BOSNJA NË PRAG TË NJË KRIZE TË THELLË

Planet e Kroatëve të Bosnjes për t'u shkëputur nga pjesa tjetër e Bosnjes mund ta çojnë vendin në krizën më të thellë politike që prej nënshkrimit të marrëveshjes së Dejtonit.

BOSNJA NË PRAG TË NJË KRIZE TË THELLË

Planet e Kroatëve të Bosnjes për t'u shkëputur nga pjesa tjetër e Bosnjes mund ta çojnë vendin në krizën më të thellë politike që prej nënshkrimit të marrëveshjes së Dejtonit.

Nëse këshilli kombëtar i Kroatëve të Bosnjes, një organizëm i cili praktikisht drejtohet nga Bashkimi Demokratik Kroat, HDZ, dhe kryetari i tij Ante Jelaviq, do të vendosi të ndajë zonat me popullsi kryesisht Kroate nga pjesa tjetër e Bosnjes këtë fund jave, siç kanë kërcënuar se do të bëjnë, atëherë mbetet për të parë se cili do të jetë reagimi i komunitetit ndërkombëtar.


Gjëja e parë që duhet të mbahet parasysh është fakti që HDZ dhe Jelaviq kanë një autoritet të madh në pjesën jugperëndimore dhe qendrore të vendit, zona këto të banuara kryesisht nga Kroatë.


Së dyti, HDZ-ja dhe Jelaviq i cili është gjithashtu anëtar i presidencës tre palëshe të Bosnjes, do të kërkojë anullimin e zgjedhjeve të fundit parlamentare - të cilat janë vëzhguar nga OSBE dhe agjensi të tjera ndërkombëtare - të cilat kanë rezultuar në fitoren e Aleancës për Ndryshim, e cila përbëhet nga disa parti jo nacionaliste.


Së treti, në rast se Jelaviq dhe partia e tij vendosin të krijojnë institucione Kroate 'paralele', Aleanca për Ndryshim do ta ketë shumë të vështirë të administrojë pjesët e Federatës të cilat banohen kryesisht nga përkrahësit e HDZ-së.


Gjithë këtyre u duhet shtuar edhe fakti që megjithëse HDZ-ja është në opozitë në Kroaci, shumë anëtarë të saj ende kanë poste të rëndësishme në forcat e sigurimit.


Jelaviq dhe HDZ kanë kërcënuar se do të krijojnë një entitet të veçantë në Bosnje që prej shumë kohësh, pra përse kanë vendosur ta bëjnë pikërisht tani këtë gjë?


Përgjigja është se Jelaviq e di se marrëveshja e paqes së Dejtonit është e papërcaktuar mirë sepse nenet e saj kryesore lejojnë interpretime të ndryshme. Për shembull, përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për të promovuar struktura më të bashkuara politike në Bosnje do të kundërshtohen nga ata që e lexojnë marrëveshjen me syrin e pro-nacionalistëve.


Faktori i dytë që shkon në favor të HDZ-së është që Uashingtoni ende është në fazën e ribërjes së politikës së tij për Bosnjen. Meqënëse këtë rradhë axhenda politike e Uashingtonit në Ballkan do të jetë shumë më e gjerë - duke pasur parasysh edhe vendet e tjera të Ballkanit - atëherë do të duhet një farë kohe përpara se ajo të finalizohet. Jelaviq duket se po e shfrytëzon këtë fakt.


Por me ose pa një politikë të re Amerikane për Bosnjen, komuniteti ndërkombëtar mund të zgjedhë një nga tre mundësitë e mëposhtëme.


Mundësia e parë është shkarkimi i Jelaviqit, deklarimi i HDZ-së jashtë ligjit, dhe vendosja e Herzegovinës juglindore nën drejtimin e qeverisë së Aleancës ose drejtimin ndërkombëtar - një hap ky i cili padyshim do të kundërshtohej nga banorët vendas.


Kjo mund të çonte edhe në shkatërrimin e shumë institucioneve paralele të Kroatëve të Bosnjes. Kjo zgjidhje do të kushtonte shumë, do të ishte jo demokratike dhe jo shumë premtuese, sepse ndoshta do të shndërronte Jelaviqin dhe partinë e tij në martirë.


Opsioni i dytë do të ishte lënia e gjërave siç janë dhe sjellja sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Megjithatë, kjo mund të bënte që qeveria e re të mos ketë kontroll të plotë mbi një pjesë të madhe të territorit dhe të mos ushtronte legjitimitetin dhe influencën e saj në këtë pjesë të territorit. Kjo gjë do të ngrinte edhe dyshimin e njerëzve rreth qëllimit të përfshirjes së komunitetit ndërkombëtar në Bosnje.


Rruga e tretë do të ishte përfshirja e komunitetit ndërkombëtar në hapjen enjë raundi të ri bisedimesh me HDZ-në rreth ristrukturimit të mundëshëm të disa institucioneve në nivelin e Federatës, për të përfshirë aty edhe përfaqësues të HDZ-së.


Kjo natyrisht do të varej nga dëshira e Aleancës për të bashkëpunuar me HDZ-në, gjë e cila duket tepër e pamundur.


Kjo do të ishte zgjidhja më pak e mundëshme sepse si komuniteti ndërkombëtar ashtu edhe HDZ-ja kanë shkuar tepër larg, i pari me dëshirën për të krijuar një koalicion jo nacionalist në nivelin e entitetit dhe atë shtetëror dhe e dyta me vendosmërinë e saj për të qëndruar si garantuese dhe mbrojtëse e interesave kombëtare Kroate, me çdo kusht.


Deri më tani, komuniteti ndërkombëtar nuk ka vendosur përasnjërën nga këto zgjidhje. Ai vetëm i ka kërkuar Jelaviqit dhe HDZ-së të mendojnë edhe një herë dhe ka kujtuar kostot që do të sillte ndonjë veprim i pamenduar për partinë dhe përkrahësit e saj.


Pra duket se të gjitha mundësitë që ka Perëndimi janë të vështira për tu realizuar dhe asnjëra nuk është zgjidhja perfekte.


Megjithëse administrata e re Amerikane ende nuk ka vendosur për politikën e saj në Bosnje, kërcënimi i HDZ-së do të detyrojë atë të përshpejtojë marrjen e vendimeve. Presidenti i ri Amerikan do të duhet të vendosë nëse do të mbështesë Bosnjen e krijuar nga Dejtoni, ndoshta edhe duke qenë i detyruar të ndërhyjë ushtarakisht, apo të lejojë shpërbërjen e vendit.


Ajo që mund të thuhet është se Bosnja po përballet me një krizë të madhe politike, ndoshta më e madhja që prej nënshkrimit të marrëveshjes së Dejtonit pesë vjet më parë.


Drazhen Pehar është një bashkëpunëtor i IWPR-së.


Frontline Updates
Support local journalists