MAQEDONI: PDSH AKUZOHET PËR PËRDORIMIN E TAKTIKAVE TË PISTA

Partia shqiptare akuzohet se ka përdorur për qëllime politike dramën e rrethimit në një fshat.

MAQEDONI: PDSH AKUZOHET PËR PËRDORIMIN E TAKTIKAVE TË PISTA

Partia shqiptare akuzohet se ka përdorur për qëllime politike dramën e rrethimit në një fshat.

Monday, 21 February, 2005

Një parti politike shqipare është akuzuar se ka organizuar në mënyrë cinike një rrethim dymujor të një fshati, i cili ka shtuar frikën për një ringritje të dhunës ndër etnike.


Partia Demokratike e Shqiptarëve, PDSH, është akuzuar se ka organizuar krizën dhe më pas ka luajtur rolin e saj edhe në zgjidhjen e saj, në përpjekje për të përmirësuar reputacionin e saj brenda dhe jashtë vendit.


Shqiptarët e armatosur janë larguar nga fshati Kondovë më 17 dhjetor, pas disa javë bisedime intensive ndërmjet tyre dhe anëtarëve të partive politike shqiptare.


Policia maqedonase nuk ka pranuar thirrjet publike për të ndërhyrë me forcë në fshat – pranë kryeqytetit Shkup – duke preferuar të lejojë drejtuesit shqiptarë të përpiqen për zgjidhjen e problemit.


Për dy muaj, njerëz të armatosur me kallashnikov të veshur me uniforma ushtarake kanë patrulluar në Kondovë dhe nuk kanë lejuar hyrjen e forcave të policisë apo të mediave lokale.


Por pas zgjidhjes së krizës, mendohet se e gjithë ajo ka qenë vetëm një histori e organizuar nga politikanë lokal të cilët përpiqen të fitojnë besueshmëri në vend dhe jashtë tij.


Kriza e këtyre dy muajve ka rikthyer kujtimet e vitit 2001, kur marrja nën kontroll e fshatit të Tanushës nga guerrilasit shqiptarë kanë shkaktuar një konflikt etnik në zonë. Megjithatë, ndryshe nga tre vjet më parë, luftëtarët të cilët kanë marrë nën kontroll Kondovën nuk kanë pasur mbështetjen e publikut.


Iljaz, një fermer vendas 53 vjeçar, ka thënë për IWPR se njerëzit e armatosur “duhet të ishin larguar shumë kohë më parë” sepse dhuna nuk zgjidh asgjë.


“Gjatë kohës që kanë qenë këtu nuk kemi pasur probleme por kemi pasur frikë se prezenca e tyre mund të sillte ndonjë pasojë të rëndë,” ka thënë ai, duke folur për frikën e fshatarëve nga veprimet e mundëshme të policisë.


Adnani, një shofer taksie 30 vjeçar, ka thënë se “Këta njerëz nuk kërkojnë të drejta, ata janë kriminelë”.


Që prej humbjes së mbështetjes elektorale në rradhët e shqiptarëve pas fitores së Bashkimit Demokratik për Integrim, BDI, në vitin 2002, PDSH është konsideruar si një parti nacionaliste e linjës së ashpër dhe një kërcënim për marrëveshjen e paqes së Ohrit, e cila i dha fund luftimeve në vitin 2001.


Përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar në Maqedoni kanë shmangur kontaktet e tyre me PDSH, zëvendëskryetari i së cilës Menduh Thaçi është vendosur në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të personave të cilët mendohet se janë përpjekur të bllokojnë zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.


Në Kondovë, PDSH ka bashkuar forcat me kundërshtarët e saj të betuar, BDI, për ti dhënë fund krizës.


“Ne arritëm të shuajmë zjarrin që po ndizej në Kondovë,” ka thënë kryetari i PDSH-së Arbën Xhaferi. “Ne kemi treguar se partitë shqiptare mund të kontrollojnë proceset në rradhët e bllokut shqiptar”.


Ibrahim Mehmeti, një analist i zyrës maqedonase për Kërkimin e Pikave të Përbashkëta, ka thënë se “Ishte e dukëshme që PDSH ka pasur kontroll mbi ngjarjet në Kondovë dhe ata donin të tregonin se janë një lojtar konstruktiv në skenën politike”.


Por ekzistojnë dyshime se PDSH ka organizuar vetë krizën. Disa thonë se zyrtari i PDSH në Kondovë, Agim Krasniqi ka qenë në krye të militantëve dhe të tjerë kanë thënë të gjithë njerëzit e armatosur kanë qenë aktivistë të partisë.


Ish ministri i financave dhe analist politik Xhevdet Hajredini ka thënë për IWPR se “Për mendimin tim e gjithë ngjarja është organizuar nga drejtuesit e PDSH-së. në Kondovë, ata kanë biseduar me kryetarin e degës lokale të partisë – Krasniqi”.


Dyshimet janë ushqyer edhe nga fakti që një ditë përpara përfundimit të krizës, Thaci ka deklaruar se ajo ishte pranë zgjidhjes – një deklaratë të cilën shumë e kanë konsideruar si një shenjë të qartë se partia kishte nën kontroll gjendjen në fshat.


Burime të BDI kanë thënë për IWPR se “të gjithë njerëzit e armatosur kanë qenë aktivistë të BDI. Nuk është koincidencë që Thaçi e dinte se kur do të përfundonte rrethimi.


“Qëllimi ka qenë të tregohej se PDSH është një faktor përpara zgjedhjeve lokale por edhe se Thaçi mund të jetë konstruktiv, ndoshta duke shpresuar se emri i tij do të hiqej nga lista e zezë e amerikanëve”.


Shumë nga dhjetra njerëzit e armatosur të cilët kanë kontrolluar fshatin mendohet të kenë qenë nga Kosova dhe Serbia e jugut.


Burime të policisë kanë thënë për IWPR se këta individë – disa prej tyre janë të kërkuar nga UNMIK dhe policia serbe të akuzuar për krime si përdhunimi, tentative për vrasje dhe rrëmbime me armë – janë larguar nga Kondova dhe Maqedonia duke kaluar ilegalisht kufirin për në Kosovë.


Burime të policisë thonë gjithashtu se edhe disa nga shqiptarët e Maqedonisë të përfshirë në Kondovë janë gjithashtu të kërkuar për krime të kryera pas konfliktit të vitit 2001 të cilat nuk mbulohen nga amnistia për ata të cilët kanë marrë pjesë në luftime.


Një zyrtar i BDI-së, i cili nuk ka dashur të përmendet me emër, ka paralajmëruar se ka shumë mundësi që militantët të rikthehen, “Këta njerëz nuk do të zhduken, të paktën jo përpara zgjedhjeve lokale të marsit”.


“Unë nuk mund të përjashtoj mundësinë e ndodhjes së këtyre veprimeve përsëri në zona të tjera të kontrolluara nga PDSH-së”.


Zëdhënësi i PDSH Sulejman Rusiti ka kundërshtuar zërat se partia e tij ka organizuar rrethimin në Kondovë: “Që prej fillimit të krizës në Kondovë ne jemi akuzuar se jemi prapra njerëzve të armatosur – dhe për shkak të këtyre fabrikimeve ne kemi vendosur të mos u përgjigjemi atyre”.


Muhamed Zekiri është një gazetar me Radion Evropa e Lirë në Shkup. Boris Georgievski është një gazetar me të përditëshmen Utrinski Vesnik.


Macedonia, Serbia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists