Koment: Njeriu i Brendëshëm i Millosheviqit Tregon për Krimet e Serbëve
Një ish officer i shërbimeve sekrete Jugosllave jep prova të rëndësishme për krimet e Serbëve në Kroacinë lindore.
Koment: Njeriu i Brendëshëm i Millosheviqit Tregon për Krimet e Serbëve
Një ish officer i shërbimeve sekrete Jugosllave jep prova të rëndësishme për krimet e Serbëve në Kroacinë lindore.
Në gjysmën e dytë të vitit 1991, gjatë luftës në Kroaci, shërbimi sekret ushtarak Jugosllav, i cili në atë kohë drejtohej nga Gjenerali Aleksandar Vasiljeviq, ka siguruar informacione mbi krimet e kryera nga forcat paraushtarake, disa herë edhe me pjesëmarrjen ose në prezencë të njësive të rregullta të ushtrisë.
Disa nga raportet e gjendur në arkivat e shërbimit sekret ushtarak për krime të vecanta të cituara në akuzën ndaj Sllobodan Millosheviq janë paraqitur javën e kaluar para gjykatës.
Gjenerali Vasiljeviq ka konfirmuar se këto raporte janë të vërteta, duke shtuar edhe hollësi bazuar në dijeninë e tij për këto krime.
Për disa nga këto krime, shërbimi sekret i ushtrisë ka paraqitur raporte zyrtare të cilat u janë dërguar Shtabit të Përgjithëshëm dhe prokurorëve ushtarak, dhe, në rastin e krimeve ku janë përfshirë qytetarë të Serbisë, edhe ministrisë së brendëshme dhe asaj të mbrojtjes së Serbisë.
Kështu është vepruar për shembull, me raportet në lidhje me krimet e kryera në Tetor dhe Nëntor 1991 në fshatin Lovas në rajonin e Sllavonisë lindore në Kroaci.
Vasiljeviq ka dëshmuar se më 21 Tetor 1991, ai ka marre një informacion nga shërbimi i sigurisë i ushtrisë se një grup i madh civilësh ishin vrarë në një fushë të minuar pranë Lovas.
Vasiljeviq ka kërkuar dhe i ka siguruar informacione të hollësishme të cilat tregonin se disa anëtarë të njësisë paraushtarake Dusan Silni, të vendosur në Lovas së bashku me njësi të tjera të sigurisë, kanë ndaluar dhe marrë në pyetje rreth pesëdhjetë fshatarë vendas, duke vrarë katër prej tyre.
Një ditë më pas, ata kanë marrë tridhjetë fshatarë Kroatë për të kryer një “mission kërkimi” dhe i kanë detyruar të hynë në një fushë të minuar.
Vasiljeviq ka dëshmuar se në atë rast janë vrarë 17 njerëz nga shpërthimi i minave: 14 fshatarë dhe tre pjestarë të forcave paraushtarake.
Shërbimi i sigurimit të ushtrisë ka informuar Shtabin e Përgjithëshëm, prokurorin ushtarak dhe ministrinë e mbrojtjes dhe të brendëshme të Serbisë – sepse fajtorët kanë qenë qytetarë Serbë.
Vasiljeviq nuk ka mundur të thotë nëse ministria e brendëshme ka bërë ndonjë hetim apo nëse fajtorët janë identifikuar dhe janë dënuar.
Një muaj më pas, në të njëjtin fshat, policia ushtarake ka zbuluar 23 kufoma të fshatarëve. Ata kanë fotografuar trupat e të vrarëve dhe kanë informuar ministrinë e brendëshme në Dalj, qendrën e qeverisë së Rajonit Autonom Serb të vetëshpallur të Sllavonisë Lindore.
Vasiljeviq ka thënë para gjykatës se ai nuk ka dijeni nëse është kryer ndonjë hetim apo është zhvilluar ndonjë proces gjyqësor.
Gjenerali Vasiljeviq ka konfirmuar gjithashtu vërtetësinë e dy shënimeve zyrtare të cilat përmbanin deklarime të dhëna nga dy ushtarë për zyrtarët e sigurimit të ushtrisë. Këta dy ushtarë kanë qenë dëshmitarë të krimeve ndaj civilëve Kroatë në fshatrat Skabrnja dhe Nadin, në të ashtuquajtuën Kninska Krajina, një tjetër zonë e mbajtur nga Serbët në atë kohë në Kroaci.
Sipas akuzës ndaj Millosheviq, në Tetor dhe Nëntor 1991, disa dhjetra civilë janë vrarë në këto dy fshatra.
Prokurori Geoffrey Nice ka lexuar disa hollësi të tmerrshme nga këto shënime zyrtare, të cilat përshkruanin vrasjen me gjakftohtësi të pleqve, grave dhe fëmijëve.
