A DO TË NDRYSHOJË POLITIKA AMERIKANE NË BOSNJE?

Po duken shenja të reja që SHBA po përgatitet të rishikojnë përfshirjen e tyre në Ballkan

A DO TË NDRYSHOJË POLITIKA AMERIKANE NË BOSNJE?

Po duken shenja të reja që SHBA po përgatitet të rishikojnë përfshirjen e tyre në Ballkan

Uashingtoni ka përgënjeshtruar me forcë deklarimet e bëra nga një gjeneral i rëndësishëm i ushtrisë Amerikane se Administrata e Bushit ka vendosur të tërheqë forcat Amerikane nga Ballkani.


Zëvendës drejtori i Problemeve Politiko-Ushtarake për Europën dhe Afrikën në Shtabin e përgjithëshëm të ushtrisë, Gjeneral Brigade Kith Dejton ka thënë se Uashingtoni do të tërheqë trupat e tij nga Ballkani deri në vitin 2003, një vit përpara zgjedhjeve të reja presidenciale.


Ai i ka bërë këto deklarata ndërsa fliste privatisht në një simpozium në Universitetin Kolumbia mbi të ardhmen e prezencës Amerikane në rajon.


Për më tepër, studiues dhe zyrtarë ushtarak Amerikanë që kanë marrë pjesë në seminarin dy ditor duket se kanë qenë në një mendje që kufinjtë e tanishëm shtetëror në Ballkan duhet të ribëhen për të krijuar "shtete më të vogla dhe më të qendrueshme mono etnike".


Sipas delegatëve, kufinjtë e rinj ku do të përfshihen entitete etnike do të ndjekin modelet historike dhe "instinktet natyrale" të Europës, siç janë vënë re gjatë 300 vjetëve të fundit.


Thëniet e gjeneralit Dejton kanë shkaktuar një përgjigje "tepër të shpejtë" nga ana e qeverisë Amerikane.


"Administrata nuk ka filluar ende të diskutojë strategjinë afatgjatë për Ballkanin," ka thënë Dejvid Folei, një zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit në drejtorinë e zbatimit të planit të Bosnjes. "Sekretari i Shtetit, Pauell, ka thënë se SHBA nuk do të largohen me shpejtësi duke lënë përgjysëm punët".


Folei ka deklaruar gjithashtu se nuk do të ketë ndryshime të marrëveshjes së Dejtonit. Edhe nëse do të ketë ndryshime, "këto nuk do të jenë për kufinjtë, por për të drejtat dhe demokracinë...kur fillon të ndryshosh kufinj, atëherë nuk ndalesh dot më""


Gjenerali Dejton ka deklaruar gjithashtu se do të ketë një ndryshim radikal në përfshirjen e trupave Amerikane në gjirin e S-For - forca ndërkombëtare paqeruajtëse në Ballkan - dhe një pakësim i numrit të kontigjentit Amerikan atje do të diskutohej gjatë rishikimit të ardhëshëm të S-For, të planifikuar për në fillim të muajit Maj.


Ai ka thënë se detyrat ushtarake të parashikuara në marrëveshjen e paqes janë përmbushur dhe sfidat që mbeten pa u zgjidhur janë politike dhe ekonomike.


Folei ka kundërshtuar thëniet e Gjeneralit Dejton se tashmë po diskutohej një ndryshim rrënjësor i dislokimit të trupave Amerikane. "Për sa i përket S-For dhe rishikimit gjashtë mujor, agjë nuk është vendosur ende," ka thënë ai.


Gjenerali Dejton ka kryer edhe një diskutim për ndryshimin e politikës në Bosnje, të shkaktuar nga një kërkesë që sipas tij ka marrë nga komandanti i S-For Gjeneral Maikëll Dodson.


Gjenerali Dejton ka thënë se komandanti Dodson ka kërkuar pikërisht nga pjesëmarrësit e simpoziumit që të diskutojnë rreth pozicionit të komunitetit ndërkombëtar nëse Bosnja duhet të shohë drejt Lindjes apo Perëndimit, qëndrueshmërinë e shteteve shumë etnike dhe marrëveshjen e Dejtonit.


Ai ka përfunduar se nëse komandanti i S-For bënte këto lloj pyetjesh pas pesë vjetësh nga marrëveshja e Dejtonit, kjo tregon se vetë marrëveshja ka probleme dhe zbatimi i saj nuk po ecën si duhet.


Gjenerali Dejton ka thënë se megjithëse marrëveshja e paqes u dha fund luftimeve, ende mbeten probleme të mëdha të pazgjidhura dhe gjendja në Bosnje nuk po përmirësohet.


Ai është shprehur se Europa duhet të luajë një rol më të madh në Ballkan, duke shprehur një mbështetje të madhe për Programin Europian të Mbrojtjes dhe Sigurimit, ESDP, i cili sipas tij do të marrë përsipër detyrat e paqeruajtjes në të gjithë Ballkanin - megjithëse ai nuk pret që ESDP-ja të jetë e gatëshme të marrë përsipër këtë rol.


Simpoziumi është zhvilluar pas thirrjeve të Sekretarit të Përgjithëshëm të NATO-s Lord Robertson dhe Sekretarit Pauell për një pakësim të prezencës së Aleancës në zonën e sigurisë prej 5 kilometra në afërsi të Luginës së Preshevës në Serbi, ku janë zhvilluar luftime të ashpra ndërmjet shqiptarëve dhe forcave të sigurimit Serbe.


SHBA dhe NATO po mbështesin kërkesën e qeverisë së re Serbe për të marrë nën kontroll ushtarak zonën e sigurisë. Në shkëmbim të kësaj, ato i kanë kërkuar Beogradit të bëjë një sërë lëshimesh, përfshirë këtu sigurimet që ata që janë përfshirë në spastrimin etnik në Kosovë nuk do të lejohen të ushtrojnë aktivitet në zonën e konfliktit.


Gjendja e sigurisë mbetet e kërcënuar edhe në rajonin e Kosovës jugore. Qeveria Maqedonase ka bërë thirrje NATO-s të bëjë një vlerësim të sulmeve në rritje të guerrilasve Shqiptarë në zonën kufitare me Maqedoninë. Lordi Robertson ka urdhëruar një mision të menjëhershëm "politik dhe ushtarak" në rajon.


Tensionet po rriten edhe në Bosnje. Krijimi i qeverive të moderuara në nivel shtetëror dhe atë të entiteteve është errësuar nga kërcënimet e Kroatëve të Bosnjes të linjës së ashpër për të ndarë rajonet me popullsi kryesisht kroate nga pjesa tjetër e vendit.


Duke pasur parasysh gjithë këto zhvillime, pjesa më e madhe e politikanëve Amerikanë, të cilët nuk janë në terren në Bosnje, duket se kanë arritur në konkluzionin që si marrëveshja e Dejtonit ashtu edhe ajo për Kosovën nuk po funksionojnë si duhet dhe duhet të rishikohen.


Megjtihëse nuk pranon të shprehet haptazi, Administrata e Bushit duket se dëshiron një ndryshim të politikës dhe një rol drejtues shumë më të vogël në rajon.


Tanja Domi është ish zëdhënëse e OSBE-së në Bosnje dhe herzegovinë. Ajo po kryen studime pasuniversitare në degën e të Drejtave të Njeriut në Universitetin Kolumbia në Nju Jork.


Africa, Balkans
Frontline Updates
Support local journalists