ËSHTË KOHA QË T'I IPET FUND LUFTËS DESTRUKTIVE MES FAMILJEVE NË DUKAGJIN

Liderët kosovarë duhet të ndërmjetësojnë ta ndalin gjakmarrjen në mes familjes Musaj dhe Haradinaj që pasqyron vetinë më negative në Kosovë. Nga Jeta Xharra në Dukagjin

ËSHTË KOHA QË T'I IPET FUND LUFTËS DESTRUKTIVE MES FAMILJEVE NË DUKAGJIN

Liderët kosovarë duhet të ndërmjetësojnë ta ndalin gjakmarrjen në mes familjes Musaj dhe Haradinaj që pasqyron vetinë më negative në Kosovë. Nga Jeta Xharra në Dukagjin

Tuesday, 2 August, 2005

Mirëpo me të vizituar Dukagjinin të dielen e kaluar, s’kishte as shenjë të plleshmërisë por vetëm atmosferë vdekje e vetëshkatërrimi.

 

Ky ishte disponimi që kishte kapluar 80,000 përcjellësit e të vdekurit që ishin mbledhur nën qiell të errët e me shi në varrimin e 24-vjeçarit Enver Haradinaj.

 

Enveri, vellau i Ramush Haradinaj, ish kryeministrit të Kosovës që tash pret gjykimin për krime lufte në Hagë, u vra në një pritë me 15 prill.

 

Vrasja e tij ishte një epizodë e një serie vrasjesh misterioze dhe tentimeve për vrasje që e kanë tronditur këtë rajon në gjashtë vitet e fundit.

 

Pasi që policia lokale e ndërkombëtare kanë dështuar në zgjidhjen e shumicës së këtyre vrasjeve, diskutimi për këtë temë gjithsesi përfshinë një dozë supozimi.

 

Por, prej gjithë atyre informatave që kam mundur t’i marr duket që shumica e këtyre vrasjeve i kanë rrënjët e veta në një lloj gjakmarrje në mes familjes Musaj dhe Haradinaj, dyja këto familje shumë të fuqishme në Dukagjin.

 

Do të ishte lajm i mirëseardhur nëse policia e kryn punën e vet dhe nëse me të vërtetë i kap përgjegjësit për këto krime. Por nëndërkohë, shoqëria jonë duhet të ndërmarrë diçka që ta ndal dhunën e mëtutjeshme në Dukagjin.

 

Inspirimi duhet të gjendet në fushatën e pajtimit të gjaqeve që udhëhiqte i shquari Anton Çetta në fillim të nëntëdhjetave.

 

Atëherë, një grup prej 500 aktivistëve i vizituan fshatrat, folën me familjet e përfshira në gjakmarrje dhe mbajtën takime masive ku njerëzit ishin dëshmitarë të qindra pajtimeve të ndryshme të gjaqeve.

 

Duke e diskutuar këtë ide këtë javë, disa njerëz ma kanë tërhequr vërejtjen që do të jetë shumë vështirë, gati e pamundur që të aplikohet parimi i njejtë tash, për shkak se argumenti më bindës i Çettës në atë kohë ka qenë fakti që shqiptarët nuk kanë llogari të vriten kur duhet të bashkohen për të lufutar regjimin e Millosheviqit.

 

S’ka dyshim që pajtimi Haradinaj-Musaj do të ishte tejet i vështirë për t’u realizuar. Grindja përfshinë armiqësi të kahhershme dhe me aq shumë burra të zemëruar në të dy anët do të ishte vështirë dikush të garantohet që kusherinjtë e përkrahësit e të dy anëve do ta respektonin një marrëveshje që të ndalin vrasjet, kërcënimet dhe provokimet.

 

Në anën tjetër, ka shumë për tu humbur nëse kjo gjakmarrje vazhdon. Në këtë moment kur rrezikohet aq shumë, ku kosovarët duhet të tregojnë që ia vlejnë ta kenë pavarësinë që e kërkojmë aq shumë, ka shumë për tu humbur nëse vrasjet familjare lihen të vazhdojnë.

 

Liderët kosovarë duhet ta marrin parasysh se ia vlen ta rrezikojnë reputacionin për të bërë e gjithë çka është e mundur për të ndërmjetësuar, edhe nëse një përpjekje për pajtim duket që e ka të shkruar të dështojë. Alternativa tjetër do të thotë që vrasjet do vazhdojnë ashtu-kështu, kështu që dështimi është më se i garantuar nëse nuk ndërmarrim asgjë.

 

Nuk kanë nevojë vetëm familjet Haradinaj e Musaj për këtë pajtim, por Kosova e kosovarët përtej Dukagjinit kanë nevojë për këtë.

 

Cili është qëllimi i arritjes së pavarësisë së Kosovës nëse, të pavarur, vazhdojmë të mvaremi nga ligjet primitive të mesjetës.

 

Nëse nxitja joracionale për hakmarrje për shkak të krenarisë, (ose pse kushërinjtë tanë presin që të hakmirremi), hiqet prej këtij barazimi, asnjërës prej ketyre familjeve nuk do t’i konvenonte vazhdimi i këtyre vrasjeve dhëmbë për dhëmbë.

