BOSNJE: LUFTA PËR KISHËN SHTON TENSIONET

Fushata e një boshnjakeje për të larguar një kishë nga prona e saj përbën një test për tolerancën e Republika Srpska ndaj të kthyerve.

BOSNJE: LUFTA PËR KISHËN SHTON TENSIONET

Fushata e një boshnjakeje për të larguar një kishë nga prona e saj përbën një test për tolerancën e Republika Srpska ndaj të kthyerve.

Monday, 21 February, 2005

Një mosmarrëveshje për një kishë në Konjevic Polje, në Bratunac, në lindje të Republika Srpska, po kërcënon të rindezë një konflikt të ri ndër etnik dhe fetar në rajon, duke hedhur serbët kundër boshnjakëve të kthyer.


Kisha ortodokse serbe është ndërtuar aty në mënyrë të paligjëshme në vitin 1996 mbi tokën private të një boshnjakeje, Fata Orloviq, pasi ajo është dëbuar nga fshati së bashku me boshnjak të tjerë gjatë luftës.


Pasi Orloviq është kthyer dhe ka marrë pronën e saj, ajo ka kërkuar që kisha dhe autoritetet civile të largojnë ndërtesën, e cila është ngritur përballë shtëpisë së saj. Kjo çështje ka shkuar edhe në gjykatë por drejtësia në RS nuk ka marrë asnjë vendim.


Që prej atij momenti, kjo çështje është shndërruar në një “ngjarje të rëndësishme”, duke vënë në provë marrëdhëniet ndërmjet serbëve dhe boshnjakëve të kthyer dhe duke tërhequr edhe shumë njerëz të tjerë në këtë arenë.


Ndërsa partitë boshnjake, mediat dhe komuniteti islamik kanë mbështetur kërkesat e Orloviq, duke përmendur të drejtën e saj për të bërë çfarë të dojë me pronën e saj, partitë politike serbe, kisha ortodokse dhe media e RS kanë mbajtur një qëndrim të kundërt. Ata thonë se largimi i kishës do të ishte një sulm ndaj lirisë së fesë.


Disa incidente të vogla kanë arritur kulmin më 12 shtator me një konflikt publik ndërmjet Orloviq dhe një grupi boshnjakësh nga njëra anë dhe priftërinjve ortodoks serbë, civilëve dhe policisë së RS nga ana tjetër.


Atmosfera ka qenë aq e nxehtë saqë shumë njerëzve u ka sjellë në mend ditët e para të luftës në Bosnje në vitin 1992.


Revista Dani, më 17 shtator, e ka përshkruar Bratunac si një qytet në prag të luftës, ku boshnjakët dhe serbët janë pranë një përplasjeje të madhe.


Kjo mosmarrëveshje ka nisur prej disa muajsh. Pas një incidenti më të vogël në muajin prill, autoritetet e RS kanë vendosur të mbyllin kishën përkohësisht deri në dhënien e vendimit nga gjykata.


Por gjendja është qetësuar deri më 12 shtator, kur disa priftërinj ortodoks kanë mbërritur në fshat për të kryer një shërbesë fetare, të shoqëruar nga 10 të rinj serbë, duke kënduar këngë nacionaliste.


Orloviq është përballur me ta në oborrin e shtëpisë. Por pasi të rinjtë e kanë shtyrë më një anë, policia – në vend që të ndërhynte për të mbrojtur atë – thuhet se e kanë qëlluar.


“Kur u rrëzova në tokë një nga oficerët më qëlloi në këmbë dhe një tjetër në stomak,” ka thënë Orloviq për Dani. “Mua mu morr fryma dhe ata më futën në një makinë policie”. Pasi ka humbur vetëdijen, ajo është dërguar në spotal në Bratunac dhe pastaj në Tuzla.


Sipas Dani, të nesërmen gjendja në Konjevic Polje është qetësuar, megjithëse Orloviq mbetet e vendosur ta largojë kishën nga toka e saj. “E dua pronën time si ka qenë më parë,” ka thënë ajo për Dani. “Autoritetet e kishës duhet ta largojnë atë”.


Sipas medias boshnjake, përplasja më e fundit e fuqishme në Konjevic Polje shënon incidentin e dhjetë në pronën e Orloviq. Ky incident ka sjellë kërkesa të shumta sipas të cilave autoritetet e RS duhet të zbatojnë ligjin, dhe kisha ortodokse të zgjidhë këtë mosmarrëveshje duke e zhvendosur ndërtesën.


