Përgatitet Konflikt I Ri Në Kosovë
Ekziston frika e shpërthimit të një konflikti të ri ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve përgjatë kufirit lindor të Kosovës me Serbinë.
Përgatitet Konflikt I Ri Në Kosovë
Ekziston frika e shpërthimit të një konflikti të ri ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve përgjatë kufirit lindor të Kosovës me Serbinë.
Duke zbritur një rrugë të ngushtë dhe të përbaltur, diku në kodrat e kufirit lindor të Kosovës, afrohet një Lada Niva e mbushur përplot me 12,500 paketa cigare. Duke qenë më të lira në Kosovë, tregtarët e cigareve i blejnë këtu dhe i shesin në Serbi. Meqenëse, të paktën teknikisht, të dyja janë akoma pjesë e të njëjtit vend, kjo nuk mund të konsiderohet kontrabandë. Ushtarët amerikanë të cilët kontrollojnë ngarkesën e cigareve megjithatë nuk humbasin kohën më kot - ata kërkojnë për armë.
Në një nga pikat e kontrollit të ngritura prej tyre, trupat e NATO-s thonë se ata shohin regullisht ish-anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), tani pjesë e Traupave Mbrojtjese të Kosovës apo ndryshe TMK, të cilët kalojnë kufirin me makina. Ata janë të veshur civilë, nuk mbajnë armë, paraqesin dokumentat e TMK-së për identifikim dhe thonë se po shkojnë për të "vizituar miq". Kjo natyrisht mund të jetë edhe e vërtetë. Rreth 300 shqiptarë nga ky rajon kanë qenë anëtarë të UÇK-së gjatë luftës dhe, sipas një njoftimi të kohëve të fundit të revistës Nin, e cila botohet në Beograd, një prej tyre tani vepron në këtë zonë me një njësi prej dhjetë vetësh.
Ndërsa Mitrovica ka qenë në qendër të vëmendjes së shtypit, një konflikt tjetër duket se po përgatitet. Vetëm pak më larg kufirit lindor të Kosovës, brenda në Serbi, shtrihen bashkitë e banuara kryesisht nga shqiptarët të Bujanovcit, Preshevës dhe Medvegjës. Gjatë luftës forcat serbe kanë spastruar etnikisht disa zona. Ata që mbeten frikësohen nga një konflikt tjetër dhe disa po zhvendosen drejt Kosovës për arësye sigurie. Ndërsa ushtarët amerikanë kontrollojnë Ladan, një burrë tjetër kalon kufirin mbi traktorin e tij me mbesën dhe nipin. Në rimorkion e tij të mbushur plotë ka ngarkuar shumë sende të shtëpisë së tij. Ata vijnë nga fshati Vrban. Një natë më parë shtatë policë serbë kanë shkuar në fshat duke kërkuar të dinë se kush hyn dhe kush del nga fshati. "Atje nuk ka siguri", thotë burri. Si pjesë e marrëveshjes së tyre me NATO-n, trupat jugosllave nuk lejohen të hyjnë në një zonë sigurie prej pesë kilometrash përgjatë kufirit, ku lejohet vetëm policia.
Kapiteni Eric Mekfaden, i batalionit 82 të xhenios amerikane, njëqind trupat e të cilit duhet të kontrollojnë këtë zonë, thotë se dy javë më parë refugjatët nga Vrban i kanë thënë se policia serbe kishte kërcënuar njerëzit, duke i thënë atyre të largohen. Rreth një kilometër e gjysëm më poshtë, në anën serbe të kufirit ndodhet fshati Dobrosin. Më 26 janar një shkëmbim zjarri ndërmjet policisë serbe dhe shqiptarëve ka shkaktuar dy të vdekur. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje gratë dhe fëmijët janë larguar nga fshati i cili tani kontrollohet nga 30 deri 50 shqiptarë të armatosur. Deri tani, policia serbe nuk është rikthyer në fshat. Mekfaden thotë, "Ne u kemi thënë shqiptarëve në Dobrosin se nëse do të ketë një konflikt aty ne nuk do ti lejojmë ata ta zhvendosin atë në Kosovë." Mekfaden thotë se ai mendon se shumë armë po futen ilegalisht në Serbi.
Gjatë këtyre javëve të fundit disa shqiptarë dhe serbë kanë vdekur në të dyja anët e kufirit. Dy burra nga një prej fshatrave serbe pranë bashkisë së Gjilanit janë vrarë së fundi, të ekzekutuar, në rrugën pranë kufirit. Edhe të ashtuquajtur "shqiptarë besnikë", për shembull anëtarë të Partisë Socialiste të presidentit serb Sllobodan Millosheviq, janë vrarë gjatë kohëve të fundit në Serbi.
