MAQEDONIA KËRKON EKSTRADIMIN E ISH MINISTRIT

Maqedonia shpreson se ndjekja e rastit të ish ministrit do të përmirësojë reputacionin e saj ndërkombëtar të dëmtuar.

MAQEDONIA KËRKON EKSTRADIMIN E ISH MINISTRIT

Maqedonia shpreson se ndjekja e rastit të ish ministrit do të përmirësojë reputacionin e saj ndërkombëtar të dëmtuar.

Monday, 21 February, 2005

Autoritetet maqedonase do të kërkojnë ekstradimin e ish ministrit të brendëshëm Ljube Boshkovski, i cili është larguar për në Kroaci pasi është akuzuar për vrasjen e shtatë emigrantëve.


Ministria e drejtësisë ka njoftuar planin e saj më 12 maj, pothuajse dy javë pasi Boshkovski – i akuzuar se ka organizuar vrasjet duke i bërë ata të duken si ekstremistë ekstremistë – është larguar nga vendi.


Mendohet se vrasjet kanë qenë një përpjekje për të siguruar mbështetjen e Uashingtonit, duke treguar gadishmërinë e Shkupit për të marrë pjesë në “luftën kundër terrorizmit” të drejtuar nga SHBA.


Analistët thonë se është tepër e rëndësishme për imazhin e jashtëm të Maqedonisë që ajo të zgjidhë rastin e shtatë personave të vrarë – gjashtë pakistanezë dhe një indiani – i cili ka shkaktuar kritika të ashpra ndërkombëtare.


Megjithatë, ekspertët ligjorë thonë se ata dyshojnë që Kroacia do të ekstradojë menjëherë Boshkovskin për në Shkup meqënëse ai akuzohet për një krim të kryer jashtë juridiksionit të Kroacisë.


Ata thonë se Boshkovski mund të gjykohet vetëm në Kroaci nëse ministria e drejtësisë e Maqedonisë transferon rastin në gjykatat kroate dhe ato vendosin të ngrejnë padi.


Qeveria e ka akuzuar Boshkovskin dhe gjashtë zyrtarë të tjerë, përfshirë disa zyrtarë të policisë, se kanë tërhequr një grup emigrantësh ekonomik në vend nga Bullgaria dhe kanë organizuar vrasjen e tyre.


Këtyre personave u është premtuar kalimi për në Greqi dhe janë dërguar në një apartament në Shkup. Më 2 mars, 2002, ata janë dërguar në një pikë jashtë qytetit të njohur si “vreshtat e Reshtakut” u është thënë se janë pranë kufirit me Greqinë dhe janë lënë të lirë të lëvizin. Anëtarë të njësisë speciale të policisë të njohur si “Luanët” më pas kanë hapur zjarr dhe i kanë vrarë.


Policia ka vendosur armë dhe uniforma në vendin e ngjarjes për ti bërë ata të duken si luftëtarë islamik. Ministria e brendëshme ka deklaruar se ata kanë qenë terroristë të cilët kishin planifikuar sulme ndaj ambasadave të huaja.


Policia ka arrestuar tanimë Goran Stojkov, ish komandant i Luanëve dhe Aleksandar Cvetkov, ish drejtues i operacioneve në ministrinë e brendëshme, si edhe tre aleatë të tjerë të ngushtë të Boshkovskit, të cilit i është hequr edhe imuniteti parlamentar përpara se të largohej nga vendi.


Kjo ngjarje ka dëmtuar rëndë imazhin e Maqedonisë si vend i stabilizuar dhe korrekt në Ballkan. Nicolas Biegman, ambasadori i NATO-s në Shkup ka thënë për IWPR se “Ky mund të jetë rasti më skandaloz që prej pavarësisë së Maqedonisë”.


“Jam shumë i kënaqur që ky rast po zgjidhet sepse do të kishte qenë një padrejtësi e madhe nëse fajtorët nuk do të ndëshkohen. Nëse Maqedonia i shkon kësaj cështjeje deri në funde, kjo do të tregojë se qeveria nuk ka frikë të merret me një cështje kaq delikate”.


Mirjana Najcevska, kryetare e Komitetit të Helsinkit për Maqedoninë, ka thënë se vendi duhet të gjejë vendosmërinë për të zgjidhur këtë rast, pavarësisht pasojave politike.


“Këtu kemi të bëjmë me vrasjen e pashpirt të njerëzve të pafajshëm, e cila është urdhëruar nga zyrtarët më të lartë të policisë për të përmbushur qëllime politike,” ka thënë ajo.


Boshkovski, ende anëtar i parlamentit të Maqedonisë, ka qenë në krye të policisë gjatë konfliktit të shkurtër por të përgjakshëm në vend në vitin 2001, kur militantë shqiptarë kanë marrë nën kontroll një pjesë të madhe të territorit të vendit.


Në atë kohë, njësitë speciale të policisë së Boshkovskit janë akuzuar për përdorimin e metodave të egra dhe gjykata e krimeve të luftës në Hagë po heton rolin e tij në vdekjet e disa civilëve në fshatin Ljuboten.


Pas dëmit të shkaktuar nga rasti i Ljuboten, vrasja e emigrantëve është konsideruar si një përpjekje e organizuar nga Boshkovski për të siguruar simpatinë e perëndimit për taktikat e tij të linjës së ashpër ndaj shqiptarëve.


Analistët thonë se vrasjet, të cilat kanë ndodhur gjashtë muaj pas përfundimit të konfliktit etnik në Maqedoni, kanë qenë një përpjekje e qeverisë së drejtuar nga nacionalistët e VMRO-së për të paraqitur Maqedoninë si viktimë e terrorizmit dhe për të paraqitur lidhje ndërmjet al-Qaeda dhe kryengritësve shqiptarë.


Pak njerëz jashtë vendit besojnë ekzistencën e lidhjeve të tilla.


Ljubomir Frckovski, një profesor i drejtësisë dhe ish ministër i brendëshëm, i përshkruan vrasjet si një gabim të madh strategjik nga zyrtarët e lartë të ministrisë së brendëszhme në përpjekjet e tyre për të bashkuar Maqedoninë me luftën ndaj terrorizmit të drejtuar nga SHBA.


“Pakistani dhe SHBA kanë një partneritet strategjik,” ka thënë ai për IWPR. “Dhe Pakistani do të përdorë këto lidhje për të siguruar vendosmërinë e SHBA për zbardhjen e së vërtetës. Maqedonia do të jetë nën një presion të madh, për të dënuar fajtorët dhe konpensuar familjet e viktimave”.


Biljana Vankovska, profesore e studimeve të mbrojtjes në universitetin e Shkupit, është në një mendje. “Me zbardhjen e së vërtetës së vrasjes së këtyre emigrantëve ne mund të heqim një njollë të zezë nga reputacioni i Maqedonisë,” ka thënë ajo.


Vankovska ka paralajmëruar se një zgjidhje e pjesëshme nuk do të kënaqë askënd. “E gjithë procedura ligjore do të duhet të zbatohet deri në fund,” ka thënë ajo. “Shteti do të duhet të pranojë pasojat, pavarësisht se sa të mëdha apo të cfarë lloji mund të jenë ato”.


Boshkovski është larguar nga vendi më 1 maj, pasi policia kishte njoftuar se ai do të akuzohej për vrasje. Ai është zhdukur në kohën kur në parlament po diskutohej për heqjen e imunitetit të tij.


Është ende e paqartë mënyra e largimit të tij, sepse policia kishte lëshuar urdhër arresti për të në të gjitha pikat kufitare. Por më 8 maj ai ka thënë intervista për median kroate në të cilat ka insistuar se ai kishte vepruar në bazë të provave të cilat tregonin se grupi kishte planifikuar të sulmonte ambasadën amerikane.


“Unë jam larguar nga Maqedonia sepse atje po përgatitet një gjyq ndaj meje për arësye politike,” ka thënë ai. “Unë mendoj se do të provohet pafajësia ime dhe pas kësaj unë do të kthehem në Maqedoni”.


Avokati i tij në Kroaci dhe zyrtarë të ministrisë së drejtësisë të Kroacisë kanë thënë për median maqedonase se Boshkovski nuk mund të ekstradohet në Maqedoni – dhe do të gjykohet në Kroaci nëse Maqedonia ia kalonte cështjen ndaj tij gjykatave kroate.


Megjithatë, diplomatët parashikojnë se Kroacia mund të mos jetë një vend aq i sigurtë për Boshkovskin sa mendon avokati i tij, për shkak të dyshimeve për përfshirjen e tij në ngjarjet në Ljuboten.


“Nëse gjykata e Hagës vendos të akuzojë Boshkovskin për ngjarjet në Ljuboten, unë nuk mendoj se Kroacia do të hezitojë ta dorëzojë atë,” ka thënë një diplomat perëndimor për IWPR.


Ndërkohë, Maqedonia shpreson se përpjekjet e saj për zbardhjen e cështjes së vrasjes së shtatë emigrantëve do të përmirësojë imazhin e saj ndërkombëtar.


“Në planin afatgjatë Maqedonia mund të ketë vetëm përfitime,” ka thënë Denko Maleski, një ish ministër i jashtëm dhe profesor i së drejtës ndërkombëtare, duke përmendur hapjen e hetimeve për këtë rast. “Ky do të jetë një sinjal i qartë që Maqedonia nuk do të lejojë kurrë përsëritjen e një ngjarjeje të tillë”.


Mitko Jovanov është një gazetar me të përditëshmen Dnevnik në Shkup.


Frontline Updates
Support local journalists