'Komplot për Arrestimin' e Gjukanoviqit
Autoritetet malazeze thonë se kanë zbuluar një komplot të ushtrisë federale për të arrestuar presidentin e republikës.
'Komplot për Arrestimin' e Gjukanoviqit
Autoritetet malazeze thonë se kanë zbuluar një komplot të ushtrisë federale për të arrestuar presidentin e republikës.
Ushtria jugosllave, sipas burimeve të qeverisë në Podgoricë, ka përgatitur një plan për të arrestuar presidentin malazez Milo Gjukanoviq.
Këto zëra janë përhapur pasi një raport i shërbimeve sekrete amerikane dhe një komentator politik i njohur serb kanë paralajmëruar se Gjukanoviq është në rrezik.
"Shërbimet tona kanë prova për ekzistencën e këtij plani për arrestim," ka thënë një zyrtar i shërbimit të sigurimit shtetëror, i cili preferon të mbetet anonim, për IWPR-në. "Presidenti Gjukanoviq dhe qeveria malazeze janë informuar për këtë. Ne kemi ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të mbrojtur presidentin."
Frika për arrestimin e tij do të ngrejë temperaturën politike në Mal të Zi në prag të zgjedhjeve presidenciale, federale dhe lokale këtë të dielë.
Partitë malazeze kanë kundërshtuar së fundi ndryshimet kushtetuese të miratuara nga Millosheviq dhe tashmë kanë refuzuar të marrin pjesë në zgjedhjet federale. Ata thonë se këto zgjedhje do të shërbejnë vetëm për të zgjatur sundimin e tij.
Ndërkohë Millosheviq insiston se zgjedhjet do të mbahen edhe në Mal të Zi edhe nëse shkojnë për të votuar vetëm trupat e ushtrisë jugosllave.
Ndërsa dihen disa hollësi të planit për arrestimin e Gjukanoviqit, të gjitha shenjat tregojnë se presidenti malazez është në rrezik. Sekretarja e Shtetit të SHBA-së Madlen Ollbrait ka thënë kohët e fundit se ajo është e shqetësuar për fatin e Malit të Zi dhe udhëheqësit të tij.
Ollbrait ka thënë se zgjedhjet presidenciale amerikane nuk do të tërheqin vëmendjen e Uashingtonit nga vëzhgimi me kujdes i ngjarjeve në republikë. "Millosheviq dhe njerëz të tjerë nuk duhet të mendojnë se SHBA nuk punojnë gjatë periudhës së zgjedhjeve."
Një zyrtar amerikan i nivelit të lartë ka thënë se drejtuesi malazez përballet me një kërcënim "real". "Kjo është një periudhë shumë e rrezikshme për Gjukanoviqin."
Sipas rretheve të shërbimeve sekrete në Uashington, forca të policisë serbe dhe njësitë speciale të ushtrisë janë vënë në gjendje lufte, ndërsa trupa të përgatitura për "sulm" janë vendosur tashmë në kazermat ushtarake federale rreth Malit të Zi.
Një paralajmërim tjetër për një shtypje të Malit të Zi dhe presidentit të saj ka ardhur nga Aleksandar Tijaniq, një komentator politik i mirënjohur jugosllav dhe ish-ministër i informacionit të Serbisë.
"Millosheviq ka lëshuar një urdhër ushtrisë për të sjellë Gjukanoviqin në Beograd, me çdo çmim," ka shkruajtur ai. Nëse dalin hollësi mbi planin, ai ka mundësi të zbatohet në shtator ose në muajt e mbetur të vitit në vazhdim," ka shkruajtur ai së fundi.
Ka një arsye të fortë që thëniet e Tijaniqit të merren seriozisht. Ai ka paralajmëruar më parë shkarkimin e shefit të shtabit të ushtrisë jugosllave Momçillo Perishiq dhe zyrtarit të shërbimeve sekrete Jovica Stanishiq, si edhe vrasjen e ministrit federal të mbrojtjes Pavle Bullatoviq.
Duke iu përgjigjur shqetësimeve të SHBA-së për Malin e Zi, zëvendës-kryeministri Dragisha Burzan ka thënë: "Madlen Ollbrait natyrisht që është e mirëinformuar. Mendoj se ka një sërë arsyesh për t'u shqetësuar dhe unë nuk i konsideroj deklaratat e saj si koincidencë apo rezultat i një qëndrimi agresiv ndaj Serbisë.
"Unë parashikoj një rritje të tensioneve në fund të shtatorit e fillim të tetorit dhe mendoj se tetori do të jetë një muaj veçanërisht i rëndësishëm. Ne kemi informacione të mjaftueshme për të patur këtë mendim. Nuk mund të them asgjë më tepër."
Shefi i shtabit të ushtrisë jugosllave Nebojsha Pavkoviq fundjavën e kaluar ka kërcënuar Podgoricën. "Ne duhet të mbrojmë vendin tonë dhe të demaskojmë sjelljen mashtruese dhe tradhtare të disa njerëzve në mesin tonë," ka thënë ai. Shumë njerëz mendojnë se Pavkoviq ka pasur para sysh Gjukanoviqin.
Zyrtarë të shërbimit personal të sigurimit të presidentit kanë thënë për gazetarë malazezë se ata mendojnë se ai është i sigurtë për aq kohë sa qendron në kryeqytet dhe shmang largimin apo mbërritjen në vend nga aeroportet e kontrolluara nga Beogradi në Podgoricë apo Tivar.
Ndërkohë IWPR është informuar se qeveria në Podgoricë ka miratuar një kërkesë të shërbimit të sigurimit shtetëror për të shtuar numrin e rojeve për të gjithë zyrtarët gjatë javëve të ardhshme.
Megjithatë pavarësisht nga rritja e shqetësimit për sigurinë e tij, presidenti Gjukanoviq nuk ka hequr dorë nga shëtitjet e tij të rregullta në Podgoricë. Të shtunën ai është parë duke pirë kafe në kafenenë e tij të preferuar në qendër të qytetit, nën një shërbim të fortë sigurie.
"Millosheviq është i prirur për të provokuar konflikte. Unë nuk kam frikë, por jam i shqetësuar," ka thënë kohët e fundit Gjukanoviq. "Nuk është një gjë e mençur të provokosh një luftë të pestë në Ballkan. Nëse Millosheviq ngul këmbë në planet e tij për të filluar një luftë, ne do të detyrohemi të mbrohemi."
Zoran Raduloviq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.