniumit të varfëruar nuk është mbyllur ende. Miroslav Simiç nga instituti i Shëndetësisë në Vranje ka ndihmuar në kryerjen e testeve ndaj 500 civilëve në Serbinë jugore që jetojnë në zonat më të goditura.
"Dëmet ndaj ambjentit tashmë janë të dukëshme," thotë ai. "Njerëzit nuk janë prekur ende, por kjo mund të ndodhë gjatë viteve të ardhëshme nëse nuk merren masa të menjëherëshme për dezinfektimin e këtyre zonave," thotë ai.
Disa ekspertë të tjerë kanë paralajmëruar gjithashtu se pasojat e vërteta mund të mos duken deri pas pesë vjetësh.
Frika ka shpërthyer në muajin Dhjetor të vitit të kaluar kur qeveria Italiane ka bërë të ditur një hetim për vdekjen e gjashtë ushtarëve të saj si pasojë e leuçemisë. Dymbëshjetë ushtarë të tjerë janë diagnostikuar me kancer.
Një numër i vogël trupash nga Belgjika, Hollanda, Spanja, Portugalia, dhe Republika Ceke kanë vdekur nga leuçemia që pas kthimit të tyre nga shërbimet në Ballkan. Tetë raste të tjera të kësaj sëmundjeje janë njoftuar në Belgjikë dhe Francë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë, WHO, megjithatë ka hedhur dyshime rreth lidhjes së municioneve DU me vdekjet nga leuçemia në një raport i cili do të botohet muajin e ardhëshëm.
Raporti përmban rezultatet e një studimi të kohëve të fundit në disa spitale të Kosovës, i cili tregon se nivelet mesatare të sëmundjes së leuçemisë në rradhët e popullsisë Shqiptare nuk janë rritur që prej periudhës së bombardimeve të NATO-s.
Dr. Erik Shouten, Drejtues i Misionit të WHO-së në Kosovë, thotë se: "mbi bazën e këtyre rezultateve paraprake ne nuk mund të arrijmë në përfundimin se rastet e leuçemisë janë rritur.""
Për më tepër, një njësi e ushtrisë italiane e specializuar në armët bërthamore, biologjike dhe kimike, ka thënë se ajo nuk ka gjetur asnjë shenjë të infektimit nga municionet DU pas inspektimit të bërë në këtë zonë.
Drejtuesi Kosovar, Ibrahim Rugova thotë se grupet që kanë kundërshtuar ndërhyrjen e NATO-s po nxjerrin këto raporte mbi infektimin nga municionet DU për të diskredituar operacionin. "Duhet të kryhen studime të cilat të provojnë që kjo është thjesht një propagandë dhe nuk ka asgjë të vërtetë," ka thënë ai.
Milenko Vasoviq është një bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.