Pesimizëm Për Zgjedhjet në Mitrovicë

Shqiptarët e Mitrovicës e ndjejnë se nuk kanë për të fituar asgjë nga zgjedhjet e ardhëshme vendore.

Pesimizëm Për Zgjedhjet në Mitrovicë

Shqiptarët e Mitrovicës e ndjejnë se nuk kanë për të fituar asgjë nga zgjedhjet e ardhëshme vendore.

Tuesday, 6 September, 2005

Haliti, një pensionist shqiptar, nuk beson se zgjedhjet lokale do të përmirësojnë jetën e banorëve vendas pas një dhjetëvjeçari sundimi të Beogradit.


"Politikanët shqiptarë bëjnë premtime, por a do t'i mbajnë ato?" pyet ai.


Haliti, rreth 70 vjeç, jeton vetëm pak më në veri të urës mbi lumin Ibër, i cili në fakt e ndan qytetin në dy pjesë. Numri i shqiptarëve në pjesën veriore me popullsi kryesisht serbe të Mitrovicës ka rënë ndjeshëm që prej fushatës së bombardimeve të NATO-s vitin e kaluar.


Shqiptarët vendas etnikë dëshirojnë që qyteti të ribashkohet, por nuk besojnë se këto zgjedhje do ta arrijnë këtë synim. Si rrjedhojë duket se pak njerëz shqetësohen se cila parti do të fitojë në zgjedhjet e 28 tetorit.


Politikanët lokalë nuk dyshojnë se këto zgjedhje do t'u japin atyre legjitimitet më të madh dhe do të ndihmojnë në hapjen e rrugës për pavarësi.


"Unë mendoj se këto janë zgjedhje historike, sepse ato janë zgjedhjet e para demokratike dhe të lira në Kosovën e pasluftës," thotë Bajram Rexhepi, kryetari i tanishëm i komunës dhe drejtuesi lokal i Partisë Demokratike të Kosovës, PDK. "Këto zgjedhje do të jenë një provë për pjekurinë politike të kosovarëve dhe vendimtare për faktin nëse ata janë në gjendje ta bëjnë Kosovën një shtet të pavarur."


Tema e pavarësisë dominon fushatat politike vendore, ashtu si edhe kudo në provincë, ndërsa partitë flasin shumë pak për çështjet e rëndësishme lokale.


"Këto zgjedhje janë të nevojshme, sepse na lejojnë të shprehim vendosmërinë tonë për të krijuar një shtet," thotë Skënder Hoti i Partisë Republikane Shqiptare.


Hoti mendon se krijimi i institucioneve lokale do të shërbejë si një platformë për pavarësinë e ardhshme: "Administratat bashkiake do të na lejojnë ne të shtrojmë çështjen e republikës."


Rexhep Ahmeti i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, LKÇK, është i të njëjtit mendim. "Nëse tregojmë se mund të drejtojmë komunat tona mirë, atëherë nuk do të duhet të kalojë shumë kohë deri sa të kemi zgjedhje të përgjithshme dhe një zgjidhje përfundimtare të statusit të Kosovës."


Ashtu si fqinjët e tyre shqiptarë, serbët që jetojnë në pjesën veriore të qytetit të ndarë shprehin pak interes për këto zgjedhje, por për arsye të tjera. Ata nuk pranojnë vlefshmërinë e tyre duke njohur vetëm institucionet serbe - në fakt, shumë prej tyre kanë marrë pjesë në zgjedhjet jugosllave të muajit të kaluar.


"Unë nuk mund të marr pjesë në zgjedhje të atyre që kanë pushtuar Kosovën," thotë për IWPR-në Stojan, një i moshuar serb. "Herët ose vonë, Europa dhe Amerika do t'u kthejnë shpinën shqiptarëve dhe do të na e japin provincën ne."


Zorica, një studente serbe, thotë: "Këto nuk janë zgjedhjet tona. Unë nuk do të tradhëtoj popullin tim. Ne nuk do ta pranojmë kurrë humbjen e Kosovës, e cila u shit nga tradhëtari Millosheviq."


Drejtuesi lokal i serbëve Oliver Ivanoviq ka deklaruar se thirrja e tij për serbët e Kosovës për të bojkotuar zgjedhjet është nxitur nga çështjet e sigurisë. Thëniet e Ivanoviqit tregojnë se shqiptarët nuk kanë monopolin e mosbesimit etnik, frikës dhe dhunës.


"Ribashkimi i qytetit tonë do të jetë shumë i vështirë," pranon Hatixhja, një shqiptare që jeton në veriun e dominuar nga serbët.


Ndoshta më e mira për të gjithë do të ishte që zgjedhjet vendore të kalojnë pa dhunë dhe të zhvillohen të rregullta. Kjo, më shumë se çdo gjë tjetër, do të kishte pasoja pozitive për statusin e ardhshëm të Kosovës.


Violeta Hyseni është gazetare e Radio Mitrovicës.


Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists