Liria e Ëmbël dhe e Hidhur
Lirimi im nga burgu ishte i mrekullueshëm, por unë mbetem i shqetësuar nga roli im në mosmarrëveshjen ndërmjet regjimit të vjetër dhe shtypit të pavarur.
Liria e Ëmbël dhe e Hidhur
Lirimi im nga burgu ishte i mrekullueshëm, por unë mbetem i shqetësuar nga roli im në mosmarrëveshjen ndërmjet regjimit të vjetër dhe shtypit të pavarur.
Unë duhet të isha i lumtur tani që papritmas jam i lirë pas pesë muaj qëndrim në burgun ushtarak të Nishit. Por pavarësisht nga liria ime, më mbetet një shije e hidhur.
Unë jam vetëm një gazetar nga Kraljeva, në Serbinë jugore. Nën regjimin e Millosheviqit u dënova këtë verë me shtatë vjetë burgim për "spiunazh dhe përhapje informacionesh të rreme".
Akuza ishte pasojë e një sërë artikujsh që unë shkruajta për krimet e kryera nga persona të veçantë në rradhët e forcave jugosllave në Kosovë dhe çështje të tjera të rëndësishme, të cilat janë botuar në internet nga Instituti për Raportimin e Luftës dhe Paqes (IWPR).
Dënimi ishte një peshë e rëndë, e vështirësuar edhe më tepër nga problemet shëndetësore dhe shqetësimi i natyrshëm për familjen time.
Kur Sllobodan Millosheviqi ra, unë po ndiqja zhvillimet në radio, së bashku me shumë të burgosur të tjerë, të cilët ishin shqiptarë. Ata e dinin arsyen e dënimit tim dhe në kemi shkuar mjaft mirë. Shumë shpejt filluan zërat se unë do të falesha nga presidenti Vojisllav Koshtunica. Gazetarët e radios e përmendnin shpesh këtë mundësi.
Unë nuk dija se si të ndjehesha. Natyrisht dëshiroja lirinë time me çdo kusht. Por preferoja që akuza të hidhej poshtë nga gjykatat, në vend që të falesha me një akt mëshire, i cili do të më linte përgjithnjë dyshimin se isha fajtor.
Më pas, të martën, më 10 tetor, pikërisht në orën e mesditës, si në një përrallë të bukur, dëgjova një lajm në Radio Indeks se Gjykata e Lartë Ushtarake kishte pranuar apelin e avokatit tim dhe kishte anulluar vendimin e parë për shkak të "parregullsive proceduriale" në hetime. Kjo do të thoshte se një rigjykim ishte i mundur, por edhe se unë do të lirohesha po atë ditë.
Unë jam përsëri një njeri i lirë, në gjendje për të përmirësuar shëndetin, dhe për t'ju bashkuar gëzimit të Serbisë së re dhe, mbi të gjitha, për të parë familjen time përsëri.
Mbështetja që kam marrë nga familja, miqtë dhe kolegët, në Serbi dhe në gjithë botën ka qenë e madhe. Media, diplomatë, grupe të lirisë së shtypit dhe të drejtave të njeriut u mobilizuan në emrin tim në të gjithë botën dhe në qelinë time të burgut kjo do të thoshte shumë për mua. Do të jem gjithnjë mirënjohës.
Menjëherë pas lirimit tim u bëra subjekt i një interesi të madh të kolegëve të mi në të gjithë botën. Kam dhënë intervista të panumërta për median lokale dhe atë ndërkombëtare.
Pothuajse të gjithë më thonë se jam shndërruar në një hero dhe simbol të luftës për lirinë e fjalës në Serbi. Jam vlerësuar si një njeri i guximshëm dhe gazetar rasti i të cilit kishte kontribuar në mobilizimin e elektoratit serb. Është thënë edhe se unë kisha shërbyer si një nxitje që opozita demokratike të fitonte disa pikë më shumë në përqindjet në zgjedhje duke sjellë kështu edhe ndryshimin e rregjimit.
Por unë nuk ndjehem aspak si hero. Dhe as e konsideroj veten si një njeri veçanërisht të guximshëm. Për ta thënë më thjesht, unë vetëm kam bërë detyrën time dhe kam shpërndarë informacionin që kam marrë duke e ndarë atë me lexuesit. Natyrisht i jam afruar shumë atij kufiri të padukshëm të vendosur për gazetarët nga regjimi i mëparshëm.
