Media e Pavarur Vendoset Nën Sulme të Ashpra

Gazetat private në Serbi po ndjejnë forcën e goditjes së qeverisë ndërsa stacionet TV dhe ato radiofonike po bëjnë një qëndresë të vendosur ndaj sulmeve më të fundit.

Media e Pavarur Vendoset Nën Sulme të Ashpra

Gazetat private në Serbi po ndjejnë forcën e goditjes së qeverisë ndërsa stacionet TV dhe ato radiofonike po bëjnë një qëndresë të vendosur ndaj sulmeve më të fundit.

Redaktorët e gazetave të pavarura në Beograd thonë se qeveria ka krijuar me qëllim një deficit letre në përpjekje për të nxjerrë ata nga biznesi.


Dhe ata thonë se regjimi po i detyron të ulin çmimet - një lëvizje e cila do të bëjë të pamundur që shumica e gazetave të botohen.


Kriza shpërtheu pasi fabrika Matroz, prodhuesi i vetëm i shtypit të shkruar në Jugosllavi, ka ndërprerë prodhimin më 25 mars. Drejtori i përgjithëshëm i kompanisë, Dragan Laziq, ka premtuar se fabrika do të rifillojë punën më 1 prill.


Megjithatë, Dragan Tomiq, zëvendës kryetar i qeverisë serbe, e ka shtyrë tani datën e hapjes më 10 prill, duke shpjeguar se importet e celulozës janë ndërprerë për shkak të një greve në Hungari.


Por Veselin Simonoviq, redaktor i Blic, gazetës më të madhe të pavarur të Beogradit, thotë se autoritetet po shfrytëzonin situatën për të ndërprerë çdo publikim që nuk janë të kontrolluara nga shteti. Blic, shton ai, kishte letër të mjaftueshme që të vazhdonte botimin edhe për dhjetë ditë të tjera.


Deficiti i tanishëm, shpjegon Simonoviq, do të detyrojë gazetat ose të ulin numrin e faqeve ose të blenë letër me një "kurs shkëmbimi të lartë" nga importuesit e licensuar. Ky kurs jo vetëm që është gjashtë herë më i lartë se ai zyrtar, thotë redaktori i Blic, por ai është edhe më i lartë se kursi në tregun e zi.


Në një zhvillim tjetër të kohëve të fundit, Ministria e Tregtisë Jugosllave ka urdhëruar si Blic ashtu edhe Glas Javnosti të ulin çmimet e gazetës nga tetë në gjashtë dinarë për kopje, duke shpjeguar se që të dyja gazetat po nxjerrin "fitime të paligjëshme".


Në të njëjtën kohë, kostoja e shërbimit të botimit është rritur me mbi 100 përqind, duke bërë që Blic të humbë 0.41 dinarë për kopje në rast se do të ulë çmimin.


Redaktorët e Glas Javnosti kanë llogaritur se, duke parë kushtet e tanishme të tregut, gazetat duhet të shiten të paktën me 10 dinarë për kopje në mënyrë që të mos falimentojnë.


Revistat e pavarura politike të Beogradit, NIN dhe Vreme, kanë qenë më të kujdesëshme në reagimet e tyre. Në një editorial të kohëve të fundit, redaktori i Vreme Dragoljub Zarkoviq ka hedhur poshtë thëniet se rasti i Matroz është politikisht i motivuar, duke e përshkruar atë si një provë tjetër të kolapsit ekonomik.


Zarkoviq e krahason këtë rast me mungesën e vajit të gatimit - pavarësisht problemeve të vazhdueshme për furnizim me këtë produkt, zyrtarët këmbëngulin se nuk asnjë mungesë vaji.


Të përditëshmet më të dëmtuara deklarojnë se NIN dhe Vreme nuk janë të gatëshme të bashkohen me korin e tyre sepse ato kanë sasira të mjaftueshme materiali për të vazhduar punën për një farë kohe.


Natyrisht, gazetat pro-qeveritare në Beograd - të cilat marrin furnizime me çmime të lira dhe gëzojnë një sërë privilegjesh të tjera - duket se nuk e ndjejnë këtë vështirësi. Borba, për shembull, merr financime direkte nga thesari i shtetit, ndërsa Politika dhe Ekspres-politika janë të përjashtuara nga taksat. Gjatë javëve të fundit Vecernje Novosti, e cila është mburrur gjithnjë për pavarësinë e saj financiare, është vendosur nën kontrollin e plotë të shtetit.


Publikimet shtetrore janë në pozita të mira sepse janë në gjendje të hedhin në gjyq gazetat e kontrolluara nga opozita në gjykatat e kontrolluara nga qeveria. Më 31 mars, e përjavëshmja Kikindske Novine është detyruar të paguajë 280,000 dinarë (28,000 dollarë amerikan) sepse ka ofenduar Rajko Popoviq, redaktorin e një rivaleje lokale. Kjo ishte akuza e gjashtë që Popoviq ka bërë ndaj Kikindske Novine.


Ndërkohë, media e pavarur elektronike serbe po bën një qëndresë të fortë ndaj regjimit, i cili duket se ka vendosur t'i mbyllë ato.


Më 25 mars, stacioni TV lokal i Kraljevos ka rifilluar transmetimet vetëm një javë pasi transmetuesi i tij në Malin Goc ishte çmontuar nga ministria jugosllave e telekomunikacionit.


Banorët e Kraljevos kanë zhvilluar protesta të zemëruara ndaj veprimit të qeverisë, një shpërthim i cili mendohet të ketë bindur ministrin e telekomunikacionit Ivan Markoviq të rivendsë pajisjet.


Pavarësisht kësaj fitoreje modeste, gjashtë stacione radio dhe televizioni janë mbyllur në të gjithë Federatën Jugosllave - të gjitha në qytetet që mbështesin kundërshtarët politik të presidentit Sllobodan Millosheviq. Në këtë listë përfshihen RTV Pozega, TV Nemanja, Tir Radio në qytetin e Cuprija, Bum 93 Radio në Pozharevac, Golf Radio në Beograd dhe TV Pirot.


Në disa zona të kontrolluara nga opozita, janë krijuar komitete speciale për të mbrojtur median lokale. Në qytetin e Caçakut, ndërtesa ku është vendosur transmetuesi televiziv është e mbyllur me çels dhe ruhet nga një firmë private sigurimi.


Sipas burimeve të brendëshme, kryetari i bashkisë së qytetit të Çaçakut ka thënë se ai është i përgatitur të minojë rrugët që të çojnë në ndërtesën e televizionit në një përpjekje për të ruajtur stacionin nga përpjekjet e qeverisë për ta mbyllur.


Në qytetin e Nishit banorët vendas kanë ngritur një gardh me tel me gjemba rreth kullës së transmetimit të TV, ndërsa janë organizuar mitingje proteste në Pirot ku emisionet e ndaluara televizive transmetohen në valët e radiove. Në Pozega, stacioni televizv i qytetit po transmeton nëpërmjet satelitit.


Vlado Maresh është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së nga Beogradi.


Serbia
Frontline Updates
Support local journalists