KOSOVARËT E PAPUNË LARGOHEN JASHTË

Pesë vjet pasi janë kthyer në shtëpitë e tyre me shpresën për të nisur një jetë të re, shqiptarët e Kosovës po përgatisin përsëri cantat.

KOSOVARËT E PAPUNË LARGOHEN JASHTË

Pesë vjet pasi janë kthyer në shtëpitë e tyre me shpresën për të nisur një jetë të re, shqiptarët e Kosovës po përgatisin përsëri cantat.

Përballë konsullatës së Zvicrës në Prishtinë, Vehbi Bajraktari, një djalë rreth të tridhjetave nga qyteti i Istogut, në Kosovën perëndimore, shoqëron gruan e tij në pritje për një vizë.

Nuk është hera e parë që ata kanë shkuar atje. Bajraktari ka shkuar në Zvicër në vitet 1990 për ti shpëtuar thirrjes nën armë në ushtrinë jugosllave, por është kthyer pasi sulmet ajrore të NATO-s i dhanë fund regjimit serb në Kosovë, me shpresën për një jetë më të mirë.

“Prisja që gjërat do të shkonin më mirë në kohë paqeje dhe do të kisha mundësi të gjeja një punë,” thotë ai.

Por kur kanë kaluar pesë vjet, pa punë, shpresat janë zbehur dhe Bajraktari po përpiqet t’u sigurojë gruas dhe fëmijëve një vizë turistike në mënyrë që ata të shkojnë me të në Zvicër.

Duke pritur në rradhë është edhe Lindita, një vajzë rreth të njëzetave nga një fshat në Kosovën perëndimore e cila është fejuar me një djalë shqiptar i cili tani jeton në Zvicër.

Vjehrra e saj e ardhëshme shpreson që fejesa do të mjaftojë që Lindita të marrë vizën për në Zvicër, ku edhe do të martohet.

Pas vitit 1999, shumë shqiptarë të cilët kanë punuar në Evropën perëndimore janë kthyer në Kosovë, duke menduar se mund të siguronin një punë dhe të ardhme në vendin e tyre.

“Një numër shumë i madh njerëzish të cilët janë larguar nga Kosova gjatë viteve të konfliktit janë kthyer pas përfundimit të luftës,” thotë Bekim Ajdini, oficer i informimit publik për zyrën lokale të Organizatës Ndërkombëtare për Migracion, IOM.

Rreth një gjysëm milion shqiptarë janë larguar nga Kosova gjatë viteve të vështira të dekadës së fundit. Pjesa më e madhe kanë shkuar në Gjermani, ku mbi 100,000 vetë kanë kërkuar azil, ndërsa një numër më i vogël në vendet e Skandinavisë, Austri, Zvicër dhe Britani.

Sipas shifrave të IOM, rreth 87,000 prej ketyre emigrantëve janë kthyer në Kosovë vetëm në vitin 2000, pjesa më e madhe nga punë të rënda në Gjermani dhe Zvicër.

Por që prej asaj kohe, vala e të kthyerve është pakësuar ndjeshëm, dhe shumë njerëz kanë filluar të largohen nga Kosova. Vetëm 2,200 vetë janë kthyer vullnetarisht në Kosovë në vitin 2003.

Ky ngadalësim reflekton pakësimin e menjëherëshëm të entusiazmit në periudhën e pas luftës. Kur kanë kaluar pesë vjet, shumë njerëz ndjehen të zhgënjyer me mungesën e vendeve të punës, gjendjen e keqe të arsimit dhe mos funksionimin e përgjithëshëm të institucioneve në Kosovë.

Papunësia është faktori më i madh i cili nxit emigracionin. Sipas Rifat Blaku, drejtor i Qendrës për Studime të Migracionit dhe Ndihmës së Refugjatëve, mbi 60 përqind e popullsisë së Kosovës është e papunë.

Papunësia është një plagë e rëndë për të gjitha shtresat e shoqërisë – si ata me arsim të lartë ashtu edhe pa kualifikim – por ajo vecanërisht prek gratë dhe popullsinë në zonat rurale.

