Furnizuesit Me Armë Të Uck

Trafikantët e armëve kanë ngritur një rrjet të komplikuar për të përballuar masat gjithnjë në rritje të KFOR -it në kufirin me Maqedoninë.

Furnizuesit Me Armë Të Uck

Trafikantët e armëve kanë ngritur një rrjet të komplikuar për të përballuar masat gjithnjë në rritje të KFOR -it në kufirin me Maqedoninë.

Në kohën e konfliktit midis ushtrisë jugosllave dhe luftëtarëve etnikë shqiptarë në Serbinë jugore, piceria e Samit në Vitina ishte një nga vendet më të mira për të blerë armë.


Sot atje nuk ka shumë njerëz. Në fakt vendi është zakonisht I boshatisur. Kur kalova aty pranë, Jahi, kamarieri qe përkulur lehtas mbi një karike duke I pëshpëritur një grupi gazetarësh. "Jeni të vonuar. Lufta në Preshevë ka mbaruar. Kontrabandistët janë larguar."


Në fakt, ata vetëm sa janë fshehur. Ndërsa konflikti në Maqedoni vijonte pa asnjë pauzë ndërmjet marrëveshjeve për armëpushim dhe bombardimeve, kontrabanda e armëve nga Kosova filloi të bëhej me e kamufluar. Trafikantët e vazhdonin aktivitetin e tyre por në mënyra më të padukshme për trupat që monitoronin vijën kufitare ku mushkat dhe luftëtarët rrëshqisnin në terr.


Sa më tepër të zgjatet konflikti aq më shumë burime armësh do të gjenden. Sa më të sofistikuara bëhen metodat e KFOR për të kapur trafikantët aq më pak transparentë bëhen metodat ekëtyre të fundit.


Cdokush në rajon tashmë po përfshihet në këtë garë: shqiptarët, serbët, boshnjakët, bullgarët dyshohet se po e shfrytëzojnë këtë mundësi të fundit në Ballkan për shitje armësh. Megjithatë, Kosova mbetet furnizuesi numër një dhe si cdo lloj tregëtie me përfitim në këtë vend ajo nuk merr parasysh lidhjet etnike, fetare apo të cdo lloji tjetër.


"Serbët na bëjnë ofertat më të mira, kurse shqiptarët nga Shqipëria na vënë në vështirësi," thotë një komandant i Ushtrisë Clirimtare Kombëtare, UCK.


Patrullat e KFOR e intensifikuan monitorimin e kufirit pas akuzave të vazhdueshme nga ana e Shkupit se ata nuk po pengonin furnizimin me pajisje të UCK. Që në fillim të korrikut, trupat e KFOR kanë arrestuar afro 200 të dyshuar si luftëtarë shqiptarë etnikë përgjatë kufirit Kosovë - Maqedoni. Ato sekuestruan mjaft armë, zbuluan depozita të konsiderueshme armësh dhe penguan kalimin e pajisjeve ushtarake në Maqedoni.


20 prej të arrestuarve u janë dorëzuar autoriteteve të OKB në Kosovë nën akuzën e trafiqeve të paligjshme. Patrullat e KFOR sekuestruan një dërgesë të madhe armësh që po transportohej me mushka nga Dragashi, në jug të Kosovës.


Këto suksese përbënin një përpjekje më energjike nga ana e ushtarëve gjermanë dhe amerikanë për ndalimin e trafikut të armëve pasi Presidenti amerikan Geroge Bush i inkurajoi trupat në bazën Bondsteel në luftën për goditjen e trafiqeve të armëve me destinacion rebelët në Maqedoni.


Në Vitinë, pak kilometra nga kufiri me Maqedoninë, janë përforcuar masat e ndalimqarkullimit. Por ndërsa tregëtia vazhdon në picërinë e Samit armët duket se nuk gjenden dhe aq kollaj. "Po bëjmë cështë e mundur," thotë majori amerikan Thomas Kurk i kënaqur me arritjet e gjashtë muajve të fundit.


Që nga fillimi i operacionit "Shqiponja" në shkurt, KFOR raporton për sekuestrimin e 600 automatikëve, 120 pistoletave, 180 raketave dhe pajisjevë mbështetëse, 1,000 raketave anti-tank, mëse 1350 granatave dhe minave. "Është e vërtetë se operacionet tona po dëmtojnë veprimatrinë e të ashtuquajturës UCK," thotë zëdhënësi i KFOR Roy Broën.


Pavarësisht nga kjo, autoritetet ndërkombëtare e kanë mohuar që në fillim të konfliktit në Maqedoni, ekzistencën e një rrjeti të mirëorganizuar të trafikut të armëve për furnizimin e kryengritësve shqiptarë atje. Ndërkaq, autoritetet e Shkupit vazhdojnë të pretendojnë se luftëtarët e UCK dhe armët e tyre vijnë nga Kosova.


Willim David, komandant i brigadës shumëkombëshe të lindjes, thotë se "ka elementë në Kosovë dhe në Serbinë jugore të cilët mendojnë se kanë një kauzë të përbashkët me shqiptarët që jetojnë në Maqedoni".


Këto opinione cuan në hapa, të dirigjuara nga Uashingtoni, për t'i hequr UCK -së mbështetjen në Kosovë. Hans Haekkerup, shef i misionit në Kosovë, ndërhyri vetë muajin e kaluar për të kërkuar dorëheqjen e pesë anëtarëve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës të cilët dyshoheshin se po bashkëpunonin me vëllezërit e tyre shqiptarë matanë kufirit.


Shumë shqiptarë nga Maqedonia luftuan me Ushtrinë Clirimtare të Kosovës, UCK, gjatë luftës së vitit 1999 dhe tani po shpërblehen me të njëjtën monedhë. Ndërmjet atyre që kanë shprehur solidaritet me kauzën e shqiptarëve të Maqedonisë janë ish - luftëtarët e Ushtrisë Clirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, UCPMB, e cila u carmatos këtë pranverë pas një marrëveshjeje me ndërmjetësinë e Natos.


"Ne luftojmë për të njëjtin qëllim, për kauzën e të gjithë shqiptarëve dhe kjo është arsyeja që ne jemi të bashkuar," thotë një ish-luftëtar i UCPMB. Ai nuk përmend ndonjë ide të Shqipërisë së Madhe por shpreh shqetësimet e komuniteteve shqiptare në vendet e tyre respektive.


Një tjetër burim pranë UCK konfirmon se trafiku i armëve është i mirëorganizuar dhe vepron në rrjet të gjerë. Ai tha se Shqipëria ishte rrugëkalimi për shumë nga armët, por jo burimi pasi armët atje nuk ishin të besueshme. "Nuk është e vështirë të bësh kontrabandë në Shqipëri. Është një vend ideal për këtë," thotë ai.


Kohët e fundit në Shqipëri janë kapur disa ngarkesa me armë. Në fund të korrikut policia sekuestroi katër raketa - lëshues në portin e Durrësit me destinacion Maqedoninë. Një muaj më parë në të njëjtin port policia kishte sekuestruar një ngarkesë me pushkë automatike, municione dhe jelekë antiplumb.


Botuesi i revistës Albanian Observer, Teodor Misha, hedh poshtë mendimet se Shqipëria siguron armë për konfliktin. Ndonëse mjaft nga armët e përdorura nga UCK në Kosovë ishin marrë nga depot e ushtrisë gjatë trazirave të vitit 1997, ai tha se ky burim nuk ekzistonte më.


Një punonjës i shërbimeve sekrete shqiptare përmend se kryeministri Ilir Meta po godet cdo lloj trafiku armësh. "Ai është mjaft strikt pasi e di se ky është një parakusht i vënë nga Perëndimi për vazhdimin e mbështetjes për qeverinë e tij," thotë ai.


Blerim Haxhiaj është një gazetar i RTK Prishtinës.


Frontline Updates
Support local journalists