Mosmarrëveshja Mbi Nevojën për Vëzhgues

Një vendim i OSBE-së për të vazhduar vëzhgimin e demokracisë në Maqedoni ka shkaktuar mosmarrëveshje përpara zgjedhjeve lokale të planifikuara për muajin e ardhshëm.

Mosmarrëveshja Mbi Nevojën për Vëzhgues

Një vendim i OSBE-së për të vazhduar vëzhgimin e demokracisë në Maqedoni ka shkaktuar mosmarrëveshje përpara zgjedhjeve lokale të planifikuara për muajin e ardhshëm.

Tuesday, 6 September, 2005

Përveçse një konfirmim i popullaritetit të qeverisë, votuesit maqedonas po i konsiderojnë zgjedhjet lokale të 10 shtatorit si një masë të pjekurisë demokratike të republikës.


Një vendim i Organizatës për Sigurim dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE, për të vëzhguar zgjedhjet ka shkaktuar pak shqetësim dhe pakënaqësi, veçanërisht në rradhët e partive të koalicionit qeveritar. Ambasadori i OSBE-së në Maqedoni Karlo Ungaro ka thënë se organizata e tij do të dërgojë 200 vëzhgues të huaj për të mbuluar zgjedhjet në 123 bashki dhe komuna.


Megjithëse asnjë nga partitë politike nuk është shprehur haptazi në kundërshtim të pranisë së vëzhguesve ndërkombëtarë, përgjigja e koalicionit qeveritar ka qenë jo shumë entuziaste.


Marjan Gjorcev, shef i shtabit elektoral të dy partive të koalicionit, VMRO-DPMNE dhe Aleancës Demokratike, ka thënë se zgjedhjet e shtatorit do të jenë "të drejta dhe demokratike", duke lënë të kuptohet se nuk është i nevojshëm vëzhgimi i tyre.


Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës ndërpreu projektet e saj të vëzhgimit në Maqedoni në muajin prill të këtij viti e kënaqur me situatën e përgjithëshme dhe nivelin e zhvillimeve demokratike në vend.


"Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë ka përmbushur detyrimet e rëndësishme si një vend anëtar i Këshillit të Europës në mënyrë perfekte," ka deklaruar Asambleja gjatë votimit për përfundimin e procedurave të vëzhgimit në republikë.


Media pro-qeveritare ka përforcuar këtë pikë duke botuar disa artikuj ku vendimi i OSBE-së është quajtur si një hije e turpshme ndaj kredencialeve demokratike të Maqedonisë.


Ungaro ka thënë se vendimi për të dërguar vëzhgues është marrë pas konsultimeve me të gjitha partitë politike, por ai ka theksuar se në fakt është më normale për OSBE-në të vëzhgojë zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale se sa ato lokale.


"Procesi i vëzhgimit nuk duhet të trajtohet si një kritikë ndaj shtetit," ka shtuar Ungaro.


Drejtuesi i Misionit Vëzhgues të OSBE-së, Ambasadori Çarls Megi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka thënë pas mbërritjes së tij në Shkup se ekipi i tij është ftuar nga presidenti maqedonas dhe është mirëpritur nga të gjitha partitë politike në vend.


Megjithatë opozita e ka mirëpritur lajmin për ardhjen e vëzhguesve të huaj për zgjedhjet lokale.


Branko Crvenkovski, drejtuesi i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, LSDM, ka vlerësuar njoftimin e OSBE-së duke thënë: "Me një qeveri jonormale nuk ka asnjë mundësi të kemi zgjedhje normale."


Koalicioni i opozitës, Së Bashku për Maqedoninë, i cili përfshin edhe LSDM, i ka quajtur zgjedhjet e 10 shtatorit si një referendum për të ardhmen e republikës dhe ka argumentuar se një fitore e opozitës do të përbënte një kërkesë për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Mbështetja e opozitës për vëzhgimin ndërkombëtar të këtyre zgjedhjeve bëhet edhe më e kuptueshme nëse merret para sysh ngarkesa dhe rëndësia e madhe politike e këtyre zgjedhjeve lokale.


OSBE-ja ka vëzhguar edhe zgjedhjet lokale të 1996 si edhe zgjedhjet e përgjithshme dhe ato presidenciale. Pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 1999 OSBE-ja ka qenë përgjithësisht e kënaqur për mënyrën e mbajtjes së tyre, por përsëri ka shprehur disa shqetësime.


"Ndërsa këto zgjedhje janë zhvilluar duke u bazuar në aspektet më pozitive të zgjedhjeve të vitit 1998, procesi në disa pjesë të vendit është njollosur nga disa shkelje gjatë raundit të dytë të votimeve dhe gjatë ribërjes së zgjedhjeve në 230 qendra votimi," thuhej në raportin përfundimtar të OSBE-së.


Gjatë ribërjes së zgjedhjeve të raundit të dytë vëzhguesit e OSBE-së në një qendër votimi në Labunista, për shembull, kanë qenë dëshmitarë të futjes me shumicë të votave në kutinë e votimit nga ana e aktivistëve të VMRO-DPMNE pasi këta të fundit u futën në qendrën e votimit. Në Studenican vëzhguesit kanë vërejtur që përfaqësuesit e VMRO-DPMNE kanë mbushur më shumë fleta votimi. Përfaqësues të Partisë Demokratike të Shqiptarëve më pas kanë kërcënuar vëzhguesit të largohen nga qendra e votimit.


Këtë rradhë pritet që vëzhguesit e OSBE-së t'i kushtojnë një vëmendje të veçantë vëzhgimit të aktivitetit të mediave lokale. Si media elektronike, ashtu edhe ajo e shkruar në të kaluarën kanë treguar përkrahjen e tyre politike haptazi për ndonjë parti gjatë fushatës elektorale. Pas zgjedhjeve presidenciale, raporti përfundimtar i OSBE-së, megjithëse në përgjithësi i kënaqur me rolin e medias, ka theksuar disa mangësi.


Transmetuesi shtetëror, MTV 1, ka patur një tendencë të qartë për të paraqitur kandidatin e VMRO në një pozitë më të preferuar se kandidatët e tjerë, thuhej në raport, duke theksuar se çdo qeveri e re në Maqedoni e kishte mënyrë pune të emëronte njerëz të rinj në krye të mediave shtetërore, përfshirë këtu edhe redaktorë e gazetarë të thjeshtë.


Kanali televiziv pro-opozitar Sitel TV është kritikuar nga OSBE-ja se ka patur një qëndrim krejtësisht të hapur anti-qeveritar dhe veçanërisht se ka transmetuar një program special për fushatën elektorale të quajtur Profil.


Një nga shkeljet më serioze gjatë fushatës elektorale të cituara nga OSBE ka qenë edhe ajo e gazetës së financuar nga qeveria me emrin Flaka. Një ditë përpara ndalimit të fushatës elektorale, një fotografi e kandidatit të PDK-së është botuar në faqen e parë të Flakës duke zënë 80 përqind të faqes. Në këtë numër është botuar edhe një intervistë ekskluzive me kandidatin dhe rreth 15 fotografi të tij.


Megjithëse këto zgjedhje lokale nuk do të kenë ndoshta një rezultat të madh në gjendjen e tanishme politike në Maqedoni, viti i ardhshëm pritet të sjellë decentralizim dhe një rol gjithnjë e më të madh për pushtetin lokal në republikë.


Gjorcev i ka përshkruar zgjedhjet si "dita e së vërtetës për situatën politike në Maqedoni" duke shtuar se pas zgjedhjeve "disa procese do të fillojnë të zbatohen dhe nëpërmjet tyre do të arrihet federalizimi i shtetit maqedonas."


Në këtë kontekst pjesëmarrja e vëzhguesve në zgjedhjet lokale për të siguruar një rezultat të ndershëm e të saktë është më se e domosdoshme. Dita e votimit zakonisht është një ditë e tensionuar në Maqedoni dhe pavarësisht nga protestat dhe nga mospranimi i kësaj gjëje, në të gjitha zgjedhjet e zhvilluara në republikë pas shpalljes së pavarësisë ka patur parregullsi dhe ankesa.


Prania e vëzhguesve të huaj duhet të shërbejë për legjitimizimin e rezultateve të zgjedhjeve të shtatorit, diçka që duhet të mirëpritet nga të gjitha partitë politike. Nëse koalicioni qeveritar del fitimtar në zgjedhjet e 10 shtatorit, prania e vëzhguesve ndërkombëtarë do të shmangte deklaratat e paevitueshme të opozitës për "manipulimin" e tyre.


Veton Latifi është një analist dhe gazetar në Maqedoni.


Macedonia
Frontline Updates
Support local journalists