Por vëzhguesit politik dyshojnë se politikanët mund të marrin ndonjë vendim, sepse Konjevic Polje është shndërruar në një pjesë e fushatës parazgjedhore në RS, dhe asnjë politikan serb nuk dëshiron të duket i dobët në çështjen e “interesave kombëtare serbe”.


Një viktimë e kësaj mosmarrëveshjeje ka qenë ministri i planifikimit të RS, Mensur Sehagiq, një boshnjak, i cili ka firmosur ndalimin e përkohëshëm të shërbimeve në kishë në muajt e pranverës.


Sehagiq është shkarkuar nga kryeministri i RS, Dragan Mikereviq, i Partisë për Progres Demokratik, PDP, i mbështetur nga kryetari i partisë së tij, Mladen Ivaniq, ministri i jashtëm i Bosnjes.


“Ivaniq dhe Mikereviq nuk duan t’ja dinë nëse kisha qëndron në oborrin e Fata orloviq apo zhvendoset,” ka shkruajtur kohët e fundit gazeta Nezavisne Novine. “Por ata janë shumë të interesuar t’ju tregojnë votuesve se ata përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat kombëtare serbe në çdo centimetër të tokës serbe”.


Në këtë atmosferë gjithnjë e më të nxehtë, media në RS ka thënë edhe se fushata për të lëvizur kishën në Konjevic Polje përmban një plan kërcënues nga Partia boshnjake për Veprim Demokratik, SDS, për të ndezur tensionet në zonë.


Sipas gazetës serbe të Bosnjes, Glas Srpski, hapat për të ndaluar shërbesat fetare në kishë përbëjnë “një shkelje të lirisë fetare”. Gazeta ka thënë se SDA qëndron pas asaj që ajo e ka quajtur “një sulm ndaj serbëve dhe besimtarëve ortodoks në këtë pjesë të Podrinjes. Ata dëshirojnë të shkatërrojnë çdo gjë pozitive që është bërë kohët e fundit në këtë bashki”.


Stacioni kryesor televiziv në RS, Radio Televizioni Republika Srpska, RTRS, është përfshirë gjithashtu duke denoncuar “një sulm vandalësh nga një grup boshnjakësh ndaj priftërinjve dhe besimtarëve ortodoks”.


RTRS ka transmetuar gjithashtu një intervistë me peshkopin lokal, Vasilije i Zvornik-Tuzla, i cili ka përshkruar hapat për të mbyllur kishën në Ponjevic Polje si “genocid”. Peshkopi ka thënë se ortodoksët në këtë zonë “nuk lejohen të ushtrojnë të drejtën e tyre fetare. Transferimi apo shkatërrimi i kishës është jashtë çdo mundësie”.


Sipas një raporti të Radio Evropa e Lirë nga fshati, 700 banorët boshnjak dhe katër familjet serbe të cilat jetojnë atje do të ishin ndoshta më mirë pa mbështetësit e tyre nga jashtë.


Radio ka cituar një serb lokal, Koviljka Petroviq, i cili ka thënë se kisha nuk duhet të ishte ndërtuar atje që në fillim. “Ajo është toka e dikujt tjetër,” ka thënë Petroviq për radion. “Ajo është toka e Fatas”.


Ranka Madzareviq-Petkoviq, një tjetër serbe, e cila ka humbur burrin gjatë luftës së viteve 1992-5, është e të njëjtit mendim. “Fqinjët e mi muslimanë janë shumë të mirë me mua,” ka thënë ajo për radion. “Ne duhet të ndërtojmë një jetë të re, dhe të paktën të jetojmë pranë njëri tjetrit”.


Fqinja e Rankas, Fatima Mehmedagiq, një boshnjake e cila ka humbur tre djem në luftë ka thënë: “Pajtimi do të ishte shumë më i lehtë nëse të gjithë do të ishin si unë dhe Ranka. Ne kujdesemi për njëri tjetrin. Fqinjët serbë mbjellin tokën time – në shkojmë mirë me njëri tjetrin”.


Sadik Pazarac është një bashkëpunëtor i IWPR.


Frontline Updates
Support local journalists