Fillon Hetimi për 'Uatergejtin Maqedonas'
Qeveria Maqedonase është tronditur nga akuzat për përgjim telefonik.
Fillon Hetimi për 'Uatergejtin Maqedonas'
Qeveria Maqedonase është tronditur nga akuzat për përgjim telefonik.
Qeveria Maqedonase është e kërcënuar pasi është implikuar në një skandal përgjimesh telefonike.
Partia më e madhe e opozitës, Bashkimi Social Demokrat i Maqedonisë, SDSM, thotë se qeveria ka përgjuar rreth 100 figura publike dhe politike. Ndër këta 100 njerëz kanë qenë edhe 25 gazetarë.
Thuhet se survejimet e jashtëligjëshme kanë ndodhur në dy raste: në prag të zgjedhjeve lokale në Shtator, dhe në tre muajt pasardhës kur qeveria ka qenë në gjendje të vështirë për të mbrojtur shumicën e saj parlamentare.
Skandali, i quajtur 'Uotergejti i Maqedonisë' nga media lokale, ka shpërthyer më 17 Janar në një konferencë për shtyp gjatë së cilës SDSM-ja e Branko Crvenkovskit ka paraqitur 150 faqe transkriptime të bisedave telefonike të përgjuara.
Crvenskovski thotë se këto përbëjnë vetëm një të dhjetën e matërialeve që kishte zbuluar ai.
Një ditë më pas, kryeministri ka pranuar të krijojë një komision parlamentar për të hetuar rreth kësaj çështjeje. Edhe parlamenti Europian ka kërkuar zhvillimin e hetimeve të pavarura për këtë çështje.
Ish shefi i shërbimeve sekrete Slobodan Bogoevski thotë se ai ka prova se transkriptimet janë origjinale dhe se ai është i gatshëm të dëshmojë në gjykatë.
Reagimi i parë i Ministres së Brendëshme ndaj këtyre zërave ka qenë se transkriptimet janë rezultat I "përgjimeve të kryera nga SDSM dhe VMRO e Vërtetë (dikur pjesë e VMRO-DPMNE)".
Ish ministri i brendëshëm Pavle Trajanov ka thënë se kjo gjë është e pamundur. Përgjimi në këtë shkallë mund të kryhet vetëm me ato lloj pajisjesh të cilat kontrollohen direkt nga Dimovska, ka insistuar Trajanov.
Dimovska më pas është përpjekur të hedhë fajin mbi Ministrinë e Mbrojtjes duke thënë se ajo mund të jetë përgjegjëse për përgjimet. Kjo gjë është hedhur poshtë menjëherë nga Ministri i Mbrojtjes Ljuben Paunovski.
Ministrja e Brendëshme më pas ka rikujtuar atë që ajo e quajti historia e vjetër e përgjimeve në Maqedoni, duke thënë se vetë ajo është përgjuar kur ka qenë në opozitë.
Opozita thotë se duke gjykuar nga momenti i kryerjes së përgjimeve - i cili koincidon me një mungesë stabiliteti për koalicionin e VMRO-DPMNE - është e qartë se këto kanë qenë vepër e qeverisë.
Pas zgjedhjeve lokale në Shtator, Alternativa Demokratike, DA, është larguar nga koalicioni i drejtuar nga VMRO-DPMNE. Largimi i DA-së ka shkaktuar krizë në qeveri.
Një luftë për pushtet ka pasuar gjatë së cilës Vasil Tupurkovski i DA-së është bashkuar me partitë e opozitës për të rrëzuar qeverinë. Kjo përpjekje dështoi.
Koalicioni qeveritar mbijetoi në sajë të një shumice tepër të vogël, duke pasur 64 deputetë nga 120 vende në parlament.
Kjo, sipas opozitës, është bërë e mundur vetëm në sajë të kësaj fushate survejimi.
Gazetarët Maqedonas bisedat e të cilëve thuhet se kanë qenë në këto transkripte mendojnë se momenti i këtyre përgjimeve "tregon një motiv të qartë politik."
Sllobodan Bogoevski thotë se pas largimit të DA-së nga koalicioni, qeveria ka filluar përgjimet në një përpjekje për të siguruar shumicën e tyre.
Transkriptimet mesa duket përfshijnë biseda ndërmjet anëtarëve të vetë kabinetit të Georgievskit. Nëse janë të vërteta, këto biseda tregojnë sesa i shqetësuar ka qenë Georgievski për bazën e tij të mbështetjes.
Media, e cila e ka mbuluar gjerësisht skandalin, ka qenë e tronditur pas zbulimit se edhe ata vetë kanë qenë vendosur nën survejim.
Pjesa më e madhe e gazetarëve që ishin prezent në konferencën e shtypit të 17 Janarit, të cilëve iu paraqitën transkriptimet ebisedave telefonike të rregjistruara, konfirmuan vërtetësinë e tyre.
