GJIGANDI GJERMAN I MEDIAVE PERBALLET ME MEDIAT E REJA
Frika e krijimit të një monopoli në tregun e mediave të shkruara në Maqedoni ka bërë që disa gazeta të reja të provojnë të hyjnë në treg.
GJIGANDI GJERMAN I MEDIAVE PERBALLET ME MEDIAT E REJA
Frika e krijimit të një monopoli në tregun e mediave të shkruara në Maqedoni ka bërë që disa gazeta të reja të provojnë të hyjnë në treg.
Disa gazeta të reja pritet të dalin në treg në Maqedoni në ditët e ardhëshme, në një përpjekje të mediave lokale për të sfiduar hegjemoninë e monopolit të krijuar nga një kompani e madhe gjermane.
Një gazetë e përditëshme e quajtur Vreme do të nisë botimin javën e ardhëshme, duke u bërë gazeta e shtatë e përditëshme në gjuhën maqedonase në vend.
Brenda disa javëve dy gazeta të tjera, Vecer dhe Nova Makedonija do të dalin në treg në formë të re, pasi qeveria ka shitur ish gazetat në pronësi shtetërore në përpjekje për ti shpëtuar ato nga falimentimi.
Analistët mendojnë se media lokale është e vendosur të sfidojë grupin gjerman të mediave EAZ, i cili ka marrë nën kontroll 80 përqind të medias së shkruar në Maqedoni pasi ka blerë aksione nga Dnevnik, Vest dhe Utrinski Vesnik.
Këto janë tre gazetat e përditëshme me qarkullim më të madh, prej rreth 120,000 kopje në ditë.
Gazetat e reja mendojnë se ato kanë një mundësi të të mbijetojnë në një treg të vështirë, me mbështetje të mirë financiare dhe gazetarë profesionistë.
Ata thonë se dominimi në rritje i mediave maqedonase nga grupi gjerman Eestdeutsche Allgemeine Zeitung me qendër në Esen, ka krijuar një hapësirë për një zë të ndryshëm.
Dnëvnik, një gazetë e qendrës dhe nacionaliste, për momentin dominon në tregun e mediave të shkruara. Utrinski Vesnik është një gazetë e majtë dhe Vest është një tabloid. Të treja këto gazeta janë tani nën drejtimin dhe shpërndarjen e një kompanie të përbashkët, Media Print Macedonia, në përpjekje për të ulur koston.
Përpara se të shtrihej në Maqedoni, EAZ, e drejtuar nga ish shefi i Paktit të Stabilitetit Bodo Hombah, ka vendosur nën kontrollin e saj një pjesë të madhe të mediave në Bullgari, Kroaci, Serbi dhe Malin e Zi.
Hyrja e saj në Maqedoni, ashtu si edhe në vendet e tjera të Ballkanit, ka shtuar shqetësimet në lidhje me krijimin e një monopoli në media, sepse tre gazetat e përditëshme nuk kanë pasur konkurencë kur EAZ i morri nën kontroll.
Vecer dhe Nova Makedonija si gazeta shtetërore për vite me rradhë kanë dalë me humbje, ndërsa Makedonija denes, një gazetë e pavarur është shumë e vogël dhe pa influencë.
Në krye të projektit dhe financuesi kryesor është Velija Ramkovski, pronat i stacionit më të madh televiziv privat në vend, A1TV, me 46 përqind të shikuesve, sipas anketimeve më të fundit.
Idea Plus DDB, një agjensi reklamash në Shkup, ka blerë titullin e Vecer në një ankand publik më 23 dhjetor për 25,000 euro, ndërsa Nova Makedonija i është shitur kompanisë Zonik me qendër në Shkup për 5,000 euro.
Pronarët e rinj ngulin këmbë se ata do të rimëkëmbin gazetat dikur popullore dhe do të ndryshojnë konceptin e tyre.
Shumë njerëz mendojnë se firmat të cilat kanë blerë këto tituj kanë fonde të mjaftueshme, sepse ato në bazë të kontratave janë të detyruara të botojnë këto tituj për të paktën pesë vjet.
Vecer dhe Vreme mendohet se mund të kenë një mundësi të mirë për të mbijetuar në skenën e mediave në Maqedoni sepse të dyja gazetat kanë mbështetje të fuqishme financiare dhe nuk do të kenë problem të sigurojnë një pjesë të tregut të reklamave, një prej burimeve kryesore financiare për mediat.
