Një Takim me Kadarenë

Ismail Kadare, poeti dhe novelisti më i njohur Shqiptar, flet me IWPR-në rreth shpresave dhe frikës së tij për gjendjen në rajon

Një Takim me Kadarenë

Ismail Kadare, poeti dhe novelisti më i njohur Shqiptar, flet me IWPR-në rreth shpresave dhe frikës së tij për gjendjen në rajon

IWPR: Gjatë javës së kaluar, forcat e armatosura Maqedonase kanë bombarduar pozionet e luftëtarëve Shqiptarë rreth Kumanovës. Ka pasur shumë viktima civile si edhe disa qindra shtëpi të shkatërruara. Megjithëse komuniteti ndërkombëtar ka arritur të bindë qeverinë për të zgjeruar koalicionin qeveritar, ekziston frika se konflikti mund të përshkallëzohet dhe të dalë jashtë kontrollit. A është një gjë e tillë e paevitueshme?


KADARE: Gjëja më e rëndësishme në këtë moment është të ndalen vrasjet dhe bombardimet e fshatrave të Shqiptarëve. Të bombardosh popullin tënd nuk është rruga e drejtë që duhet ndjekur. Rruga e drejtë është dialogu. Njerëzit të cilët janë të aftë për të sjellë paqen në rajon duhet të ulen në tryezën e bisedimeve dhe këtu të diskutiohen të gjitha temat pa përjashtim - dhe jo siç ka ndodhur në të kaluarën kur disa tabu kanë penguar bisedimet. Unë po pres dhe shpresoj që UCK-ja të gjejë vendin e saj në procesin e paqes në Maqedoni.


Të gjithë duhet të punojnë për të shpëtuar Maqedoninë nga përshkallëzimi i kësaj lufte. Ka njerëz të cilët thonë se "Për sa kohë që Shqiptarëve u shkelen të drejtat, duhet të vazhdojë lufta". Kjo nuk është e drejtë. I vetmi veprim i drejtë është të ulen armët.


Radikalizimi i vazhdueshëm i opinionit mund të çojë në krijimin e një Libani në Ballkan dhe kjo do të ishte një katastrofë për të gjithë, pavarësisht origjinës së tyre etnike. Ne nuk duhet të lejojmë që kjo psikozë të shtrihet edhe më tej.


IWPR: A e konsideroni ju Shqipërinë si një faktor stabiliteti në këtë pjesë të Ballkanit dhe për zgjidhjen paqësore të çështjes së Kosovës?


KADARE: Një Shqipëri me paqe dhe stabilitet do të jetë një ndihmë e madhe për Shqiptarët kudo që ndodhen. Rruga më e mirë për Shqipërinë që të ndihmojë sot Kosovën, në përpjekjet e saj të drejta për pavarësi, është të tregohet si një shtet serioz dhe i stabilizuar me institucione të forta demokratike - një vend i cili është shkëputur nga ajo anarki në të cilën është zhytur disa herë gjatë dekadës së fundit. Çdo hap drejt stabilitetit në Shqipëri ndihmon në mënyrë direkte aspiratat e Kosovës për pavarësi.


IWPR: Cili është mendimi juaj për vazhdimin e gjendjes së tensionuar në Luginën e Preshevës?


KADARE: Unë mendoj se Shqiptarët në Luginën e Preshevës do të kenë arritur një fitore të madhe nëse arrijnë të sigurojnë të drejtat njerëzore sipas standarteve demokratike ndërkombëtare. Kjo do të ishte një fitore e madhe dhe një sukses njerëzor nëse ata lejohen të jetojnë një jetë normale aty ku janë, dhe mos të vuajnë siç kanë vuajtur më parë. Ata tani bëjnë pjesë në një shtet tjetër, një minoritet si shumë të tjerë në Ballkan.


Në Shqipëri ka një minoritet Grek, ka minoritete në Bullgari, Maqedoni dhe vende të tjera si edhe në Kosovë. Nëse në pranojmë një parim moral, atë të respektimit të minoriteteve, atëherë ky parim duhet të zbatohet kudo, dhe jo vetëm atëherë kur është në interesin tonë. Problemi i minoriteteve ekziston në të gjithë Europën dhe Shqiptarët në Preshevë janë pjesë e këtij problemi, kështu që ata kanë të drejtën absolute të jetojnë dhe të konsiderohen si të barabartë me qytetarët e tjerë të Serbisë. Askush nuk mund të mohojë që kjo është një kërkesë e drejtë e tyre dhe një kërkesë morale.


IWPR: Ju keni thënë disa herë se koncepti i një "Shqipërie të Madhe" është produkt i armiqve të Shqiptarëve. Cilin keni para sysh kur thoni këtë?


KADARE: Unë mendoj se populli Shqiptar është përpjekur shumë, dhe më në fund ka arritur sukses duke i treguar komunitetit ndërkombëtar se kërcënimi i së ashtuquajturës "Shqipëri e Madhe" nuk është aspak real. Për mendimin tim kjo ka qenë një fantazëm e krijuar në rrethet anti Shqiptare me qëllim që të justifikohej në një farë mënyre vazhdimi i mbajtjes nën presion të popullit Shqiptar.


Për fat të keq, kur komuniteti ndërkombëtar ka kuptuar që ky rrezik nuk ekzistonte, çështja është ripërtërirë përsëri. Ju e dini që një parti politike në Shqipëri pak kohë më parë ka dalë haptazi në mbështetje të një "Shqipërie të Madhe", dhe ka pasur edhe deklarime nga grupe ekstremiste, individë apo grupe më të vogla, të cilat e kanë ringjallur këtë fantazëm.


Tani, kjo çështje duhet të përcaktohet qartë: Populli Shqiptar ka të drejtë, si të gjithë popujt e tjerë në botë, të ketë një dëshirë instinktive që një ditë, nëse krijohen kushtet e duhura, dhe nëse Shqiptarët do të dëshirojnë diçka të tillë, të rikrijojnë një hapësirë të përbashkët Shqiptare.


Por Shqiptarët nuk dëshirojnë të arrijnë këtë gjë me dhunë, dhe as nuk duan ta arrijnë tani menjëherë. Kjo hapësirë unike e Shqiptarëve, nëse një ditë do të krijohet, duhet të krijohet në një Ballkan krejtësisht demokratik dhe të integruar.


Pra nëse Ballkani do të integrohet në Europë, nëse kufinjtë ndërmjet shteteve bëhen më pak të rëndësishëm dhe zhdramatizohen, nëse ka lëvizje të lirë të njerëzve, kulturave dhe mallrave, është e kuptueshme që nuk ka asnjë arësye për të krijuar një doktrinë të veçantë për popullin Shqiptar e cila do ti ndalonte Shqiptarët të gëzonin diçka që të gjithë popujt e tjerë e kanë.


IWPR: Historia ka treguar se popujt e Ballkanit nuk kanë qenë kurrë në gjendje të zgjidhin problemet e tyre pa një ndërhyrje të fuqive të mëdha. Të gjitha vendet e Ballkanit dëshirojnë të anëtarësohen sa më parë në Europë. Çfarë i pret Shqiptarët në këtë rrugë?


KADARE: Shqiptarët janë më të interesuarit nga të gjithë popujt e tjerë në Ballkan për tu bashkuar me Europën. Kërkesat e Shqiptarëve, të drejtat dhe liritë e tyre mund të plotesohen në kuadër të Europës. Është në interesin e Shqiptarëve që i gjithë rajoni i Ballkanit, të afrohet më shumë me Europën.


IWPR: Cfarë mendoni për Shqipërinë tani, rreth ndryshimeve që kanë ndodhur në vend gjatë viteve të fundit?


KADARE: Shqipëria po zhvillohet, por kjo është më tepër meritë e vitalitetit të Shqiptarëve, sesa e strukturave të saj politike. Shqiptarët e duan jetën, dhe kanë një dëshirë të madhe për të fituar kohën e humbur. Në Shqipëri ka një aktivitet shumë të madh ekonomik.


Për fat të keq, shteti nuk po e bën si duhet pjesën e tij, për të ndihmuar këtë aktivitet. Ekzistojnë probleme të mëdha, kryesisht për sa i përket marrëdhënieve të qeverisë me opozitën. Së fundi, kam vënë re disa përmirësime: ka më pak presion politik, dhe kjo është një shenjë e mirë. Ekziston një tendencë tani për të kërkuar kompromise por ende jemi larg asaj që do të dëshironim ne për një progres të vërtetë politik në Shqipëri.


IWPR: Edhe Serbia duket se po ndryshon. Millosheviqi është arrestuar por shoqëria Serbe ende gjendet ndërmjet atyre njerëzve që kërkojnë ndryshimin e vërtetë dhe të tjerëve të cilët përpiqen ta pengojnë atë. Sipas jush, edhe sa kohë do të duhet që Serbia të shohë në sy të kaluarën e saj dhe të zhvillojë të ardhmen?


KADARE: Historia na ka treguar se shplarja e një vendi nga barbaria politike kërkon kohë të gjatë. Nevojitet kohë për të spastruar një vend, për të zhdoktrinuar dhe për të larguar helmin e grumbulluar për një kohë të gjatë. Do të ishte shumë naive të mendohej se Serbia do të zhvillohet dhe demokratizohet krejtësisht brenda një të ardhme të afërt. Kjo do të jetë një betejë e gjatë.


Popujt e Ballkanit duhet të përpiqen të pastrojnë ndërgjegjen e tyre nga krimet e kryera në të kaluarën. Edhe ata intelektualë të cilët kanë marrë pjesë apo kanë nxitur dhe organizuar krime në Ballkan duhet të gjejnë forcën morale për ta bërë një gjë të tillë. Pa një hap në këtë drejtim, popujt nuk mund të shkojnë përpara.


Nehat Islami është koordinator i projektit të IWPR-së në Prishtinë.


Ismail Kadare, ka lindur në Gjirokastër, pranë kufirit me Greqinë në vitin 1936. Ai ka studjuar në Universitetin e Tiranës dhe në Institutin Gorki në Moskë. Librat e tij janë botuar në mbi 40 gjuhë dhe ka qenë kandidat për çmimin Nobël në Letërsi disa herë. Megjithëse ai ka arritur të sigurojë një armëpushim të vështirë me autoritetet komuniste, ai u detyrua të largohej nga vendi në vitin 1990 për në Paris.


Frontline Updates
Support local journalists