Gjyqi i Millosheviq: Paraushtarakët kanë kryer Krime Seksuale

Një dëshmitar ka treguar se si paraushtarakët kanë mbledhur burrat në fshatin e tij dhe i kanë dëtyruar ata të kryejnë akte seksuale ndaj njëri tjetrit.

Gjyqi i Millosheviq: Paraushtarakët kanë kryer Krime Seksuale

Një dëshmitar ka treguar se si paraushtarakët kanë mbledhur burrat në fshatin e tij dhe i kanë dëtyruar ata të kryejnë akte seksuale ndaj njëri tjetrit.

Tuesday, 22 February, 2005

Kur dëshmitari B-1461 është paraqitur për të dëshmuar kundër Sllobodan Millosheviq më 6 Maj, ai nuk dukej i frikësuar apo i kërcënuar nga përballja me ish presidentin në sallën e gjyqit.


Përkundrazi, toni i zërit të fshatarit 35 vjecar ka qenë tepër i sigurtë ndërsa i ka treguar gjykatësve se si trupat Serbe kanë mbledhur burrat Muslimanë në fshatin e tij në Bosnjen lindore dhe i kanë mbyllur në qendrën e kulturës ku më pas i kanë rrahur, therrur me thika dhe i kanë detyruar të kryejnë seks oral ndaj njëri tjetrit.


Ndërsa tregimet për dëbime, burgime, përdhunime dhe vrasje janë pothuajse gjëra të zakonëshme në gjykatën e krimeve të luftës, dëshmia e dëshmitarit B-1461 ka tronditur edhe vëzhguesit më të fortë – dhe ka shqetësuar edhe Millosheviq i cili zakonisht është shumë i qetë.


Deri në pranverën e vitit 1992, B-1461 ka jetuar në Divic, një fermë në brigjet e Lumit Drina pak larg nga Zvornik. Fshati ka qenë i banuar nga rreth 300 familje, pjesa më e madhe e të cilave Muslimane.


Atë Mars – pak pasi Bosnja kishte organizuar një referendum për pavarësinë – B-1461 ka thënë se banorët e Divic kanë parë trupat Jugosllave të cilat gërmonin përgjatë bregut të lumit në anën Serbe të Drinas.


Ai ka thënë se pak kohë më pas, në qytet filluan të ngriheshin barrikada, filluan bombardimet dhe shkëmbimi i zjarrit dhe përgjatë lumit u shfaqën kufomat e para. Fshatarët e shqetësuar më pas kanë krijuar një shtab krize, një administratë të përkohëshme lokale, për të mbrojtur Divic në rast të ndonjë sulmi nga ana e Serbëve.


B-1461 ka thënë se fshatarët kanë mbledhur rreth 20 pushkë, disa prej të cilave kanë qenë në pronësi të njerëzve të ndryshëm, “dhe të tjera të cilat na u dhanë nga bashkia”.


Më 18 Prill, një zyrtar Serb ka vizituar Divic dhe ka kërkuar që fshatarët të dorëzonin armët. Ata nuk kanë pranuar, dhe tetë ditë më pas, trupat Serbe sulmuan.


“Ushtria erdhi në fshat dhe na kërkoi të gjithë burrave të mblidheshim përpara xhamisë,” ka thënë B-1461. Atyre u është kërkuar përsëri të dorëzojnë armët, dhe këtë herë ata janë bindur.


Në Maj, paraushtarakët janë kthyer dhe u kanë thënë banorëve të largohen për shkak se qëndrimi i tyre nuk ishte më i sigurtë. Ushtarët kanë mbledhur 11 autobusë dhe kanë detyruar 500 burra, gra dhe fëmijë të hypnin në to duke i dërguar në Olovo, një qytet në territorin e kontrolluar nga Muslimanët.


Megjithatë, kjo kollonë, është ndaluar rrugës në fshatin Han Pijesak – ku kishte ngritur shtabin e saj ushtria e Serbëve të Bosnjes – dhe janë detyruar të kthehen pas për shkak të luftimeve. Edhe një udhëtim në drejtim të Tuzlas një ditë më pas, është ndërprerë për shkak të luftimeve, dhe autobusët janë kthyer pas për në Zvornik.


Atje, 174 burra janë ndarë nga gratë dhe fëmijët dhe më pas janë dërguar në një dhomë të vogël në ndërtesën e administratës së stadiumit.


Kjo dhomë ishte aq e vogël sa ata janë detyruar të qëndrojnë vetëm në këmbë, ka shpjeguar dëshmitari, sepse nuk kishte hapësirë që ata të mund të shtriheshin apo të uleshin dhe janë mbajtur në këtë mënyrë për tre ditë me rradhë – me shumë pak ushqim dhe ujë.


Në një moment, ushtarët kanë marrë nga dhoma 11 burra me pretekstin për ti shoqëruar ata në shtëpitë e tyre ku do të bënin kontroll për armë. Ata nuk i panë më kurrë.


163 burrat e tjerë janë dërguar me autobusë në Celopek, ku ata janë mbyllur në qendrën kulturore të qytetit pasi i kanë detyruar të dorëzojnë dokumentat e identifikimit dhe të gjitha dokumentet e tjera personale, si edhe rripat e mesit, lidhëset e këpucëve, paratë, sendet me vlerë dhe cdo gjë tjetër që kishin me vete.


Për gjatë një muaj, grupe njerëzish të veshur me uniforma ushtarake kanë vizituar ndërtesën dhe i kanë marrë në pyetje, i kanë rrahur dhe torturuar, ka thënë B-1641. Njeriu që vinte më shpesh ka qenë Dushan Vuckoviq, i cili njihej me emrin Repic – që në Serbo-Kroatisht do të thotë “bisht kali”.


B-1461 ka thënë para gjykatës se Repic dhe banda e tij kënaqeshin në mënyrë sadiste duke rrahur dhe torturuar të burgosurit, dhe shpesh i prisnin me thika në duar dhe në shpinë. Vetë dëshmitari është prerë me thikë në të dyja duart.


Gjatë festës Muslimane të Bajramit, më 10 dhe 11 Qershor, Repic ka ardhur në qendrën kulturore dhe u ka kërkuar të gjithë baballarëve dhe djemve të tyre të mblidheshin në skenë. Burrat u detyruan të zhvisheshin, dhe pastaj të kryenin seks oral me njëri tjetrin.


“Fillimisht baballarët, dhe pastaj djemtë,” ka thënë dëshmitari. “Ata na detyruan ne të tjerët të shikonim”.


B-1461 ka thënë se pas pak kohe, Repic ka filluar të zgjedhë njerëzit dhe i dërgonte ata në skenë për të kryer seks oral.


Në një përshkrim i cili tronditi sallën e gjyqit, B-1461 ka përshkruar, pa emocione, se si Repic dhe të tjerët kanë detyruar të burgosurit të kafshojnë organet gjenitale të shokëve të tyre.


“Ata i kërkuan një burri të tregonte penisin që kishte kafshuar, dhe më pas e detyruan ta gëlltiste atë,” ka thënë B-1461. “Ata e detyruan një burrë të fuste bishtin e një fshese nga prapa një burri tjetër”.


Po ashtu për Bajram, Repic u ka kërkuar disa burrave të rriheshin me grushta me njëri tjetrin. B-1461 ka thënë se ata urdhëruan babain e tij të luftonte me fqinjin. Kur dy burrat nuk kanë pranuar të godisnin njëri tjetrin, njerëzit e Repic kanë thënë se do ti rrihnin vetë të burgosurit.


Fqinji i B-1461 është goditur aq rëndë saqë ai ka rënë në koma, dhe më pas ka vdekur. Babai i deëshmitarit ka mbijetuar, dhe është vrarë pas pak kohësh.


“Besoj se ka qenë 26 Qershor, dita e Shën Vitus,” ka thënë B-1461, duke iu referuar një feste e cila feston përvjetorin e betejës së Fushë Kosovës kur forcat Serbe janë mundur nga ushtria Turke.


Repic kishte shkuar në qendrën kulturore rreth orës 4 pasdite dhe kishte kërkuar informacion nga të burgosurit. Kur askush nuk është ofruar, një ushtar ka hapur zjarr, duke vrarë disa dhe plagosur shumë të tjerë. B-1461 më pas ka gjetur babain e tij ndërmjet të vrarëve.


Të burgosurit të cilët kanë mbijetuar janë transferuar më pas në Zvornik dhe në mesin e muajit Korrik në një kamp në Batkovic.


Gjatë qëndrimit të tij prej një viti, kampi është vizituar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, të cilët kanë sjellë edhe furnizime për të burgosurit. Megjithatë, dëshmitari ka thënë se të gjithë të burgosurit mbi 60 vjec dhe nën 16 vjec janë fshehur përpara këtyre vizitave, dhe silleshin përsëri pasi largoheshin përfaqësuesit e Kryqit të Kuq.


Megjithëse kushtet kanë qenë më të mira në Batkovic sesa në Celopek, të burgosurit përsëri rriheshin dhe merreshin në pyetje rregullisht. Dëshmitari më pas është liruar gjatë një shkëmbimi të burgosurish.


Gjatë seancës së pyetjeve, Millosheviq e ka pyetur B-1461 nëse ai kishte dijeni që Repic ka qenë një kriminel i njohur i cili ishte dënuar nga autoritetet Serbe.


Kur dëshmitari është përgjigjur se ai kishte dëgjuar për një gjë të tillë gjatë kohës që ka qenë në Batkovic, Millosheviq ka shfryrë duke thënë: “Nuk ka rëndësi se ku e ke mësuar. A e di apo jo? Unë dëshiroj të të informoj se kur autoritetet Serbe kanë marrë dijeni mbi krimet e tyre, ato kanë ndjekur dhe kanë dënuar fajtorët”.


Ish presidenti Serb më pas është kthyer nga drejtuesi i seancës Gjykatësi Richard May, duke thënë se “Këta njerëz janë dënuar për krimet e tyre të luftës, kështu që unë nuk e kuptoj se përse ky njeri është sjellë këtu për të dëshmuar kundër meje”.


Gjykatësi May më pas ka pyetur Millosheviqin nëse ai dëshironte ti bënte pyetje dëshmitarit apo jo.


Millosheviq tha se dëshironte ta pyeste dëshmitarin, dhe më pas e ka pyetur atë rreth anëtarësisë së Partisë Muslimane të Veprimit Demokratik, SDA, nëse ai njihte ndonjë zyrtar bashkiak në Zvornik dhe nëse kujtonte rezultatin e zgjedhjeve të para shumë partiake në Jugosllavi – ngjarje për të cilat B-1461 ka thënë se nuk kishte dijeni.


Gjykatësi May më pas ka ndërprerë përsëri dhe i ka kërkuar Millosheviq të kufizonte pyetjet vetëm në lidhje me dëshminë e dëshmitarit.


I pandehuri është përgjigjur se “Unë dhe autoritetet në Serbi kemi dënuar [përgjegjësit për atë që ka vuajtur dëshmitari] një dekadë më parë. Ajo që ka ndodhur është vërtetë dicka e shëmtuar – sa të trazojë stomakun e cdo njeriu normal – por unë nuk kam asgjë për të pyetur për këtë”.


Stacy Sullivan është drejtuese e projektit të IWPR-së në Hagë.


Frontline Updates
Support local journalists