Iso Rusi, redaktor i gazetës së përjavëshme Lobi, në gjuhën shqipe, ka thënë për IEPR se Vecer dhe Vreme i kanë mundësitë për të siguruar një pozicion të mirë në treg.
"Në mënyrë që një gazetë e përditëshme të mbulojë shpenzimet dhe të botohet ajo ka nevojë për shtatë ose tetë faqe reklama," thotë Rusi. "Idea Plus duke qenë një agjensi marketingu, nuk do të ketë problem që ti drejtojë klientët e saj drejt gazetës. Vreme mund të ketë më tepër vështirësi, por edhe ajo promovohet nëpërmjet stacionit televiziv A1, i cili kontrollohet gjithashtu nga Velija Ramkovski".
Por mbijetesa nuk do të varet vetëm nga cështjet financiare. Analistët thonë se monopoli i krijuar nga EAZ ka krijuar hapësirë të re për zëra të ndryshëm.
Megjithëse EAZ ka premtuar të mos ndërhyjë në politikën redaksionale dhe përmbajtjen e gazetave, vëzhguesit janë të shqetësuar se bashkimi dhe vendosja i të treja gazetave nën një kompani të vetme do të krijojë presion për një politikë të përbashkët redaksionale.
Redaktori i Vreme, Gjorgji Barbarovski, ka thënë për IEPR se "Skena e mediave në Maqedoni nuk duhet të monopolizohet. Ne nuk presim të luftojmë me tre gazetat e EAZ, sepse ka hapësirë për të gjithë ne, por ne jemi të përgatitur dhe koshientë për konkurrencën".
Redaktorët e rinj thonë se detyra e tyre kryesore do të jetë të ofrojnë një vizion të ndryshëm dhe të rrisin cilësinë e shtypit të shkruar.
Klime Babunski, një ekspert i mediave në Institutin e Studimeve Politike, Ligjore dhe Sociologjike, ka thënë për IEPR se ai shpresonte që gazetat e reja të pasurojnë median.
"Do të ishte një gjë shumë e keqe nëse të gjitha gazetat e përditëshme në Maqedoni të shndërroheshin në një gazetë të vetme të kontrolluar nga EAZ," vazhdon ai.
Suksesi i këtyre përpjekjeve të gazetave të reja do të varet edhe nga cilësia e gazetarëve dhe gjurmët që do të mund të lenë ata në gazetari.
Vreme është krijuar nga Aleksandar Damovski, themelues dhe ish redaktor i Dnevnik, i cili është larguar nga gazeta pasi marrjes nën kontroll nga EAZ së bashku me rreth 20 gazetarë, me idenë për të krijuar një gazetë të pavarur e cila do të ofronte dicka të re.
Redaktorja e Vreme, Jasmina Mironski ka thënë për IEPR se: "Ka hapësirë për një tjetër gazetë të përdditëshme e cila do të ofrojë dicka të re, dicka të ndryshme. Unë pres që Vreme do të rivendosë zhanre të tilla të gazetarisë si analiza, artikujt investigative, etj, të cilat janë lënë pas dore nga gazetat ekzistuese të cilat ofrojnë vetëm lajme".
Drejtori i ardhëshëm i Vecer, gazetari Vasko Eftov, ka thënë për IEPR se skena e mediave ka nevojë për një ndryshim rrënjësor dhe se gazetat e reja të përditëshme janë në një pozicion më të mirë për ta arritur një gjë të tillë se sa EAZ. "Avantazhi ynë ndaj EAZ është se ne jemi të vegjël dhe lehtësisht të ndryshueshëm, ndërsa EAZ është i ngadaltë dhe shumë i madh," ka thënë ai.
Por Branko Gerovski, redaktor i Dnevnik, ka thënë se titujt e rinj nuk do të rrezikojnë pozicionin drejtues të gazetave të EAZ. "Ne do të krijojmë një konkurencë të ndershme, kështu që askush nuk duhet të ketë frikë. Përkundrazi, ne duhet të punojmë shumë që në fund të fundit të përfitojnë lexuesit".
Tamara Causidis është një gazetare e Radios Europa e Lirë në Shkup.