Pavkoviq Drejton Trupat në Zonën e Sigurisë

Trupat Jugosllave përgatiten të përballen me probleme ndërsa kanë filluar dislokimin në zonën e sigurisë me Kosovën

Pavkoviq Drejton Trupat në Zonën e Sigurisë

Trupat Jugosllave përgatiten të përballen me probleme ndërsa kanë filluar dislokimin në zonën e sigurisë me Kosovën

Shefi i shtabit të përgjithëshëm të ushtrisë Nebojsha Pavkoviq, i shoqëruar nga trupa të regjimentit 63 të parashutistëve, ka hyrë në një zonë malore të zonës së sigurisë në kufirin e Kosovës të Mërkurën, më 14 Mars.


Pas kontrolleve të para të ekipeve anti-minë, komandanti, i cili udhëtonte në një xhip të bardhë, ka drejtuar një kollonë të vogël trupash dhe polici ushtarake në një zonë pranë kufirit të Serbisë me Maqedoninë. Ata më pas janë pasuar nga njësi të tjera të ushtrisë Jugosllave.


Marrëveshja e 10 Marsit me NATO-n që lejon dislokimin e forcave Jugosllave në një pjesë prej rreth 40 kilometra të zonës së sigurisë me Kosovën ka nxitur përgatitje të ethëshme në Beograd. Rikthimi i kësaj jave konsiderohet këtu si një fazë e parë drejt marrjes në kontroll të të gjithë zonës së sigurisë.


Numri i vogël i trupave të dislokuar synon ndërprerjen e rrugëve të komunikimit ndërmjet rebelëve Shqiptarë në Maqedoninë veriore dhe luginën e Preshevës në Serbinë jugore.


Më 12 Mars, Serbia ka nënshkruar një marrëveshje armë pushimi me drejtuesit e guerrilasve Shqiptarë në luginën e Preshevës. Mbi 30 njerëz kanë vdekur gjatë luftimeve ndërmjet Ushtrisë Clirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, UCPMB, dhe policisë Serbe të armatosur lehtë gjatë vitit të kaluar.


Militantët Shqiptarë mendohet se kontrollojnë rreth 200 kilometra katrorë në zonën e sigurisë.


Si pjesë e marrëveshjes, të nënshkruar nga zyrtarë Serbë në Merdare në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, armët e rënda të ushtrisë Jugosllave të vendosura rreth Bujanovcit do të tërhiqen në një bazë brenda në qytet.


Në shkëmbim, rebelët Shqiptarë kanë pranuar të ndalin sulmet ndaj forcave Serbe, por do të vazhdojnë të qëndrojnë në pozicionet që kontrollojnë tani.


Nënshkrimi është vonuar për shkak të kundërshtimeve të rebelëve për rikthimin e forcave Jugosllave në zonën e sigurisë, por presioni i NATO-s, e cila frikësohet nga një luftë më e gjerë rajonale pas një kryengritjeje të guerrilasve Shqiptarë në Maqedoni, më në fund arriti të detyrojë palët të nënshkruajnë marrëveshjen.


Komandanti i rebelëve Shefket Musliu ka thënë, megjithatë se ai kundërshtonte dislokimin e forcave Jugosllave në zonë. "Nëse dikush qëllon ndaj Serbëve, ne nuk mbajmë përgjegjësi," ka thënë ai.


Presidenti Jugosllav Vojisllav Koshtunica dhe Kryeministri Serb Zoran Gjinxhiq kanë shprehur disa kritika mbi natyrën e detyrës së propozuar për forcat Jugosllave nga NATO-ja.


Të dy ata kanë shprehur shqetësim se trupat federale mund të ekspozohen ndaj sulmeve të guerrilasve Shqiptarë. Zyrtarë të tjerë kanë ngritur pikpyetje ndaj kufizimeve të vendosura për sa i përket pajisjeve që lejohen të përdorin trupat Jugosllave.


Momçillo perishiq, ish shefi i shtabit të ushtrisë Jugosllave i shkarkuar nga Millosheviqi në vitin 1998 dhe tani zëvendës kryeministër në qeverinë e re, ka thënë se ndalimi i përdorimit të armëve kundër-tank, raketa hedhësve dhe mjeteve të blinduara përbën një rrezik të madh për ushtarët që do të veprojnë në atë zonë.


Megjithëe këto rezerva, qeveria Jugosllave ka arritur në përfundimin se përfitimet nga marrëveshja me NATO-n janë më të mëdha sesa rreziqet, dhe ka filluar të ndërmarrë një sërë hapash praktike për të arritur një rikthim të suksesëshëm të forcave Jugosllave në këtë zonë.


Beogradi e konsideron këtë si një test për forcat e armatosura të vendit të cilin duhet ta kalojë nëse dëshirojnë që NATO, SHBA dhe Bashkimi Europian të lejojë rikthimin e tyre në të gjithë zonën e sigurisë.


Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s Lordi Xhorxh Robertson ka thënë se një anullim nëpër disa faza i zonës së sigurisë do të fillojë sapo të arrihet një marrëveshje politike ndërmjet Beogradit dhe drejtuesve të popullsisë Shqiptare në jug të Serbisë.


Në një përpjekje për të ulur tensionin në zonën e sigurisë, autoritetet e Beogradit kanë miratuar një sërë masash të reja për të vendosur bazat e një mirëbesimi dhe mirëkuptimi.


Nebojsha Coviq, zëvendës kryeministri Serb i cili ka nënshkruar marrëveshjen me NATO-n më 10 Mars, është përpjekur të sigurojë Shqiptarët e atjeshëm duke ndaluar forcat e sigurimit Jugosllave të shqetësojnë banorët vendas apo të konfiskojnë pasuritë e tyre.


"Dislokimi do të kryhet me kujdes sipas të gjitha rregullave ndërkombëtare," ka thënë Coviq.


Gjeneralët e ushtrisë dhe policia janë urdhëruar të mos japin deklarata publike dhe vlerësime për operacionet. Kjo ka qenë një kërkesë e NATO-s, e cila pakëson mundësinë e gafave të tjera nga oficerë të lartë të cilët mundtë bëjnë interpretime arbitrare të marrëdhënieve të Beogradit me NATO-n.


Për shembull, gjenerali Vladimir Lazareviq, komandant i Armatës së 3të të vendosur në Serbinë e jugut, ka lënë të kuptohej gabimisht se anullimi me faza i zonës së sigurisë do të përfundonte me rikthimin e trupave Jugosllave edhe në Kosovë.


Duke vepruar sipas këshillës së NATO-s, Beogradi ka rënë dakort që trupat që do të vendosen në Serbinë jugore nuk do të përfshijnë njësi apo oficerë të cilët kanë shërbyer në Kosovë gjatë krizës së vitit 1998-1999. "Tani ka një ekip krejt të ri gjeneralësh," ka thënë Coviq. "Ne shpresojmë që kjo do t'i japë fund të gjitha fjalëve për sa i përket personelit ushtarak që është përfshirë në Kosovë".


Burime të ushtrisë Jugosllave thonë se një forcë elite e përbërë nga ushtarë profesionistë është krijuar posaçërisht për operacionet në Serbinë e jugut. Kjo forcë përfshin njësitë më të mira të ushtrisë - brigada e 72 speciale, regjimenti i 63 parashutist dhe disa njësi të policisë ushtarake.


"Janë përzgjedhur njësitë më të disiplinuara të ushtrisë, sepse nuk duhet të ndodhë asnjë gabim dhe konfuzion në këtë zonë," thotë një oficer i kësaj force. "Zona është vetëm disa kilometra e gjerë dhe atje ndodhen njësi të KFOR-it, grupe të armatosura të Shqiptarëve dhe forcat e sigurimit Maqedonase".


Marrëveshja e 10 Marsit dhe rikthimi i forcave Jugosllave në këtë pjesë të zonës së sigurimit përbën një nivel të ri në marrëdhëniet ndërmjet Jugosllavisë dhe NATO-s. Të dyja po punojnë së bashku për të arritur një paqe të qëndrueshme - kjo është arritje e madhe po të kihet parasysh se vetëm 12 muaj më parë ato luftonin me njëra tjetrën.


Daniel Sunter është një bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Macedonia, Serbia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists