Linja Telefonike e Millosheviqit

Zbulimi i një linje telefonike ndërmjet Zagrebit dhe Beogradit ka ngritur pyetje shqetësuese mbi marrëdhëniet ndërmjet dy drejtuesve ballkanikë.

Linja Telefonike e Millosheviqit

Zbulimi i një linje telefonike ndërmjet Zagrebit dhe Beogradit ka ngritur pyetje shqetësuese mbi marrëdhëniet ndërmjet dy drejtuesve ballkanikë.

Tuesday, 21 March, 2000

Thuhet se presidenti jugosllav Slobodan Millosheviq dhe kolegu i tij kroat, Franjo Tugjman, kanë pasur bisedime telefonike sekrete me anë të një linje speciale - edhe gjatë periudhës kur të dy vendet ishin në luftë me njëri tjetrin.


Presidenti i Kroacisë i zgjedhur rishtaz, Stipe Mesiq, ka ftuar gazetarët në zyrën e tij javën e kaluar për tu treguar atyre "telefonin e zi" i cili thuhet se ka shërbyer paraardhësit të tij për të bërë pazare me Millosheviqin për kontrollin e territoreve të ish Jugosllavisë.


Mesiq ka shpjeguar se pasi është transferuar në suitën presidenciale, ai ka vënë re se disa nga telefonat që ndodheshin mbi tavolinë nuk binin asnjë herë. Një hetim i kryer më pas nga shërbimet sekrete kroate ka treguar se një linjë ishte e lidhur direkt me zyrën e Millosheviqit në Dedinje, në Beograd.


Megjithatë, ka shtuar Mesiq, telefoni ka qenë i shkëputur që prej vdekjes së Tugjmanit në dhjetor të vitit të kaluar, kur karta e shërbimit ishte zhdukur në mënyrë misterioze.


Presidenti u ka treguar gazetarëve edhe një numër mikrofonësh të fshehur nëpër zyrë, të cilat sipas tij kanë shërbyer për të regjistruar bisedat ndërmjet Tugjmanit, bashkëpunëtorëve të tij dhe vizitorëve të ndryshëm. Ka filluar tashmë një kërkim nëpër arkivat e shërbimeve sekrete për të zbuluar bisedat e zbardhura ndërmjet Tugjmanit dhe Millosheviqit.


Këto transkriptime të bisedave telefonike mund të konfirmonin dyshimet që ekzistojnë se dy presidentët kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm gjatë viteve të luftës dhe kanë rënë dakort edhe për një sërë çështjesh të rëndësishme.


Si media ashtu edhe politikanët e opozitës në Kroaci kanë spekuluar se dy fushatat ushtarake me emrat e koduar Blic dhe Rrufeja - me anë të të cilave Kroacia ka marrë nën kontroll një pjesë të madhe të territoreve të saj të pushtuara nga Serbët - në fakt janë vendosur nga Millosheviqi.


Mbështetësit e kësaj teorie thonë se Millosheviqi ka pranuar të sakrifikojë enklavat e kontrolluara nga serbët me qëllim që të shkaktonte një valë të re refugjatësh serbë. Ai planifikonte që t'i dërgonte refugjatët në Kosovë dhe të rriste proporcionin e popullsisë jo-shqiptare në provincën ku ai kishte probleme gjithnjë e më të mëdha për ta kontrolluar.


Pas fitores së tij në zgjedhjet e 1990, Tugjman është takuar me Millosheviqin 47 herë dhe mendohet se të dy presidentët kanë pasur një respekt reciprok për njeri tjetrin edhe gjatë ditëve më të errëta të konfliktit Ballkanik.


Ata kanë komunikuar rregullisht, sidomos për ndarjen e Bosnjes, të cilën të dy udhëheqësit mendonin se duhet ta ndanin ndërmjet tyre.


Në vitin 1995, gjatë një takimi famëkeq me udhëheqësin e Liberal Demokratëve Britanik Ped Eshdaun në 50-vjetorin e fitores së Aleatëve në Luftën e Dytë Botërore, Tugjman ka përgatitur planet e tij për ndarjen e propozuar mbi një picetë në tavoline. Eshdaun më pas ka folur për këtë incident përpara Gjykatës Ndërkombëtare për krime Lufte të Hagës.


Gjatë inaugurimit të Mesiqit në shkurt të këtij viti, Nenad Canak, drejtues i Lidhjes Social Demokrate të Vojvodinës, ka thënë se presidenti i ri kishte premtuar të publikonte dosjet e bisedimeve sekrete ndërmjet Tugjmanit dhe Millosheviqit për ndarjen e Bosnjes.


Në atë kohë, ka thënë Canak, Mesiq kishte përmendur se bisedimet sekrete ndërmjet serbëve dhe kroatëve kishin filluar që në vitin 1991, kur ushtria e Millosheviqit kishte nisur sulmet më të ashpra mbi qytetin kroat të Vukovarit. Mesiq kishte premtuar se do të publikonte edhe ndarjen ekzakte gjeografike të propozuar.


Ndërkohë bashkëpunëtorë të ngushtë të Tugjmanit, shefi i zyrës Hrvoje Sariniq dhe zëvendësja e tij Vesna Skare Ozbolt kanë hedhur poshtë ekzistencën e linjës telefonike. Ata kanë shpjeguar se ajo ka qenë një linjë e sigurtë, me anë të së cilës Tugjman komunikonte me rrethin e tij të ngushtë pa pasur frikë se përgjohej.


Ministri serb i Informacionit, Aleksandar Vuçiq, ka hedhur poshtë gjithashtu deklarimet e Zagrebit. Ai ka komentuar se media kroate ishte pro-amerikane dhe se ai nuk habitej që i kishte kushtuar vëmendje këtyre informacioneve.


Komiteti i sigurimit kombëtar në parlamentin kroat do të mblidhet për të diskutuar rreth ekzistencës së linjës direkte ndërmjet Zagrebit dhe Beogradit më 20 mars dhe ka dhënë udhëzime për fillimin e një hetimi të plotë rreth këtyre zërave.


Drago Hedl është korrespondent i Feral Tribune me qendër në Split dhe bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Frontline Updates
Support local journalists