KOMENT: NATO NUK DO TË PAKËSOJË PREZENCËN E SAJ NË BALLKAN

Zëvendësimi i SFOR nga forca e re e BE-së në Bosnje nuk do të thotë që NATO është më pak e përfshirë në rajon.

KOMENT: NATO NUK DO TË PAKËSOJË PREZENCËN E SAJ NË BALLKAN

Zëvendësimi i SFOR nga forca e re e BE-së në Bosnje nuk do të thotë që NATO është më pak e përfshirë në rajon.

Kur Forca e Stabilizimit e drejtuar nga NATO ka përfunduar mandatin e saj dhe Bashkimi Evropian ka marrë përgjegjësinë për të ofruar siguri në Bosnje dhe Herzegovinë, ka përfunduar edhe një fazë e rëndësishme e përfshirjes së Aleancës në Ballkan.


Megjithatë, përfundimi i mandatit të Forcës së Stabilitetit, SFOR, duhet të shihet si fillimi jo i jë tërheqjeje të NATO-s nga rajoni, por i një procesi të planifikuar për të përfshirë të gjithë rajonin e Evropës juglindore në strukturat Euro-Atlantike.


Edhe pas dislokimit të EUFOR – data zyrtare e dorëzimit të detyrës ka qenë 2 nëntor – NATO do të vazhdojë të ruajë shtabin e saj ushtarak në rajon, i cili do të përqëndrohet në reformën e mbrojtjes, përgatitjen e Bosnje Herzegovinës për anëtarësim fillimisht në programin e Partneritetit për Paqe, dhe më vonë edhe në vetë aleancë.


Shtabi i NATO-s i cili do të drejtohet nga një gjeneral amerikan me një yll me një staf prej rreth 150 punonjësish, do të përfshihet gjithashtu edhe në fushën e anti terrorizmit, arrestimin e të dyshuarve për krime lufte dhe mbledhjen e informacioneve. Për më tepër, vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ruajnë një prezencë në vend, me rreth 200 trupa të vendosura në Tuzla. Prezenca amerikane do të shërbejë si një bazë dhe qendër stërvitore për operacione të tjera.


Bashkëpunimi ndërmjet Bashkimit Evropian dhe NATO-s në Bosnje Herzegovinë do të zhvillohet në përputhje me një paketë marrëveshjesh të njohur me emrin “Berlin Plus”, pas një takimi të vitit 1996 në të cilin ministrat e jashtëm të vendeve të NATO-s kanë rënë dakord të krijojnë një Identitet të Mbrojtjes dhe Sigurisë Evropiane dhe të ofrojnë strukturat e NATO-s për këtë qëllim. Praktikisht, marrëveshjet përpiqen të sigurojnë duplikimin e panevojshëm të veprimtarisë së dy organizatave dhe të sigurojnë një bashkëpunim efektiv ndërmjet tyre.


Komandanti strategjik i misionit të BE-së në Bosnje Herzegovinë do të jetë zëvendës komandanti i përgjithëshëm i NATO-s për Evropën, i cili është gjithashtu edhe oficeri më i lartë i BE-së dhe është i vendosur në Shtabin Suprem të Fuqive Aleate në Evropë, SHAPE, në Mons të Belgjikës.


Zinxhiri i komandimit do të kalojë nga një celulë e BE-së në SHAPE nëpërmjet një tjetër celule të BE-së në Komandën e Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli – e cila është tani përgjegjëse për SFOR dhe forcën ushtarake në Kosovë, KFOR – për të siguruar që misionet të kenë një bashkëpunim sa më të mirë. Gjithashtu ekzistojnë edhe plane që në raste emergjence, NATO të ofrojë forca shtesë në rast nevoje.


EUFOR do ta marrë mandatin e tij nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe do të ketë fillimisht rreth 7,000 ushtarë – po aq sa edhe SFOR. Ky është një numër i vogël krahasuar me rreth 60,000 trupa të armatosura rëndë që ka pasur forca e NATO-s fillimisht, Forca e Zbatimit, IFOR, e cila është vendosur në Bosnje në dhjetor të vitit 1995.


Gjendja e sigurisë në Bosnje në përfundimin e luftimeve në vitin 1995 – dhe ekzistenca e tre forcave ushtarake rivale – nuk ofronte asnjë siguri për një stabilitet afatgjatë. Që prej asaj kohe, NATO dhe organizatat e tjera ndërkombëtare kanë punuar me autoritetet boshnjake, në kuadrin e një Komisioni të Reformës së Mbrojtjes, për të reformuar strukturën e mbrojtjes së vendit. Ky qëndrim ka sjellë frutet e para në vitin 2003 me krijimin e një ministrie të vetme të mbrojtjes në nivel shtetëror, që është pasuar më pas nga një shtab i përbashkët dhe një komandë operacionale.


NATO tani po merr një rol drejtues në Komisionin e Reformës së Mbrojtjes dhe do të punojë së bashku me autoritetet e Bosnjes për të ruajtur ritmin e reformave në vitet e ardhëshme.


Përveç zbatimit të programit të reformës së mbrojtjes, Bosnje dhe Herzegovina duhet të tregojë edhe që po bashkëpunon me të gjitha mundësitë me Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës për ish Jugosllavinë në Hagë, përfshirë edhe ndihmesën në arrestimin e ish presidentit të serbëve të Bosnjes Radovan Karaxhiq, përpara se të jetë në gjendje të anëtarësohet në programin Partneritet për Paqe. Mungesa e bashkëpunimit me gjykatën e Hagës në RS po bllokon për momentin anëtarësimin e Bosnjes në këtë program.


Modeli për bashkëpunimin e BE dhe NATO-s në Bosnje Herzegovinë është përdorur edhe në Maqedoni. Atje, NATO ka dorëzuar përgjegjësinë për paqeruajtjen një forcë të Bashkimit Evropian në prill të vitit 2003, por ka ruajtur një shtab ushtarak me rreth 180 vetë në vend. Shtabi i NATO-s vazhdon të jetë i vendosur në vend, dhe ndihmon autoritetet e Shkupit në reformën në fushën e mbrojtjes dhe përgatitjet për anëtarësimin e mundëshëm në aleancë, si edhe ofron mbështetje për misionet e tjera të NATO-s në ballkan.


Kërcënimi i një shpërthimi të ri të dhunës është më i madh në Kosovë, ku NATO është detyruar të dislokojë forca shtesë dhe paqeruajtësit e drejtuar nga Aleanca janë detyruar të përdorin forcën për të ruajtur rendin dhe mbrojtur komunitetet serbe në vështirësi në mars të vitit 2004. Për këtë arësye, NATO po ruan një prezencë të fuqishme ushtarake në provincë, me rreth 17,500 trupa. Megjithatë, ky numër është shumë më i vogël se sa ai fillestar prej rreth 50,000 në qershor të vitit 1999.


Pas trazirave të marsit, të gjitha organizatat ndërkombëtare kanë rishikuar politikat e tyre në Kosovë, dhe disa inisiativa të rëndësishme janë ndërmarrë për të forcuar procesin politik në mënyrë që të shmangen shpërthimet e dhunës në të ardhmen.


Ndërsa është shumë e rëndësishme që të mos mendohet se dhuna sjell përfitim, dhe shkaktarët e trazirave të marsit po dërgohen para ligjit, çështja e statusit përfundimtar të Kosovës, e cila është e bllokuar që prej përfundimit të fushatës ajrore të NATO-s në vitin 1999, mendohet të shqyrtohet gjatë vitit 2005.


Për sa kohë që statusi i Kosovës mbetet i papërcaktuar, KFOR ka një përgjegjësi të veçantë për ruajtjen e një ambjenti të qëndrueshëm, me një mandat i cili rrjedh nda Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1244 dhe marrëveshjes ushtarako-teknike ndërmjet NATO-s dhe Ushtrisë Jugosllave. Tensionet mendohet të shtohen në prag dhe gjatë bisedimeve për zgjidhjen e statusit.


Që prej trazirave të marsit, KFOR dhe Aministrata e Përkohëshme e OKB-së në Kosovë, UNMIK, kanë hartuar plane të hollësishme me përgjegjësi të përcaktuara qartë për të përballuar një shpërthim të ngjashëm të dhunës në të ardhmen.


Ata janë përpjekur gjithashtu të përfshijnë komunitetet lokale më tepër në çështjet e sigurisë duke mbledhur KFOR, Shërbimin e Policisë së Kosovës, policinë e UNMIK dhe institucionet e reja të Kosovës në një organizëm të ri të quajtur Grupi i Ndihmës për Sigurinë në Kosovë. Megjithatë, deri më tani, serbët e Kosovës kanë vendosur të mos marrin pjesë në këtë organizëm, duke dëmtuar në këtë mënyrë aftësinë e tij.


Bindja e serbëve që është në interesin e tyre të marrin pjesë në jetën politike në Kosovë, është një prej sfidave më të mëdha. Vetëm 2,000 serbë etnik kanë votuar në zgjedhjet e tetorit krahasuar me rreth 90,000 të cilët kanë votuar në zgjedhjet e para në Kosovë në vitin 2001. Shumica e tyre, ndoshta të bindur apo edhe nga frika e ndonjë ndëshkimi të mundëshëm, kanë zbatuar një bojkot të kërkuar nga Beogradi. Në fakt, kyçi për ndryshimin e qëndrimit të serbëve në Kosovë në një kohë që bisedimet për statusin duken tepër afër, mund të varet kryesisht nga vendimet e marra në Beograd.


Zhvillimet në Serbi dhe Malin e Zi vazhdojnë të kenë ndikim të thellë në Kosovën dhe një pjesë të madhe të rajonit.


Pas rrëzimit të ish presidentit Sllobodan Millosheviq në vitin 2000, Beogradi ka ndërmarrë një kurs të ndryshëm në politikën e jashtëme dhe përgjithësisht ka ndjekur politika kontstruktive dhe pragmatiste ndaj NATO-s, edhe në momente të tensionuara siç ka qenë dhuna e muajit mars në Kosovë.


Në qershor të vitit 2003, Beogradi ka bërë kërkesën zyrtare për anëtarësim në programin Partneritet për Paqe të NATO-s. Që prej asaj kohe, oficerët ushtarak dhe civilë kanë marrë pjesë në kurset e NATO-s. Këto kurse kanë për qëllim t’u japin pjesëmarrësve një njohuri bazë të Aleancës dhe një prezantim me çështjet e menaxhimit të krizave, operacioneve mbështetëse të paqes dhe bashkëpunimin ndërmjet ushtarakëve dhe civilëve.


Në nëntor 2003, marrëdhëniet ndërmjet NATO-s dhe Serbisë e Malit të Zi janë përmirësuar deri në atë shkallë saqë Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s në atë kohë, Lord George Robertson, ka vizituar Beogradin në udhëtimin e tij të fundit në ish Jugosllavi.


Serbia dhe Mali i Zi kanë arritur kohët e fundit progres në reformën në fushën e mbrojtjes dhe ka bashkëpunuar me gjykatën e Hagës, ku treguesi më i mirë është ai i dorëzimit të Millosheviqit. Megjithatë, bashkëpunimi është zbehur gjatë vitit të fundit dhe disa kërkesa nuk janë zbatuar ende, duke bllokuar kështu anëtarësimin e vendit në programin Partneritet për Paqe.


Beogradi do të duhet të dorëzojë të dyshuarit më të rëndësishëm për krime lufte – veçanërisht ish komandantin e serbëve të Bosnjes gjeneralin Ratko Mlladiq – në Hagë. Beogradi duhet gjithashtu të rrëzojë çështjen gjyqësore që ka ngritur ndaj tetë vendeve anëtare të Aleancës dhe drejtuesve të tyre në Gjykatën Ndërkombëtare, e cila është bërë gjatë fushatës ajrore në vitin 1999.


Beogradi është i interesuar të përmbushë kërkesat e NATO-s pasi mund të përfitojë ndihmë në kuadër të pjesëmarrjes në Partneritet për Paqe. NATO po ndihmon tanimë vendet fqinje me reformat në sektorin e mbrojtjes, duke iu ofruar atyre, ndërmjet të tjerave, edhe për programe për ritrajnimin e oficerëve për jetën civile dhe për shndërrimin e bazave ushtarake për qëllime civile.


Duke u anëtarësuar në Këshillin Euro Atlantik të Partneritetit, Serbia dhe Mali i Zi do të ndërmerrnin hapin e parë në integrimin euro-atlantik dhe do të siguronin një zë në forumet e NATO-s.


NATO dhe komuniteti ndërkombëtar në përgjithësi do të kishin gjithashtu përfitime të konsiderueshme nga anëtarësimi i Serbisë dhe Malit të Zi, sepse do të jetë e vështirë të rindërtojë një siguri dhe stabilitet afatgjatë në rajon pa pasur Beogradin si partner konstruktiv.


Pavarësisht shumë çështjeve të pazgjidhura në Ballkan, po arrihet progres në këtë fushë.


Ndërsa progresi është shpesh i ngadaltë, Ballkani të paktën nuk është shndërruar në një kënetë ku trupat e NATO-s do të bllokoheshin për një kohë të gjatë, siç kanë paralajmëruar disa vëzhgues kur NATO ka ndërhyrë për herë të parë ushtarakisht në Bosnje Herzegovinë në vitin 1995 – dhe prej këtej ka rrjedhur edhe vendimi për ti dhënë fund SFOR.


Megjithëse mund të kenë role dhe përgjegjësi të ndryshme, Bashkimi Evropian, NATO dhe aktorët e tjerë ndërkombëtarë duhet të vazhdojnë partneritetin e tyre efektiv për sa kohë që do të nevojitet për ta bërë rindërtimin dhe stabilizimin në rajon një proces të pakthyeshëm dhe të pandalshëm.


Christopher Bennett është redaktor i Shikimi i NATO-s, autor i librit Rrëzimi i Përgjakshëm i Jugosllavisë (Qendra e Shtypit e Universitetit të New York, 1995), dhe një ish redaktor IWPR për Raportin e Krizave në Ballkan. Numri më i fundit i Shikimi i NATO-s hedh një vështrim mbi eksperiencën e NATO-s në ish Jugosllavi dhe sfidat e së ardhmes. Raportin mund ta shihni në adresën e internetit: http://www.nato.int/docu/review/2004/issue3/english/main.htm Një kopje të raportit mund ta siguroni pa pagesë edhe duke i nisur një email në adresën distribution@hq.nato.int


Frontline Updates
Support local journalists