Ekstradimi Përçan Koalicionin Jugosllav
Megjithëse në Hagë, Millosheviqi ende mbetet një element përçarës në politikën Jugosllave.
Ekstradimi Përçan Koalicionin Jugosllav
Megjithëse në Hagë, Millosheviqi ende mbetet një element përçarës në politikën Jugosllave.
Ekstradimi i Millosheviqit në Hagë përfaqëson hapin më radikal të ndërmarrë deri më sot nga qeveria e Beogradit. Ky veprim kë theksuar edhe më tepër përçarjet që ekzistojnë ndërmjet presidentit federal Jugosllav Vojisllav Koshtunica dhe kryeministrit Serb Zoran Gjingjiq.
Të nesërmen e ekstradimit, Partia Demokratike Serbe e Koshtunicës, DSS, ka bërë të ditur se ajo ka në plan të largohet nga koalicioni qeveritar. Autoritetet Jugosllave janë përpjekur prej muajsh të dërgojnë Millosheviqin në Hagë, por vendimi për ta ekstraduar atë në fakt është marrë direkt nga Gjingjiq.
Qeveria Serbe ka marrë përgjegjësinë për ekstradimin pas një javë debatesh dhe mosmarrëveshjesh kushtetuese në federatën Jugosllave.
Pas dështimit të bisedimeve me Partinë Socialiste Popullore të Malit të Zi, SNP, e cila ka kundërshtuar ekstradimin e ish presidentit, qeveria federale ka kaluar një dekret, duke anashkaluar diskutimin dhe aprovimin e tij në parlament.
Ky vendim është quajtur anti kushtetues nga gjykata federale kushtetuese të Enjten, por qeveria e Gjingjiqit u përgjigj me shpejtësi. Ata kanë vënë ekstradimin në lëvizje duke cituar si precedencën e gjykatës ndaj ligjit të vendeve të tjera ashtu edhe një klauzolë në kushtetutën e republikës e cila pezullon çdo vendim federal që konsiderohet kundër interesave Serbe.
Për ironi të fatit, ky nen është futur nga Millosheviqi në fund të viteve Tetëdhjetë për të mbrojtur veten nga veprimi i ligjit federal.
Për habinë e Gjingjiqit, kabineti i Presidentit Koshtunica ka lëshuar një deklaratë ku thuhej se ai nuk ka pasur dijeni për urdhërin e ekstradimit. Gjingjiq ka thënë se ai e kishte informuar Koshtunicën për planet e qeverisë së tij më parë gjatë javës. Ai ka thënë se i kishte shpjeguar Koshtunicës se në rast të anullimit të dekretit federal për ekstradimin e Millosheviqit ai do të përballej me dy mundësi: ose të jepte dorëheqjen ose të pezullonte vendimin e qeverisë Jugosllave.
Kryeministri i kishte thënë presidentit se mungesa e bashkëpunimit me Hagën, do të kishte pasoja katastrofike për vendin. Koshtunica i është përgjigjur duke paralajmëruar qeverinë e Gjingjiq se ata do të shkelnin kushtetutën nëse vendosnin të ekstradonin ish presidentin.
Koshtunica ka arritur edhe të akuzojë Gjingjiqin për "mos zbatim ligji". Zemërimi i tij është i kuptueshëm nëse kihet parasysh se arrestimi i Millosheviqit mund ta dëmtojë shumë atë.
Ai është akuzuar tashmë për tradhëti sai nga ata që e mbështesin ashtu edhe nga ata që e kundërshtojnë ekstradimin. "Ai natyrisht nuk mund të jetë më kryetar i shtetit pas asaj që ka ndodhur," kanë thënë përkrahësit e Millosheviqit të Enjten në mbrëmje.
Por presidenti është sulmuar për qëndrimet e tij edhe nga partnerët e tij në koalicionin qeveritar DOS të cilët e akuzojnë për obstruksionizëm dhe kompromis. "Ky është fundi i koalicionit," ka thënë drejtuesi i SNP-së Predrag Bullatoviq pasi është informuar se ish presidenti është ekstraduar. "Pas kësaj nuk mund të bisedohet më me DOS-in".
Ndërkohë, kryeministri duket se ka hasur në kundërshtime nga disa pjesë të forcave të sigurimit për çështjen e ekstradimit.
Sipas një njoftimi që ka ardhur në IWPR, një njësi speciale e policisë ishte urdhëruar të arrestonte një nga shefat e saj, Milorad Vlemek Legija, i akuzuar nga gjykata e Hagës për krime të kryera në Kosovë. I njëjti burim thotë se njësia e policisë nuk e ka zbatuar urdhërin duke e lejuar atë të largohet nga vendi.
Megjithatë, është e sigurtë se do të ketë arrestime të tjera. Ka disa njoftime të pakonfirmuara se disa të akuzuar nga Haga janë arrestuar ditën e Enjte. Ndër ta përmenden Milan Martiq, ish president i republikës së Serbëve në Kroaci, Krajina dhe ish komandanti i ushtrisë së Krajinas Mile Mrksiq.
Imazhi i Jugosllavisë në arenën ndërkombëtare është përmirësuar ndjeshëm pas ekstradimit të ish presidentit. Ende mbetet për t'u parë se çfarë reagimi do të ketë në vend.
Zheljko Cvijanoviq është një bashkëpunëtor i rregullt i së përditëshmes Dani të Sarajevos.