Millosheviq Shqetëson Koshtunicën

Ekziston frika se presidenti i rrëzuar Sllobodan Millosheviq do të përpiqet të dëmtojë pasuesin e tij.

Millosheviq Shqetëson Koshtunicën

Ekziston frika se presidenti i rrëzuar Sllobodan Millosheviq do të përpiqet të dëmtojë pasuesin e tij.

Sllobodan Millosheviq mund të jetë larguar nga pushteti, por ai mund të vazhdojë të shqetësojë politikën serbe edhe për shumë kohë.


Millosheviq vazhdon të ruajë kontrollin e tij mbi financat jugosllave dhe ushtron influencë ndaj qeverisë republikane, një koalicion i Partisë së tij Socialiste Serbe, SPS, së Majtës së Bashkuar Jugosllave, JUL, dhe Partisë Radikale Serbe, SRS.


Gjatë këtyre viteve ish-presidenti ka dërguar në banka të huaja jashtë vendit rezervat në valutë të huaj të vendit. Ai mund t'i përdorë këto fonde për të destabilizuar regjimin e ri duke sponsorizuar aktivitete subversive si rrëmbime dhe vrasje.


Millosheviq ka shumë mundësi t'u drejtohet për ndihmë aleatëve të tij paraushtarakë për të kryer këto veprime. Këta janë fanatikët dhe të dëshpëruarit që ai ka punësuar për të zhvilluar luftërat e tij të pista në Ballkan. Në shpërblim për besnikërinë e tyre ndaj Millosheviqit, atyre u është dhënë një status gjysëm-ligjor dhe janë lejuar të pasurohen me plaçkën e luftës.


Në mes të festimeve dhe gëzimit të ditëve të fundit, "ekzekutorët" e ish-presidentit kanë qëndruar të qetë, por natyrisht që nuk janë zhdukur.


Shumë prej tyre tani duhet ta ndjejnë që i kanë ditët e numëruara. Sapo të hiqen sanksionet dhe të rikthehet sundimi i ligjit në Serbi, bizneset e tyre të korruptuara të favorizuara nga sanksionet do të marrin fund. Dhe nëse autoritetet e reja lejojnë Interpolin dhe hetuesit e Gjykatës së Hagës të vinjë në vend, ata do të përballen me burgime të rënda.


Presidenti Vojisllav Koshtunica duhet të veprojë ndaj Millosheviqit dhe pasuesve të tij paraushtarakë - dhe ta bëjë këtë gjë pa humbur kohë. Çdo vonesë i jep mundësinë ish-presidentit të urdhërojë ish-kasapët e tij të hidhen në veprim.


Millosheviq do të përdorë zyrtarët e ministrisë së brendshme - pjesa më e madhe e të cilëve janë rekrutuar nga rradhët e kriminelëve - për të organizuar aktivitete subversive.


Koshtunica do të gjendet përballë presioneve të fuqishme për të ndërhyrë, sepse parlamenti serb, ende i kontrolluar nga përkrahësit e Millosheviqit, mund të pengojë përpjekjet e tij për të larguar këta zyrtarë policie. Megjithatë ai arriti të hënën një fitore të rëndësishme ndaj shërbimeve të sigurimit, kur ministri i brendshëm Vlajko Stojiljkoviq dha dorëheqjen.


Vazhdimi i influencës të Millosheviqit ndaj ministrisë së brendshme do të varet natyrisht edhe në faktin nëse qeveria serbe e koalicionit do të mundet të mbijetojë. Për momentin duket se ajo nuk ka shumë shanse për të mbijetuar. Në prag të zgjedhjeve federale, ka patur një acarim të marrëdhënieve ndërmjet SPS-së dhe JUL-it. Të dyja këto parti kanë prishur marrëdhëniet me SRS-në. Tensionet ndërmjet këtyre partive vazhdojnë të mbeten të larta.


Për më tepër, të gjitha partitë në asamblenë republikane ranë dakort të hënën për të mbajtur zgjedhje të parakohshme në dhjetor. Por ato nuk e shkrinë menjëherë parlamentin. Kundërshtimi për të shkrirë parlamentin është i kuptueshëm: shumë nga deputetët pro-Millosheviqit mendojnë se do të humbasin vendet e tyre në zgjedhjet e ardhshme. Në fakt gjatë të gjithë sesionit të ditës së hënë në asamble, ata mbajtën fjalime që kundërshtonin ndërmarrjen e reformave.


Kështu që administrata e influencuar nga Millosheviqi mund të vazhdojë veprimtarinë e saj edhe për disa kohë duke i dhënë mundësi ish-presidentit për të dëmtuar përpjekjet e Koshtunicas në reforminin e vendit. Millosheviq, një shfrytëzues i mirë i mosmarrëveshjeve, do të ketë nën mbikqyrje edhe tensionet që ekzistojnë në gjirin e Opozitës Demokratike të Serbisë, DOS. Koalicioni është i përbërë nga 16 parti ambicioze dhe ish-presidenti është në një pozicion të mirë për të rënduar ndarjet dhe konfliktet ndërmjet tyre. Opozita prej shumë kohësh ka qenë e përçarë dhe e dobët dhe tani së fundi kanë filluar të dalin në pah tensione të reja.


Megjithatë për momentin Millosheviq ka mundësi të qëndrojë në qetësi dhe të presë pakësimin e euforisë për triumfin e opozitës. Sapo të ndodhë kjo, ai do të fillojë të manovrojë dhe manipulojë.


Një ish-zyrtar i lartë i SPS-së, i cili dëshiron të mbetet anonim, mendon se edhe nëse atij i jepet azil në ndonjë vend tjetër, Millosheviq do të dojë të qëndrojë në Beograd: "Sa kohë që ai është në Serbi, ai do të përpiqet të rikthehet në pushtet - ky është personaliteti i tij."


Srxhan Staletoviq dhe Milenko Vasoviq janë gazetarë nga Beogradi dhe bashkëpunëtorë të vjetër të IWPR-së.


Frontline Updates
Support local journalists