Hidhet Poshtë Plani i Paqes për Preshevën
Guerrilet Shqiptare që veprojnë në Serbinë e jugut kanë hedhur poshtë një propozim për paqe të Beogradit ndërsa vazhdojnë luftimet
Hidhet Poshtë Plani i Paqes për Preshevën
Guerrilet Shqiptare që veprojnë në Serbinë e jugut kanë hedhur poshtë një propozim për paqe të Beogradit ndërsa vazhdojnë luftimet
Guerrilat Shqiptarë kanë hedhur poshtë si të "papranueshëm" propozimet për paqe të ofruar nga Beogradi për të ulur tensionet në rajonin e trazuar të preshevës në Serbinë e jugut.
Përgjigja e rebelëve ka ardhur vetëm pak ditë pas një rritjeje të dhunës në këtë zonë. Më 5 Shkurt, guerrilat Shqiptarë kanë shkëmbyer zjarr artilerie me policinë Serbe dhe Ushtrinë Jugosllave përgjatë zonës së sigurisë të vendosur nga komuniteti ndërkombëtar, e cila shtrihet përgjatë kufinjve administrativ me Kosovën.
Përplasjet kanë qenë më të ashprat që prej Nëntorit 2000 kur katër oficerë policie Serbë janë vrarë gjatë një sulmi të guerrilave.
Plani i Beogradit i paraqitur në fillim të kësaj jave, i cili ka marrë edhe përkrahjen e menjëherëshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u ka ofruar Shqiptarëve të Preshevës një rol më të madh në jetën politike por jo autonominë e kërkuar nga Ushtria Clirimtare e Preshevës Medvegjes dhe Bujanvcit, UCPMB - së cilës i është vënë emri sipas tre qyteteve kryesore në zonën e banuar kryesisht nga Shqiptarët.
Zeqirja Fazlliu, president i Partisë Demokratike të Bashkuar të Shqiptarëve, krahu politik i UCPMB-së, ka thënë se plani nuk përbënte bazë për bisedime me qeverinë e Beogradit sepse ata nuk pranojnë asgjë tjetër veç bashkimit me Kosovën.
Kryeministri Serb Zoran Gjinxhiq është përgjigjur duke thënë se "ata që nuk janë të përgatitur për t'u treguar të arësyeshëm do të vuajnë pasojat".
Në një raport të paraqitur kohët e fundit Sekretarit të Përgjithëshëm të Kombeve të Bashkuara Kofi Anan, Karl Bild, i dërguari special i OKB-së për Ballkanin ka paralajmëruar se "lugina e Preshevës është rajoni më i mundshëm për të rrezikuar paqen në kontinentin Europian."
Ai ka thënë se konflikti mund të nxisë një valë të re spastrimi etnik në Kosovë dhe ndoshta të shtrihet edhe në Maqedoni.
Tensioni në luginën e Preshevës, ku jetojnë rreth 70,000 Shqiptarë etnik, është intensifikuar pasi ish presidenti Jugosllav Sllobodan Millosheviq dislokoiforcat ushtarake Jugosllave të larguara nga Kosova në këtë rajon pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës në Qershor 1999.
Shqiptarët vendas janë radikalizuar nga përdorimi i padiskriminuar i forcës nga disa pjestarë të forcave të sigurisë Serbe, veçanërisht ata që erdhën nga Kosova të cilët filluan një fushatë terrori ndaj popullsisë civile.
Banorët e zonës e kanë mirëpritur krijimin e UCPMB-së si një formë sigurie ndaj dhunës. Mendohet se organizata është krijuar në funeralin e dy të rinjve Shqiptarë të vrarë në një fshat në Preshevë.
UCPMB-ja tërhoqi në rradhët e saj njerëz nga popullsia e pakënaqur dhe ish luftëtarë të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës.
Duke dashur të mos përsërisë gabimet e qeverisë së Millosheviqit, administrata e re në Beograd ka preferuar më tepër mjetet diplomatike sesa ato ushtarake për të zgjidhur krizën.
Pas një vizite në pozicionet e ushtrisë Jugosllave dhe policisë të cilat u goditën të Hënën, Rasim Ljajiq, ministri federal për pakicat kombëtare dhe fetare, ka thënë se qeveria nuk do të dekurajohet nga vazhdimi i dhunës, por do të "vazhdojë të kërkojë zgjidhjen e krizës me mjete politike".
Shefi i sigurisë së Bashkimit Europian Havier Solana i ka bërë thirrje guerrilave të ulin armët. "Ne shpresojmë që do të gjendet një zgjidhje politike," ka thënë ai. "Asnjë zgjidhje tjetër nuk është e mundur. Ka ikur koha e dhunës".
Shon Salivan, këshilltari politik i komandantit të forcës ndërkombëtare paqeruajtëse në Kosovë, u ka bërë thirrje Shqiptarëve dhe Serbëve të ruajnë qetësinë. Ai ka shprehur shqetësim mbi nivelin e militarizimit në të dyja krahët, veçanërisht, duke pasur para sysh se në disa pozicione forcat janë vetëm disa qindra metra larg.
Një kollonë diplomatësh, përfshirë Ambasadorin Amerikan në Jugosllavi Uilliam Montgomeri dhe të dërguarin Amerikan në Ballkan Xheims Perdju, janë gjendur nën zjarrin e armëve pranë fshatit Shqiptar Lucani ndërsa po vizitonin pikat e kontrollit të policisë në zonën e Bujanovcit më 6 Shkurt.
Incidenti, ndoshta qëllimisht ka bërë që në Uashington të kuptojnë se sa serioze është kriza në Preshevë. Trupat Amerikane janë në përbërje të K-For i cili është vnedosur shumë pranë knë anën tjetër të kufirit të provincës së administruar nga OKB-ja. Uashingtoni fillimisht e ka zgjedhur këtë zonë për të patrulluar nga trupat Amerikane sepse ishte zona më me pak probleme.
Politika Amerikane udhëhiqet nga një dëshirë e madhe për të shmangur përfshirjen në një përplasje ushtarake. Shmangia e viktimave Amerikane në planin afatshkurtër dhe largimi përfundimtar nga Ballkani në planin afatgjatë, janë synimet kryesore të administratës së re të Presidentit Bush.
Këmbëngulja e Serbisë për të gjetur një zgjidhje politike për krizën në Serbinë jugore ka bërë që qeveria e re të fitojë disa pikë nga komuniteti ndërkombëtar dhe forcat paqeruajtëse në rajon.
Pas zgjedhjeve të 23 Dhjetorit, qeveritë Serbe dhe Jugosllave kanë përcaktuar një organizëm koordinues për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanovcin, qëllimi i të cilit është të gjejë një zgjidhje paqësore për krizën.
Nebojsha Coviq, një ish kryetar i bashkisë së Beogradit dhe zëvendës president i qeverisë Serbe, ka qenë figura kryesore në hartimin e planit të paqes. Është hera e parë që politika e Beogradit po vë në përdorim mentalitetin e dialogut dhe gjithë përfshirjes përpara forcës në marrëdhënie me pakicën Shqiptare.
Plani parashikonte tre faza për të ulur tensionin në këtë zonë.
Së pari, Shqiptarët etnikë do të integrohen në shoqëri dhe do të garantohet respektimi i të drejtave njerëzore sipas standarteve Europiane.
Së dyti, zona e sigurisë, duke filluar nga Lucani dhe Trnava e Madhe, do të demilitarizohet gradualisht. Forca të përbashkëta policore Serbe dhe Shqiptare do të patrullojnë zonën.
Së treti, infrastruktura ekonomike, sociale dhe politike do të rimëkëmbet. Uashingtoni ka caktuar tashmë një fond prej 5 milion dollarë për rindërtimin e Serbisë jugore.
Çoviq ka thënë se plani i tij do të respektojë të drejtat njerëzore të popullsisë Shqiptare duke ruajtur interesat bazë të Serbëve në rajon, përfshirë edhe Kosovën.
"Komuniteti ndërkombëtar duhet të bindë Shqiptarët të heqin dorë nga ideja e autonomisë në Serbinë jugore, apo të një statusi të veçantë për rajonin dhe ndonjë ndryshim të kufinjve," thuhej në plan.
Gjinxhiq e ka përshkruar planin si një ofertë për Shqiptarët e moderuar "për të bashkëpunuar në ndërtimin e Serbisë dhe hyrjen në Europën moderne".
Riza Halimi, kryetari i bashkisë së preshevës dhe përfaqësuesi politik i Shqiptarëve etnik në këtë zonë, i ka mirëpritur thirrjet për bisedime, veçanërisht pasi autoritetet Serbe pranuan të takoheshin me përfaqësuesit e UCPMB-së, një organizatë të cilën Beogradi e kishte quajtur "terroriste".
Zyrtarët Amerikanë dhe Europianë e kanë vlerësuar planin. Perdju ka thënë se propozimet përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt "krijimit të kushteve që Shqiptarët etnik të gëzojnë të gjitha të drejtat civile".
Megjithatë, pasi ata e kanë hedhur poshtë planin, UCPMB-ja dhe aleatët e saj politik e kanë bërë të qartë se ata do të kërkojnë njohjen e rezultateve të një referendumi jo zyrtar të Shqiptarëve në vitin 1992, i cili ka mbështetur pavarësinë e Kosovës, përfshirë edhe Preshevën, Medvegjën dhe Bujanvcin, në rast të shpërbërjes së Jugosllavisë.
Por ndërsa Mali i Zi dhe Kosova duket se po largohen nga kontrolli i Beogradit, qeveria e re Serbe nuk mund të bëjë edhe lëshime të tjera territoriale.
Dragana Nikoliq është një bashkëpunëtore e rregullt e IWPR-së.