Gordana Stoshiç e TV SKY kërcënoi se ajo do të ndërmerrte veprime ligjore pasi pa transkriptimin e një pjese të bisedës së saj me Crvenkovskin.
"Unë jam tronditur thellë. Ishte një transkriptim ekzakt i bisedës që kam pasur me Crvenkovskin rreth periudhës së zgjedhjeve," ka thënë ajo për IWPR.
Duke lexuar atë që ai e njohu menjëherë si një bisedë telefonike të tij, gazetari i A1 TV, Borjan Jovanovski, ka thënë se ky ishte "një skandal i pabesueshëm".
Gazetarja e Denes, Julijana Kocovska-Krtolica e ka konsideruar këtë çështje si "në shenjë se drejtuesit tanë janë bërë kaq paranojak saqë kanë frikë nga çdo gjë që i ngjan demokracisë".
Federata ndërkombëtare e Gazetarëve, IFJ, ka pasuar shqetësimet e gazetarëve në një letër të datës 22 janar ku i kërkohej Ministres së Brendëshme Dosta Dimovska të kryente një hetim të pavarur.
IFJ ka thënë se momenti i rregjistrimit të bisedave "tregon se inisiativa për përgjimin ka qenë e autoriteteve dhe se ka pasur arësye politike".
Letra gjithashtu theksonte se gazetarët dhe redaktorët të cilët kanë qenë përgjuar janë nga 12 media private të cilat kanë bërë "komente kritike ndaj qeverisë".
Media ka spekuluar se drejtuesi i DA-së Vasil Tupurkovski ja ka kaluar këto transkriptime Crvenkovskit. Megjithëse ai dështoi në përpjekjet e tij për të rrëzuar qeverinë në fund të vitit të kaluar, një pjesë e shtypit ka lënë të kuptohet se ai po përgatit terrenin për një sfidë tjetër ndaj qeverisë.
Gjatë kohës që ka qenë në pushtet, DA ka kontrolluar Shërbimin e Sigurimit të Shtetit. Megjithëse, sipas ligjit maqedonas, survejimi është i jashtë ligjëshëm, të gjithë ata që kanë pasur të bëjnë me survejimin kanë qenë nën autoritetin e Shërbimeve të Sigurimit.
Për pasojë, Tupurkovski do të kishte pasur direkt mundësi të shtinte në dorë të gjitha transkriptimet e bisedave të rregjistruara.
Gazeta pro-qeveritare Maqedonia e Re shkon edhe më tej, duke thënë se DA kishte punuar kundër partnerit të saj VMRO-DPMNE edhe gjatë kohjës që ajo ka qenë në pushtet.
Sipas gazetës, arësyeja ka qenë se VMRO-DPMNE nuk kishte mbështetur sipas një marrëveshjeje të koalicionit, kandidaturën e Vasil Tupurkovskit në zgjedhjet presidenciale të vitit 1999.
VMRO-DPMNE në atë kohë ka nxjerrë kandidaturën e saj për postin e presidentit, atë të Boris Trajkovskit.
Trajkovski, i zgjedhur president në vitin 1999, është tronditur kur ka parë edhe biseda të tij telefonike në transkriptimet e bëra publike nga Crvenkovski.
Ai e ka përshkruar këtë skandal si "një goditje serioze ndaj lirive dhe të drejtave të njeriut dhe demokracisë në Maqedoni". Ai ka kërkuar menjëherë një hetim të plotë nga prokurori shtetëror Stavre Xhikov.
"Është e qartë se me autoritetet e tanishme vetëm 2 njerëz nga 2.1 milion banorë të Maqedonisë janë të sigurtë për privatësinë e tyre," ka thënë Crvenkovski. Duket se ai e kishte fjalën për kryeministrin dhe ministren e tij të brendëshme.
Sipas njoftimeve të botuara në të përditëshmen e pavarur të Shkupit, Dnevnik, ata kanë pasur mundësi të përgjojnë cilindo.
Gazeta ka thënë se policia Maqedonase mund të përgjojë në të njëjtën kohë 2,000 biseda telefonike në linjat tokësore dhe një numër të panjohur nga rreth 100,000 telefonat celularë të cilët veprojnë tani në Maqedoni.
E përditëshmja Utrinski Vesnik ka njoftuar se pikërisht përpara zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar, policia Maqedonase kishte blerë pajisje për përgjimin e telefonave me një vlerë 5 milion dollarë, nga Izraeli.
çështja e përgjimit të telefonave e ka tronditur thellë publikun Maqedonas, por pak njerëz mendojnë se qeveria do të bjerë si rezultat i këtij skandali.
Ish prokurori i shtetit Stevan Pavlevski ka thënë se Xhikov nuk është në gjendje të kryejë hetime të pavarurapër këtë çështje sepse ai është emëruar nga Dimovska.
Shumë njerëz dyshojnë se Xhikov do të vonojë pa fund hetimet dhe do të errësojë rezultatet, duke e shpëtuar kështu qeverinë.
Dragan Nikoliç është një bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.