MALI I ZI: I PAAFTË PËR TË GJYKUAR?
Pavarësia e sistemit gjyqësor është vënë përsëri në pikpyetje, pasi një gjykatës ka ndaluar të gjitha provat e mbrojtjes në një padi të ngritur nga kryeministri.
MALI I ZI: I PAAFTË PËR TË GJYKUAR?
Pavarësia e sistemit gjyqësor është vënë përsëri në pikpyetje, pasi një gjykatës ka ndaluar të gjitha provat e mbrojtjes në një padi të ngritur nga kryeministri.
Shqyrtimi i një padije për fyerje të ngritur nga kryeministri Milo Gjukanoviq ndaj një politikani të njohur të opozitës ka nxitur përsëri një debat të ashpër në Malin e Zi mbi pavarësinë e sistemit të drejtësisë.
Gjykatësja Branka Boskoviq ka dënuar me gjobë prej 8,000 euro drejtuesin e opozitës Miodrag Zivkoviq më 5 korrik pas një gjyqi në të cilin ajo nuk ka pranuar paraqitjen e asnjë dokumenti apo dëshmitari nga ana e mbrojtjes.
Gjukanoviq ka paraqitur padinë në tetor 2003, pasi Zivkoviq u ka thënë gazetarëve se kryeministri ka abuzuar me “SC”, vajzën moldave e cila ka qenë në qendër të një skandali trafiku seksual i cili ka tronditur klasën politike të Malit të Zi.
Gjykatësja nuk ka pranuar kërkesën e mbrojtjes për të thirrur si dëshmitar kryeministrin, apo të lejojë Zivkoviq të mbrohej vetë në gjykatë.
Presidenti i Shoqatës së Avokatëve të Malit të Zi, Stanko Mariq, ka pranuar se gjykatësit kanë autoritetin të pranojnë apo kundërshtojnë dëshmitarë apo dokumenta, por ai ka shtuar se “Detyra kryesore e gjykatësit është të përcaktojë faktet dhe unë nuk mund të shoh se si mund të realizohet kjo pa parë provat”.
Avokati Marko Dakiq, një ish kryetar i gjykatës së lartë, ka thënë se vendimi mund të jetë i paligjshëm.
“Në rast fyerjesh, i takon të akuzuarit të provojë pafajësinë e tij. Për të bërë këtë, ai duhet të tregojë se ka pasur arësye të mirë të besojë që akuzat e bëra kanë qenë të vërteta. Nëse gjykatësi nuk ka pranuar prova të mbrojtjes, atëherë ajo nuk ka zbatuar një të drejtë bazë të të pandehurit, që do të thotë se dënimi i dhënë ka qenë i paligjshëm,” ka thënë ai.
Gjykatësja Boshkoviq ka konfirmuar se ka hedhur poshtë 19 kërkesa të mbrojtjes, duke thënë se numri i dokumentave dhe dëshmitarëve nuk do të kishte ndihmuar në marrjen e një vendimi dhe do të kishte qenë e “pamundur” të paraqiteshin ato në gjykatë.
Përvec Gjukanoviq, mbrojtja kishte kërkuar të merrte në pyetje edhe drejtuesen e shtëpisë ku është strehuar SC pasi u ka shpëtuar trafikantëve, dhe zyrtarin i cili kishte kryer hetimin fillestar mbi akuzat e ngritura nga SC.
Gjykatësja nuk ka lejuar gjithashtu edhe dëshminë e ish ministrit të policisë, i cili është zëvendësuar pasi zëvendës prokurori i përgjithëshëm Zoran Piperoviq është arrestuar për përfshirjen e tij në këtë skandal. Piperoviq është liruar më pas, pasi prokurori i përgjithëshëm ka vendosur se nuk kishte prova të mjaftueshme për të cuar cështjen në gjyq.
Ajo gjithashtu nuk ka pranuar si prova një raport të OSBE për trafikun e qenieve njerëzore dhe një raport të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në Malin e Zi. Mbrojtja ka kërkuar të shohë të gjitha hetimet e kryera mbi trafikun e qenieve njerëzore në vend, por edhe kjo kërkesë është hedhur poshtë.
Gjykatësja Boshkoviq ka arritur në vendimin e saj mbi bazën e tre deklarimeve të bëra nga dëshmitarët gjatë hetimit. Dëshmitë, të cilat janë lexuar në sallën e gjyqit, janë dhënë nga vetë Gjukanoviq, nga SC dhe Sladjana Vorotiq, e cila thuhet se ka qenë prezent në orgjitë në të cilat është detyruar të marrë pjesë SC.
SC në dëshminë e saj e ka identifikuar Gjukanoviq si pjesëmarrës në orgjitë, një akuzë e hedhur poshtë nga kryeministri. I pyetur nga mbrojtja nëse vendimi i saj tregonte se SC gënjen dhe Gjukanoviq ka thënë të vërtetën, gjykatësja ka konfirmuar se ky ishte vlerësimi i pavarur i gjykatës.
Ajo ka mohuar të jetë gjendur nën presion për të favorizuar kryeministrin, duke insistuar se ajo e konsideron këtë rast si një mosmarrëveshje ndërmjet dy qytetarëve të barabartë, Gjukanoviq dhe Zivkoviq.
“Unë nuk kam pasur presione. Cdo gjykatës e di se si të drejtojë cështjen. Kur ka ndonjë problem, ai është problem i sistemit gjyqësor, dhe jo i autoriteteve,” ka thënë ajo.
Por avokatja Lidija Bozoviq ka theksuar se partia në pushtet emëron gjykatësit sipas bindjeve politike dhe njohjeve personale, duke krijuar një konflikt të dukshëm interesash në raste si ky i fundit.
“Gjykatësit dhe prokurorët nuk respektojnë profesionin e tyre prej kohësh dhe tani e shohin rolin e tyre si për të mbrojtur autoritetet dhe njerëzit e tyre të afërt. Ata nuk e kuptojnë se detyra e tyre kryesore është zbatimi i ligjit, dhe jo mbrojtja e individëve,” ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar se 100 prova të mbrojtjes nuk janë pranuar në një padi për fyerje të ngritur nga kryeministri ndaj gazetës së përditëshme Dan, e cila ka ribotuar artikuj nga gazeta e përjavëshme Nacional e Zagrebit mbi kontrabandën e cigareve nëpërmjet Malit të Zi.
“Në Kroaci, padija e Gjukanoviq ndaj Nacional nuk është pranuar – ndërsa këty, Vladislav Asanin, redaktori i Dan, është burgosur,” ka thënë ajo.
Ndërsa Stanko Mariq i shoqatës së avokatëve nuk mendon se i gjithë sistemi i drejtësisë në Malin e Zi është “vendosur nën kontrollin” e autoriteteve, ai ka theksuar se “disa gjyqe gjatë viteve të fundit kanë treguar se disa gjykatës nuk janë krejtësisht objektiv”. Duke pasur parasysh këtë, ai mendon se ndoshta autoritetet ushtrojnë influencën e tyre për të vendosur se cilët gjykatës vendosen për të gjykuar rastet e rëndësishme.
Ish kryetari i gjykatës së lartë Marko Dakiq ka shtuar se 350 deri 400 euro, paga e anëtarëve të gjykatës së lartë, mjafton vetëm për të mbuluar shpenzimet më të domosdoshme të jetesës, dhe kjo mund të jetë një prej arësyeve të tjera për kompromentimin e pavarësisë së tyre.
Në komentin e tij të parë pas dënimit të tij, Zivkoviq ka thënë se “Kjo tregon edhe një herë se drejtësia ka arritur nivelin më të ulët. Shkeljet tani kanë arritur në një nivel ku ne mund të flasim për ‘gjykata private’ dhe gjykatës në shërbim të një grusht njerëzish në Malin e Zi”.
Në përfundimin e cështjes, gjykatësja Boskoviq ka ngulur këmbë se Zivkoviq kishte thënë “gënjeshtra të cilat mund të dëmtojnë nderin dhe reputacionin” e Gjukanoviq dhe “mund të kenë pasoja të rënda” për kryeministrin. Ajo ka thënë se gjoba e vendosur, një shumë e barabartë me dy vjet rrogë për një gjykatës, ka qenë sanksioni më i lehtë i parashikuar nga ligji malazez.
Nedjeljko Rudoviq është një gazetar i së përditëshmes Vjesti në Podgoricë.