Një prej pjestarëve të forcave paraushtarake ka shëtitur me një cantë të mbushur me veshë të prerë njerëzish dhe më pas ka hyrë në një tavernë dhe ka hedhur një prej veshëve në një gotë me pije.
Shërbimet e sigurimit të ushtrisë i kanë regjistruar të gjitha këto ngjarje, por përsëri, Vasiljeviq nuk mund të thoshte nëse ka pasur ndonjë hetim zyrtar për këto krime.
Shërbimi ka pasur oficerë të tij në të gjitha njësitë e ushtrisë dhe Gjeneral Vasiljeviq, si drejtues i këtij shërbimi, duhet të kishte qenë njeriu më i informuar, jo vetëm në ushtri por ndoshta edhe në të gjithë ish Jugosllavinë.
Por ai thotë se ka mësuar vetëm në Janar 1993 rreth krimit më të rëndë të kryer në vitin 1991 – masakrën e 200 njerëzve në fermën Ovcara pranë Vukovarit.
Vasiljeviq ka thënë se ka qenë hera e parë që ka dëgjuar për Ovcaran.
Ai ka thënë se në atë rast një officer i një njësie speciale të policisë ushtarake i ka treguar se të burgosurit nga spitali i Vukovar – të cilët mendohet se kanë qenë anëtarë të ushtrisë Kroate të cilët kanë hedhur uniformat dhe ishin veshur me rroba civile për të shpëtuar – janë dërguar në fermën e Ovcara.
Sipas Vasiljeviq, kur është marrë veshë se dicka po ndodhte atje, disa oficerë dhe pjestarë të forcave të policisë ushtarake janë dërguar në vend për të parë gjendjen.
Kur ai është afruar pranë Ovcara ai ka dëgjuar të shtëna armësh dhe ka informuar komandën e tij.
Komanda i është përgjigjur: “Në rregull, kthehu prapa, kjo nuk është më puna jonë”.
Vasiljeviq gjithashtu thotë se ky officer i ka thënë se “vetëm më vonë ka zbuluar se cfarë kishte ndodhur atje, pra që pjestarët e forcave territoriale të Vukovar kishin vrarë rreth 160 civilë Kroatë në Ovcara”.
Në Nëntor 1995, tre ish oficerë të ushtrisë janë akuzuar nga Haga për masakrën në Ovcara.
Vasiljeviq ka dëshmuar se ai ka takuar njërin prej tyre në vitin 1998, gjeneralin në pension të ushtrisë, Mile Mrksiq, dhe e ka pyetur se cfarë kishte ndodhur atje më 20 Nëntor 1991.
Mrksiq, i cili ka qenë komandant i Brigadës së Parë gjatë operacionit të Vukovar, i është përgjigjur: “Betohem për fëmijët e mij, se sikur ta dije se cfarë do të ndodhte më pas nuk do ti kisha dorëzuar të burgosurit”.
Vasiljeviq ka thënë se kur ai e ka pyetur më pas Mrksiq se përse nuk është dërguar asnjë raport për komandën e ushtrisë, ai i është përgjigjur se “Kur e morrëm vesh se cfarë kishin bërë ata, ne u betuam të qëndronim të heshtur”.
Sipas akuzës dhe dëshmive të dëgjuara deri më sot, ushtria Jugosllave ka ndaluar rreth 300 civilë në spitalin e Vukovar dhe i ka transportuar ata në Ovcara.
Atje ata u janë dorëzuar anëtarëve të forcave të mbrojtjes territoriale, një njësi rezervë e ushtrisë.
Pasi janë rrahur dhe keqtrajtuar ata janë dërguar në një vend ku janë ekzekutuar dhe janë varrosur më pas në një varr masiv.
Meqënëse forcat e mbrojtjes territoriale nuk kanë pasur forca të mjaftueshme, ata kanë ftuar edhe disa anëtarë të forcave paraushtarake për ti ndihmuar.
Një ditë më pas, disa pjestarë të këtyre forcave janë mburrur publikisht për rolin e tyre në këtë masakër.
Vasiljeviq ka insistuar se historitë e tyre nuk kanë mbërritur asnjëherë deri tek shërbimi i sigurimit të ushtrisë, dhe ai, si drejtues i shërbimit të sigurimit të ushtrisë, nuk ka pasur dijeni për ngjarjen deri në Janar të vititi 1993.
Për shkak të pozicionit që ai ka pasur në drejtimin e ushtrisë që prej fillimit të luftës deri në Maj 1992 – kur ai është shkarkuar dhe ka dalë në pension – Vasiljeviq është përfshirë në një listë të 15 bashkëpunëtorëve të Millosheviq, pra pjesëmarrësve në ndërmarrjen kriminale në Kroaci.
Të gjithë këta persona janë ende nën hetim, dhe një prej tyre – Vojisllav Sheshelj – është akuzuar zyrtarisht.
Pas ka kaluar shtatë vjet në pension – gjatë të cilave ai është arrestuar dhe hetuar – Vasiljeviq është rikthyer në shërbimin e ushtrisë në Prill 1999, përpara fillimit të bombardimeve të NATO-s.
Me dekret të ish presidentit të atëhershëm të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ai është emëruar zëvendës kryetar i shërbimit të sigurimit të ushtrisë.
Pas rikthimit në postin e tij të vjetër – megjithëse një shkallë me poshtë – Vasiljeviq është përballur përsëri me raporte të fshehta në lidhje me krime të ushtrisë – lëtë herë në lidhje me ngjarje në Kosovë.
Shumica e raporteve nga terreni kanë pasur të bëjnë me krime të kryera nga njësitë e ministrisë së brendëshme të Serbisë.
Gjatë dëshmisë së tij javën e kaluar, Vasiljeviq ka përshkruar disa nga këto krime, duke specifikuar edhe njësitë policore të cilat kanë marrë pjesë në to dhe ka përmendur me emër edhe komandantët e këtyre njësive.
Pjesa e dëshmisë së Vasiljeviq për Kosovën ka pasur edhe më shumë prova – dëshmitarë të tjerë kanë thënë të njëjtën gjë – se Millosheviq ka vepruar nëpërmjet strukturave komanduese paralele.
Sipas dëshmisë së Vasiljeviq, Millosheviq ka vepruar në Kosovë nëpërmjet së ashtuquajturës komandë e përbashkët, e drejtuar nga koordinatori i tij kryesor për Kosovën, ish zëvendës kryeministri federal i asaj kohe, Nikola Sainoviq.
Millosheviq ka pasur kontroll mbi njësitë ushtarake në Kosovë jo nëpërmjet zinxhirit komandues të zakonshëm, i cili shkon nga Shtabi i Përgjithëshëm deri tek njësitë në terren, por në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, ose duke përdorur një strukturë paralele, nëpërmjet Sainoviq.
Millosheviq, si komandant i përgjithëshëm, ka lëshuar një dekret i cili vendoste të gjitha njësitë e ministrisë së brendëshme të Serbisë nën urdhërat e ushtrisë Jugosllave.
Por praktikisht njësitë policore të ministrisë së brendëshme, kanë vepruar në mënyrë të pavarur.
Sainoviq ka qenë përgjegjës për ministrinë e brendëshme, por ai asnjëherë nuk ka insistuar për varësinë e këtyre njësive nga ushtria.
Vasilejviq ka thënë se dekreti i Millosheviqit nuk u ka shkuar asnjëherë forcave dhe njësive në terren.
Kur shefi i atehershem i Shtabit te Pergjitheshem Gjenerali Drgoljub Ojdaniq eshte ankuar per kete gje tek Millosheviq, ai thuhet të jetë përgjigjur se “ky derket nuk kishte të bënte me Ministrinë e Brendëshme të Serbisë, por vetëm me forcat e Minisrisë së Brendëshme të Malit të Zi, të cilat duhet të viheshin nën urdhërat e Ushtrisë Jugosllave”.
Duhet përmendur edhe fakti që kjo ka ndodhur në kohën kur marrëdhëniet ndërmjet Millosheviq dhe ish presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq kanë qenë mjaft të acaruara.
Kur në mesin e muajit Maj 1999 shërbimet e sigurimit të ushtrisë kanë paraqitur komandës së ushtrisë një raport ku përshkruheshin krimet e kryera kundër civilëve në Kosovë, Millosheviq ka thirrur një mbledhje të drejtuesve të ushtrisë dhe policisë.
Me përjashtim të ministrit të atëhershëm të punëve të brendëshme, Vlajko Stojiljkoviq, dhe tre gjeneralëve të rëndësishëm – Vlastimir Djorgjeviq, Obrad Stevanoviq dhe Sreten Lukiq – të cilët sipas Vasiljeviq, kanë qenë “shumë të informuar rreth asaj që po ndodhte në Kosovë,” në takim kanë marrë pjesë të gjithë figurat e tjera të larta të ushtrisë dhe policisë.
Zyrtari më i lartë i policisë në atë mbledhje ka qenë shefi i shërbimit të sigurimit të shtetit, Rade Markoviq.
Përpara takimit, anëtarët e ushtrisë dhe të policisë kanë fajësuar njëri tjetrin për krimet në Kosovë.
Policia ka thënë se ushtria ishte përgjegjëse për vdekjen e rreth 800 njerëzve. Ushtria është përgjigjur me anë të raporteve të shërbimeve sekrete të ushtrisë sipas të cilave shifra e të vrarëve ishte rreth 271.
Më pas zyrtarë të ministrisë së brendëshme të Serbisë kanë paraqitur disa dokumenta të cilat tregonin se policia ishte përgjegjëse për vdekjen e 326 personave.
Këto akuza të ndërsjella kanë vazhduar edhe gjatë takimit me Millosheviqin.
Markoviq është përpjekur të fajësojë njësitë e vullnetarëve, duke thënë se ata ishin përgjegjës për vrasjet, vjedhjet dhe krimet e tjera dhe ka arritur në përfundimin se gjëra të tilla ishin të pashmangëshme në një luftë.
Sipas dëshmisë së Vasiljeviq, Millosheviq nuk komentoi rreth propozimit të paraqitur nga shefi i shtabit të përgjithëshëm të ushtrisë Gjeneral Nebojsha Pavkoviq për krijimin e një komisioni special shtetëror për të hetuar për ato që kishin ndodhur.
Millosheviq ka thënë vetëm se “problemi i vullnetarëve duhet të shikohet” dhe se “rastet drastike” duhet të hetohen “sa më shpejt të jetë e mundur”.
Millosheviq ka kërkuar gjithashtu edhe zgjidhjen sa më të shpejtë të problemeve ndërmjet shërbimeve të sigurimit të shtetit dhe ushtrisë.
Dhe mbledhja u mbyll me kaq. Pas takimit, gjeneralët janë larguar nga dhoma, ndërsa Millosheviq ka mbetur në shoqërinë e Sainoviq dhe Markoviq.
Në fillim të seancës së pyetjeve – e cila do të vazhdojë edhe javën e ardhëshme – Millosheviq u përpoq të hidhte dyshime mbi dëshminë e Vasiljeviq mbi ekzistencën e një sërë lidhjesh ndërmjet atij ushtrisë, ministrisë së brendëshme të Serbisë dhe njësive të forcave të mbrojtjes territoriale.
Millosheviq tha se ai nuk kishte influencë mbi ushtrinë dhe forcat Serbe në Kroaci dhe Bosnje. Megjithatë, Vasiljeviq ka ngulur këmbë në deklarimet e tij.
Millosheviq ka patur shumë më tepër sukses me pyetjet në lidhje me armatosjen sekrete të Kroacisë dhe Sllovenisë, si edhe thëniet se anëtarët e ushtrisë dhe familjet e tyre të vendosura në këto vende janë sulmuar gjatë viteve 1990 dhe 1991.
Vasiljeviq, departamenti i të cilit ka kryer hetime mbi këto ngjarje, ka konfirmuar të gjitha deklarimet e Millosheviqit në lidhje me importimin e paligjshëm të armëve dhe sulmet ndaj personelit të ushtrisë Jugosllave.
Gjenerali gjithashtu ka konfirmuar vërtetësinë e filmit të famshëm rreth “cështjes Spegelj” i cili është transmetuar në Janar 1991, në të cilin ish ministri i atëhershëm i mbrojtjes së Kroacisë, Martin Speglj, fliste rreth armatosjes sekrete dhe planeve për likujdimin e oficerëve të Ushtrisë Jugosllave.
Vasiljeviq ka thënë se ai vetë ka qenë i përfshirë në xhirime klandestine të ministrave Kroatë dhe se në periudhën nga Tetor 1990 deri Janar 1991 shërbimi sekret i ushtrisë ka bërë një xhirim në video prej 20 orë dhe 120 orë regjistrime në lidhje me armatosjen e paligjëshme të Kroacisë dhe planeve të saj për të sulmuar ushtrinë federale.
Nice ka kundërshtuar këto pyetje sepse ato nuk kishin të bënin me temën e dëshmive të Vasiljeviq dhe se nuk kishin rëndësi për gjykatën.
Gjykatësi Richard May nuk ka qenë dakort me pjesën e dytë të kundërshtimit të prokurorit, duke thënë se trupi gjykues “kishte dëgjuar shumë rreth armatosjes së palës Serbe” dhe se ai nuk shihte ndonjë arësye përse të mos dëgjohenin provat në lidhje me armatosjen e Kroacisë.
Pavarësisht nga rëndësia e kësaj pjese të dëshmisë së Vasiljeviq, ai ka treguar se ai është shumë i mirë informuar dhe se mund të kishte qenë një dëshmitar i mirë i akuzës ndaj ish presidentit Kroat Franjo Tugjman, nëse ky i fundit do të ishte akuzuar ndonjëherë dhe do të kishte dalë para gjykatës në Hagë.
Mirko Klarin është një redaktor i vjetër i IWPR në Hagë dhe kryeredaktor i agjensisë së lajmeve SENSE.