Në Shqipëri Lulëzojnë 'Shenjtorët'
Gjendja e vështirë ekonomike në Shqipëri ka çuar në një bum të të ashtuquajtur 'shenjtorëve' të cilët zgjidhin problemet e njerëzve.
Në Shqipëri Lulëzojnë 'Shenjtorët'
Gjendja e vështirë ekonomike në Shqipëri ka çuar në një bum të të ashtuquajtur 'shenjtorëve' të cilët zgjidhin problemet e njerëzve.
"Prej pesë vjetësh unë po përpiqem të bëjë një fëmijë," thotë Sanie Mataj, një grua nga rrethi verior i Matit e cila tani jeton në rrethinat e kryeqytetit Shqiptar, Tiranë.
"Kam paguar shumë para nëpër shenjtorë por ende nuk kam mbetur shtatzënë. I mbaj gjëerat që më kanë dhënë nën jastëk, dhe hedh ujë të bekuar në ushqimet që gatuaj. Shpresoj që një ditë do të kem një fëmijë".
Sanija të tregon një letër të shkruajtur në një gjuhë të pakuptueshme që nuk është as Arabisht dhe as Turqisht. Mijëra Shqiptarë si ajo u drejtohen për ndihmë të ashtuquajturve 'njerëz të shenjtë' - Shqiptarë që shërojnë fatin - apo anëtarë të sekteve të tjera që kanë lulëzuar në Shqipërinë post komuniste, një vend ku feja ka qenë e ndaluar para vitit 1990.
Për rreth një çerek shekulli Shqipëria ka qenë një shtet krejtësisht ateist dhe kishat dhe xhamitë e vendit u mbyllën dhe kryesisht u shkatërruan nga rregjimi komunist në vitin 1967.
"Procesi i gjatë i tranzicionit në vendin tonë ka shkaktuar një farë kaosi në kuptimin dhe perceptimin e realitetit," thotë Edmond Dragoti, një psikolog, i cili e përshkruan fenomenin si një formë 'çmendurie kolektive'.
Progresi i vështirë nga komunizmi në ekonominë e tregut në vendin më të varfër të Europës ka shtyrë shumë njerëz në krahët e njerëzve të shenjtë dhe të sekteve të ndryshme fetare, në kërkim të paqes shpirtërore dhe zgjidhjes së problemeve të jetës.
Këtyre fenomeneve u është kushtuar pak rëndësi në fillim të viteve nëntëdhjetë. Por së fundi drejtuesit e komuniteteve fetare Muslimane, Ortodokse, Katolike dhe Bektashinjve kanë shprehur shqetësimin e tyre. Zëvendës kryetari i komunitetit Musliman, Selim Stafa, thotë se Shqipëria nuk ka nevojë për njerëz të shenjtë. "Ata janë mashtrues," thotë ai. "Ne u kemi bërë thirrje njerëzve të mos besojnë në gënjeshtrat e tyre. Njerëz të tillë nuk kanë asnjë lidhje me Kuranin, edhe nëse ata i mbështesin kurat e tyre në të".
Pas periudhës së anarkisë në vitin 1997, kur shumë njerëz humbën kursimet e tyre në skema investimesh mashtruese, piramidale, numri i atyre që janë anëtarësuar në sektet e ndryshme është rritur ndjeshëm.
Ato veprojnë në të gjithë vendin por kyresisht janë përqëndruar në Tiranë, ku jeton edhe rreth një e treta e popullsisë së Shqipërisë. Shumë prej tyre i kanë qendrat në rrethinat e kryeqytetit. Për shembull, katër 'shërues' meshkuj dhe dy femra dihet se veprojnë në Tiranë dhe se vizitojnë rreth 150 pacientë në ditë nga të gjitha zonat e vendit.
Teknika e tyre është komunikimi me një shenjtor, pas së cilës ata shpesh dridhen, u bie të fikët, mbesin pa folur apo hyjnë në gjendje transi. Për kurat e tyre, ata zakonisht përdorin masazhet, u këndojnë lutje apo u japin klientëve të tyre gjëra si ujë të bekuar apo vaj ulliri.
Shëruesit nuk kërkojnë haptazi pagesë por njerëzit e dinë se ata duhet të paguajnë. Shumë prej këtyre shëruesve kanë filluar pa asnjë qindarkë dhe brenda disa vjetëve janë bërë të pasur. Një grua e re në moshë, e cila ka vuajtur nga pagjumësia, i ka dhënë një varëse ari dhe 5,000 lekë (35$) një shëruesi të njohur me emrin 'Dora e Zotit'.
