Lihen Pasdore Problemet e Kosovës
Politikanët vendas nuk kanë mundur të adresojnë çështjet kryesore lokale gjatë fushatës elektorale.
Lihen Pasdore Problemet e Kosovës
Politikanët vendas nuk kanë mundur të adresojnë çështjet kryesore lokale gjatë fushatës elektorale.
Kosovarët do të votojnë në zgjedhjet lokale të kësaj fundjave me një ndjenjë frike, përgjegjësie dhe pak rezerva.
Cilësimi i këtyre zgjedhjeve nga komuniteti ndërkombëtar si një "test demokratik" për provincën, i cili do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në të ardhmen e saj, ka patur efektin e dëshirueshëm duke krijuar një atmosferë kryesisht tolerante.
Por ndërsa ata nuk kanë ngritur temperaturën politike, drejtuesit vendas kanë bërë shumë pak për të rritur besimin tek votuesit dhe për këtë arsye mund të arrijnë rezultate më të ulta se sa presin në këto zgjedhje.
Ndërsa konfliktet ndërpartiake janë qetësuar për momentin, ato mund të dalin në dritë lehtësisht në periudhën pas zgjedhjeve.
Administrata ndërkombëtare është përpjekur të parandalojë dhunën paszgjedhore me një vizitë të diplomatit të lartë amerikan Riçard Holbruk, i cili ka bindur pesë partitë më të mëdha politike që të nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët, ku bien dakort të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve.
Por një fitore e pastër e Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, do të shtonte pa dyshim tensionin e brendshëm politik në Kosovë.
Një qeveri koalicioni e koordinuar nga administrata ndërkombëtare - në vend të një fitoreje absolute të një partie, do të ishte për pjesën më të madhe të kosovarëve rezultati më pozitiv i këtyre zgjedhjeve.
Çfarë hapash konkret presin kosovarët nga këto zgjedhje?
Është fakt që qytetarët këtu përballen me probleme të mëdha, të cilat nuk janë zgjidhur në mënyrë të kënaqshme nga drejtimi 16-muajsh i misionit të Kombeve të Bashkuara dhe shefit të tij Bernar Kushner.
Gjatë kësaj periudhe dhe dhjetëvjeçarit të mëparshëm, Kosova ka patur një rënie të ndjeshme të ekonomisë së saj, përkeqësim të infrastrukturës dhe shërbimeve të komunitetit. Njerëzit kanë shpresa të mëdha se shumë shpejt kjo periudhë kaosi do të përfundojë.
Natyrisht komuniteti ndërkombëtar nuk mund t'i kapërcejë të gjitha këto probleme pa një bashkëpunim të ngushtë me popullsinë. Pjesa më e madhe e popullsisë është e vetëdijshme se po voton pikërisht për këtë lloj ndryshimi.
Por partitë politike, apo më mirë pjesa më e madhe e tyre, nuk janë marrë me këto çështje pragmatike, nuk kanë patur programe konkrete dhe kanë përdorur fraza evazive politike e premtime për pavarësi duke shmangur kuptimin e drejtë të elektoratit për këto zgjedhje.
Është e qartë që statusi i ardhshëm i Kosovës nuk varet nga këto zgjedhje lokale. Por kjo fushatë në përgjithësi është trajtuar sikur në fakt ka të bëjë me pavarësinë.
Ndërkohë të huajt, UNMIK-u, apo edhe OSBE-ja, kanë bërë llogaritë e tyre. Nëse zgjedhjet dhe periudha pas tyre kalojnë në mënyrë paqësore, ata mund të deklarojnë se misioni i tyre këtu është i suksesshëm.
Në këto rrethana, Kushner do të fillojë gradualisht procesin e bashkë-qeverisjes me politikanët vendas. Deri më tani mungesa e kësaj bashkë-qeverisjeje ka qenë një ndër pikat më të dobëta të pushtetit të tij.
Kjo është arsyeja përse këto zgjedhje nuk janë thjesht një test për demokracinë, por edhe një test nëse kosovarët mund të drejtojnë vetë punët e tyre.
Mehmet Kraja është redaktor i gazetës Koha Ditore në Kosovë.