Dita e Parë në Gjykatë e Avokatëve të Millosheviq

Avokatët e sapo caktuar të të pandehurit përpiqen të bëjnë më të mirën e mundëshme

Dita e Parë në Gjykatë e Avokatëve të Millosheviq

Avokatët e sapo caktuar të të pandehurit përpiqen të bëjnë më të mirën e mundëshme

Wednesday, 9 November, 2005

Ish presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviq është detyruar të qëndrojë në plan të dytë në gjyqin e tij këtë javë, ndërsa dy avokatët britanik të ngarkuar për ta mbrojtur atë kanë pyetur dëshmitarin e parë të mbrojtjes.


Steven Kay dhe Gillian Higgins kanë filluar mbrojtjen e tyre në çështjen më të rëndësishme për krime lufte që prej Luftës së Dytë Botërore duke u mbështetur vetëm në listën e dëshmitarëve që Millosheviq ka paraqitur disa muaj më parë.


Sipas Kay, Millosheviq ka refuzuar vazhdimisht të takohet me ta që prej caktimit të tyre nga gjykata për ta mbrojtur, dhe nuk i ka informuar ata në lidhje me strategjinë dhe mënyrën e pyetjes së dëshmitarëve.


Avokatët kanë njoftuar se ata janë përpjekur të marrin me mënd se çfarë parashikonte Millosheviq të bënte për të mbrojtur veten duke u mbështetur në deklaratën e tij të hapjes, pyetjet e bëra prej tij dëshmitarëve të akuzës dhe listës së dëshmitarëve që ka paraqitur ai, dhe tani po ndjekin atë linjë mbrojtjeje që mendojnë se do të përdorte edhe ai.


Për këtë arësye, ata kanë kërkuar dhe kanë siguruar leje nga gjykatësit të paraqesin një apel kundër emërimit të tyre, pas një kërkese të ngjashme të bërë nga Millosheviq në sallën e gjyqit javën e kaluar.


Dëshmitarët e parë të cilët janë paraqitur këtë javë kanë dhënë shenja për një strategji të mbrojtjes politike, një taktikë e cila ishte parashikuar nga vëzhguesit si më e preferuara e ish presidentit jugosllav.


Millosheviq kishte njoftuar se ai po planifikonte të tregonte se vendet perëndimore kanë pasur përgjegjësinë për shkatërrimin e ish Jugosllavisë, dhe dëshmitarët e paraqitur këtë javë duket se ndanin të njëjtin mendim me të.


Por në fund të javës, mbrojtja njoftoi se ajo “kishte probleme me dëshmitarët”, sepse dy prej tyre të cilët ishin planifikuar të paraqiteshin javën e ardhëshme nuk kanë pranuar – duke përmendur si arësye vendimin e trupit gjykues për të caktuar avokatët mbrojtës për Millosheviqin.


Ky lajm ka bërë që kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Patrick Robinson nga Xhamaika, të paralajmërojë Millosheviqin se ai “do të mbante përgjegjësi” nëse prova dhe dëshmitë e rëndësishme për mbrojtjen e tij nuk do të dëgjoheshin në sallën e gjyqit ri rezultat i mungesës së bashkëpunimit të tij.


Dëshmitari i parë i cili është paraqitur këtë javë ka qenë ish këshilltarja ligjore e Millosheviqit dhe profesore e drejtësisë Smilja Avramov, e cila ka qenë negociatore gjatë viteve të qëndrimit të tij në pushtet. Ajo ka marrë pjesë në bisedimet me ish republikat e tjera të Jugosllavisë dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian në muajt përpara dhe pas shpërbërjes së Jugosllavisë.


Duke e paraqitur Millosheviqin si “një njeri të paqes”, Avramov ka dëshmuar se gjatë bisedimeve të shumta ku ajo ka marrë pjesë, ajo ka parë se Millosheviq nuk ka pasur kurrë në plan të shkatërrojë Jugosllavinë. “Përkundrazi,” ka thënë ajo, “ai e kishte obsesion ruajtjen e paprekur të Jugosllavisë” – edhe shumë kohë pasi dy republikat veriore, Sllovenia dhe Kroacia, kishin shpallur pavarësinë.


“Ai nuk mendonte asgjë përveç Jugosllavisë,” ka thënë ajo, por më pas ka pranuar se Millosheviq kishte lejuar mundësinë e njohjes së pavarësisë së Sllovenisë dhe Kroacisë – me kusht që serbët të cilët jetonin në Kroaci të përfitonin “të drejtën të qëndronin në Jugosllavi”.


Duke u përpjekur të refuzonte akuzat e prokurorisë së i pandehuri në fakt dëshironte krijimin e “Serbisë së Madhe”, Avramov ka pranuar se ideja e Millosheviqit ishte që njohja e pavarësisë së këtyre republikave do të shoqërohej edhe me një ndryshim të kufinjve.


“Platforma [e ekipit negociator nën drejtimin e tij] ka qenë që ne të bisedonim, por çështja e kufinjve të mbetej e hapur,” ka thënë ajo.


Avramov është përpjekur gjithashtu të kundërshtojë që Millosheviq ka pasur shumë ndikim mbi drejtuesit politik serb në Bosnje dhe Kroaci. Ajo e ka përshkruar ish drejtuesin e serbëve të Kroacisë, Milan Babiq, si një “njeri ekstravagant dhe me vetëbesim” i cili ka refuzuar të gjitha ofertat e bëra nga ish presidenti jugosllav. Babiq është dënuar pak kohë më parë nga gjykata e Hagës për krime të kryera ndaj kroatëve gjatë viteve të drejtimit të tij në territoret e kontrolluara nga serbët në Kroaci.


Millosheviq ka pasur akoma edhe më pak ndikim tek drejtuesit serbë të Bosnjes, ka thënë Avramov.


Drejtuesi i tyre, Radovan Karaxhiq – një ndër personat më të kërkuar nga gjykata – ka qenë “një intelektual i madh me një autoritet të lartë moral personal” i cili “ka pasur ndikim mbi të gjithë të tjerët” ndër serbët e Bosnjes dhe e konsideronte veten si të barabartë me Millosheviqin, ka thënë Avramov përpara trupit gjykues.


Dëshmitarja më pas ka pranuar se në përfundim të luftës, Karaxhiq është dorëzuar përpara Millosheviqit dhe ka hequr dorë nga roli i tij si bashkëbisedues në emër të serbëve të Bosnjes gjatë bisedimeve të paqes në Dayton, por ai e ka bërë një gjë të tillë “me gjysëm zemre”.


Është pikërisht natyra e saktë e marrëdhënieve ndërmjet Millosheviq dhe udhëheqjes së serbëve të Bosnjes e cila qëndron në qendër të akuzës më të rëndë me të cilën përballet i pandehuri – atë të genocidit në Bosnje.


Ish presidenti i Jugosllavisë po përballet me tre akuza për luftërat në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë. Së bashku këto akuza të mëdha përmbajnë 66 akuza për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe genocid.


Dëshmitari tjetër këtë javë ka qenë James Jatras, një ish analist i Senatit të SHBA për Partinë Republikane, dhe autor i disa raporteve ku përshkruhen disa aspekte të politikës amerikane ndaj ish Jugosllavisë.


Jatras ka pranuar se ai mund të jepte para gjykatës vetëm “pikpamjen e tij si një analist,” sepse raportet e tij dhe analizat kanë qenë të bazuara pothuajse plotësisht në burime publike.


Pjesa më e madhe e dëshmisë së tij është përqëndruar në çështjen e armëve nga Irani me të cilat është furnizuar Bosnja. Kjo çështje është bërë fillimisht publike pas botimit në shtypin amerikan të njoftimeve për dërgimin e armëve nga Irani në Bosnje nëpërmjet Kroacisë gjatë luftës, duke shkelur kështu embargon e armëve të vendosur nga OKB.


Kongresi amerikan, pas debateve të shumta, ka lejuar dërgimin e armëve dhe nuk është marrë asnjë masë ndaj njerëzve të përfshirë në këtë operacion.


Seanca e kësaj jave ka vendosur në qendër të vëmendjes këtë episod të vjetër, por mbrojtja nuk ka mundur të paraqesë ndonjë provë të re.


Jatras ka insistuar gjithashtu, në atë kohë, se demokratët dhe republikanët në SHBA kanë mbyllur një sy ndaj ndikimit të vendeve islamike në Bosnje, dhe atë që ai e ka përshkruar në një prej raporteve të tij si “karakteri radikal islamik i regjimit të Sarajevës”.


Jatras ka thënë gjithashtu para trupit gjykues se, bazuar në prova nga kontaktet e tij në Senatin Amerikan në verën e vitit 1998, është “bërë e qartë për të si një analist” se administrata amerikane nën drejtimin e ish presidentit Klinton kishte “një plan të përcaktuar për të sulmuar Serbinë” gjashtë muaj përpara fillimit të bombardimeve të NATO-s, dhe po priste për një pretekst për të nisur sulmin.


“Mua më është thënë nga një burim i lartë konfidencial se një zyrtar i lartë amerikan në bisedimet në Rambuje për të ardhmen e Kosovës ka thënë se SHBA ‘ka vendosur qëllimisht kushte tepër të vështira për delegacionin serb. Ata kanë nevojë për një bombardim dhe ne do ti bombardojmë,” ka thënë Jatras.


Por prova nuk ka arritur të paraqesë prova të tjera konkrete për ekzistencën e një politike të tillë amerikane. Në çdo rast, është e paqartë se çfarë rëndësie do të ketë një informacion i tillë për rastin e Millosheviq, sepse ai akuzohet për përgjegjësi në drejtimin e shumë krimeve të kryera nga trupat jugosllave ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë pas fillimit të sulmeve ajore të NATO-s.


Gjatë pyetjeve të prokurorëve për dëshmitarët e mbrojtjes, ata janë përpjekur të theksojnë mungesën e informacioneve faktike nga ana e dëshmitarit dhe pastaj të hedhin dyshime mbi aftësitë e tij analitike, duke paraqitur lidhjet e tij me një degë anti-islamike të komunitetit ortodoks grek në SHBA.


Prokurori Geoffrey Nice ka lexuar një pjesë të një eseje teologjike të shkruar nga Jatras, të botuar në një gazetë të ortodoksëve grek në SHBA, në të cilën ai e ka quajtur Islamin një “një makineri gjigande vrasëse të Krishtërimit”.


Kur Millosheviqit i është kërkuar të flasë, ai ka sulmuar avokatët e tij se “kanë humbur kohë” gjithë javën me dy dëshmitarë, në një kohë kur ai ka një listë prej 1,631 dëshmitarësh dhe vetëm 150 ditë kohë për ti pyetur ata.


Në një farë mënyre i zemërurar, dhe duke treguar shenjat e para të irritimit, Kay ështëpërpjekur të “qartësojë” çdo gjë duke thënë se vetë Millosheviq kishte planifikuar të pyeste vetëm tre dëshmitarë këtë javë, dhe meqënëse i treti nuk ka pranuar të paraqitet, ai po ndiqte kalendarin e parashikuar nga klienti i tij.


Gjatë seancave të javës, Millosheviq ka përdorur çdo mundësi për të akuzuar gjykatën se i ka hequr të drejtën për vetë mbrojtje, dhe për të sulmuar avokatët e tij të rinj.


“Ju me keni hequr të drejtën për të mbrojtur veten dhe e keni vendosur atë në duart e zotit Kay i cili nuk dëshiron të më mbrojë mua. Ai ju përfaqëson juve,” ka thënë ai ditën e parë, përpara se kryetari i trupit gjykues ti ndërpriste fjalën.


“Zoti Millosheviq, unë nuk kam dëshirë të dëgjoj të njëjtin refren të përsëritur,” ka thënë Patrick Robinson. Por megjithatë shkëmbime të tilla fjalësh kanë vazhduar rregullisht, duke krijuar kështu një rutinë në këtë proces gjyqësor.


Gjykatësit i kanë dhënë herë pas here mundësinë Millosheviqit për të folur, dhe ai e ka përdorur këtë mundësi për të denoncuar ekipin e tij ligjor “për shkatërrimin” e mbrojtjes së tij, “humbje kohe” dhe “bërjen e pyetjeve të gabuara”. Ai më pas është përpjekur të ngrejë temën e së drejtës së tij për vetëmbrojtje dhe kryetari i trupit gjykues i ka ndërprerë fjalën.


Gjykata ka vendosur caktimin e avokatëve mbrojtës për ish presidentin jugosllav pasi problemet e vazhdueshme shëndetësore e kanë bllokuar procesin gjyqësor ndaj tij këtë verë.


Ndërsa trupi gjykues ka vendosur që shëndeti i Millosheviqit nuk i lejonte atij të mbronte vetveten, gjykata i lejon atij ende mundësinë për të marrë pjesë në mbrojtjen e tij duke ndihmuar avokatët në përgatitjen e dëshmitarëve për pyetje dhe duke e lejuar atë të bëjë pyetje.


Millosheviq ka hedhur poshtë të dyja këto mundësi dhe ka vazhduar ta bëjë këtë gjë edhe gjatë seancave të kësaj jave.


Më 10 shtator, Kay ka njoftuar se dy dëshmitarët e caktuar për të dëshmuar javën e ardhëshme kanë refuzuar të paraqiten – një studjues kanadez emri i të cilit nuk është bërë publik dhe ish deputeti rus Nikolay Ryzhkov. Ky i fundit ka cituar publikisht caktimin e avokatëve si arësyen kreysore për mospranimin e tij. Të paktën njëri prej tyre, ka thënë Kay, ka ndryshuar mendjen për paraqitjen në gjykatë pasi ka folur në telefon me Millosheviqin.


Kjo ka bërë që trupi gjykues të tërheqë vëmendjen e Millosheviqit në lidhje me përgjegjësitë që ai ka për mos lejimin e dëgjimit të provave në këtë proces.


Kryetari i trupit gjykues i ka kujtuar edhe një herë Millosheviqit se ai po inkurajohet të marrë pjesë në këtë proces. Nëse nuk shfrytëzohet kjo mundësi, procesi do të vazhdojë, dhe askush nuk mund të thotë që është bërë ndonjë padrejtësi,” ka paralajmëruar ai.


Ana Uzelac është drejtuese e projektit të IWPR në Hagë.


Frontline Updates
Support local journalists