BETEJA PËR DËSHMINË E GJUKANOVIQ
Kryeministri malazez mund të detyrohet të tregojë ato që di mbi aleatin e tij të dikurshëm.
BETEJA PËR DËSHMINË E GJUKANOVIQ
Kryeministri malazez mund të detyrohet të tregojë ato që di mbi aleatin e tij të dikurshëm.
Prokurorët e Hagës po planifikojnë të kërkojnë një urdhër të gjykatës për të detyruar kryeministrin malazez Milo Gjukanoviq të dëshmojë në gjyqin ndaj Sllobodan Millosheviq.
Fundjavën e kaluar, Gjukanoviq ka thënë për TV Pink se ai kishte refuzuar nje ftesë nga prokurorët për të dëshmuar vullnetarisht.
“Unë nuk jan nga ata njerëz të cilët vrapojnë jashtë Malit të Zi për të dhënë dëshmi,” ka thënë ai. “Unë i kam përfunduar betejat e mia me Millosheviqin”.
Megjithatë, prokurorët nuk i kanë përfunduar betejat e tyre me Gjukanoviq.
Ata duken shumë të habitur me refuzimin e tij për të dëshmuar. Tre vjet më parë, ai ka bërë një deklaratë publike sipas së cilës ai e donte gjykatën e Hagës dhe të gjithë ata të cilët punonin për të.
“Ne kemi dëgjuar ato që ka thënë zoti Djukanoviq, dhe na vjen keq,” ka thënë për IWPR, Jean-Daniel Ruch, këshilltar politik i kryeprokurores Carla Del Ponte.
Ai nuk ka pranuar të spekulojë në lidhje me veprimet e ardhëshme të prokurorëve, duke thënë se ata po studionin ende se cfarë mundësish kanë – një prej tyre ka kërkuar një urdhër të gjykatës për të detyruar kryeministrin malazez të dëshmojë, megjithëse është e paqartë nëse ai do ta zbatojë atë.
Ruch ka insistuar se Gjukanoviq do të ishte një dëshmitar i rëndësishëm. “Ne mendojmë se ai ka shumë për të thënë në këtë gjyq,” ka thënë ai. “Nëse sheh CV e tij është e qartë se ai ka shumë informacion”.
Curriculum Vitae i Gjukanoviq përmban dy poste të rëndësishme, si kryeministër i Malit të Zi në vitin 1991 dhe pozicionin e tij në këshillin e lartë të mbrojtjes në vitet 1993 dhe 1994.
Të dyja këto janë të rëndësishme sepse duke qenë në këto poste ai mund të japë informacione dhe prova të rëndësishme për prokurorët për të provuar nëse Millosheviq ka urdhëruar krimet e luftës për të cilat ai akuzohet.
Vecanërisht, prokurorët dëshirojnë të provojnë që Millosheviq ka pasur kontroll mbi ushtrinë jugosllave – të quajtur JNA në vitin 1991 dhe VJ në vitin 1993.
Zyrtarisht, natyrisht, Millosheviq ka qenë president i Serbisë, një prej republikave të Jugosllavisë. Ushtria ka qenë nën urdhërat e Jugosllavisë. Por prokurorët thonë se në të vërtetë forcat e ushtrisë kanë qenë nën urdhërat dhe drejtimin e Millosheviq.
Gjatë dëshmive të dhëna muajt e fundit, disa dëshmitarë kanë thënë se njësitë e ushtrisë jugosllave kanë qenë në Kroaci dhe Bosnje, dhe kanë kryer krime.
Më herët këtë muaj, një admiral i cili ka drejtuar forcat detare të JNA ka pranuar bombardimin e Dubrovnikut. Sulmi ndaj portit kroat është kryer nga territori i Malit të Zi. Gjukanoviq do të ketë pasur dijeni për të dhe se kush ka dhënë urdhër.
Atëherë përse nuk është i gatshëm të vijë në Hagë? Ekziston një arësye e cila thuhet zyrtarisht: ai mendon se ka bërë pjesën e tij.
Dhe ndoshta atij thjesht nuk i pëlqen të udhëtojë, gjë e cila është e kuptueshme nga shumë njerëz të cilët janë ndeshur me turmat e rrëmujëshme të pasagjerëve në aeroporte të ndryshme.
Por mund të ketë edhe arësye të tjera. Ka njoftime në Itali se policia e atij vendi kërkon ta pyesë atë në lidhje me një operacion shumë miliona dollarë kontrabandë cigaresh. Ai mund të ketë frikë se ndërsa ulet në aeroportin e Amserdamit, në vend që të pritet nga prokurorët e Hagës, mund të përballet me një urdhër arresti nga Interpoli.
Pastaj është edhe cështja e takimit të Millosheviqit në gjykatë. Ai sigurisht që di shumë për Millosheviqin por edhe ai mund të dijë shumë gjëra për të. Ende shumë gjëra mbeten pa shpjegim dhe të errta në periudhën që Gjukanoviq ka drejtuar Malin e Zi.
Për disa vjet në fund të viteve 1990 ai ka qenë i preferuari i Perëndimit, i cili ka inkurajuar kundërshtimin e tij ndaj Millosheviqit.
I ri, simpatik dhe i mprehtë nga goja, ai është konsideruar si një e ardhme e shndritëshme për republikën e vogël.
Por mbështetja për të është pakësuar kur drejtuesit europianë filluan të shihnin me sy të keq mbështetjen e tij të vazhdueshme për pavarësinë pas rrëzimit të Millosheviq.
Duket se ai ka pak mundësi ti shpëtojë thirrjes për tu paraqitur në Hagë – tanimë një tjetër kryeministër, Zoran Liliq, edhe ai një ish anëtar i këshillit të lartë të mbrojtjes, është detyruar të paraqitet në gjykatë për të dëshmuar.
Chris Stephen është drejtues i projektit të IWPR në Hagë.