MAQEDONASIT E PAPUNË RREZIKOJNË SHUMË NË BAGDAD

Varfëria ka bërë që shumë të rinj të rrezikojnë duke pranuar vende pune të paguara mirë në Bagdad.

MAQEDONASIT E PAPUNË RREZIKOJNË SHUMË NË BAGDAD

Varfëria ka bërë që shumë të rinj të rrezikojnë duke pranuar vende pune të paguara mirë në Bagdad.

Rrëmbimi i tre puëntorëve të ndërtimit maqedonas pranë Bagdadid nuk po frikëson disa qindra bashkëqytetarë të tyre të varfër që të pranojnë vende të tilla pune në Irak.


Autoritetet maqedonase po përpiqen këto ditë të zbulojnë vendndodhjen e tre personave – të gjithë nga qyteti veri lindor i Kumanovës – të cilët janë zhdukur më 23 gusht. Njoftime të pakonfirmuara thonë se ata janë rrëmbyer nga një bandë kriminale, e cila tani kërkon 300,000 dollarë amerikan për lirimin e tyre.


Ndërsa ky lajm ka tronditur publikun maqedonas, ai nuk ka trembur shumë të rinj të papunë të cilët kërkojnë vende pune të paguara mirë në Irak.


Banori i Kumanovës, Saso, i cili ka dy fëmijë të vegjël, ka thënë për IWPR se ai nuk sheh “asnjë alternativë” përveç se të pranojë një kontratë gjashtë mujore me të njëjtën firmë ndërtimi tek e cila ishin punësuar tre maqedonasit tani të zhdukur.


Lajmi i rrëmbimit të mundëshëm të tyre nuk ka ndryshuar mendimin e tij. “Unë duhet të rrezikoj – dhe të marr këtë vend pune – ose fëmijët e mi do të vdesin urie,” thotë ai.


Mbi 300 vetë kanë aplikuar për 38 vende pune me një kompani nga Emiratet e Bashkuara Arabe, e cila ofron punësim në ndërtim me një rrogë mujore prej 1,500 dollarë amerikan – pothuajse dhjetë herë më e lartë se rroga në Maqedoni.


Maqedonia është një prej vendeve më të varfëra në evropë, me një papunësi prej pothuajse 40 përqind të popullsisë së aftë për punë. Rreth 25,000 banorë të Kumanovës, një qytet me 85,000 banorë, janë të regjistruar si të papunë, pjesa më e madhe e tyre nën moshën 35 vjeçare.


Burime të qeverisë mendojnë se banorët e Kumanovës përbëjnë pjesën më të madhe të rreth 500 punëtorëve maqedonas të cilët janë punësuar deri më tani në Irak. Një kompani amerikane me zyra në qytet mendohet se ka siguruar punësimin e pjesës më të madhe të tyre.


Kryetari i bashkisë së Kumanovës, Slobodan Kovacevski, ka shprehur shqetësimin e tij për këtë zhvillim, por ka thënë për IWPR se ai i kupton arësyet që çojnë njerëzit në marrjen e një vendimi të tillë. “Ata mund të kthehen pas gjashtë muajsh me disa para të kursyera nga rrogat e lartë, dhe edhe nëse nuk mund të punojnë për një farë kohë, të paktën kanë ca kursime me të cilat mund të jetojnë,” thotë ai.


“Ne do të donim që këtë njerëz të mos rrezikonin në këtë mënyrë, por mesa duket ata nuk kanë rrugë tjetër”.


Këto rreziqe janë shfaqur javën e kaluar në mënyrën më të dukëshme. Lajmet për zhdukjen e Dragan Markoviq, Zoran Naskovski dhe Dalibor Lazarevski janë mbajtur sekret për rreth një javë pas zhdukjes së tyre, dhe mamaja e këtij të fundit ka thënë se familja e ka marrë lajmin nga mediat.


Një përfaqësues i kompanisë nga Dubai e cila ka punësuar tre maqedonasit ka vizituar javën e kaluar Kumanovën ku është takuar me familjet. Në të njëjtën kohë, qeveria maqedonase ka dërguar një përfaqësues special në Bagdad për të mësuar më tepër për rrëmbimin e nënshtetasve maqedonas.


Informacioni i pakët i cili është siguruar nuk tregon se punëtorët janë rrëmbyer për të detyruar Shkupin të tërheqë personelin e tij nga Iraku. Maqedonia ka kontribuar rreth 30 ushtarë në koalicionin e drejtuar nga SHBA në Irak.


“Ne ende nuk kemi konfirmim zyrtar për rrëmbimin e tyre dhe për rrjedhim këta tre persona konsiderohen si të ‘humbur’,” ka thënë zëdhënësi i ministrisë së jashtëme të Maqedonisë Dushko Uznov.


Banori i Kumanovës Mirce Dodevski ka punuar së bashku me tre burrat e zhdukur, dhe ka qenë një prej 12 punëtorëve të cilët kanë vendosur të kthehen në vend pas zhdukjes së tyre. Megjithatë, ai po mendon seriozisht të rikthehet atje.


“Në Maqedoni, mua do të më duheshin dhjetë vjet të fitoj ato para që mund ti bëj në Bagadad brenda vetëm gjashtë muajsh,” shpjegon ai.


Por një tjetër ish punëtor Nikica Tomiq ka thënë për IWPR se ai tani mendon se kostoja njerëzore është shumë e madhe, duke shtuar se “Nuk do të kthehesha kurrë për asnjë shumë parash në Irak. Do të punoja me dëshirë në ndonjë vend tjetër, por jo në Irak”.


Mamaja e Lazarevskit ka thënë me lot në sy se “Ne e dinim që në fillim se sa e rrezikëshme është gjendja në Irak, sepse kemi ndjekur lajmet dhe kemi para se çfarë ndodh, por ai vendosi të shkojë pavarësisht këtyre rreziqeve”.


Dhe megjithë rreziqet e mëdha, shumë të papunë në Kumanovë e shohin Irakun si mundësinë e vetme për të përmirësuar jetën e tyre.


Saso nuk ka dëshirë të diskutojë rrëmbimin e mundëshëm të tre personave, dhe thotë për IWPR se beson se ata do të kthehen shëndoshë e mirë në shtëpi. “Nuk dua të mendoj për këtë udhëtim në një mënyrë të keqe. Në fund të fundit, shumë njerëz kanë shkuar atje dhe janë kthyer me shumë para,” ka thënë ai.


Vajza e tij shtatë vjeçare, Jovana, e di se babai do të shkojë shumë larg për të siguruar para për familjen. Saso e shtrëngon atë me krenari, duke thënë “Sapo të kthehem do ti ble vajzës sime çantën më të bukur të shkollës që shitet”.


Miomir Serafinoviq dhe Maja Jovanovska janë gazetarë të televizionit të pavarur A1 në Maqedoni.


Frontline Updates
Support local journalists