KOMENT: ASKUSH NUK KA MBYTUR DEBATIN ZGJEDHOR NË KOSOVË

Synimi i rregullave për fushatën zgjedhore ka qenë garantimi i një mbulimi të barabartë dhe të drejtë për të gjitha partitë.

KOMENT: ASKUSH NUK KA MBYTUR DEBATIN ZGJEDHOR NË KOSOVË

Synimi i rregullave për fushatën zgjedhore ka qenë garantimi i një mbulimi të barabartë dhe të drejtë për të gjitha partitë.

Ndonjëherë më pëlqen stili provokues i komenteve të gazetarit kosovar Baton Haxhiu, por ai ndonjëherë harron të përmendë fakte të rëndësishme.


Disa fakte të tilla mungojnë në artikullin e tij në Raportin e Krizës Ballkanike Nr. 522, në të cilin ai thotë se komuniteti ndërkombëtar ka mbytur debatin e fushatës elektorale në Kosovë duke vendosur rregullin e “kohës së barabartë” dhe ka vendosur një “xhaketë force” të censurës mbi median që prej muajit mars, kur gazetaria provokuese i ka pararendur përleshjeve ndër etnike.


Rregullat e mediave për zgjedhjet e tetorit janë miratuar njëzëri në muajin gusht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ. Ky është një organizëm kosovar dhe jo një agjensi ndërkombëtare. Ne dhe OSBE kemi ndihmuar KQZ të përgatiste rregullat, bazuar në ato të përdorura në zgjedhjet e mëparëshme, por nuk i jemi imponuar atij.


Rregullat, nuk u kërkojnë mediave të japin “kohë të barabartë” të 33 partive që marrin pjesë në zgjedhje dhe kandidatëve të pavarur, siç thotë Haxhiu. Rregullat kërkojnë të japin një “mbulim të barabartë” të debateve dhe diskutimeve për të gjithë pjesëmarrësit.


Këto rregulla janë përcaktuar për të lejuar median të bëjë gjykime profesionale për vlefshmërinë e lajmeve të partive, ngjarjeve dhe deklarimeve politike, sepse nuk ka çuar në trajtimin diskriminues të partive. I njëjti parim është zbatuar edhe në rregullat në zgjedhjet e kaluara.


Për të ndihmuar median të kuptonte që këto parime nuk janë vendosur për të krijuar një mbulim të ngurtë të lajmeve, ne (si rregullator të mediave), së bashku me OSBE-në, kemi organizuar takime informuese në gjashtë qytete në Kosovë përpara zgjedhjeve gjatë muajit shtator. Ne gjithashtu kemi përsëritur këtë ide edhe në “raportin e situatës” në mesin e fushatës zgjedhore për mbulimin e zgjedhjeve të botuar më 11 tetor.


A janë konsultuar mediat për këto rregulla përpara se të vendoseshin? Po – megjithëse jo aq gjerësisht sa mund të kishim bërë.


Rregullat për median e shkruar kanë qenë kryesisht të njëjtat në zgjedhjet e mëparëshme, përveç se këtë herë gazetat kanë qenë të detyruara të identifikonin qartë reklamat politike me pagesë.


Megjithatë, janë vendosur disa rregulla të reja për mediat elektronike, meqënëse ato janë lejuar për herë të parë të pranojnë reklama politike me pagesë. Shoqata e mediave elektronike, AMPEK, dhe tre transmetuesit kryesorë në të gjithë Kosovën kanë pasur mundësi të bënin komentet e tyre mbi projekt rregulloren përpara miratimit të saj nga KQZ.


Për tu siguruar partive të vogla (përfshirë edhe atyre të cilat përfaqësojnë pakicat etnike) një minimum kohe për të paraqitur programet e tyre për votuesit, stacionet TV dhe të radiove të cilat kanë marrë reklama politike me pagesë janë detyruar të ofrojnë një periudhë kohe minimale (nga 20 minuta për radiot lokale deri në dy orë për televizionet publike) për secilën nga 33 partitë apo kandidatët individualë.


Rregullat nuk kanë përcaktuar asnjë maksimum për kohën e caktuar për debate dhe diskutime dhe veçanërisht nuk kanë pasur të bëjnë me emisionet e lajmeve – me qëllim që të shmangej ndikimi mbi gjykimin për lajmin dhe procesin editorial.


Po, është e vërtetë se ka pasur probleme. Në mes të fushatës zgjedhore ne kemi vënë re se versioni shqip i rregullores nuk ka qenë i njëjtë me atë në anglisht dhe serbisht në një pikë të rëndësishme: shprehja akses i “ndershëm dhe i paanshëm” në lajme dhe debate është përkthyer në shqip si “i ndershëm dhe i barabartë”. KQZ ka nxjerrë një version të korrigjuar të rregullores më 18 tetor, pesë ditë përpara zgjedhjeve.


A ka ndikuar ky fakt në mënyrën e mbulimit të fushatës nga mediat kryesisht shqiptare?


Është e sigurtë që nuk ka ndikuar mbi median e shkruajtur. Mediat më të mëdha elektronike, dhe ndoshta edhe ato të tjerat, kanë ndjekur versionin e anglishtes “të ndershëm dhe të paanshëm” dhe ne nuk kemi marrë asnjë ankesë nga ndonjë media për ndonjë ngushtim të mundëshëm të veprimtarisë së tyre.


A është e vërtetë se Komisioneri i Përkohëshëm i Mediave ka vendosur një “xhaketë force” ndaj mediave në Kosovë? Unë nuk mendoj kështu.


Haxhiu thotë se “Rekomandimet e bëra nga Komisioneri i Përkohëshëm i Mediave për rikthimin në postet e tyre të zyrtarëve ndërkombëtarë në Kosovë duhet të hidhen poshtë”.


I vetmi “zyrtar” ndërkombëtar i cili ka punuar në median në Kosovë ka qenë një gazetar i BBC i cili ka shërbyer si këshilltar i lajmeve në fazën fillestare të ngritjes së Radio Televizionit të Kosovës, RTK, i paguar me fonde ndërkombëtare deri në vitin 2002. Pas trazirave të marsit, ne kemi rekomanduar që një këshilltar profesionist i lajmeve të rikthehet sa më shpejt në RTK. RTK ka kundërshtuar idenë e pasjes së një këshilltari por ka pranuar një konsulent të mirënjohur nga televizioni publik slloven, Uros Lipuscek, me rekomandimin e Bashkimit Evropian të Transmetuesve.


Dhe ekipi i RTK ka bërë një punë të lavdërueshme në mbulimin e fushatës elektorale, e cila ka përfshirë një numër të madh debatesh televizive, 24, dhe shumë orë transmetime lajmesh të ndershme dhe paanëshme.


Robert Gillette është Komisioneri i Përkohëshëm i Mediave në Kosovë.


Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists