KRIMET E LUFTËS ERRËSOJNË KUJTIMET E FITORES
Mbështetësit e një debati të hapur mbi krimet e luftës gjatë operacionit ushtarak Oluja ballafaqohen me kundërshtim nga popullata, shumica e të cilëve e kujtojnë këtë betejë në mënyrë jokritike.
KRIMET E LUFTËS ERRËSOJNË KUJTIMET E FITORES
Mbështetësit e një debati të hapur mbi krimet e luftës gjatë operacionit ushtarak Oluja ballafaqohen me kundërshtim nga popullata, shumica e të cilëve e kujtojnë këtë betejë në mënyrë jokritike.
Dhjetë vite pasi Operacioni Oluja morri nën kontroll Kninin dhe rajonet përreth në të cilat serbët e Kroacisë kishin shpallur shtetin e tyre, veprimet ushtarake ende shkaktojnë polemika.
Ofenziva e 5 gushtit 1995 kremtohet në Kroaci si Ditë e Fitores dhe FalënderimIT ndaj Mëmëdheut dhe shumica e kroatëve kujtojnë këtë si një operacion brilant ushtarak.
Por krimet e luftës të cilat u kryen gjatë këtij operacioni dhe fakti se Gjenerali Ante Gotovina, i cili drejtoj këtë operacion, është akuzuar nga tribunali për krime lufte në Hagë, tani rëndon kujtimet e popullarizuara.
Rasti i Gotovinës, i cili është në arrati që nga lëshimi i aktakuzës ndaj tij në vitin 2001, është kthyer në një pengesë për Kroacinë, duke ndaluar anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.
Sipas Komitetit të Helsinkit për Drejta të Njeriut në Kroaci më shumë se 400 civilë kanë pësuar dhe rreth 22,000 shtëpi janë djegur gjatë dhe pas Operacionit Oluja.
Numri i saktë i serbëve të cilët lëshuan shtëpitë e tyre kurrë nuk është caktuar saktë por numrat janë prej 150,000 deri 300,000 varësisht nga burimet. Aktakuza e tribunalit të Hagës ndaj Gotovinës përmend 150,000-200,000 refugjatë.
Autoritetet kroatë nuk mohojnë më se krime të luftës kanë ndodhur por pohojnë se ato janë kryer nga banda të cilat nuk ishin të organizuara apo të autorizuara.
Mate Granic, ministri i jashtëm i Kroacisë gjatë operacionit Oluja, pohon në memoaret e tij sapo të publikuara se rreth 3000 njerëz janë marrë në pyetje. Nuk ka fakte se sa prej tyre janë dënuar.
“Nuk ka dyshim se gjërat dolën jashtë kontrollit pas Operacionit Oluja, që dëmtoj këtë fitore të jashtëzakonshme,” shkruan në librin e tij Granic.
Një debat rreth krimeve të luftës të kryera gjatë vitit 1995 ende është një temë e papëlqyer në Kroaci, dhjetë vite pas kryerjes së tyre.
Tentimet për të diskutuar këto krime shpesh kualifikohen si “fyerje e Luftës për Mëmëdhe” nga shumica e popullatës, posaçërisht nga veteranët e luftës.
Ekzistojnë, natyrisht, të tillë të cilët mund të dallojnë krimet nga operacioni më i gjerë ushtarak, përfshirë edhe deputetin e parlamentit Damir Kajin, një nga individët e parë i cili denoncoj publikisht këto krime.
“Krimet të cilat ndodhën pas Operacionit Oluja janë të vërteta dhe është e pamundur t’i mohojmë, por ato nuk mohojnë legjitimitetin e veprimeve ushtarake,” ai tha. “Këto krime duhet të dënohen.”
Një pengesë më e madhe për Kroacinë është aktakuza e tribunalit të Hagës ndaj Gotovinës, e cila përshkruan Operacionin Oluja si një “veprim të përbashkët kriminel.”
Aktakuza pohon se Gotovina, së bashku me individë të tjerë, përfshirë Ivan Cermak, Mladen Markac dhe presidentin e ndjerë Franjo Tudjman, morën pjesë në një veprim të përbashkët kriminel qëllimi i së cilës ishte largimi permanent me forcë i popullatës serbe nga rajoni i Krajinës.
Aktakuza thotë se kjo është kryer përmes veprimeve që përfshinin plaçkitjet, dëmtimet dhe shkatërrimin permanent të pronës serbe në mënyrë që të ndalohen serbët të kthehen dhe rivendosen në shtëpitë e tyre.
Përshkrimi i Operacionit Oluja si një veprim i përbashkët kriminel kundërshtohet fuqishëm nga kryeministri i Kroacisë, Ivo Sanader, qeveria e së cilët e ka konsideruar ate si “krejtësisht të papranueshme.”
Sanader, i cili avokon për një bashkëpunim me tribunalin e Hagës si mënyrë të vetme për përshpejtimin e anëtarësimit të Kroacisë në BE, është ballafaquar me kundërshtime të brendshme nga grupet e veteranëve dhe nga partia e tij, Unioni Demokratik i Kroacisë, HDZ, shumë prej të cilëve janë nacionalist ekstremist.
Ekspertët e ligjit, përfshirë edhe profesorin e fakultetit juridik të Zagrebit dhe deputetit të socialistëve Ivo Josipovic, mbrojnë Operacionin Oluja si një operacion legjitim ushtarak sipas ligjit ndërkombëtar.
“Nuk ka dyshim se ana kroate ka kryer krime lufte gjatë Luftës për Mëmëdhe dhe Operacionit Oluja dhe tribunali i Hagës i ka kualifikuar ato si akte serioze kriminele,” tha Josipovic.
"Por ato nuk mund të krahasohen me masakrën e Srebernicës në të cilën 8000 njerëz u vranë, gjë që disa njerëz po tentojnë të bëjnë.”
Serbët të cilët kanë mbetur në Kroaci kanë qëndrim tjetër. “Ne jemi të tronditur nga fakti se viktimat serbe kurrë nuk përmenden në përvjetorët e kujtimit të Operacionit Oluja,’ tha Vojislav Stanimirovic, kryesues i Partisë së Pavarur Demokratike Serbe, SDSS, dhe deputet i parlamentit.
“Njerëzit të cilët kujtojnë këtë datë përmendin vetëm një fitore brilante dhe të madhërishme, të cilën ne nuk e mohojmë, por ne pohojmë se e vërteta qëndron në faktin se edhe viktimat civile serbe duhet të përmenden, gjithashtu.”
Parlamenti i Kroacisë pritet të aprovoj një deklaratë speciale rreth rëndësisë së Operacionit Oluja pas përvjetorit të dhjetë, të cilën do ta përkufizoj si “veprim anti-terrorist.”
Versioni i parë i deklaratës ka dënuar të gjitha krimet e kryera gjatë Operacionit Oluja por ka shprehur brengën se tribunali i Hagës ka trajtuar operacionin si veprim kriminel qëllimi kryesor i së cilës ishte spastrimi etnik.
Autoritetet tani janë të përkushtuar të luftojnë atë që ata shohin si kualifikim të padrejtë të Operacionit Oluja në gjykatat e tribunalit.
“Deklaratat publike nuk do të zgjidhin asgjë,” tha një zyrtar i ministrisë së drejtësisë. “Një deklaratë [nga parlamenti] mund të kënaq grupet në Kroaci të cilat janë ofenduar nga kualifikimi i përmendur në aktakuzën e Gotovinës por Kroacia ka mënyra më të mira për të zgjidhur problemin. Ne do ta kundërshtojmë në gjyq.”
Drago Hedl është bashkëpunëtor i IWPR.