Dalin në Pah Përçarjet Ndërmjet Shqiptarëve

Tensionet e larta ndërmjet dy partive politike të shqiptarëve në Maqedoni rrezikojnë të dëmtojnë reputacionin e krejt komunitetit.

Dalin në Pah Përçarjet Ndërmjet Shqiptarëve

Tensionet e larta ndërmjet dy partive politike të shqiptarëve në Maqedoni rrezikojnë të dëmtojnë reputacionin e krejt komunitetit.

Wednesday, 20 September, 2000

Dhuna ndërmjet dy partive më të mëdha politike të shqiptarëve në Maqedoni ka njollosur zgjedhjet lokale të javës së kaluar.


Në ditën e votimit më 10 shtator aktivistë të Partisë Demokratike të Shqiptarëve, PDSH, e cila bën pjesë në koalicionin qeveritar, dhe kolegë të tyre nga Partia për Prosperitet Demokratik, PPD, në opozitë kanë preferuar një konflikt në vend të zgjidhjes demokratike të mosmarrëveshjeve ndërmjet tyre.


Sipas kryetarit të PDSH-së, incidentet e dhunshme kanë pasuar kërcënimet para-elektorale nga Opozita e Bashkuar Maqedonase dhe PPD. Burime të PDSH-së thonë se në orët e para të 10 shtatorit, aktivistë të PPD-së kanë shkatërruar kutitë e votimit në një numër fshatrash shqiptare, përfshirë Vishticë, Çollopek, Zhelinë, Kamjan dhe Pallçishtë. Aktivistë të PDSH-së në Llabunishtë thuhet të jenë rrahur me shkopinj bejsbolli nga aktivistë të PPD-së.


Por PPD thotë se edhe aktivistët e saj janë sulmuar. Në bashkinë e Dibrës disa aktivistë të PPD-së janë plagosur gjatë votimeve dhe procesi u ndalua në të gjitha 24 qendrat e votimit. Shkëmbime zjarri ka patur ndërmjet aktivistëve shqiptarë të dy partive edhe në Xhepçishtë dhe Këndovë.


Kryetari i PPD-së Imer Imeri thotë se shtatë anëtarë të partisë së tij janë plagosur, njëri prej tyre tepër rëndë. "PDSH-ja ka rekrutuar 1,000 ushtarë të pajisur dhe paguar mirë për këto zgjedhje, kriminelë nga Shqipëria, Gjermania dhe Kosova," ka thënë ai.


Në përgjigje, zëvendës-kryeministri dhe sekretari i PDSH-së Bedri Ibrahimi ka akuzuar Opozitën e Bashkuar dhe PPD-në se kanë paguar agjenci sigurimi private për të terrorizuar fshatrat shqiptare. "Ne nuk kemi arësye të provokojmë incidente, sepse popullsia ka treguar mbështetjen për politikën e PDSH-së," ka thënë ai.


Një konfrontim ndërmjet dy partive ka filluar të ziejë që prej mosmarrëveshjes së fundit ndërmjet tyre për të ardhmen e Universitetit të Tetovës. Megjithatë tensionet në gjirin e skenës politike shqiptare nuk janë nxitur vetëm nga mosmarrëveshjet politike. Përveç arsimit, PPD dhe PDSH kanë programe të ngjashme.


Një vendim i disa anëtarëve të parlamentit të partisë në pushtet VMRO-DPMNE për të kaluar me partinë rivale VMRO-VMRO ka bërë që kryeministri maqedonas Ljubco Georgievski të paralajmërojë se në rast se opozita fiton me më tepër se 10 përqind se sa koalicioni qeveritar, atëherë do të shpalleshin zgjedhje të përgjithshme të parakohshme.


Kjo bëri që PDSH të lidhet më shumë me VMRO-DPMNE dhe Alternativën Demokratike, DA, për të siguruar mbijetesën e koalicionit qeveritar.


Ndërkohë mundësia e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ka inkurajuar PPD-në të luftojë edhe më ashpër, duke shpresuar se më pas mund të fitojë edhe pushtetin qendror me partnerin e saj qeveritar, Bashkimin Social Demokrat të Maqedonisë, SDSM.


Dy partitë maqedonase në koalicionin qeveritar thonë se mosmarrëveshjet ndër-shqiptare janë orkestruar nga koalicioni i opozitës maqedonase. "Këto incidente janë rezultat i padurimit të madh në rradhët e Opozitës së Bashkuar," ka thënë zëdhënësi i VMRO-DPMNE Danillo Gligorovski.


Ndërkohë Opozita e Bashkuar, e përbërë nga ish partia në pushtet SDSM dhe PPD, i ka quajtur incidentet në bashkitë shqiptare si "skandaloze". Zëdhënësi i SDSM-së, Vllado Buçkovski, ka thënë se partia e tij do të mbështeste anëtarët e PPD-së, të cilët janë plagosur dhe se SDSM do të kërkonte zgjedhje të reja në zonat ku ka patur dhunë.


Raporti paraprak i OSBE/ODIHR-it i botuar një ditë pas votimeve ka kritikuar ashpër mënyrën e mbajtjes së zgjedhjeve: "Janë njoftuar këto parregullsi kryesore: disa raste të hapura të mbushjes së kutive të votimit; persona të paautorizuar janë parë shpesh brenda dhe pranë qendrave të votimit, ndonjëherë duke ndërhyrë edhe në proces; votim me bazë familjare dhe raste kur një person ka votuar për disa njerëz të tjerë; mos-kontrollimi i dokumentave të identifikimit."


Megjithatë po të shihen zgjedhjet e kaluara nuk mund të thuhet se shqiptarët nuk kanë treguar ndonjëherë maturi politike. Shqiptarët kanë marrë pjesë në të gjitha zgjedhjet e mëparshme presidenciale, parlamentare dhe lokale. Disa parregullsi të vogla janë vënë re vetëm vitin e kaluar gjatë raundit të dytë të zgjedhjeve presidencialem, kur ata duhet të zgjidhnin ndërmjet dy kandidatëve kryesorë maqedonas.


Atëherë "votat e një personi që votonte për të gjithë familjen" janë përdorur për të siguruar që kandidati i SDSM-së Tito Petkovski, partia e të cilit nuk fshihte as orientimin e saj anti-shqiptar dhe as qëndrimin anti-NATO gjatë bombardimeve të Jugosllavisë, të mos fitonte.


Përveç dyshimeve se SDSM mund të kishte lidhje me regjimin e presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq, shqiptarët e Maqedonisë janë ndjerë të trajtuar keq dhe të diskriminuar gjatë sundimit të drejtuesit të SDSM-së Branko Crvenkovski. Kështu që është e mundur që incidentet në qendrat e votimit mund të kenë qenë një përgjijge ndaj SDSM-së dhe atyre që bashkëpunojnë me të.


Por ngjarjet e 10 shtatorit nuk kanë dëmtuar vetëm disa individë të plagosur, por kanë krijuar edhe një ndarje të madhe ndërmjet dy grupimeve më të mëdha politike të shqiptarëve në Maqedoni. PDSH deklaron se PPD po i shfrytëzon këto incidente. "Ata duan të zhvleftësojnë suksesin elektoral të PDSH-së dhe të justifikojnë humbjen e tyre," ka thënë drejtuesi i PDSH-së Arbër Xhaferi.


Georgievski ka hedhur poshtë mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, një vendim ky i mirëpritur nga PDSH. "Nëse dikush përpiqet të deklarojë zgjedhje të parakohshme me dhunë, PDSH do të organizojë një bojkot të shqiptarëve," ka thënë Xhaferi.


Kjo, sipas sekretarit të PPD-së, Mahi Nesimi, është provë që "PDSH nuk gëzon përkrahjen e elektoratit dhe Arbër Xhafëri nuk është në gjëndje të largohet nga pushteti." Ndërkohë PPD ka vendosur të dalë nga zgjedhjet. "Ne nuk shohim asnjë arsye për të marrë pjesë në raundin e dytë, sepse elektorati shqiptar është shumë i frikësuar," ka thënë Imeri.


Kryetari i misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR Çarls Megi ka paralajmëruar se tërheqja e PPD-së do të përkeqësonte situatën edhe ashtu të tensionuar.


Ky është ndoshta shansi i fundit për drejtuesit politikë shqiptarë në Maqedoni të kuptojnë se instabiliteti politik brenda komunitetit të tyre shërben vetëm për të bindur komunitetin ndërkombëtar se parregullsitë zgjedhore në zgjedhjet në Maqedoni janë një fenomen thjeshtë shqiptar.


Veton Latifi është analist politik dhe gazetar i pavarur në Maqedoni.


Macedonia, Albania, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists