NE GJURMET E KARAXHIQ
Gazetarë të IWPR shkojnë në kërkim të informacioneve mbi vendndodhjen e të kërkuarit famëkeq në Bosnje.
NE GJURMET E KARAXHIQ
Gazetarë të IWPR shkojnë në kërkim të informacioneve mbi vendndodhjen e të kërkuarit famëkeq në Bosnje.
Eshtë vonë një natë dhjetori dhe unë jam ulur në dyshemenë e zyrës së IWPR në Beograd. Përpara kam disa letra të hapura dhe një hartë të Bosnjes lindore. Kam kaluar dy orët e fundit duke shënuar me një laps të kuq qytetet dhe fshatrat ku mendohet se fshihet personi më i kërkuar në Europë.
Po përgatitem për një udhëtim dhjetë ditor në Bosnje së bashku me kolegun tim Daniel Sunter për të ndjekur gjurmët e kriminelit të luftës Radovan Karaxhiq, si pjesë e një hetimi më të gjerë të IWPR mbi krimin e organizuar në Bosnje dhe zyrtarët e shërbimeve sekrete.
Të nesërmen i tregoj listën time të personave të cilët mendohet se janë pjesë e rrjetit që mbron Karaxhiq, një njeriu i cili e ka takuar atë nga afër dhe që i njeh mirë disa nga bashkëpunëtorët e tij më të rrezikshëm.
Jam kënaqur kur ai më ka konfirmuar se lista ime është e saktë, dhe ndjek me vëmendje kur ai shënon emrat e atyre njerëzve të cilët nuk duhet ti takojmë sepse janë shumë të rrezikshëm. Lista e njerëzve që duam të intervistojmë tani shkurtohet shumë.
Gjatë ditëve të ardhëshme, unë kam vazhduar hetimet e mia duke shkuar në restorante të shtrenjta të Beogradit dhe në klubet e frekuentuara nga njerëz të përfshirë në krime ku jam takuar me rojet e paraushtarakëve dhe policëve të lartë serbë të vrarë. Shefat e tyre të vdekur kanë qenë dikur një rrugë komunikimi ndërmjet regjimit të Millosheviq dhe Karaxhiq në ditët e para të luftës dhe thuhet se këta roje ende ruajnë kontakte nga e kaluara në Bosnje.
Këta burra me shpatulla të gjera dhe me shikime të tretura diku larg tregojnë eksperiencat e tyre me Karaxhiq dhe se kush ndër ta mund të jetë duke e mbrojtur atë tani.
Gjatë këtyre takimeve filloj të dëgjoj thëniet dhe kundërthënie të pabesueshme të cilat u insteresojnë njerëzve si puna ime të cilët synojnë të kuptojnë dicka më tepër mbi Karaxhiq. Eshtë e vështirë të mësosh fakte të provuara, por ama ka shumë zëra.
Një ish paraushtarak i cili ka luftuar në Bosnje thotë se ai e dinte që Karaxhiq ka pasur kontakte me zyrtarë të shërbimeve sekrete ushtarake franceze të cilët ai i ka njohur gjatë luftës. Një tjetër thotë se Karaxhiq është ende i lirë falë shërbimeve sekrete britanike.
Njohuritë e tyre për politikën e madhe janë të pakta, por ata duket se kanë informacione dhe dinë me siguri që Karaxhiq ka pasur lidhje me Beogradin në vitet pas luftës. Ata më kanë thënë, për shembull, se deri në vitin 1998, një varg makinash të zeza Audi të cilat shoqëronin Karaxhiq, udhëtonte lirisht përmes republikës serbe të Bosnjes, duke kaluar kufirin për në Serbi pa problem.
Një ditë përpara udhëtimit, unë përgatis zinxhirat e borës për makinën. Eshtë dimër në Ballkan dhe në malet e larta të Bosnjes lindore, parashikohen reshje të mëdha bore.
Ne udhëtojmë nga Beogradi dhe drejtohemi në jug perëndim për në kufi. Kalojmë lumin e mahnitshëm Drina i cili shënon kufirin ndërkombëtar dhe më në fund pas pesë vjetësh, jam përsëri në Bosnje, dikur zemra e një vendi që quhej Jugosllavi.
Për herë të fundit kam qenë këtu në vitin 1998, kur kam punuar si një vëzhgues i të drejtave njerëzore për një organizatë ndërkombëtare duke hetuar rastet e shkeljes sistematike të të drejtave të njeriut në zonat e kontrolluara nga njerëzit e Karaxhiq.
Gjatë atyre ditëve, rrjeti i Karaxhiq ishte më i gjerë dhe ai nuk fshihej aq shumë. Kam marrë pjesë në shumë takime zyrtare ku portreti i tij varej haptazi. Karaxhiq, i cili i ngjante një vampiri të fryrë, shihte nga muret, dhe dukej sikur të kujtonte se ai ishte i kudo gjendur dhe drejtonte të gjitha fijet e padukëshme.
Këtë herë, fotot e tij nuk janë askund, përvec në disa bluza të lira dhe në disa postera të cilat shiten nga shitës të varfër në rrugët e zonës serbe në Sarajevo. Të veshur vetëm me disa rroba të holla megjithë të ftohtin dhe borën që bie, ata duken më tepër si viktima të problemeve të mëdha sociale dhe ekonomike të Bosnjes se sa mbështetës fanatikë të njeriut të kërkuar.
Të nesërmen dëbora e madhe nuk na lejon të nisemi për nga kodrat dhe ne jemi të detyruar të kalojmë pesë ditët e ardhëshme në Sarajevo, ku jemi takuar me policë, zyrtarë të sigurisë dhe analistë në bare të mbushura me tym dhe në zyra të pangrohura mirë.
Disa kritikojnë përpjekjet më të fundit të komunitetit ndërkombëtar për të shkatërruar rrjetin e Karaxhiq.
“Ne jemi të gatshëm ta arrestojmë atë,” thotë njëri. “Por ende nuk ekziston vullneti politik nga ana e ndërkombëtarëve. Po të na jepnin pajisjet e survejimit dhe të stërvisnin njerëzit tanë, brenda disa javësh do ta kapnim”.
“SFOR duhet të arrestojë të afërmit dhe bashkëpunëtorët e Karaxhiq, sic ka bërë SHBA me anëtarët e partisë Ba’ath në Iraq,” thotë një tjetër.
Të gjithë këta thonë se nuk e dinë se ku ndodhet Karaxhiq. Por disa prej këtyre njerëzve janë ish operativë të shërbimeve sekrete të Jugosllavisë, dhe nënqeshjet e komentet e bëra më lënë të kuptoj se këta njerëz dinë më tepër.
Më pas jemi takuar me oficerë të shërbimeve të huaja sekrete të cilët ndihmojnë misionet e tyre monitoruese si edhe me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare të cilët kanë detyrën të bëjnë presion ndaj politikanëve nacionalistë të Bosnjes për të zbatuar marrëveshjen e paqes së Dejtonit. Por nëse këta kanë ndonjë provë për vendndodhjen e Karaxhiq, ata nuk na e thonë.
Në mungesë të ndonjë rezultati të qartë në kërkimet për Karaxhiq, shumë boshnjakë të thjeshtë flasin për një sërë teorish. Shërbimet sekrete franceze nuk po lejojnë anglezët dhe amerikanët ta kapin atë. Shërbimet sekrete angleze po bllokojnë amerikanët dhe fajësojnë për këtë gjë francezët. Ekziston një marrëveshje e fshehtë ndërmjet amerikanëve dhe Karaxhiq. Mua më vjen mendja vërdallë dhe nuk di më cfarë të besoj.
Për tu shkëputur nga këto teori, në nisemi me makinë një mëngjes me diell drejt maleve të bukura dhe pllajave në rajonin e Romanijas, duke ndjekur rrugë të cilat mendojmë se mund të ndjekë edhe Karaxhiq.
Rrugët janë të pjerrta, të ngushta dhe të mbushura me dëborë. Banorët vendas shohin me dyshim dhe sikur duan të pyesin. Rrugët bëhen shumë të rrezikëshme, megjithëse kemi vendosur zinxhirë, dhe kështu detyrohemi të kthehemi në Sarajevë pasi kemi kuptuar një gjë – pa pajisje elektronike survejimi dhe ekipet e ndërhyrjes së shpejtë që kanë në përdorim vendet anëtare të NATO-s, Karaxhiq nuk do të mund të kapet në një terren kaq të ashpër.
Kthehem në Beograd, shumë pessimist për mundësinë e kapjes së tij. Por pastaj në zyrë të shtunën në mëngjes, shoh një raport të agjensive të lajmeve se SFOR po ushtron një tjetër operacion kërkimi. I telefonoj një prej kontakteve tona në Sarajevë. “Eshtë thjesht për marrëdhënie publike,” thotë ajo, duke theksuar se shumë kërkime të tilla në të kaluarën nuk kanë sjellë asnjë rezultat.
Më pas dëgjoj që SFOR ka ndaluar dikë. Jam i habitur, sepse kjo nuk ka ndodhur gjatë operacioneve të mëparëshme. Shoh emrin, dhe më duket si i njohur. Kontrolloj listën time të të dyshuarve dhe shoh se ai është në kategorinë e “personave të rrezikshëm për t’ju kërkuar intervistë”.
I emocionuar u telefonoj burimeve të NATO-s, ata nuk dëshirojnë të japin hollësi mbi rrethanat e arrestimit të tij, por ata konfirmojnë identitetin e personit. Eshtë Bato Tesiq. Eshtë e rëndësishme sepse Tesiq ka qenë anëtar i një njësie speciale policore e cila ka mbrojtur Karaxhiq gjatë kohës që unë kam qenë për herë të parë në Bosnje. Ai konsiderohet nga burimet e sigurimit të serbëve të bosnjes si një njeri i afërt i Karaxhiq.
Mungesa e informacioneve në lidhje me arrestimin bën që të shtohen hamendjet. Një ndër to është se Karaxhiq është plagosur, dhe ka shkëlur rregullat e sigurisë në komunikim duke kërkuar ndihmë. Kjo bisedë është përgjuar dhe Tesiq është arrestuar më pas.
Kjo nuk mund të konfirmohet, dhe unë filloj të mendoj nëse jam ndër ata gazetarë të shumtë dhe zyrtarë të huaj të cilët parashikojnë arrestimin e shpejtë të Karaxhiq.
Por më vonë dëgjoj se SFOR ka pasur një takim sekret me partinë e serbëve të bosnjes në pushtet, dhe u ka kërkuar atyre dorëzimin e Karaxhiq - këtë herë nuk mund të ketë asnjë justifikim.
Më pas dëgjoj që një agjent i rëndësishëm i shërbimeve sekrete angleze, i cili ka qenë njeriu i Londrës në operacionin për rrëzimin e Sllobodan Millosheviq, ka qenë kohët e fundit në Beograd, dhe u ka thënë autoriteteve se vendet anëtarë të NATO-s kërkojnë arrestimin e Karaxhiq, dhe se ai nuk duhet ndihmuar në asnjë lloj mënyre.
Kjo më krijon një ndjenjë të cuditëshme ndërmjet emocioneve të një libri dhe dicka që më në fund do të ndodhë, dhe skepticizmit të zakonshëm me të cilin janë mësuar ata të cilët ndjekin Karaxhiq.
Shpresoj që Bato Tesiq të mbahet i ndaluar nga KFOR. Shpresoj që ai të bashkëpunojë. Shpresoj që të ruhet ky ritëm. Shpresoj që ky të jetë artikulli i fundit që shkruaj rreth kërkimit të Radovan Karaxhiq.
Hugh Griffiths është një koordinator i raporteve investigative të IWPR.