PAVARËSIA GARANTON PAQEN

Vetëm pavarësia do të sigurojë paqen në Kosovë dhe rajon - çdo zgjidhje tjetër do të jetë e pandershme dhe pa vend.

PAVARËSIA GARANTON PAQEN

Vetëm pavarësia do të sigurojë paqen në Kosovë dhe rajon - çdo zgjidhje tjetër do të jetë e pandershme dhe pa vend.

Ndërhyrja deçizive e NATO-s në Kosovë u ndërmorr për të ndaluar një krizë humanitare, për të ndaluar valën më të madhe të spastrimit etnik në Europë.


Kosova ka qenë prej kohësh një plagë e dhimbëshme për botën demokratike, veçanërisht Europën. Ndërhyrja e NATO-s shpëtoi nderin dhe dinjitetin e saj.


Ajo pasoi një betejë të gjatë të popullit Kosovar. Ushtria e tyre, UÇK-ja, u bë një aleate besnike e NATO-s dhe perëndimit dhe meriton të trajtohet si e tillë në të gjitha zhvillimet e ardhëshme.


Populli shqiptar, veçanërisht ata të Kosovës, do të kujtojnë gjithnjë dhe do të jenë mirënjohës për ndihmën e komunitetit ndërkombëtar e cila i shpëtoi ata nga një krizë nga e cila u kërcënua edhe ekzistenca e tyre.


Ne do t'i jemi veçanërisht mirënjohës presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Bill Klinton, kryeministrit britanik Toni Bler dhe komandantit të NATO-s në Europë gjeneralit Uesli Klark.


Ky ka qenë trekëndëshi magjik i cili përgatiti operacionin që na shpëtoi ne. Pa kontributin e këtyre tre burrave, dhe të të tjerëve, shqiptarët e dëbuar nga serbët nuk do të kishin qenë në gjendje të ktheheshin në shtëpitë e tyre aq të dashura.


Gjatë nëntë muajve të fundit të gjithë kemi marrë frymë lirisht. Ka rilindur jeta në rrugë, dyqane, shkolla dhe fakultete, qytete dhe fshatra.


Fshatarët kanë filluar të punojnë përsëri tokën, pavarësisht se nuk kanë mjetet e nevojëshme apo ndonjë ndihmë nga jashtë. Nëpërmjet punës së njerëzve në qytete dhe fshatra, Kosova po rindërtohet.


Duke i qenë mirënjohës UÇK-së, ne do të falënderojmë edhe Shtetet e Bashkuara, NATO-n dhe Bashkimin Europian për ndryshimet e shumta pozitive gjatë vitit të fundit, dhe për vënien në dispozicionin tonë të arsenalit të tyre diplomatik dhe ushtarak për paqen dhe demokracinë në Kosovë dhe më gjerë në rajon.


Prezenca e KFOR-it, Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE, ka garantuar sigurinë, paqen dhe lirinë.


Por i gjithë rajoni, i tronditur nga mosmarrëveshjet e vjetra dhe të reja, ka nevojë për më shumë paqe dhe siguri. Toleranca dhe demokracia duhet të shtrihen gjerësisht në rajon.


Mbërritja e organizatave ndërkombëtare ka bërë të mundur krijimin e një shoqërie demokratike në Kosovë. Pluralizmi në Kosovë përpara qershorit të vitit 1999 ka qenë një iluzion dhe një mashtrim i përdorur nga regjimi kriminal.


Gjatë vitit të kaluar, situata politike dhe ajo e sigurisë në Kosovë do të kishin qenë më të mira nëse Mitrovica nuk do të ishte ndarë; nëse influenca e presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviq në enklavat serbe do të ishte zvogëluar; nëse rreth 7,000 shqiptarë nuk do të ishin akoma të burgosur; nëse të tjerë nuk do të ishin mbajtur peng dhe shumë të tjerë të ishin zhdukur; dhe nëse represioni serb në Kosovën lindore dhe zhvendosja me dhunë e shqiptarëve nga kjo zonë të ishte parandaluar.


UNMIK-u, përveç ngadalësisë dhe ngathtësisë, ka bërë edhe gabime në krijimin e institucioneve drejtuese në Kosovë, duke zgjatur kështu vakumin institucional.


Ata që luftuan në luftën patriotike nuk kanë marrë aq influencë dhe përgjegjësi sa duhej në sistemin e ri politik të Kosovës.


Së fundi është shkruajtur shumë për përgjegjësinë e drejtuesve të Kosovës. Natyrisht drejtuesit e Kosovës kanë përgjegjësi për vendin e tyre. Por tani pushteti i vërtetë është i kontrolluar nga UNMIK-u dhe KFOR-i.


UÇK-ja është shkrirë. Anëtarët e saj u rreshtuan në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, TMK, policinë e UNMIK-ut dhe një parti politike - Partia e Progresit Demokratik të Kosovës.


Qeveria e përkohëshme e Kosovës, ekzekutivi më legjitim i popullit të Kosovës, ka funksionuar së bashku me UNMIK-un deri më 15 Dhjetor. Ky organizëm përfaqësonte luftëtarët për lirinë e Kosovës dhe forcat demokratike. Por ai u zëvendësua me Këshillin Administrativ Tranzitor të komunitetit ndërkombëtar. Pra tani KFOR-i dhe UNMIK-u janë përgjegjës për sigurinë në Kosovë.


Autoriteti i ri akoma nuk ka filluar të funksionojë si duhet dhe për këtë nuk duhet të fajësohen shqiptarët. Nëse do që dikush të veprojë me përgjegjësi, duhet t'ia japësh këtë përgjegjësi.


Pa institucione legjislative dhe ekzekutive, përgjegjësitë e drejtuesve shqiptarë janë më tepër morale. Dihet mirë se krimi politik dhe ekonomik nuk mund të ndalen në asnjë vend të botës vetëm me deklarata moralizuese. E përse duhet të jetë Kosova një përjashtim?


Pavarësisht problemeve me të cilat përballet Kosova - rezultati i një skllavërimi të gjatë barbar - KFOR dhe UNMIK, megjithëse shumë ngadalë, kanë filluar të vendosin ligjin dhe rendin. Të gjithë po marrin frymë lirisht; jeta po kthehet në normalitet.


Një vit më parë, regjimi i Beogradit vuri në lëvizje makinën e tij vrastare për të pastruar etnikisht Kosovën. Për muaj me rradhë njerëzit në të gjithë botën ndoqën nga ekranet televizive aktet makabre të shovinistëve serbë, dhe lexuan për to në gazeta dhe në internet. Regjimi i Millosheviqit krijoi krizën më të madhe humanitare në fund të shekullit të 20. Një veprim i tillë u dënua me të drejtë nga NATO-ja dhe komuniteti ndërkombëtar.


Gjatë nëntë muajve të fundit shqiptarët e papërgjegjshëm të Kosovës kanë kryer krime të tmerrshme, por këto nuk mund të krahasohen kurrë me veprimet e genocidit nga ana e regjimit të Beogradit.


Pas konferencës së Rambujesë dhe asaj të Parisit, pas gjakderdhjes, pas masakrës së fëmijëve, pleqe dhe të rinjve, pas përdhunimit, vjedhjeve, djegieve dhe krizës humanitare e cila provokoi edhe ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar, e vetmja zgjidhje që mund të sigurojë paqe në Kosovë dhe në rajon është pavarësia e Kosovës.


Çdo zgjidhje tjetër do të ishte e pandershme dhe e gabuar.


Jakup Krasniqi është një nga drejtuesit e PPDK-së në Prishtinë.


Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists