Misteri i Vrasjes së Çuruvijas

Një raport i nxjerrë fshehtazi implikon policinë sekrete në vrasjen e një gazetari të njohur anti-regjimit.

Misteri i Vrasjes së Çuruvijas

Një raport i nxjerrë fshehtazi implikon policinë sekrete në vrasjen e një gazetari të njohur anti-regjimit.

Radivoje Markoviq, shefi i urryer i policisë sekrete dhe ekzekutori besnik i Millosheviqit, është në prag të largimit.


Ai nuk pranon të japë dorëheqjen, por pozita e tij po bëhet gjithnjë e më e rënduar, veçanërisht pas daljes në dritë të një raporti të policisë sekrete serbe, SDP, i cili i është dhënë Opozitës Demokratike të Serbisë, DOS, e disa OJQ-ve lokale dhe që e implikon atë në vrasjen vitin e kaluar të gazetarit anti-regjimit Sllavko Çuruvija.


"Nëse Markoviq mbetet shef i shërbimeve sekrete edhe pas kësaj, është e sigurtë se do të ketë rrëmuja," tha një zyrtar i lartë i shërbimeve sekrete, i cili kërkoi të mbetej anonim.


Mospranimi i vazhdueshëm nga ana e Markoviqit për të dhënë dorëheqjen ka krijuar një krizë në rradhët e qeverisë serbe. Si opozita ashtu edhe Lëvizja për Ripërtëritje Serbe, SPO, e Vuk Drashkoviqit kanë thënë se qëndrimi i tyre në qeveri do të vazhdojë me kusht që shefi i shërbimeve sekrete të japë dorëheqjen.


Raporti i nxjerrë i SDB-së thotë se agjentët e saj e kanë ndjekur Çuruvijan dhe të shoqen e tij më 11 prill, 1999 - ditën e vrasjes së tij.


Për çudi raporti i ndjekjes, i cili ishte urdhëruar nga vetë Markoviq, përfundon njëzet minuta përpara vrasjes së gazetarit.


"Në orën 16 e 58 minuta ne ndalojmë çdo lloj ndjekjeje siç është rënë dakort me shefin e departamentit," thuhet në raport. Rreth orës 17:15 tre njerëz të panjohur qëllojnë për vdekje Çuruvijan përpara ndërtesës ku jeton.


Raporti i brendshëm, ndoshta i nxjerrë nga një punonjës i SDB-së, thotë se agjentët që ndiqnin Çuruvijan janë tërhequr nga vetë Markoviq dhe shefi i SDB-së për Beogradin, Milan Radonjiq, "për të mos parë vrasësit".


Pothuajse askush në Beograd nuk beson se është një koincidencë që survejimi është ndaluar pikërisht pak përpara vrasjes. Një mendim tjetër edhe më i përhapur është se ose SDB-ja e ka kryer vrasjen direkt ose të paktën ka tërhequr njerëzit e saj duke e ditur se çfarë ishte planifikuar.


Personi që ka nxjerrë raportin ka shtuar se "vrasja është kryer nga tre persona të cilët më pas përdorën një Volkswagen Golf të bardhë për t'u larguar nga vendi i ngjarjes." Por ai nuk ka parë as vrasësit dhe as numrin e targës së makinës.


Gruaja e Çuruvijas, Branka Prpa, ka konfirmuar të mërkurën se raporti i survejimit ka qenë "i drejtë" dhe se faktet e dhëna në të janë të vërteta. "Ka pasur disa gjëra në raport që i dija vetëm unë dhe që nuk ia kisha thënë askujt as privatisht dhe as në publik," ka thënë ajo.


Bozhidar Spasiq, ish-zyrtar i SDB-së, mendon se raporti është origjinal. "Survejimi i përshkruar aty është i njëjtë me metodat e veprimit të SDB-së," ka thënë ai.


Sipas rregullave proceduriale të SDB-së, thotë Spasiq, survejimi do të ketë qenë urdhëruar nga Markoviq dhe i miratuar nga ish-ministri i policisë i asaj kohe, Vlajko Stojiljkoviq.


"Është e dukshme që SDB-ja ka informacion mbi mënyrën e vrasjes së Çuruvijas," thotë Spasiq. "Unë po pres ende të dalin edhe shumë raporte të tjera si ky, sepse shumë njerëz janë larguar së fundi nga SDB dhe unë dyshoj se ata kanë marrë dokumenta zyrtare me vete."


Raporti është një arsye e mirë për udhëheqjen e re serbe për të bërë presion ndaj qeverisë kalimtare republikane për të shkarkuar këtë përkrahës besnik të Millosheviqit. Jo më larg se javën e kaluar ai ka pranuar se ishte në kontakt të rregullt me ish-presidentin.


Kryeministri i përkohshëm Milomir Miniq, anëtar i SPS-së së Millosheviqit, nuk pranoi dje të shkarkojë Markoviqin pas konsultimeve me presidentët e Jugosllavisë dhe Serbisë, Vojisllav Koshtunica dhe Milan Milutinoviq.


Refuzimi i Markoviqit për të dhënë dorëheqjen ka shkaktuar zemërimin e DOS-it. Pas takimit të djeshëm, një nga tre ministrat e brendshëm të saj në qeverinë e përkohshme, Nebojsha Çoviq, ka dalë i nxehur nga një takim dhe ka kërcënuar se do të tërheqë aleancën nga administrata e re.


Një zyrtar i lartë i SDB-së ka thënë ndërkohë për IWPR-në se dalja në dritë e raportit të survejimit në fakt ka pasur të bëjë jo me nxjerrjen e së vërtetës rreth vrasjes së Çuruvijas, por më tepër ka qenë një përpjekje e SPO-së për të fituar pikë përpara zgjedhjeve.


Partia ka humbur thellë në zgjedhjet e shtatorit dhe tani kërkon me çdo kusht të përmirësojë shanset e saj në zgjedhjet e ardhshme duke u përpjekur të duket si më anti-Millosheviq se DOS-i.


Për më tepër, SPO-ja ka kërkuar largimin e Markoviqit shumë kohë përpara se DOS-i të bënte thirrje për largimin e tij. Drashkoviq ka deklaruar prej kohësh se policia sekrete kishte organizuar një përpjekje për ta vrarë atë - një aksident misterioz me makinë një vit më parë, ku u vranë katër nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë.


Koshtunica ka dashur të shmangë ndryshimet e personelit në rradhët e shërbimeve sekrete dhe të ushtrisë përpara zgjedhjeve. Disa dyshojnë se SPO-ja ka nxjerrë dokumentin e SDB-së për të detyruar largimin e Markoviqit.


Dhe në fakt mund të thuhet se partia e ka ditur që më parë se çfarë i kishte ndodhur Çuruvijas.


Burimi i SDB-së ka thënë se ministri i brendshëm i SPO-së në qeverinë e re, Stevan Nikçeviq, ka qenë zëvendës i Milan Radonjiqit në kohën e vrasjes. Ai mund të ketë patur dijeni për survejimin e gazetarit.


Ndërsa SPO-ja po bën fushatë kundër SDB-së, njeriu i tyre në qeveri, Nikçeviq, ka qëndruar tepër i heshtur për gjithë këtë histori.


DOS-i nuk e pëlqen Markoviqin, por në të njëjtën kohë nuk dëshiron që Drashkoviq të përfitojë nga shkarkimi i ministrit të policisë sekrete. Në fakt dihet që aleanca e ka pasur në dorë raportin e nxjerrë që të hënën në mbrëmje, por nuk ka vepruar menjëherë. Por pasi Natasha Kandiq, drejtoresha e Fondit Ligjor Humanitar, e ka bërë publik dokumentin, ata janë detyruar të përgjigjen.


Zheljko Cvijanoviq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Serbia
Frontline Updates
Support local journalists