Reagimi i regjimit pas arrestimit tim më 8 maj të këtij viti ka qenë aq i ashpër saqë asnjë media në Serbi nuk ka botuar artikujt e mi dhe as ka përmendur ndonjë gjë për përmbajtjen e tyre. Autoritetet më përdorën mua si një shembull e paralajmërim dhe kjo pati sukses.
Gjatë netëve që kam kaluar pa gjumë në qelinë e burgut kam pyetur veten shumë herë nëse kisha bërë me të vërtetë ndonjë gabim duke rrezikuar pa qenë nevoja veten dhe familjen time.
A duhet të kisha pritur "për një kohë më të mirë" për të folur për "çështjet e nxehta" të realitetit jugosllav? A duhet të kisha qenë me të vërtetë, siç më kishte përshkruar me humor një kolegu im, "gjeli që kakariti shumë herët"? Shumë herë kam qortuar veten dhe jam penduar që nuk kam qenë më i kujdesshëm.
Por si mund të kisha qenë një hipokrit? Artikujt që kam shkruajtur kanë qenë të bazuara vetëm në infromacione të njohura nga shumë njerëz në qytetin tim të Kraljevës. Si një gazetar profesionalist, unë jam ndjerë i detyruar të bëja detyrën time.
Dhe unë u qëndroj ende atyre që kam shkruajtur, pavarësisht se sa të parehatshme kanë qenë ato për popullin serb. Prioriteti im i parë është të shfajësoj veten dhe shkrimet e mia, të provojë përtej çdo dyshimi se unë nuk kam shkruajtur asgjë përveç së vërtetës.
Por atyre kolegë që pyesin nëse unë do të vazhdoj të shkruajë rreth këtyre çështjeve që më futën në burg, unë u them: Kjo nuk është vetëm detyra ime.
Kjo nuk është për arsye se mua më mungon kurajoja, por sepse unë nuk mendoj se duhet të mbetem i vetmi në Serbinë e re demokratike që guxon të shkruajë për krimet, krimet e luftës dhe tema të tjera të nxehta. Unë përsëri do të vazhdoj të zë vendin tim në profesion, por do ta bëj këtë si çdo gazetar tjetër: shkrim pas shkrimi dhe jo si një luftëtar i vetëshpallur i lirisë, por si një gazetar duke paraqitur fakte e raste dhe duke bërë maksimumin tim e të ndërgjegjes time.
Unë besoj se veprimet e qytetarëve serbë në luftërat për territoret e ish-Jugosllavisë, përfshirë Kosovën, një ditë do të çojnë në gjyqe publike, brenda në Serbi, apo edhe në Gjykatën e Hagës. E gjithë idea e artikujve të mi, në fakt, është se krimet nuk janë kryer nga kombi serb apo ushtria jugosllave në tërësi, por nga individë nëpërmjet veprimeve individuale.
Më së fundi, unë shpresoj se kjo do të përfshijë edhe një proces rajonal të së vërtetës dhe pajtimit, nëpërmjet të cilit njerëzit nga të gjitha territoret e ish-Jugosllavisë do të reflektojnë mbi luftërat e dhjetëvjeçarit të fundit dhe të kenë guximin e nevojshëm për të pranuar gabimet e tyre, keqkuptimet dhe veprimet e jashtëligjshme.
Deri atëherë, kur të përmendet "rasti" im njerëzit nuk do të theksojnë atë që kam shkruajtur. Përkundrazi, burgimi im do të shihet vetëm si një pjesë e luftës për lirinë e të shprehurit nën regjimin e vjetër - dhe lirimi im si provë e suksesit të regjimit të ri.
Ne do të festojmë fitoren tonë të freskët edhe për shumë kohë. Por, duke bërë këtë, ne mund të vazhdojmë të qëndrojmë të heshtur për ato gjëra që duhet të diskutojmë. Dhe me këtë qetësi ne mund të tregojmë se regjimi i rrëzuar nuk ka qenë i vetmi problem i qytetarëve të Serbisë dhe Jugosllavisë.
Miroslav Filipoviq është gazetar nga Kraljeva dhe bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së. Artikujt e tij të botuara nga IWPR dhe informacione të tjera rreth rastit të tij mund t'i gjeni në internet në direktorinë Filipoviq.