Dilema për Kryeministrin Federal

Procesi i vështirë i gjetjes së një kryeministri të ri federal ka nisur.

Dilema për Kryeministrin Federal

Procesi i vështirë i gjetjes së një kryeministri të ri federal ka nisur.

Wednesday, 4 July, 2001

Presidenti Jugosllav Vojisllav Koshtunica ka filluar punën e vështirë të gjetjes së një kryeministri të ri federal nga rradhët e politikanëve Malazez, më 2 Korrik. Nëse brenda tre muajsh nuk arrihet të krijohet një qeveri e Jugosllave, atëherë do të duhet të thirren zgjedhje të reja të parakohëshme.


Ky problem politik ka shpërthyer më 29 Qershor, kur Zoran Ziziq, zëvendës kryetar i Partisë popullore Socialiste të Malit të Zi, SNP, ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryeministrit federal në shenjë proteste dhe pakënaqësie për vendimin e qeverisë Serbe për të ekstraduar ish presidentin Slobodan Millosheviq në Hagë. "Populli dhe shteti ynë është turpëruar," ka thënë ai.


Largimi i SNP-së i ka dhënë fund koalicionit të saj me Opozitën Demokratike të Serbisë, DOS, dhe ka shkaktuar rrëzimin e qeverisë federale. Jugosllavia, themelet e së cilës janë tronditur nga disa vite mosmarrëveshjesh ndërmjet Podgoricës dhe Beogradit, gjendet tani në një krizë prej së cilës duket se nuk ka shumë mundësi për të dalë.


Koshtunica tani do të duhet krijojë një qeveri të re apo të përballet me zgjedhje të parakohëshme - dhe asnjë nga këto mundësi nuk duket të jenë shumë të pëlqyeshme. E gjitha do të varet nga SNP, partia kryesore pro-Jugosllave në Malin e Zi. SNP-ja kontrollon të gjitha vendet e Malit të Zi në parlamentin federal të dalë nga zgjedhjet e vitit të kaluar, për shkak se partitë pro-pavarësisë në Malin e Zikanë bojkotuar ato zgjedhje. Asnjë qeveri e re nuk mund të aprovohet në parlamentin Jugosllav pa mbështetjen e SNP-së.


Por as zgjedhjet dhe as një marrëveshje për qeveri të re nuk përbëjnë një zgjidhje të qëndrueshme për problemet që ekzistojnë ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi. Edhe nëse Koshtunica arrin të krijojë një administratë të re, ajo nuk do të njohet nga shumica e Malazezëve, të cilët kanë votuar për bllokun pro-pavarësisë në zgjedhjet e përgjithëshme të 22 Prillit. Partitë pro-pavarësisë të Malit të Zi është pothuajse e sigurtë që do të bojkotojnë çdo zgjedhje federale, siç ndodhi në Shtatorin e vitit të kaluar.


SNP nuk ka pranuar të komentojë nëse ajo është në favor të zgjedhjeve të parakohëshme apo në krijimin e një qeverie tjetër. Por ka më tepër mundësi që pas disa bisedimeve të gjata dhe të lodhëshme, ata do të pranojnë një zgjidhje kompromisi të propozuar nga Koshtunica, një njeri shumë më afër pozicionit të tyre sesa fraksioni rival i DOS-it të grupuar rreth kryeministrit Serb Zoran gjingjiq.


Ajo zgjidhje kompromisi, megjithatë mund të jetë shumë e paqëndrueshme. Sipas kushtetutës Jugosllave, nëse presidenti Jugosllav është nga Serbia, kryeministri federal duhet të zgjidhet nga Mali i Zi. Koshtunica në këtë mënyrë duhet të gjejë një kandidat nga Mali i Zi i cili të jetë i pranueshëm për SNP-në dhe për partitë Serbe pjesëmarrëse në koalicionin DOS. Megjithatë, ka shumë pak hapësirë për të manovruar në Mal të Zi. Koshtunica sapo ka filluar bisedimet për këtë problem shqetësues. Por gjetja e një personi të saktë për këtë post mund të jetë një gjë thuajse e pamundur.


Natyrisht, partitë e koalicionit qeveritar të Malit të Zi, Partia Demokratike e Socialistëve, DPS, dhe Partia Social Demokrate, SDP, nuk do të ofrojnë asnjë kandidat. Pas grushtit kushtetues të nxitur nga Millosheviqi në 6 Korrik të vitit të kaluar, të dyja këto parti kanë refuzuar të njohin institucionet federale dhe kanë bojkotuar zgjedhjet e fundit Jugosllave. Për këtë arësye ato nuk janë fare të përfaqësuara në parlamentin federal.


Për më tepër, koalicioni DPS-SDP, i drejtuar nga presidenti Malaze Milo Gjukanoviq, kërkon pavarësi për republikën e vogël dhe ka qenë tepër i lehtësuar javën e kaluar kur qeveria federale u rrëzua. Koshtunica nuk mund të presë asnjë lloj ndihme nga Gjukanoviqi.


Presidenti Jugosllav duhet të gjejë një kryeministër të ri nga rradhët e opozitës Malazeze. Përveç SNP-së, pjesë e opozitës janë edhe Partia Popullore Serbe, SNS, e drejtuar nga Bozhidar Bojeviq, dhe Partia Popullore, NS, e Dragan Soc.


SNS ka vetëm dy deputetë në parlamentin Malazez, vetëm për shkak të koalicionit me SNP-në. Duket e pamundur që Koshtunica të mundet të gjejë një kryeministër nga ajo parti.


Spekulimet e gazetave kanë treguar se Predrag Drecun, kryetari i bordit ekzekutiv të NS-së mund të jetë një nga zgjedhjet. Partia është ideologjikisht shumë afër Partisë Demokratike të Koshtunicës dhe mund të ofrojë një kandidat të pranueshëm edhe për anëtarët e tjerë të DOS-it. Partia ka kundërshtuar politikën e luftës së Millosheviqit në mesin e viteve 1990 dhe disa drejtues të DOS-it kanë komentuar se NS është "partnerja e tyre e natyrëshme" në Malin e Zi, shumë më tepër se sa SNP-ja e cila ka qenëpro Millosheviqit.


Por një hap i tillë rrezikon të dëmtojë në mënyrë të pariparueshme kredibilitetin e institucioneve federale. NS është shkëputur vetëm kohët e fundit nga aleanca me Gjukanoviqin. Pak përpara zgjedhjeve të 22 Prillit, ajo është bashkuar me koalicionin 'Së Bashku për Jugosllavinë' përkrah SNP dhe SNS-së. Megjithatë, partia ka bojkotuar zgjedhjet Jugosllave Shtatorin e kaluar dhe si rezultat nuk ka asnjë deputet në asamblenë federale.


Si president i SDP-së Ranko Krivokapiq ka thënë: "do të ishte diçka e parecedent që një parti e cila nuk ka asnjë deputet në parlament të marrë postin e kryeministrit".


Krivokapiq ka theksuar gjithashtu se deputetët e NS-së në asamblenë Malazeze kanë votuar në favor të një rezolute ku denoncoheshin të gjitha institucionet federale si ilegale dhe ilegjitime pas grushtit kushtetues të Korrikut të vitit 2000. "Ata nuk njohin as parlamentin federal i cili zgjedh kryeministrin," ka thënë ai.


Është gjithashtu pak e mundur që deputetët e SNP-së në asamblenë Jugosllave të mbështesin ndonjë kandidat të NS-së sepse kjo vetëm do të forconte pozitën e kësaj të fundit në vend. Përqindja e votave të Partisë popullore në Malin e Zi është rritur ndjeshëm pas bashkimit të saj me bllokun 'Së Bashku për Jugosllavinë' dhe një aleancë e fortë me Beogradin mund të forcojë më tepër pozitat e saj në të ardhmen.


SNP-ja ende nuk ka komentuar mbi kandidaturën e Drecun. Por vetë ai ka thënë: "Unë mendoj se nuk është realiste për mua të bëhem kryeministër". Drecun ka konfirmuar se partia e tij do të marrë pjesë në bisedimet për krijimin e qeverisë së re, por ka thënë se ai priste që edhe SNP-ja të marrë pjesë.


Kështu që Koshtunica është i detyruar të gjejë një aleancë jo natyrale me SNP-në pro-Millosheviqit. Mosmarrëveshjet ndërmjet SNP-së dhe DOS-it kanë filluar në fillim të pranverës dhe kanë të bëjnë kryesisht me bashkëpunimin me gjykatën për krime lufte të Hagës. Megjithëse SNP-ja e ka abandonuar ish presidentin pas rrëzimit të tij në Tetor të vitit 2000, partia ka vazhduar të bllokojë përpjekjet për të miratuar një ligj federal i cili do të lejonte ekstradimin e qytetarëve Jugosllavë.


Konferenca e donatorëve të huaj në Bruksel më 29 Qershor ka intensifikuar presionin ndaj Beogradit për të vepruar ose në të kundërt do të humbiste mbi 1 miliard dollarë. Vendimi dramatik dhe i njëanshëm i qeverisë Serbe për të dërguar Millosheviqin në Hagë më 28 Qershor ka zemëruar Predrag Bullatoviqin, kryetarin e SNP-së, i cili është ankuar shumë se DOS kishte miratuar një dekret të qeverisë federale për bashkëpunim me gjykatën pa dijeninë e partisë së tij. Dhe më pas e ka thelluar fajin duke kundërshtuar një vendim të gjykatës kushtetuese për të bllokuar dekretin.


"Në gjirin e SNP-së është krijuar një mungesë e thellë besimi ndaj disa partive dhe politikanëve të DOS-it," ka thënë Bulatoviq. "Me disa prej tyre ndarjet janë tepër të thella".


Drejtuesi i SNP-së ka quajtur disa nga drejtuesit e DOS-it si "ekstremistë". Nuk përbën ndonjë sekret që ai ka parasysh Gjingjiqin dhe ministrin Serb të drejtësisë Vladan Batiq, të cilët kanë qenë më të përfshirë në transferimin e Millosheviqit për në Hagë.


Me këto ndarje, duket se është e pamundur që një aleancë ndërmjet opozitës Malazeze dhe partive Serbe në fuqi të përbëjë bazën për stabilitet afatgjatë për federatën. Pas rënies së qeverisë Jugosllave javën e kaluar, Gjukanoviq ka thënë se bashkimi ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi nuk mund të ruhet pa mbështetjen e shumicës së popullsisë në të dyja republikat.


Por, Koshtunica ndoshta do të shtyjë dialogun me Gjukanoviqin me shpresën për të arritur ndonjë farë marrëveshje me opozitën Malazeze, duke mbajtur në këmbë institucionet e tanishme të federatës.


Ai do të nisë bisedimet me Gjukanoviqin rreth së ardhmes së Jugosllavisë, vetëm nëse dështon në këtë drejtim.


Milka Tadiq Mijoviq është redaktorja e projektit të IWPR-së në Malin e Zi.


Serbia
Frontline Updates
Support local journalists