Ajo ka qenë një ndër njerëzit e shumtë të cilët kanë paraqitur padi ndaj shëruesit, një njeri i cili siguronte aq të ardhura nga shërbimet e tij sa të kishte mundësi të bënte reklamë edhe në televizonet private. Disa muaj më parë, ai është larguar nga Shqipëria në drejtim të Gjermanisë, sepse gjendja e tij ishte bërë shumë e vështirë.
Në Shqipëri ekzistojnë pesë sekte kryesore fetare dhe pasuesit e tyre janë edhe intelektualë përveç punëtorëve me të ardhura të ulta. Një nga drejtuesit e këtyre sekteve njihet me emërin Eleonora. Një ish punëtore në një fabrikë tekstili në rrethinat e Tiranës, ajo ka organizuar një lotari gjatë periudhës së komunizmit në të cilën çmimi ishte një televizor, gjë e cila ka qenë një luks për atë kohë.
Më pas Eleonora ka deklaruar se ajo ksihte takuar një shenjtor të quajtur Abdyl Qesaraka, dhe pas këtij takimi ajo ka filluar të demonstrojë publikisht teknikat e saj të të fiktit dhe të dridhurave. Në vitin 1993, ajo ka ndërtuar një tempull në Selitë, pranë Tiranës, është divorcuar nga bashkëshorti dhe ka lënë tre fëmijët e saj në kujdesin e disa të afërmëve. Një nga pasuesit e saj, një student i quajtur Drini, i cili është diplomuar si regjisor teatri, i hapte rrugën asaj duke thirrur "Po kalon Shën Eleonora - ata që vijnë tek mua mund të besojnë në të gjithë shenjtorët që duan".
Në Prill, kur gjykata ka urdhëruar largimin e saj nga tempulli sepse dy familje të tjera kanë në pronësi tokën, 60 njerëz, përfshirë edhe disa personalitete publike të njohura, kanë nënshkruar një peticion proteste ndaj qeverisë. Njëmbëdhjetë pasues të saj, përfshirë një profesor të drejtësisë, kanë filluar një grevë urie derisa është arritur një kompromis me pronarët e tokës.
"Shoqëria Shqiptare është në një gjendje të traumatizuar dhe tempulli i shenjtores është një vend ku mund ti shpëtosh kësaj traume," thotë Ahmet Pasha, një aktor i njohur. Një mbështetës tjetër, ish ministri i kulturës dhe shkrimtar, Teodor Laço, i cili drejton edhe një parti të vogël, ka thënë se Eleonora ka "aftësi komunikuese me valët dinamike kozmike të shenjtorëve të vdekur".
Shkrimtari i famshëm dhe fitues i shumë çmimeve, Ismail Kadare thotë se pasuesit e saj paraqesin një farë 'mendje lehtësie' por nuk pranon të shprehet më tej. Dritero Agolli, një shkrimtar tjetër i njohur, thotë se ai është ateist por ka vizituar Eleonorën së bashku me bashkëshorten e tij. "unë nuk dua të paragjykojë të tjerët," thotë ai, "por unë e di se ata gjejnë një qetësi shpirtërore sepse ajo organizon shumë aktivitete".
Disa psikologë ia atribuojnë mbështetjen e intelektualëve për këta shenjtorë një krize identiteti që ka pasuar pas rrëzimit të komunizmit. Pasi kanë kuptuar se puna e tyre e gjatë ka qenë një iluzion, dhe pasi janë përballur me egërsinë e ekonomisë së tregut të cilës nuk i kanë bërë dot ball, ata e kanë kthyer vëmendjen nga iluzionet e krijuara nga sektet.
"Unë gjej paqe, dhe të vërtetën e kësaj bote," thotë një gazetar televiziv i cili i është bashkuar së fundi një sekti. "Unë kam gjetur partnerin tim të jetës dhe jam e sigurtë se ai nuk do të më tradhëtojë gjatë martesës ashtu si shumë të tjerë".
Shqiptarët kanë menduar se ekonomia e tregut do të ishte një parajsë krahasuar me regjimin e vjetër komunist. Realiteti u ka treguar atyre se nuk është ashtu.
Alma Çupi është një gazetare e gazetës së përditëshme Albania në Shqipëri.