Shaban Shala, drejtuesi i TMK-së në Gjilan thotë se një muaj më parë një anëtar i forcave speciale serbe është vrarë pranë luginës së Konculj në anën e kufirit të Kosovës. Ai deklaron se atij i ishin gjetur në trup disa dokumenta në lidhje me minat e vendosura në kufi dhe hedhjen në erë të disa ndërtesave. Meqënëse TMK-ja është një forcë civile emergjence që duhet të ndihmojë në raste tërmetesh dhe së fundi duke pastruar dëborën nga rrugët e qyteteve, pranimi i Shalës se TMK-ja "ishte e përfshirë" në incidentin e Konculj është interesant. Për vite me rradhë Shala ka punuar si një aktivist kryesor i të drejtave të njeriut në Prishtinë, por, veçanërisht në vitet e fundit përpara luftës, kjo i ka shërbyer atij si një mbulesë për lidhjet me UÇK-në. Në fakt Shala është një veteran e luftës së armatosur, i cili ka marrë pjesë në të me armë që në vitin 1983 dhe ka qenë një komandant i lartë në Drenicë që nga viti 1998.
Shala thotë në mënyre enigmatike se në rast se perëndimi nuk ushtron presion ndaj Beogradit për të ndaluar atë që ai e quan "politikën e luftës" në rajonet kufitare atëherë ai pret që si me magji, "mund të lindë ndonjë forcë, e cila do të luftonte për mbrojtjen e njerëzve dhe tokave të saj."
Bardhyl Mahmuti, zëvendës president i Partisë së Prosperitetit Demokratik të Kosovës, partia politike kryesore e dalë nga UÇK-ja, e cila drejtohet nga Hashim Thaqi, shkon akoma më larg. Ai thotë se kërkon që mandati i KFOR-it të zgjerohet duke përfshirë edhe Bujanovcin, Preshevën dhe Medvegjen, apo "Kosovën Lindore" si quhen këto zona tanimë në Prishtinë.
Megjithëse i mbajtur sekret, është e qartë se një debat i brendshëm po zhvillohet në kryesinë e partisë, TMK-së dhe pjesëve të tjera të elitës së pas UÇK-së. Disa mendojnë se shqiptarët po spastrohen qetësisht nga rajoni, dhe se nevojitet të mbahet qëndrim dhe perëndimi të mbrojë shqiptarët atje.
Në ndryshim, një nga këshilltarët e Thaqit thotë se ai po kërkon kujdes. "Nuk ka kuptim të niset një konflikt të cilin nuk mund ta fitosh. Ne u kemi thënë të qetësohen dhe të mos presin ndihmë ushtarake nga ne." Edhe Beogradi është në dilemë. Nëse nuk përdor forcën ndaj fshatrave rebele si Dobrosini, atëherë ka mundësi që shumë shpejt të humbë kontrollin e zonës së sigurisë dhe më tej. Por, nëse kundërpërgjigjet, situata mund të shpërthejë, dhjetra mijëra shqiptarë mund të largohen dhe forcat jugosllave mund të gjenden përsëri në konflikt me NATO-n.
Asgjë nga këto duket se nuk ka të bëjë me atë që po ndodh në Mitrovicë. Në fakt, të dy konfliktet janë të lidhura ngushtë me njëri tjetrin. Në se ngrihet problemi i Mitrovicës dhe minierave të Trepçes, pjesa më e madhe e shqiptarëve të Kosovës do të ishin të lumtur të shkëmbenin Kosovën veriore të banuar nga serbët me këto tre bashki. Serbët nga ana tjetër dëshirojnë ti mbajnë të dyja, natyrisht, nëse dështojnë të rivendosin kontrollin e tyre mbi të gjithë Kosovën.
Më 21 Shkurt Lordi Robertson, sekretari i përgjithëshëm i NATO-s, ka paralajmëruar serbët dhe shqiptarët të mos nisin një konflikt në zonën kufitare. "Unë do të paralajmëroja të gjithë ata që kërkojnë të provokojnë në atë pjesë të botës, nga secili krah që të jenë, se ne nuk do të tolerojmë këto veprime." Kjo është gjuha që ka përdorur NATO-ja edhe në prag të luftës në Kosovë.
Tim Xhudah është autori i librit Kosova: Luftë dhe Hakmarrje, i cili do të botohet nga qendra e shtypit e Universitetit të Yale më 23 Mars.