KOSOVARËT NUK PRANOJNË FAJIN PËR TRAZIRAT E MARSIT

Vala e arrestimeve në lidhje me trazirat e marsit shkakton zemërimin e shumicës së popullsisë lokale.

KOSOVARËT NUK PRANOJNË FAJIN PËR TRAZIRAT E MARSIT

Vala e arrestimeve në lidhje me trazirat e marsit shkakton zemërimin e shumicës së popullsisë lokale.

Një numër i madh hetuesish ndërkombëtarë kanë arritur këtë javë në Kosovë në përpjekje për të ndihmuar në nxjerrjen e fajtorëve për trazirat të cilat tronditën rajonin në muajin mars, përpara drejtësisë.

Kjo po ndodh pavarësisht kundërshtimeve të mëdha nga ana e shqiptarëve etnik ndaj ndjekjes penale të personave nga komuniteti i tyre.

Gjashtëdhjetë e një hetues – nga Turqia, Filipinet, Rumania, Kina, Fixhi dhe Bangladeshi – do të punojnë në bashkëpunim me policinë lokale për të ngritur akuzat ndaj të dyshuarve si përgjegjës për dhunën dy ditore.

UNMIK dhe organet lokale të drejtësisë kanë akuzuar deri më tani disa dhjetra njerëz për përfshirje në trazira, të cilat kanë qenë shpërthimi më i rëndë i dhunës në Kosovë që prej vitit 1999.

Nëntëmbëdhjetë vetë kanë vdekur, rreth 900 janë plagosur dhe 4,500 vetë, kryesisht serb, janë larguar me forcë nga shtëpitë e tyre, gjatë dhunës e cila shpërtheu pasi tre fëmij shqiptarë janë mbytur në lumin i cili kalon përmes qytetit të ndarë etnikisht të Mitrovicës.

Neeraj Singh, zëdhënës për departamentin e drejtësisë së UNMIK, ka njoftuar javën e kaluar ngritjen e padive të reja ndaj tre shqiptarëve dhe një serbi, nga Mitrovica e veriut, pjesa e qytetit e cila kontrollohet nga serbët.

Hakif Mehmeti, Xhevdet Sylejmani dhe Driton Zeqiri përballen me akuza nga nxitja e trazirave në Mitrovicë deri në vendosjen e zjarrit shtëpive të serbëve në Gjilan, dhe për sulm ndaj oficerëve të policisë në Prizren. Serbi, Zivorad Cvetkoviq, është akuzuar për një sulm me granatë ndaj ushtarëve të KFOR në Mitrovicë.

Prokurori ndërkombëtar në Kosovë po ndjek për momentin 52 nga rastet më serioze, si vrasje, djegien e shtëpive serbe dhe kishave e organizimin e trazirave.

Gjykatat lokale – të cilat po shqyrtojnë mbi 200 raste të tjera më pak të rënda, si vjedhje, vendosjen e zjarrit dhe prishje të qetësisë publike – kanë dhënë tanimë 15 dënime të cilat shkojnë nga dy deri në gjashtë muaj burgim dhe gjoba prej rreth 100 euro.

Rifat Abdullahu, kryetar i gjykatës së qarkut të Ferrizajt, ka thënë se dënimi i njerëzve për përfshirje në trazirat e muajit mars nuk ka qenë dicka e lehtë për gjykatësit shqiptarë: “Ka presione dhe kritika nga qytetarët të cilët nuk i pranojnë këto gjyqe.

“Por ne kemi zbatuar ligjin dhe procedurat dhe disa njerëz janë gjykuar në gjykatën e qarkut tonë me nga 4 deri 6 muaj burgim”.

Komuniteti shqiptar në Kosovë është në përgjithësi kundër dënimit të shqiptarëve në lidhje me trazirat e muajit mars, për të cilat shumë komentatorë kanë fajësuar të huajt.

Reshat Sahitaj, një gazetar i së përditëshmes nacionaliste Epoka e Re, ka thënë se trazirat kanë qenë vepër e mercenarëve. “Cdo shqiptar e di se kishat serbe nuk janë djegur nga protestuesit por nga individë të paguar nga disa vende fqinje,” ka shkruajtur ai.

Mospranimi i përgjegjësisë për dhunën është përforcuar edhe nga qëndrimi i një prej organizatave lokale më të vjetra në Kosovë, Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, KMLDNJ.

Bexhet Shala, drejtor i KMLDNJ, ka thënë për IWPR se ky organizëm është kundër hetimeve të policisë së UNMIK dhe të KFOR për trazirat, sepse ata kanë bërë arrestime vetëm bazuar në regjistrime televizive.

“Nuk mjaftojnë vetëm filmimet për të akuzuar dikë për një krim të rëndë si djegia e një shtëpie apo vrasje,” ka thënë Shala. “Këto akuza duhet të mbështeten edhe me prova të tjera”.

Shala ka thënë se vala e arrestimeve që prej 17 marsit është “një përpjekje tjetër e UNMIK për të hequr nga vetja përgjegjësinë dhe për të fajësuar qyetarët e Kosovës për këto trazira”.

Pakënaqësia publike është rritur ndjeshëm më 28 prill pas arrestimit të Sami Lushtakut, një ish drejtues i njohur i Ushtrisë Clirimtare të Kosovë, UCK, nga rajoni i Drenicës.

Disa mijëra banorë vendas nga Drenica, kryeqendra e vjetër e UCK-së, kanë protestuar një ditë më pas, duke kërkuar lirimin e Lushtakut. Tre shoqata të veteranëve të luftës kanë paralajmëruar gjithashtu UNMIK, duke thënë se ai duhet të “ndalojë arrestimet, ose përndryshe do të përballet me protesta në të gjithë Kosovën”.

Një letër nga Nexhmi Lajci, kryetar i shoqatës së veteranëve të luftës në Pejë, i burgosur për përfshirjen e tij në trazirat e marsit, është lexuar gjatë një manifestimi për përkujtimin e luftës këtë javë. Në këtë letër trazirat më të fundit janë paraqitur “si një veprim ndaj një pushtimi modern”.

Shumica e politikanëve shqiptarë i kanë quajtur trzirat si një revoltë popullore e paorganizuar, dhe jo një sërë veprimesh kriminale shkaktarët e të cilave duhet të dalin para drejtësisë.

Disa ekspertë ligjor kanë mbështetur gjithashtu idenë se trazirat e muajit mars kanë qenë më tepër politike se sa kriminale. Destan Rukiqi, një avokat nga Prishtina, ka thënë se është e gabuar të theksohet më tepër niveli i planifikimit kriminal “në rastet e protestave apo trazirave, ku njerëzit thjesht shprehin pakënaqësinë e tyre”.

Arben Salihu, Muhamet Hajrullahu dhe Zana Limani janë pjesmarrës në kursin e gazetarisë të organizuar nga IWPR, i cili mbështetet nga OSBE.

China, Turkey, Philippines
Frontline Updates
Support local journalists