Blaku thotë se papunësia është edhe arësyeja që kaq shumë të rinj kosovarë janë të gatshëm të rrezikojnë shumë për të shkuar në perëndim, edhe nëse kjo kërkon kalimin e paligjshëm të kufinjve.

“Ne kemi identifikuar tre apo katër kanale të paligjëshme nëpërmjet të cilëve të rinjtë largohen nga Kosova,” thotë ai.

Një prej këtyre është nëpërmjet Bosnjes dhe Kroacisë. Njerëzit blenë pasaporta të fallsifikuara kroate dhe me to shkojnë në vendet perëndimore.

“Këtë e dimë sepse të rinj kosovarë janë kapur në Gjermani e Zvicër me dokumente të tilla,” shpjegon Blaku.

Një tjetër rrugë është ajo nëpërmjet detit Adriatik nga Shqipëria për në Itali. Të rinjtë e marrin këtë rrugë megjithëse duhet të paguajnë një cmim të lartë, nga 2,500 deri 3,000 euro për dokumenta false.

Një faktor tjetër i cili ndikon në largimin e të rinjve nga Kosova është mungesa e arsimit të nevojshëm. Megjithëse Kosova ka një universitet që prej disa dekadash, pjesa më e madhe e studentëve në Prishtinë janë të pakënaqur me nivelin e studimeve të tyre.

“Unë ndihem se nuk po mësoj asgjë,” ankohet një 20 vjecar student i degës së bujqësisë. “Ne nuk bëjmë asnjë veprimtari praktike, gjë e cila bën që kur kërkojmë punë nuk dimë si të veprojmë”.

Studenti, i cili nuk dëshiron të përmendet me emër, thotë se sa më pranë përfundimit të studimeve, më shumë ndjen se duhet të largohet nga Kosova për të gjetur një vend pune.

“Nëse mbetem në Kosovë, e vetmja punë që do të mund të gjej është si punëtor ditor – duke qëndruar në ndonjë cep rruge për të gjetur punë si punëtor krahu apo pastrues,” thotë ai.

Edhe ata kosovarë me diploma të cilët kanë gjetur punë shpesh kërkojnë një mënyrë për tu larguar sepse pagat janë shumë të ulta.

Blerim Saqipi, i cili është diplomuar vitin e kaluar nga universiteti i Prishtinës dhe tani punon si lektor, mendon të vazhdojë studimet e tij pasuniversitare në Kanada në shtator.

“Një student me një diplomë të huaj ka më tepër mundësi për të gjetur një punë të paguar mirë,” thotë Blerimi.

Zgjidhja më e mirë për plagën e emigracionit e cila po largon të rinjtë e arsimuar nga Kosova është ndërtimi i një ekonomie më të fortë.

Por pak njerëz mendojnë se një zgjidhje e tillë është pranë.

Sipas Nuhi Ismajlit, këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Cështjeve Sociale, gjendja e ekonomisë dhe ajo e punësimit nuk priten të përmirësohen ndjeshëm deri nga viti 2010.

“Viti 2003 dhe fillimi i 2004 kanë qenë një stanjacion i plotë,” thotë Ismajli. “Duhet të kishte qenë e kundërta”.

Si shumë analistë të ekonomisë, ai është tepër kritik për mënyrën se si administrata e Kombeve të Bashkuara, UNMIK, ka zhvilluar politikën ekonomike.

“Ata po e administrojnë në mënyrë të gabuar Kosovën. Ata janë më të interesuar për të ruajtur gjendjen e tanishme se sa për zhvillimin e ekonomisë. Por qeveria e Kosovës gjithashtu nuk ka një strategji zhvillimi,” thotë Ismajli.

Ndërkohë, Bajraktari dhe shumë të tjerë si ai janë të vendosur të shfrytëzojnë edhe rrugët e paligjëshme për tu larguar nga vendi.

“Unë kam nevojë për një punë, edhe nëse do të duhet të pastroja banjo nëse do të merrja një rrogë që të më siguronte jetesën,” thotë Bajraktari. “Kosova për momentin nuk më ofron as një punë të tillë”.

Krenare Kurtishi dhe Mevlyde Salihu janë pjesëmarrës të Kursit Fillestar të Gazetarisë të organizuar nga IWPR në Kosovë.

Frontline Updates
Support local journalists