Kthjellohen Politikanët në Shkup

Politikanët Maqedonas kanë filluar të kuptojnë se kriza nuk mund të zgjidhet me mjete ushtarake.

Kthjellohen Politikanët në Shkup

Politikanët Maqedonas kanë filluar të kuptojnë se kriza nuk mund të zgjidhet me mjete ushtarake.

Mijëra Maqedonas të zemëruar janë mbledhur në Shkup javën e kaluar për të shfaqur zemërimin e zyre ndaj pranimit të qeverisë për të lejuar tërheqjen e luftëtarëve Shqiptarë nga fshati Haraçin, të cilin ata e kontrollonin që prej rreth dy javësh. Rezervistë të armatosur janë bashkuar me protestuesit, të cilët sulmuan ndërtesën e parlamentit, duke qëlluar me armë, për të kërkuar dorëheqjen e Presidentit Boris Trajkovski.


Ka pasur disa sulme dhe përplasje me gazetarë të huaj, por viktima kryesore e protestës ka qenë Mercedesi i blinduar i ministrit të brendëshëm Ljube Boshkovski. E rrethuar nga një turmë e zemëruar, makina është shkatërruar krejtësisht. Disa prej protestuesve hipën mbi çatinë e saj për të mbajtur "fjalime të shkrurtra me fjalë të zgjuara" para turmës.


Një nga këta ishte edhe Mitko Milosevski, një dentist nga Shkupi. "Qeveria na ka tradhëtuar," ka thërritur ai. "Në vend që të zhdukte terroristët, ata i kanë lënë të tërhiqen të hypur në autobusët me ajër të kondicionuar të NATO-s. Ajo që ka ndodhur në Haraçin është një turp kombëtar dhe një provë më tepër për bashkëpunimin e drejtuesve tanë me ekstremistët Shqiptarë. Për këtë arësye kjo qeveri meriton të rrëzohet".


Një ditë më pas, njerëzit filluan të kthjellohen kur kryeministri Ljubcko Georgievski, ka hedhur më shumë dritë mbi arësyet se përse autoritetet kanë lejuar tërheqjen e UCK-së nga Haraçina.


Georgievski tha se qeveria kishte pranuar një propozim të shefit të politikës së jashtëme të Bashkimit Europian, Havier Solana, për një armëpushim për të lejuar tërheqjen e "terroristëve". Më pas ai ka shpjeguar edhe arësyet. Kryeministri ka thënë se ushtarakët fillimisht kanë menduar se fshati mund të merrej nën kontroll brenda 24 orësh. Por pasi kanë hasur një rezistencë të ashpër nga luftëtarët Shqiptarë, shefat e ushtrisë kanë ndyshuar pozicion, duke llogaritur se operacioni do të kërkonte të paktën dhjetë ditë dhe mund të kishte humbje të mëdha. Kjo duket se e ka shkundur Maqedoninë. Politikanët kanë filluar të kuptojnë se nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë krizë dhe se ka ardhur momenti që ti rikthehen dialogut.


Në fjalimin e tij drejtuar popullit, presidenti Boris Trajkovski ka thënë: "Qytetarë, mandati që më keni besuar nuk është që të bëjë luftëra dhe për këtë arësye unë do të bëj çfarë është e mundur për të rivendosur paqen dhe qetësinë në shtëpitë tona".


Një realitet i ngjashëm po kuptohet edhe nga Shqiptarët. Zyrtarët e dy partive kryesore etnike Shqiptare që marrin pjesë në qeverinë e unitetit kombëtar të vendit, Partia për Prosperitet Demokratik, PDP, dhe Partia Demokratike e Shqiptarëve, PDSH, kanë bërë thirrje për dialog politik me qëllim që ti jepet fund kryengritjes.


Ish sekretari i PDP-së, Mithat Emini ka thënë për të përjavëshmen Aktuel se "në këtë konflikt as UCK dhe as ushtria Maqedonase nuk mund të fitojnë". Ndërsa drejtuesi i rëndësishëm i PDSH, Arben Xhaferri, ka disa kohë që ka folur kundër logjikës së luftës dhe përfitimeve që do të kishin bisedimet për arritjen e paqes.


Qytetarët e thjeshtë Maqedonas ndodhen ndërmjet këtyre dy kampeve. Mbi 100,000 njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, dhe shumë prej tyre të cilët nuk kanë lëvizur kanë frikë se do të detyrohen nga luftimet.


Këtej rrjedh edhe dëshira e partive Maqedonase për të arritur një marrëveshje. Disa inisiativa diplomatike po zhvillohen me shpejtësi.


Një prej tyre drejtohet nga juristi kushtetues Francez, Robert Badinter - njeriu i cili në vitin 1991, ka përcaktuar kushtet që duhet të plotësonin ish republikat Jugosllave për tu njohur nga BE. Një inisiativë tjetër drejtohet nga përfaqësuesi i sapoemëruar i BE-së në Maqedoni, ish ministri Francez i mbrojtjes, Fransua Leotar.


Por inisiativa që ka më shumë mundësi të arrijë një rezultat po ndiqet nga i dërguari Amerikan Xheims Perdju, i cili pritet të ushtrojë presion ndaj të dyja palëve për të pasur një dialog më të frytshëm. Mendohet se ai është kundër përfshirjes së UCK-së në këto bisedime.


Në ditët e ardhëshme pritet të ketë bisedime të reja në Shkup. Dhe një nga të panjohurat më të mëdha është nëse luftëtarët Shqiptarë do të lejohen të marrin pjesë. Nëse luftëtarët hedhin poshtë një plan paqeje, atëherë komuniteti ndërkombëtar do të bëjë ata me faj.


Uashingtoni tashmë ka bllokuar përpjekjet e UCK-së për të marrë fonde dhe ka ndaluar drejtuesit e saj të udhëtojnë në SHBA. Përfshirja ndërkombëtare dhe një strategji Perëndimore - duke menduar se ekziston një e tillë - do të jetë çelësi i dhënies fund të konfliktit që po zgjat prej pesë muajsh.


Perëndimi i detyrohet këtij vendi Ballkanik. Në fund të fundit, ekziston një e vërtetë në vlerësimin e qeverisë se konflikti është produkt i pamundësisë së komunitetit ndërkombëtar për të parandaluar përhapjen e konfliktit të Kosovës edhe në Maqedoni.


NATO ka thënë se ajo është e gatëshme të dërgojë 3,000 trupa për të ndihmuar në çarmatimin e rebelëve në rast të një marrëveshje paqeje. Duke bërë këtë, aleanca do të ndihmojë në konsolidimin e paqes dhe do të prandalojë një luftë civile të frikëshme. Por dislokimi i trupave të aleancës rrezikon gjithashtu të sanksionojë edhe ndarjen etnike.


Vladimir Jovanovski punon për revistën Magazin të Shkupit.


Macedonia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists