Korrupsion i Gjithanshëm në Serbi

Pas një dhjetëvjeçari të regjimit të Millosheviqit shoqëria serbe gjendet e zhytur në korrupsion.

Korrupsion i Gjithanshëm në Serbi

Pas një dhjetëvjeçari të regjimit të Millosheviqit shoqëria serbe gjendet e zhytur në korrupsion.

Tuesday, 6 September, 2005

Sipas një studimi të kryer nga Qendra për Studime Politike me seli në Beograd, më shumë se gjysma e popullsisë serbe mendojnë se rryshfeti është pjesë e jetës së përditshme.


Megjithëse 80 përqind e njerëzve të anketuar janë përgjigjur se ata ishin kundër dhënies së rryshfeteve, 60 përqind e tyre thonë se kjo ishte e vetmja rrugë për të zgjidhur problemet.


Duket se zarfat e mbushur me dinarë dhe, së fundi, me marka gjermane janë të domosdoshëm për të zgjidhur çdo problem, që nga vizita tek një doktor, deri tek gjetja e një vendi pune dhe regjistrimi i fëmijës në universitet.


Dhe ata që nuk kanë para mund të japin mallra. Një pacient në spitalin e Beogradit ka gjetur kohët e fundit një derrkuc të sapotherrur në bagazhin e makinës së tij. Një fshatar i hutuar e kishte planifikuar derrkucin si rryshfet për kryeinfermieren, por kishte ngatërruar makinën.


Njëzet e pesë përqind e të anketuarve pranojnë se kanë dhënë rryshfet të paktën një herë. Pothuajse e njëjta përqindje e të anketuarve thotë se ata do të pranonin të jepnin rryshfet nëse dikush kishte diçka të rëndësishme në dorë për t'u zgjidhur. Mbi 70 përqind kanë thënë se ata do të bënin pagesa të paligjshme për shërbime mjeksore për fëmijët apo prindërit.


Mbi 30 përqind mendojnë se kohët janë të tilla që ata janë të detyruar të kërkojnë rryshfet për gjëra që normalisht do t'i bënin pa ndonjë pagesë.


Studiuesit kanë arritur në përfundimin se asnjë profesion në Serbi nuk i ka shpëtuar korrupsionit. Të anketuarit mendojnë se njerëzit që marrin më shumë rryshfete janë punonjësit e shërbimeve të doganës, të pasuar nga zyrtarët e lartë të shtetit dhe punonjësit e sistemit shëndetësor. Afërsisht 70 përqind mendojnë se shumica e zyrtarëve janë të gatshëm të pranojnë rryshfete.


Shtatë nga dhjetë njerëz mendojnë se mashtrimi është baza e marrëdhënieve ndërmjet qytetarit dhe shtetit. "Përfundimi kryesor i studimit është se njerëzit po mësohen me korrupsionin dhe rryshfetet," thotë sociologu, Dr. Sreçko Mihailloviq. "Kjo është edhe një simptomë tjetër e shoqërisë sonë të sëmurë."


Një pjesë e madhe e studimit është marrë me qëndrimin publik ndaj kontrabandës - e cila është bërë një mjet jetese për shumë njerëz gjatë këtij dhjetëvjeçari të krizës ekonomike. Më shumë se gjysma e të anketuarve janë përgjigjur se kontrabanda është moralisht e pranueshme. Rreth një ndër pesë njerëz janë përgjigjur kështu edhe për mospagimin e taksave.


Në një vend ku vlerat janë prishur, rreth 70 përqind e të anketuarve mendojnë se vetëm mashtruesit dhe kriminelët kanë sukses në shoqërinë serbe dhe rreth e njëjta përqindje mendon se njerëzit respektojnë ligjin vetëm kur ju duhet.


Rreth 30 përqind e të anketuarve janë shprehur se korrupsioni do të kishte qenë më i pakët nën një regjim tjetër. Por pothuajse e njëjta përqindje njerëzish kanë thënë se ardhja e opozitës në pushtet nuk do t'i ndryshonte shumë gjërat.


Rreth 40 përqind e atyre që kanë shprehur përkrahje për administratën e tanishme mendonin se ajo është shumë e korruptuar. Kjo ka qenë edhe bindja e mbi 90 përqind të anketuarve që ishin përkrahës të opozitës.


Vesna Bjekiq është gazetare nga Beogradi.


Serbia
Frontline Updates
Support local journalists