 

Haradinajt natyrisht që dojnë ta shohin njeriun që e vrau Enverin në burg. Musajt gjithashtu dëshirojnë që policia ta nxen vrasësin e Sadik Musaj, emrin e te cilit policia e di. Te dyja duhet të ndodhin pavarësisht se a arrijnë familjet të pajtohen a jo ngase pajtimi nuk do të thotë legjitimim i vrasjeve të kaluara. Falja e gjakut duhet të shërbej si mjet për t’i ndalur vrasjet e mëtutjeshme.

 

Edhepse supozohet që tash është rendi i Haradinajve të hakmirren, është e qartë që kjo është gjëja e fundit që i nevojitet kësaj familje e cila tash ka mbetur me dy djem në shtëpi prej gjithsej shtatë djemve.

 

Përveç kësaj, Ramush Haradinaj me siguri do të bëjë gjithçka që është në dorë të tij ta qetësojë situatën, ashtu si bëri kur shkoi për Hagë dhe në fjalimin e tij në varrim.

 

Në fjalimin e varrimit e të vllaut ai theksoi që është me rëndësi “të mbrohen jo vetëm ushtarët dhe invalidët e UÇK-së por të gjithë qytetarët e Kosovës. Kjo është mënyra më e mirë për të mbështetur proceset në të cilat ndodhet Kosova”.

 

Në anën tjetër, kur më ka ra rasti të vizitoj familjen Musaj kur u vra Sadik Musaj me 2 shkurt, ata dukeshin të frikësuar por gjithashtu tejet të mllefosur me Haradinaj-të.

 

Kjo familje beson që gjakmarrja fillon në Qershor 1999, kur Daut Haradinaj ishte i involvuar në vrasjen e Sinan Musaj, që atëherë ishte anëtarë i grupit rival të UÇK-së, Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, FARK.

 

Tash pas gjashtë vitesh, me vrasjen e Enver Haradinaj, Ramushin në Hagë e Dautin duke e kryer dënimin pesëvjeçar në Kosovë, sigurisht që ka ardhur koha që Musajt të tregojnë pjekurinë e tyre duke u pajtuar.

 

Ky pajtim duhet të arrihet para se të dal Daut Haradinaj nga burgu, ngase kjo ngjarje vetvetiu do të ketë gjasa të ngrit tensione të reja.

 

Tensioni ishte aq i lartë në familjen Musaj para dy muajve sa që ata parashikonin që Dauti do t’i binte pas atyre po që se ata nuk ia punojnë ati të parët.

 

E që Dauti të ketë jetë të tillë që do t’i duhet gjithmonë të ruhet e të ec me truproje, nuk është jetë më e mirë në liri se ajo që e ka në burg.

 

Nuk ka më kuptim të vazhdoj që t’i pasqyrojë argumentet e secilës anë ngase secila anë e përfshirë në këtë grindje ndihet si viktimë e tjetrës dhe që të dyja i kanë arsyet e veta.

 

Ajo çka nevojitet tash është që një figurë autoritative, e respektuar nga të dy anët dhe është e preferueshme të jetë nga Dukagjini, ta shfrytëzojë këtë dritare të rastit që është hapur tash që ta përfundojë këtë gjakmarrje.

 

Jeta e Musajve e Haradinajve të ri duhet të jetë më e vlefshme se e paraardhësve të tyre. Ardhmëria e tyre është pasqyrë për ne vetë dhe asaj se çfarë shoqërie kemi dëshirë të ndërtojmë.

 

Ajo që më la më së shumti përshtypje kur i vizitova Musajt në shkurt është presioni për hakmarrje me të cilën ballafaqoheshin prej njerëzve që vinin për t’i ngushlluar për vdekjen e Sadik Musës.

 

Për çdo shenjë hezitimi që tregonte ndonjë anëtarë i familjes për harkmarrje instiktive, vinte zëri i ndonjë kushëriri nga ana tjetër e odës duke thënë që “...po të ishte i afërmi jem, e di unë çka kisha bâ”

 

Ky mentalitet është i tillë që ta plas zemrën. Është fatëkeqësia më e madhe e Kosovës që burrat që nuk janë të interesuar të hakmirren rrezikojnë të shihen si qyqana dhe të pavlerë.

 

Në vend të kësaj, përmes procesit të faljes së gjakut, kryesuesit e familjes duhet t’i lirojnë këta burra prej kësaj barre primitive ndërsa shoqëria duhet t’i ndihmojë që ta kuptojnë se, kjo në fakt është gjest i guximshëm.

 

Anton Çetta arriti ta bëjë mu këtë, që t’i bind burrat prej katundeve të ngjashme si Gllogjani e Strellci se ekziston momenti kur falja e gjakut është me të vërtetë trimëri.

 

Ky parim duhet të aplikohet në Kosovën e shekullit 21, ku dy familje rrezikojnë të zhduken plotësisht, nëse askush nga jashtë nuk ndërmjetson t’u ndihmojë.

 

Jeta Xharra është udhëheqëse e IWPR-së për Kosovë dhe së voni ka botuar një raport investigativ për vrasjet në Dukagjin të titulluar ‘Përendimi i Egër i Kosovës’

Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists