KROACIA: NË PROGRES E SIPËR

Ristrukturimi gjyqësor në Kroaci po shkon me hapa të ngadalshëm derisa tentimet për të rindërtuar sistemin janë gjymtuar nga kualiteti i dobët i shumë gjykatësve.

KROACIA: NË PROGRES E SIPËR

Ristrukturimi gjyqësor në Kroaci po shkon me hapa të ngadalshëm derisa tentimet për të rindërtuar sistemin janë gjymtuar nga kualiteti i dobët i shumë gjykatësve.

Pas disa viteve të programit të qeverisë për pastrim të gjykatave kroate, sistemi gjyqësor është përmirësuar, por kuadrot e gjykatësve të korruptuar dhe joprofesional vazhdojnë të pengojnë reformat e mirëfillta dhe bllokojnë rrugën drejtë Evropës.

Edhepse më të lirë nga ndikimet politike se në të kaluarën, shumica e gjykatësve në Kroaci mbesin një grup konzervativ dhe dobët i edukuar, të panjohur me etikën dhe praktikat e kolegëve të tyre evropian.

Gjërat komplikohen edhe më tepër nga mungesa e fondeve për reforma dhe mungesa e përkushtimit të disa politikanëve që të merren me gjykatësit problematik.

Nuk është për tu befasuar se besimi i popullatës në sistem është tepër i ulët derisa 80 përqind të kroatëve të pyetur nga OJQ Transparenca Ndërkombëtare deklaruan se gjyqësia ishte institucioni më i korruptuar i qeverisë.

“Qeveria ka humbur kredibilitetin dhe besimin tek njerëzit,” tha Josip Kregar, profesor i juridikut në Universitetin e Zagrebit.

Rastet si ai i gjykatëses Ivana Domic nga gjykata komunale e Supetar, e cila në qershor humbi imunitetin dhe tani ballafaqohet me akuza lidhur me mashtrim pronësor në ishullin e popullarizuar Brac, vetëm kanë ngritur dyshimet e popullatës për pandershmëri të gjykatësve.

Derisa gjykatësit nga gjykatat e rrethit lehtë ndikohen nga personat e fuqishëm, kjo ka shtyer shumë palë që të marrin avokatë të mëdhenjë nga qyteti si Dafinka Vecerina për të ndihmuar në raste të vogla. Ajo thotë se zyra e saj shpesh përfaqëson klientët në gjykata të qyteteve të vogla me shpresë se prezenca e një avokati nga Zagrebi do të nxisë një gjykatës të jetë më i drejtë dhe objektiv në vendimet e tij.

“Njerëzit janë të bindur se këta gjykatës shumë lehtë mund të vendosin në dëm të tyre nën ndikimin e autoriteteve lokale,” tha Vecerina.

Organizatat ndërkombëtare, gjithashtu janë të pakënaqura, duke u ankuar për anim të vazhdueshëm kundër serbëve në gjykatat kroate, derisa OSBE në nëntor të vitit 2004 deklaroj se “origjina kombëtare e palëve dhe viktimës vazhdojnë të kenë ndikim në rastet e krimeve të luftës në vend.”

Besimi në gjyqësi si brenda ashtu edhe jashtë vendit është minuar më tutje nga grumbullimi masiv prej 1.3 milion rastesh në pritje të vendimit, disa prej të cilave janë duke u zhagitur nëpër gjykata për më shumë se 40 vite.

Madje edhe ministresha e drejtësisë, Vesna Skare Ozboldt, përshkroj bllokimin si çështje “tmerruese”. Gjykata Evropiane për Drejta të Njeriut vazhdimisht ka sanksionuar Kroacinë për abuzimin e të drejtës së qyetarëve për gjykim të drejtë, derisa vendi fajëson grumbullimin e numrit të tepërt të rasteve të paraqitura në gjyq që do të mund të zgjidheshin në mënyra tjera.

Edhepse lista e problemeve është e gjatë, vullneti politik për tu ballafaquar me këto probleme është i pranishëm.

Ligje të reja të cilat mbulojnë shkollimin e gjykatësve dhe rishpërndarjen e detyrave të tyre për të zvogëluar barën administrative vetëm janë aprovuar. Projektet e financuara nga buxheti i shtetit dhe nga Banka Botërore, BE-ja dhe të tjerët janë implementuar me theks të veçantë në ristrukturimin e gjykatës të stërngarkuar komunale të Zagrebit. Tjetërkund, janë përmbushur reformat për regjistrim të tokës dhe janë shpenzuar fonde në përmirësimin e ndërtesave të gjykatave, në kompjuterë dhe pajisje të reja.

Por sa i përket ndikimit të këtyre ndryshimeve ne kualitetin e gjyqësisë, analistët nuk janë krejtësisht të kënaqur me rezultatet. Ata pohojnë se shumë përqendrohen në përmirësimin e infrastrukturës dhe teknologjisë, dhe jo në reformimin e vet gjykatësve.

“Ministresha e drejtësisë tha ‘të fokusohemi në gjërat teknike, pasi gjykatat me të vërtetë janë në gjendje të dobët, dhe pastaj do të flasim për gjërat tjera. T’i japim gjykatësve mjetet e pastaj do t’i mësojmë si përdoren ato’,” tha aktivisti për reformim të gjyqësisë Drazen Komarica.

Komarica beson se vendimi që ristrikturimi i gjyqësisë të bëhet së pari përmes projekteve të dukshme fizike mund të jetë përcaktuar nga nevoja për të bindur elektoratin dhe BE-në për arritje të rezultateve.

“Secili ministër ka mandat prej katër vjetësh. Sa mund të arrini gjatë një kohe të tillë? Ndryshimi i gjërave teknike është shumë më i lehtë,” tha ai për Raportin e Krizës të Ballkanit, BCR.

Kristie Evenson, drejtoreshë e Freedom House në Evropë, pajtohet se reformat strukturale janë “politikisht më të sigurta” se një ndryshim i përgjithshëm. “Gjyqësia ishte themeli i strukturës institucionale gjatë viteteve të nëntëdhjeta, kyçe sa i përket krijimit të pushtetit duke lejuar privatizime të dyshimta dhe ndjekje selektive për krime të luftës,” ajo tha.

Derisa gjykatësit e emëruar gjatë kohës së komunizmit kryesisht janë larguar, ndërrimet e tyre kanë mbetur në vend kur qeveria autoritare e viteve të 90-ta humbi nga social demokratët reformues në vitin 2000.

Shumë analistë janë posaçërisht kritik ndaj mungesës së veprimeve serioze nga ajo qeveri dhe qeveria e cila e ndërroj atë në vitin 2003 sa i përket përjashtimeve dhe dënimeve të gjykatësve fajtor për shpërdorim apo ata të cilët janë treguar jokompetent në kryerjen e detyrave të tyre.

Këshilli Gjyqësor i Shtetit, DSV, institucion prej shtatë gjykatësve, dy avokatëve dhe dy profesorëve juridik, ka përgjegjësinë të disiplinoj dhe të emëroj gjykatësit e propozuar nga këshillat gjyqësor të krijuar në gjykata të rëndomta. Anëtarët e DSV zgjedhen nga parlamenti dhe nominimet e kolegëve të tyre në atë profesion.

Gjykatësit mund të largohet për abuzim të pozitës, dështimit në ushtrimin e detyrës apo neglizhencë, pengesën e punës së gjykatave, zbulimin e sekreteve zyrtare ose dëmtimin e reputacionit të gjykatës. Ata gjithashtu mund të përjashtohen për preformancë të dobët në relacion me standarded e caktuara rreth vonesave dhe grumbullimit të rasteve.

Por, sipas BE-së, “vlerësimi i efektshmërisë së gjykatësve nga Këshilli Gjyqësor Shtetëror mbetet kryesisht teorik… deri më tani janë ndërmarrë vetëm disa vendime… në disiplinimin e gjykatësve.”

Udhëheqësi i Asociacionit të Gjykatësve, një organizatë profesioniste e gjykatësve e veçantë prej DSV, doli në mbrojtje të DSV.

“Shembujt tregojnë se ata funksionojnë,” tha Djuro Sessa. “Ndonjëherë janë të ngadalshëm, posaçërisht për popullatën dhe mediat, por gjykatësit gjithashtu kanë të drejtë për një gjykim të drejtë.”

Disa raste, megjithate, kanë ngritur brenga serioze. Skare-Ozbolt në një letër të hapur për DSV shprehu paknaqësinë e saj për vonesat se si ishin shqyrtuar tri ankesa ndaj gjykatësve, të cilat përfshinin mashtrime financiare dhe kanë mbetur të pazgjidhura që nga tetori i vitit 2001.

Njëri nga këta ishte rasti i Brac i cili përfshinte gjykatësen e gjykatës komunale Ivana Domic. Sipas vëzhguesve ndërkombëtar, vetëm pas presionit të madh të mediave presidenti i gjykatës filloj hetimin dhe raportoj Domic, përkundër akuzave të shumta të abuzimit të detyrës nga ana e saj. Ata thanë se DSV veproj tepër ngadal në heqjen e imunitetit të saj në mënyrë që ajo të ballafaqohet me akuza penale të ngritura më parë nga prokurori shtetëror.

Ekzistojnë propozime për të zvogëluar numrin e jo-gjykatësve në panelin e DSV, reduktuar çasjen publike në ndëgjimet disiplinore dhe lejimin e komiteteve tri anëtarëshe për të pregaditur dhe propozuar vendimet, duke lënë vetëm vendimet përfundimtare për institucionin në përgjithësi.

Edhepse gjykatësit pohojnë se këto ndryshime do të përshpejtonin punën e DSV, parlamenti vetëm ka hedhur poshtë ndryshimin e përbërjes së panelit, mirëpo ende mund të aprovoj amandamentet tjera.

Por përkundër këtyre pengesave ka pasur edhe disa përmirësime të dukshme.

Një reformë e cila mund të përmirësoj përgjegjësinë e gjykatësve është Faqja e Gjykatësve – një databazë në internet e cila është e hapur për publikun dhe regjistron të gjitha vendimet gjyqësore dhe kjo mund të ofroj më shumë transparencë për sistemin.

Për momentin, vetëm Gjykata Supreme publikon disa vendime në internet.

“Pas fushatës së vazhdueshme për pesë vite, kjo është aprovuar si pjesë e strategjisë për reforma kombëtare gjyqësore,” tha krijuesi i Faqes së Gjykatësve Drazen Komarica.

Por, Faqja e Gjykatësve është vështirësuar nga fakti se mvaret nga kontributet vullnetare të gjykatësve. Në Kroaci nuk ekzistojnë dokumentime fjalë për fjalë të zhvillimeve në gjykata. Në vend të kësaj, gjykatësit udhëzojnë daktilografin e gjykatës se çka të shkruaj.

“Për hirë të transparencës, është kruciale që njerëzit e thjeshtë të shohin atë çka ata dëshirojnë të shohin, e jo çka gjykatësit dëshirojnë që ata të shohin,” tha Sinisa Rodin, profesor i ligjit publik dhe të BE-së në Universitetin e Zagrebit.

Por Komarica insiston se Faqja e Gjykatësve shënon një përparim të rëndësishëm, pasi materialet mund të publikohen drejtëpërdrejtë, dhe në mënyrë anonime, duke anashkaluar kështu presidentin e gjykatës.

“Shpresojmë se kjo do të nxisë të tjerët,” tha Komarica. “Derisa gjykatësit e drejtë inkuadrohen, të tjerët gjithashtu do të përfshihen, posaçërisht gjykatësit e rinjë.”

Për momentin, kualiteti i gjyqësisë në Kroaci ende shpesh pengohet nga vendimet e dobëta ligjore ku vendimet në raste të ngjajshme dallojnë shumë si rezultat i interpretimit të dobët ligjor nga ana e gjykatësve.

Prandaj, trajnimi i gjykatësve, është çenësore në strategjinë e qeverisë për të krijuar një kuadro më të kualifikuar dhe me këtë qëllim qeveria hapi Akademinë Gjyqësore e cila këtë vit u financua nga fondi EU CARDS për zhvillim të Evropës juglindore.

Akademia përmbëhet nga qendrat rajonale të trajnimit ku “trajnerët e trajnuar” organizojnë punëtori një-ditore, duke shërbyer si ndihmës për kolegët e tyre.

Wolgang Rusch, gjermani i cili udhëheq akademinë, tha për BCR se qendra kishte mbështetjen e plotë të qeverisë, e cila “e ka vendosur atë në krye të prioriteteve të saja.”

Megjithate, akademia vetëm është përballur me kritika, dhe Sinisa Rodin e përshkruan çasjen e saj si një “rreth”, pasi ajo vazhdimisht përdorë të njejtit njerëz, të cilët “përshkruajnë zhvillimet e reja ligjore, por posedojnë pak metoda për tu përcjellur që do t’iu ndihmonte gjykatësve të interpretojnë ato zhvillime.”

Akademia gjithashtu mirret vetëm me përmirësimin e edukimit të gjykatësve ekzistues, dukë lënë mënjanë studentët e juridikut dhe administratës gjyqësore.

Rusch pranoj se urgjentisht nevojitej të punohej në administratë, ku “nuk kemi çka të përmirësojmë, pasi sistemi fare nuk ekziston,” por resurset e kufizuara do të thotë se ata duhet të fillojnë dikund.

Megjithate, Eric Frye, ekspert mbi reformat ligjore të Evropës lindore në Asociacionin American i Avokatëve, mendon se është e natyrshme që gjykatësit të trajnohen së pari pasi ata duhet të implementojnë një numër të madh të ligjeve të aprovuara për të ndihmuar Kroacinë drejtë tranzicionit në BE.

Punëtoritë janë vullentare por Rusch insiston se kjo nuk është problematike, duke pohuar se ata zakonisht kanë më shumë aplikantë se sa mund të pranojnë.

Kur u pyet se si sigurohej akademia që gjykatësit më problematik po merrnin pjesë në trajnim, ai tha se “pasi të gjithë gjykatësit janë nën presion për të zvogëluar numrin e rasteve të grumbulluara, ata janë të gatshëm të vijnë në punëtori dhe të marrin ndihmë praktike se si të bëjnë një gjë të tillë.”

Rusch pranoj se ndryshimi është i vështirë “pas 50 vjetëve pa traditë të debatit dhe diskutimeve të lira në mes të gjykatësve dhe akademikëve,” i cili është parakusht për zhvillimin e ligjeve.

“Ende ekziston një ngurim i fuqishëm nga gjykatësit dhe profesorët për bashkëpunim,” ai tha. “Gjykatësit mendojnë se profesorët janë tepër abstrakt, dhe profesorët mendojnë se gjykatësit janë kokëtrashë.”

Kjo do të thotë shumë më shumë referime të drejtuara tek parlamenti dhe Gjykata Supreme, dhe apele të shumta bazuar në vendime të gabuara.

Çdoherë që një gjykatës është në dyshim, ai thotë, “metoda tradicionale është të kërkojmë… një interpretim nga parlamenti apo të pyesim Gjykatën Supreme” – duke ngadalsuar kështu procesin gjyqësor dhe duke shtuar grumbullin e rasteve.

Rusch propozoj që qeveria të bëj më shumë për të financuar krijimin e revistave të rregullta ligjore, pasi gjykatësit tani nuk kanë çasje në publikime të cilat ofrojnë informata për ndryshime në ligj.

“Është problem serioz fakti që vendimet e gjykatës nuk publikohen automatikisht,” ai tha. “Kjo ka ndikim negativ në mënyrën e interpretimit të gjykatësve. Pasi askush nuk i lexon vendimet e tyre, ata nuk e marrin këtë seriozisht dhe prandaj nuk kanë përvojë në formulimin e vendimeve të mira.”

Gjykatësit ankohen se kërkesat për të përbushur kuotat e rasteve dhe kritikat e përgjithshme ndaj standardeve të dobëta profesionale nuk janë krejtësisht të drejta.

Ata pohojnë se për të përmirësuar kualitetin e punës së tyre, atyre iu nevojitet mbështetje e përditshme nga sistemi gjyqësor krahas kushteve më të mira të punës dhe mirëkuptimit më të plotë, pa të cilat ata kurrë nuk do të përbushin kërkesat.

Mirëpo, ata kanë qenë të ngadalshëm në marrjen e përgjegjësisë për të rregulluar vetëveten. Edhepse Asociacioni i Gjykatësve tani ka një kod të etikës, ai nuk është detyrues dhe anëtarësimi në asociacion është vullnetar.

“Ekziston nevoja të promovojmë vetë-disiplinën dhe transparencën,” tha Kristie Evenson.

Ivan Crnic, kryetari i Gjykatës Supreme, beson se suksesi apo dështimi i projektit të reformimeve është në duart e vet gjykatësve. Ai tha se gjithmonë do të ketë tentime për tu përzier në çështje gjyqësore, por “do të mvaret nga vet gjykatësit… se në çmasë do të lejojnë përzierjen në punët e tyre.”

Anna McTaggart është drejtoreshë rajonale e BIRN.

Drago Hedl, bashkëpunëtor i rregullt i BCR, kontriboj në këtë artikull. BIRN është projekt vendor i IWPR.

Croatia
Frontline Updates
Support local journalists