Beogradi i Shqetësuar për Bisedimet me FMN.

Ekspertët financiar Serbë druhen se FMN mund të kërkojë ekstradimin e Millosheviqit në gjykatën ndërkombëtare për krimet e luftës

Beogradi i Shqetësuar për Bisedimet me FMN.

Ekspertët financiar Serbë druhen se FMN mund të kërkojë ekstradimin e Millosheviqit në gjykatën ndërkombëtare për krimet e luftës

Kur përfaqësuesit e FMN-së kanë mbërritur në Beograd më 31 Janar për bisedime me zyrtarë të qeverisë, këta të fundit kanë qenë shumë të shqetësuar.


Mund të thuhet me gojën plot se e ardhmja e Jugosllavisë varet nga rezultati i këtyre bisedimeve. Qeveria shpreson se do të arrihet një marrëveshje për të zbutur krizën për fonde që po kalon vendi, gjë e cila do të hapte rrugën për bisedime me kreditorët e huaj.


Nëse këto bisedime dështojnë, bisedimet për kredi me grupe të tilla si klubi i Parisit apo i Londrës mund të rrezikohen, sepse FMN-ja vepron si garantues ndërkombëtar për të gjitha operacionet e tyre financiare.


Por autoritetet në Beograd nuk janë të shqetësuar për sa i përket kritereve ekonomike të FMN-së.


Ata druhen se çdo marrëveshje e mundëshme për kredi do të varet nga një kusht i rëndësishëm politik - ekstradimi i ish presidentit Sllobodan Millosheviq në gjykatën ndërkombëtare të krimeve të luftës.


Vetëm një javë më parë, kryeprokurorja e gjykatës së Hagës Karla Del Ponte ka ndërprerë bisedimet me Presidentin Koshtunica pas refuzimit të këtij të fundit për të pranuar ekstradimin e Millosheviqit. Ky incident ka shkaktuar një shqetësim serioz në qarqet ekonomike.


Ditën që Del Ponte mbërriti në Beograd, Miroljub Labus, një zëvendës president i qeverisë federale, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në afrimin e kreditorëve të huaj, ka kërcënuar se do të japë dorëheqjen nëse përpjekjet e tij dështojnë për shkak të marrëdhënieve të ftohta të Koshtunicës me gjykatën e Hagës.


Një kundërshtim nga ana e FMN-së do të ishte kolapsi përfundimtar ekonomik për vendin, i cili tani ka një borxh të jashtëm prej 12 miliard dollarë Amerikan. Ekonomistët e Beogradit kanë llogaritur se vendi ka nevojë për një shumë të paktën 2.2 miliard dollarë për të plotësuar nevojat urgjente për energji elektrike, dhe vaj e sheqer.


Labush dhe arkitektët e tjerë të programit të reformës ekonomike nuk dëshirojnë që afrimi i tyre me FMN-në të prishet për shkak të mungesës së ekstradimit të Millosheviqit dhe të akuzuarve të tjerë për krime lufte. Ata janë të kënaqur që mund të përmbushin kushtet ekonomike të FMN-së dhe i kanë paraqitur propozimet e tyre në formën e një letre mirëkuptimi.


Ata po bisedojnë edhe për sa i përket një riskedulimi të ri të pagesës së interesave të borxheve të cilat kapin shumën prej 4.2 miliard dollarë.


Vizita e FMN-së vjen vetëm pak javë pas ripranimit të Jugosllavisë në organizatë. Ajo është përjashtuar në vitin 1992 passhpërthimit të konflikteve në Jugosllavi.


Shpejtësia me të cilën FMN-ja e ka pranuar Jugosllavinë ka lënë të kuptohet se organizata kishte pranuar se në Beograd po ndodhnin ndryshime të vërteta demokratike.


Duke pasur parasysh këtë fakt, askush në Beograd nuk mendon se FMN-ja do të vendosë si kusht ekstradimin e Millosheviqit për vazhdimin e bisedimeve. Por ekspertë të rëndësishëm financiar mendojnë kjo çështje mund të sjellë një presion në mënyrë indirekte.


Ata druhen se FMN-ja, mund të mos vendosë shpejt nëse do të pranojë apo jo programin e reformës ekonomike të qeverisë.


Këto shqetësime janë konfirmuar gjatë fundjavës së kaluar. Pas kthimit nga takimi me Sekretarin e ri të Shtetit Amerikan Kolin Pauell, kryeministri Zoran Gjinxhiq ka thënë se në Uashington i kishin thënë, se FMN dhe Banka Botërore nuk do të ndihmojnë Beogradin nëse ai nuk bashkëpunon me gjykatën deri më datë 31 Mars.


Administrata Serbe, për shkaqe të kuptueshme nuk dëshiron të diskutojë kreditë e huaja dhe buxhetin e ardhëshëm në publik derisa të marrë një dritë jeshile nga FMN-ja.


Gjinxhiq ka qenë shumë i kujdesëshëm në parashikimin e rezultateve të bisedimeve me FMN-në. ai nuk e ka përmendur fare sasinë e ndihmës financiare gjatë fjalimit të tij të parë në këtë post më 25 Janar.


Ministri i ekonomisë dhe financës, Bizhidar Djeliq, ka thënë se ai do të vonojë shpalljen e buxhetit deri në Mars, për shkak të paqartësisë që ekziston.


Shqetësimi i ekspertëve financiarë mbi FMN-në është rritur pas vizitës së guvernatorit të bankës qendrore Mladan Dinkiq në Kanada dhe SHBA në fund të muajit Janar. Pas kthimit, ai nuk ka pranuar të përmendë asnjë detaj rreth bisedimeve me FMN-në.


Dinkiq nuk është nga ata njerëz të cilët preferojnë të mos flasin shumë në publik, kur bëhet fjalë për lajme të mira. Përkundrazi, në të kaluarën ka gjithnjë ka përdorur çdo zhvillim pozitiv.


Nëse bisedimet me FMN-në nuk përfundojnë siç duhet, Jugosllavia nuk do të ketë mundësi të përballojë krizën e saj financiare.


Borxhi i jashtëm i vendit është i barabartë me prodhimin e përgjithëshëm të vendit, të ardhurat vjetore në valutë të huaj prej rreth 1.5 miliard dollarë nuk mund të mjaftojnë për të paguar borxhin e jashtëm.


Megjtihëse këtë vit pritet një ndihmë e huaj prej 0.5 deri 2.5 miliard dollarë Amërikan, kjo shumë nuk mund të mbulojë koston e luftërave të Millosheviqit në ish-Jugosllavi dhe të konfliktit me NATO-n.


Në Beograd ekziston mendimi se pa një dritë jeshile nga FMN-ja, ekonomia do të shkojë drejt recesionit. Njerëzit mendojnë se pensionet nuk do të paguhen në kohë; se nuk do të ketë më sheqer dhe vaj nëpër dyqane dhe se do të rikthehet racionimi i energjisë elektrike dhe karburantit.


Një gjë e tillë mund të dëmtojë rëndë progresin politik të arritur pas rrëzimit të Millosheviqit dhe mund të çojë në rilindjen e nacionalizmit ekstrem.


Dimitrije Boarov është një ekonomist i njohur Serb.


Frontline Updates
Support local journalists